Brickos

Thaçi dekoroi 39 personalitete në Tiranë, por jo ata të cilën kanë luftuar e kanë rënë për çlirimin e Kosovës

Thaçi dekoroi 39 personalitete, në Tiranë, por jo ata të cilët kanë luftuar e kanë rënë për çlirimin e Kosovës

Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, i njohur për dekorime, po aq si ish-kryetari Bujar Nishani, ka dekoruar 39 personalitete, në Tiranë, me dekoratën presidenciale “Urdhëri i Lirisë” Ndër të dekoruarit janë Fatos Nano, Bashkim Fino, Sabit Brokaj,  Skënder Gjinushi, Fatos Klosi, Kiço Blushi etj.

Nga ky mes prej 39 personaliteteve të gjallë e të vdekur janë anashkaluar më meritorët, gjatë luftës në Kosovë, oficerët e lartë, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si dhe dëshmorët e kombit.

Thaçi, as kësaj radhe nuk dekoroi ata që luftuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilët ishte në stafin e Shtabit, gjatë luftës. Të paktën kjo figuron në lajmin e shpërndarë në medie. Në këtë mes të dekoruarish nuk ndodhen emrat e oficerëve të lartë të SHP të UÇK-së, si kolonel, Dilaver Goxhaj, Bardhyl Tahiri, madje as komandanti i mirënjohur në Zonën Operative të Llapit, Adem Shehu. Nuk del të jenë të dekoruar, pas rënies as  komandanti i tri luftërave çlirimtare, Tahir Sinani, madje as Astrit  Suli, Endrit Cara, Skerdilajd Llagami, Halit Coka e shumë dëshmorë  të tjerë, ashtu sikur janë dekoruar disa politikanë.

Po ashtu, në këtë listë ku gjenden edhe emra krejt të panjohur për opinionin nuk figuron as emri i  ish-kryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko, as i kryetarit, Rexhep Mejdani, as emri i Sokol Pogës, Halil Katanës, Dritan Goxhajt, Dashamir Alliut,  e shumë të tjerëve.

Anashkalimi i atyre që kanë dhënë jetën për çlirimin e Kosovës, në 20-vjetorin e çlirimit të saj, nuk është vetëm një anashkalim inatzi i Thaçit, sikur bën zakonisht,  por është një akt i papërgjegjësisë institucionale, pse jo edhe akt fyes, përbuzës e përçmues  për një segment të luftës.

Kjo praktikë e keqe e kryeparëve tanë si Thaçi dhe Nishani, ia humb vlerën institucionit, ia humb kuptimin vlerave të luftës, shpërfillë ndjenjat  e familjeve që kanë dhënë më të dashurit e tyre, për çlirimin e Kosovës, fyen historinë e pastër të rezistencës kombëtare. Me këtë rast duhet të përkujtojmë se Hashim Thaçi, i cili dashur pa dashur e përmend emrin e Legjendarit, Adem Jashari,  nuk i viziton Jasharët, në Prekaz, ose i injoron ata, ose ata nuk e mirëpresin, sepse janë të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm dhe të dinjitetshëm për ruajtjen e vlerave të luftës dhe përcaktimit të një vije morale “të demarkacionit”, mes vlerës dhe antivlerës.

Në mesin e atyre 39 personaliteteve, natyrisht se ka edhe meritorë, por shumë besoj që ka edhe të tillë, që kur ta kuptojnë ndasinë dhe anashkalimin që ai u ka bërë sidomos dëshmorëve dhe atyre që për një vit e më shumë luftuan në Kosovë kundër barbarisë serbe, do të skuqen, do t’ iu vije turp dhe nuk do ta pranojnë dekoratën, ashtu sikur ka ndodhur edhe në Kosovë, ku dhjetëra intelektualë e luftëtarë, madje edhe drejtues më të lartë të luftës, nuk i kanë pranuar dekorimet e mirënjohjet e Hashim Thaçit.

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …