RKL

RKL: Kosova sërish koloni tregtare dhe ekonomike e Serbisë, përkohësisht e qëndisur me fjalën reciprocitet

Vendosja e  taksës 100 % në të gjitha mallrat e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës nga Qeveria e Kosovës, ishte për të mos thënë i vetmi vendim dhe veprim i drejtë i Qeverisë, Haradinaj dhe i koalicionit PAN.

Për herë  të parë në historinë e Kosovës, nga viti 1918, duke përjashtuar katër vjet të Qeverisë shqiptare italiane (1941-1944) një Qeveri e pas luftës ishte kujtuar për t i thënë jo kolonializmit ekonomik  serb në Kosovë. Kjo betejë e fituar për një ditë kundër Serbisë, kishte pritu 20-vjet derisa  dikush ishte kujtuar për një veprim të tillë qeveritar, edhe pse kishte pasur veprime paraprake për moslejimin e futjen në Kosovë të mallrave nga Serbia e Vuçiqit dhe Daçiqit.

Është folur dhe është shkruar shumë lidhur me taksën, nga e cila Serbia ka humbur një përqindje bukur të madhe të tregut dhe një humbje në total gati 500 milionë euro në vit. Në planin tregtar dhe ekonomik nuk është ndonjë shifër që ngre peshë, por kjo kishte domethënie të shumëfishtë politike. Në radhët të parë Kosova me një vendim qeveritar, po e përjashtonte Serbinë nga tregu i vet, fillimisht në shenj hakmarrjeje nga veprimet e përditshme antishqiptare dhe po iu tregonte firmave tregtare dhe ekonomike të Serbisë se Kosova nuk do të jetë më e varur nga prodhimet e saj, madje as nga ato të Bosnjës, jo për shkakun e boshnjakëve paqësorë e miq,  por për shkak të Republikës serbe, e cila nuk lejon njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Taksa i shkaktoi kokëçarje BE-së dhe miqve të Serbisë në Evropë e më gjerë, sepse të gjithë ata janë mësuar që Kosova edhe pas shpalljes së pavarësisë të mbetet koloni tregtare dhe ekonomike e Serbisë. Këmbëngulja e kryeministri, Ramush Haradinaj dhe mbështetja e partnerëve të koalicionit, bëri që qarqet ndërkombëtare me ndikim, përmes Gjykatës Speciale, t’ i bëjnë presion Ramush Haradinajt, i cili krejt pa pritur u ftua për hetime në Gjykatë, edhe pse në dy gjykimet paraprake në Hagë ishte shpallur krejtësisht i pafajshëm.

Sapo kishte marrë lajmin, Haradinaj kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kjo kishte shkaktuar rënien e Qeverisë, shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe një varg pasojash për vendin.

Qëllimi i BE-së ishte që qytetarët e Kosovës ta kuptonin se Brukseli nuk e dëshiron një koalicion të partive të dala nga lufta e UÇK-së, që mund t i thonë jo ambasadorëve të huaj në Prishtinë dhe mund ta frenojë edhe procesin e bisedimeve me Serbinë.

Votuesit  pacifistë e kishin kuptuar me kohë porosinë e Brukselit po ashtu edhe përçarjen e thellë bajraktarë e krahinore të koalicionit PAN. E vetmja mënyrë për bashkëqeverisje kishte mbetur bashkimi i LDK-së me Vetëvendosjen,  dy parti të deklaruara me vija të kuqe ndaj PDK-së, parti e cila i kishte shembur veten nga bajraktarët e brendshëm.

Paradoksi e tërë kësaj lufte politike arrin kulmin kur për t’ u veshur me çdo kusht me pushtet, Vetëvendosja, kërkon koalicion të domosdoshëm me LDK-në, parti me të cilin ishte në luftë politike, po aq sa me PDK-në.

Partia e Albin Kurtit, e cila kishte mbështetur taksën, madje ishte partia që kishte zhvilluar sa e sa protesta deri edhe të përgjakshme për të mos lejuar futjen në Kosovë të mallrave të Serbisë, doli me qëndrimin që taksa 100 për qind të hiqej dhe të zëvendësohej me atë që quhet reciprocitet, që nuk është kurrgjë më shumë se një eufemizëm politik, njëjtë sikur eufemizmi i kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili propozimin  e ndërrimit të territoreve me Serbinë e  quante korrigjim të lehtë të kufirit.

I ashtuquajturi reciprocitet është tërësisht i pamundur të instalohet, sepse Koaova nuk është e njëjtë me pozitën e Serbisë, as është shtet i pranuar nga OKB-ja, as nga Be-ja.  Përveç taksës as edhe një mundësi tjetër të vetme nuk e ka Kosova në favor të vetin ndaj Serbisë, sepse Beogradi i Vuçiqit dhe i Daçiqit, ka instaluar me kohë në Kosovë, Listën Serbe,  de facto ka ndarë veriun, ka vendosur vija të autonomisë territoriale të Kishave e Manastireve me dhjetëra mijëra hektarë tokë e prona që kontrollohen nga Sinodi në Beograd dhe ka arritur të imponohet paraprakisht në të gjitha segment, para se Albin Kurti ta ketë menduar fjalën “reciprocitet”, në  kuptim të veprimit politik.

Beogradi zyrtar e ka shfrytëzuar taksën për t u paraqitur viktimë dhe për ta sensibilizuar faktorin ndërkombëtar duke e kushtëzuar heqjen e taksës me vazhdim të bisedimeve, por bisedime me kryefjalën “kompromis”, sepse Serbia ka herë  e ka bërë të ditur se në bisedime do të fitojnë ose do të  humbin të dyja palët, ndërsa nuk do të arrihet asnjë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, nëse edhe Serbia nuk fiton diçka, duke lënë të nënkuptohet marrje edhe de facto e veriut, madje edhe një pjesë të fshatrave të Moravës, por pa dhënë asgjë nga komunat e Kosovës Lindore.

Nuk do  të njohim Kosovën e të mos fitojmë asgjë, ka deklaruar në Novi Sad kryetari  i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Në pyetjen e  gazetarëve se si do t’i përgjigjet Serbia, ultimatumit të Prishtinës, Vuçiq është kundërpërgjigjur po me pyetje: “Çfarë ultimatumi? Që ne të detyrohemi t’i pranojmë, e të mos fitojmë asgjë? Nuk ka gjë prej kësaj”, është shprehur ai. Le të bëjnë ata punën e vet, ne tonën, pastaj të shohim kush del më i suksesshëm, ka thënë presidenti serb, duke shtuar se me këtë rast është vendimtare të ruhet paqja dhe stabiliteti. Ai ka konfirmuar se Uashingtoni është serioz në qëllimet që taksa e Prishtinës ndaj produkteve serbe të hiqet dhe se beson se trysnia amerikane do të vazhdojë.

Presioni ndërkombëtar dhe ai i brendshëm kundër qëndrimeve të Albin Kurtit, të cilin nuk e përkrah as partneri në koalicion LDK-ja, tregon mirëfilli se Kurti, do të detyrohet  të bëjë kompromise deri në atë nivel që do të kishin bërë edhe Ramushi, Thaçi, Veseli apo kushdo tjetër. Albini, në marrëveshjen e detyrueshme me ndërkombëtarët  nuk mund bëjë asgjë as mund të bëjnë më shumë përveç se të nënshkruajnë ato të thotë Greneli, Boreli, në fund Trumpi dhe Putini. Të tjerat janë konsum i brendshëm politik, luftë për favore, largim nga puna i zyrtarëve të ish koalicionit dhe zëvendësim me militantë të koalicionit të ri, zhvatje e buxhetit nga klientela afër pushtetit të ri dhe nga bosët e super përfitimeve  të afërt me koalicionin bashkëqeverisës, tenderë, trafiqe, korrupsion të rafinuar e të lyer mirë, darka, dreka, vizita jashtë, mëditje dhe asgjë më pak por ndoshta edhe më shumë, sepse zyrtarët  që ikën kishin filluar të ngopeshin, këta që kanë ardhur janë të pangopshëm, pasi ka 16 vjet që presin për ta marrë njëherë arkën e Shtetit dhe për t’ i gëzuar favoret që sjellë ajo.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …