RKL: Kujt i pengon regjistrimi i 1000 studentëve nga kategoritë sociale të luftës?

Gjatë luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare  për çlirimin e Kosovës kanë rënë rreth 2000 dëshmorë, ndërsa janë martirizuar rreth 12.000 të tjerë. Po ashtu nga pasojat e luftës kanë mbetur rreth 1400 invalidë. Nuk është zbardhur fati edhe i rreth 1700 të pagjeturve.  Këto janë kategoritë sociale, të cilat i trajtojmë si kategori të dala nga lufta. 


Veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve kanë formuar me kohë edhe organizatat e shoqatat e tyre, të cilat angazhohen për të mbrojtur të drejtat e këtyre kategorive sociale.


Qeveritë e deritanishme të Kosovës kanë bërë aq sa kanë bërë për këto kategori. Nuk mund të thuhet se kanë qenë indiferentë, as mund të dëshmohet se kanë bërë shumë, apo nuk kanë mundur të bëjnë më shumë. Edhe 15 vjet e gjysmë pas luftës, çlirimit të vendit dhe shpalljes së pavarësisë nuk është zgjidhur zhdëmtimi sadopak i një kategorie të veteranëve, por familjarët e dëshmorëve, invalidët e familjarët e  martirëve, nuk mund të themi se janë lënë anash.


Shumica dërrmuese e institucioneve vendore dhe qendrore kanë treguar mirëkuptim për këto kategori.


Ky mirëkuptim vazhdimit u ka penguar kategorive të tjera të prejardhura nga regjimi jugosllav, nga regjimi pa shtet dhe pushtet i kohës së pacifizmit, nga klasa ende e fuqishme titiste rankoviqiste, nga “pobratimet” e kumbarët e Serbisë, nga inspektorët, policët, prokurorët, gjykatësit e ish nomenklaturave të regjimeve sunduese dhe nga tërë mbetjet e regjimeve okupatore.


Këto kategori mercenarësh as janë pajtuar as po pajtohen që familjet, të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre,  të trajtohen me një përkujdesje të veçantë.


Këto kategori mercenarësh, sidomos në mediet e tyre, tashmë të njohura për qëndrim kundër UÇK-së nuk lënë gur pa lëvizur kundër familjarëve të dëshmorëve e martirëve dhe kundër invalidëve dhe veteranëve të luftës.


Rasti më i fundit është moszbatimi i memorandumit, nga Universiteti i Prishtinës, i cili  parasheh hapjen e mundësisë për shkollimin edhe të 1000 studentëve në këtë universitet.


Sa i kushtojnë buxhetit të Kosovës edhe 1000 studentë më shumë?


Sa i kushtojnë Universitetit të Prishtinës këta studentë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet për regjistrim, por shumica prej tyre mund t i kryejnë studimet edhe nëse jo në afat rekord?


Kush përfiton në këtë rast, dhe pse nuk u dashka të përfitojnë në radhë të parë ata familjarë që kanë derdhur gjak, ata familjarë që ende nuk dinë ku i kanë eshtrat e më të dashurve të tyre, ata mbi kurrizin e të cilëve është derdhur mizorisht dhuna e barbaria serbe, ata mbi gjakun e të cilëve është ngritur  liria dhe pavarësia e vendit?


Kujt i pengon regjistrimi i  1000 studentëve  të tjerë, vendim të cilën e ka marrë edhe Ministria e Arsimit?


Si i duket dikujt kur biri apo bija  i një mësuesi,  që ka rënë në luftë për çlirimin e vendit nuk mund të regjistrohet në Universitet, sepse nuk ka të njohur dhe nuk i ka ndihmuar as kush të ketë më shumë poenë gjatë regjistrimit?


Si i duket dikujt kur biri apo bija e një veterani të papunë nuk mund të regjistrohet në fakultet, sepse nuk ka të njohur dhe nuk ka para ta regjistrohet në një universitet privat apo në një kolegj të kushtueshëm ku i regjistrojnë fëmijët e tyre klasa e pasur kapitaliste e Kosovës.


 


Qëndrimi ngurtë, kategorik dhe injorues i  rektorit të Universitetit të Prishtinës, i disa OJQ-ve, mjerisht edhe  i KMDLNJ-së, ( sipas detyrës zyrtare të Këshillit)  natyrisht se është për keqardhje, edhe pse Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës nuk mund të heqin dorë nga përfillja e Memorandumit, pavarësisht kërcënimit të rektorit me dorëheqje. Nuk bëhet nami pse jep dorëheqje një rektor i zgjedhur nga shoqëria  civile. Nën presionin e OJQ-ve dhe disa subjekteve politike ishte detyruar të jepte dorëheqje rektori i ligjshëm, vetëm sepse mes tjerash kishte përfillur edhe këtë Memorandum mirëkuptimi për studentët e kategorive të dala nga lufta.


 


Fushata 15-vjeçare që është ndërmarrë dhe po ndërmerret aktualisht kundër kreut të luftës së UÇK-së, paralajmërimi i themelimit të një Gjykate Speciale, ndërkombëtare, me qëllim për ta damkosur këtë luftë,  zërat gjithnjë e më të fuqishëm të mercenarëve të të gjitha kategorive të dala nga ish regjimet okupatore, madje edhe kundër regjistrimit të bijve e bijave të dëshmorëve e veteranëve në Universitetin e Prishtinës, tregojnë më së miri se deri ku ka shkuar “lufta” e tyre qyqare e mjerane  kundër çlirimtarëve dhe familjeve të tyre.


Ky “disponim” i egër, i vrazhdë, i turpshëm kundër vlerave të luftës çlirimtare tregon se sa thellë e kanë helmuar opinionin mbetjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë në vendin tonë.


 


Mungesa e respektit për gjakun e derdhur dhe për ato familje që i kanë dhënë më të dashurit  e tyre lirisë së Kosovës, tregon faqe botës një indolencë të sëmurë, cinike, tregon një urrejtje patologjike të disa klaneve e grupeve të caktuara, të cilët nuk po arrijnë të mësohen me çlirimin dhe përparimin e vendit, për shkak  se ata nuk i kanë dhënë asgjë kësaj lirie, por kanë marrë, kanë përvetësuar e plaçkitur  gjithçka kanë mundur. 


Është plotësisht e natyrshme të kërkosh ta mbrosh ligjin dhe këtë nuk e konteston asnjë njeri me mendje të kthjellët, por vendimi i një ministrie nuk mund të jetë i paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Shoqatat po kërkojnë zbatimin e Memorandumit, një Memorandumi të ligjshëm, i cili ka favorizuar  një pjesë të shoqërisë, që sapo ka dalë nga lufta. Kjo praktikë nuk do të zgjasë përgjithmonë, por në kushte dhe rrethana kur kategoritë e dëmtuara nga lufta nuk mund të regjistrohen në Universitetet private, as në kolegje të njohura, as në Universitete të Jashtme, as mund të gjejnë punë, dalja në krah të këtyre kategorive është detyrë e shtetit. Kërkesa për arsimim nuk është kërkesë për mëshirë, por për një mundësi, për t’ u kapur diku me shpresë për një të ardhme më të mirë.


 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …