RKL

RKL: Kurtit ia lëshuan në duar “patatet e nxehta”

Nëse është për lavd fakti se Albin Kurti nuk ka prejardhje “kriminale” nga UÇK-ja pse nuk pyet kush,  lidhur me prejardhjen e Vuçiqit e Daciçit, apo ndoshta keni harruar postet e tyre në Qeverinë e Serbisë në vitet 1998-1999.

Edhe para zonjës Mulhaxha, ishte zonja Rada Trajkoviq e cila kishte vënë në spikamë se me Qeverinë e re të Kosovës, e cila nuk ka prejardhje nga UÇK-ja,  Serbia mund të bisedojë më mirë se me të gjitha qeveritë paraprake. Lavdi që i bëri kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuqiçi, ka një prapavijë të thellë dhe të rrezikshme politike, edhe pse duhet besuar se Albini e kupton këtë.

Afishimi i faktit se Albin Kurti nuk ka të kaluar kriminale në UÇK dhe nuk ndiqet nga Gjykata Speciale, qenka në favor të Kosovës apo të integritetit të tij si kryeministër është një thikë e rrezikshme me dy tehe, të cilës aq shumë dhe me aq kujdes i mëshon Serbia.

Pse zyrtarë të LDK-së dhe të Vetëvendosjes nuk pyesin për prejardhjen politike të Vuçiqit e Daçiqit, apo ndoshta iu vjen keq “të groposin” në të kaluarën e njerëzve me të cilët dashur pa dashur duhet t’ shtrëngojnë duart dhe pastaj të bisedojnë.

Zonja Mulhaxha, zonja Osmani e zonja të tjera kurrë nuk kanë pyetur çfarë prejardhje politike kriminale ka, Aleksandër Vuçiqi. A e dinë këto zonja se Vuçiqi ka qenë ministër i Milosheviqit në kohën e luftës, ne koalicionin qeveritar partia socialiste dhe Radikale. Vuçiqi është nxënësi më besnik i Sheshelit  Arkanit e Milosheviqit. Vuçiqi ka qenë pjesë e makinerisë vrastare në Kosovë gjatë luftës,  me të cilin Kurti duhet të ulet e të bisedojë njëjtë sikur ka biseduar Thaçi, pa guxuar t’ ia përmend krimet, as pa kërkuar nga ai të kërkojë falje për krimet që ka bërë mbi popullatën civile  shqiptare. Kjo është pozita e mjerë e politikanëve e zyrtarëve të Kosovës,  në rapost me Serbinë, të përkëdhelurën e Evropës.

Por është edhe një e vërtetë e hidhur në këtë mes. Me sa kemi parë deri tani është në rritje disponimi kundër luftës së UÇK-së, në radhë të parë sepse koalicionin aktual qeveritar nuk identifikohet me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dihet qëndrimi zyrtar i LDK-së, para, gjatë dhe pas luftës, ndërsa Vetëvendosja është parti e re e pas luftës që nuk ka pasur të bëjë me UÇK-në as me luftën.

Është e vërtetë se ky koalicion është shumë i pranueshëm për ndërkombëtarët dhe politikën gjithnjë servile ndaj të huajve por nuk duhet harruar fakti se çdo marrëveshje që mund të arrihet pa pëlqimin e “krahut” të luftës së UÇK-së, kurrë nuk do të pranohet nga luftëtarët e lirisë, ashtu sikur shqiptarët liridashës kurrë nuk e kanë pranuar asnjë marrëveshje të arritur njëanshëm në Konferencat Ndërkombëtare prej Konferencës së Londrës e deri sot. Shqipëria nuk e kishte nënshkruar as Aktin e Helsinkit në vitin 1974 për mos-ndryshimin e kufijve në Evropë, për shkak të trojeve shqiptare të mbetura jashtë vendim amë.

Nuk e di se del mirë apo keq kur të lavdëron armiku, por kur të lavdëron Ujku, Vuçiq,( ky mbiemër në shqip do të thotë “këlyshi i ujkut”, apo “ujku i vogël”) por duhet pasur shumë kujdes, sepse asnjë politikan shqiptar i Kosovës nuk guxon me asnjë çmim të bëjë kompromis në dëm të vendit, ndërsa alfa në bisedimet e ardhshme do të mbetet kompromisi, të cilin në vazhdimësi e ka përmendur kryetari i Serbisë, Vuçiq. Ai e ka ripërsëritur sa e sa herë se “në bisedime për marrëveshje nuk mundet që njëra palë t i fitojë të gjitha e pala tjetër t’ i humbë të gjitha”. Kjo është motoja e filozofisë politike, kriminale  të Beogradit zyrtar  dhe për këtë ai do ta ketë përkrahjen e Grenellit, të Borrelit e të gjithë të tjerëve.

Dihet vetëm një fakt se po t’ i mbajë gjatë në duar,  patatet e nxehta,  Kurtit do t’ i digjen ato.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …