24 vjet më parë, më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e Lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës

RKL: Më shumë dhe më mirë po e mbron UÇK-në PSD-ja, sesa organizatat e dala nga lufta e UÇK-së

Më shumë po e mbron UÇK-në  PSD-ja sesa organizatat e dal nga lufta e UÇK-së, të cilat protestojnë vetëm për rritjen e pagave, edhe pse disa prej tyre madje edhe 170 eurot mujore i marrin pa meritë.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, bullgarja Trenadafilova kishte paralajmëruar se më 4 korrik do të vinte si gjithnjë e paftuar në Kosovë, por ndërkohë ka anuluar vizitën e saj. Kjo ka ndodhur me  siguri për faktin se në vizitën e fundit  në protestat që i kishte organizuar Partia Social Demokrate, ishin përgjakur nga policia disa protestues. Lidhur me këtë vendim të papritur për anulim të vizitës të  Trendafilovës,  kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj e ka lidhur me protestën e paralajmëruar ndaj saj. Po ashtu, Molliqaj ka komentuar edhe deklaratën e kryetares së Speciales, e cila ka thënë se shumica e njerëzve në Kosovë besojnë që Gjykata Speciale do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, për të cilën, Molliqaj, ka thënë se asnjë Gjykatë në botë nuk merret me matje të opinionit. Nëse mbështetja nuk mungon, çka është tërë ky investim në imazh? Arbitrariteti që ushtrohet nga kjo gjykatë mund të ushtrohet në gjykatore, por kur zbret në terren, prej nga ku ka dalë UÇK-ja, situata ndryshon. Është evidente frika nga ballafaqimi. Frika se mos kjo gjykatë po zhvishet nga pretendimet për drejtësi, edhe ashtu të sforcuara. Arbitrariteti që ushtrohet nga kjo gjykatë e mbivendosur mund të ushtrohet në ato gjykatore pa simbole të shtetit Organizimi për kundërshtim vazhdon”, ka përfunduar Molliqaj.

Madje ajo kësaj radhe, në një bisedë për Albanian Post, Trendafilova ishte deklaruar se sondazhi i saj rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se pavarësisht atyre që kundërshtojnë Gjykatën Speciale, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”. Ku e mbështet këtë fakt zonja plakë bullgare? Pse nuk jep as edhe një emër, apo emrat e  të monitoruarve, apo sepse bazohet vetëm në dëshmitarë të mbrojtur dhe zyrtarë të koalicionit qeveritar, bij dhe bija  të udbashëve, të cilët më shumë shprehin respekt për  mercenarët sesa për çlirimtarët.

Kjo gjyqtare e “famshme bullgare”, sikur e  vlerëson Albanian Post, është aq e paanshme sa ajo  nuk përgjigjet në pyetjen pse Prokuroria e kësaj Gjykate ka fshehur dëshmitë e CIA-së, se UÇK-ja nuk ka kryer krime.

Trendafilova deklaron se Gjykata Speciale nuk është krijuar të jetë popullore, ajo vetë dhe në përgjithësi struktura e kësaj Gjykate “mbetet e përkushtuar që të sigurojë se informacionet rreth punës dhe mandatit të saj të jenë të shpërndara në mënyrë transparente dhe në mënyrë efikase te publiku në Kosovës dhe më gjerë në rajon”. Si mund të besohet se Specialja do ta kryejë mandatin e saj me “kredibilitet dhe legjitimitet”, kur ende pa filluar gjykimi, ekspertë të shumtë kanë treguar se vetë gjykata e ka devijuar qëllimin e formimit? Edhe avokati i Kadri Veselit, kishte pohuar në një seancë se “kur lexon materialet që ata kanë ofruar, bëhet e qartë se Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët, që ata pretendojnë̈, është në vetvete Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Vetë ekzistimi i atij grupi”. Pika 35 e aktakuzës i portretizon të akuzuarit si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së.

Plaka bullgare Trendafilova pranon se Gjykata Speciale ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me Prokurorinë dhe përgjithësisht me shtetin serb. Madje ajo shton se  Ligji që vetë e keni miratuar parasheh bashkëpunim të gjykatës me shtete tjera. Ajo shpërbehet me informacione të shtetit serb, sepse vetë ligji i miratuar për Gjykatën e lejon një gjë të tillë, pasi sipas saj: Ligji, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës, parasheh që Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar mund të hyjnë në marrëveshje me shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe subjektet e tjera me qëllim të përmbushjes së mandatit të tyre dhe në veçanti në lidhje me bashkëpunimin dhe çështjet gjyqësore”, thotë Trendafilova.

E pyetur pse u fshehën prova shfajësuese për Thaçin dhe të tjerët,  Trendafilova ka deklaruar se nuk dëshiron të flasë dhe nuk do ta komentojë këtë fakt, i cili nënkupton se ajo me qëllim i fsheh burimet, dhe nga kjo lë të kuptohet se qëndrimi i saj është i njëanshëm dhe në shërbim të një gjykimi politik kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën nga ajri e ndihmoi edhe Aleanca më e madhe ushtarake e botës, NATO-ja,

Avokati amerikan, Gregori Kehoe, i cili mbron Hashim Thaçin, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, u pa në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit – mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts, i cili ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës. Ai i  kishte thënë Prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare. “Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument. Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto. Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”, ka deklaruar Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe. “Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan. U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai. Pse? Pse e lanë jashtë?”, është shprehur Kehoe.

Anulimi i plakës bullgare Trendafilove për ta vizituar Kosovën, është lajm i mirë, tash për tash, sepse ajo pavarësisht deklaratave verbale për  gjoja mbështetjen që ka te shqiptarët shumicë kjo gjykatë, ajo e di më së miri disponimin e shqiptarëve liridashës, sepse këtë e ka parë me sytë e saj gjatë vizitës së kaluar, në Prishtinë. Në moshën e saj kur kjo gjyshe, nëse ka  trashëgimtarë dhe është gjyshe në këtë segment, nuk e ka të lehtë të ballafaqohet me protesta.

Qëllimin të cilin e ka arritur PSD-ja dhe aktivistët e saj, jo vetëm me këtë rast, por edhe në shumë e shumë raste të tjera  jo vetëm se duhet përshëndetur, por duhet mbështetur unanimisht nga luftëtarët e vërtetë të lirisë.

Pacifikimin e veteranëve të cilën  por përpiqet ta ushtrojnë institucionet, nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, sepse pikërisht kjo jo vetëm që e dëmton luftën tonë të drejtë, por edhe krerët e saj që pritet të gjykohen nga Gjykata Speciale.

Përpjekjet për mbështetje  që me vizita të panumërta, në Hagë, që po bëjnë, grupe, individë, madje edhe përfaqësues të institucioneve,  nuk vlejnë aq sa vetëm një paralajmërim  për protestë kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Trendafilova, sikur ka bërë  PSD-ja,  e vetmja parti e cila aktualisht po e mbart mbi supe rezistencën aktive, me protesta e demonstrata, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK- dhe  kundër keqqeverisjes e mashtrimeve të qeverisë Kurti.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …