RKL: Në shënim dhe përkujtim të 135-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Prej Epopesë lavdiplote, çlirimtare dhe fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, asnjëherë nuk pushuan përpjekjet e liridashësve shqiptarë për t’u çliruar nga Perandoria Osmane, e cila për 500-vjet rresht mbajti nën robëri, jo vetëm Shqipërinë, por tërë Ballkanin, një pjesë të madhe të Evropës dhe shumë shtete ndër më të fuqishmet  të botës. Përpjekjet e përgjakura dhe të pareshtura të shqiptarëve për të krijuar një shet kombëtar, që do të përfshinte të gjitha territoret me shumicë etnike shqiptare, shënuan një kthesë afirmative, sidomos me Lidhjen shqiptare të Prizrenit, të qershorit të vitit 1878, datë kjo që kishte shënuar një moment krucial gjatë të cilit të gjitha energjitë e popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për atdheun, për tokën, për gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht të vetëm për t’u bërë ballë turqve, serbëve, malazezve, gjermanëve, austro-hungarezëve, grekëve, pse që të gjithë këta së toku ishin bashkuar kundër popullit shqiptar.

Prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u deshën edhe 34 vjet deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912. Atëbotë shtetet fqinje të përkrahura nga Rusia Cariste dhe shumica dërrmuese e shteteve të Evropës, lejuan Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë të aneksonin  dy të tretat të territorit shqiptar, të cilin e mbajtën nën okupim për afër një shekull.

Më 17 shkurt të vitit 2008, rreth 120 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kosova shpalli pavarësinë dhe me këtë akt historik u krijuan dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërkohë që jashtë Shqipërisë dhe Kosovës kanë mbetur një pjesë e Shqipërisë Verilindore, sikur  janë trevat etnike shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë, Kosova Lindore dhe viset shqiptare në Mal të Zi, si dhe trojet etnike shqiptare në Greqi.

Prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kanë kaluar 135 vjet dhe shqiptarët, ende nuk janë bashkuar në një shtet të vetëm, sikur janë bashkuar qysh moti në krijimin e shteteve të tyre kombëtare: grekët, bullgarët e Serbët e popujt e tjerë të ranorit të Ballkanit e më gjerë. Programi kombëtar i LSHP-së ka avancuar në deceniet e fundit, por ende nuk është realizuar në tërësi.

Të besojnë se shqiptarët liridashës, kudo ku jetojnë me shumicë, në trojet e tyre etnike, nuk do të reshtin së punuari e  së angazhuari për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare drejt bashkimit dhe krijimit të një Shqipërie të tërë, (qoftë ajo që quhet natyrale, etnike apo e madhe) mbi baza të parimit etnik dhe kurrsesi mbi baza të mulietnicitetit të neveritshëm, pjellë kopile e bashkim vëllazërimit të kohës së robërisë së zezë  shumëvjeçare nën Jugosllavinë tashmë  të shkatërruar në tërësi dhe të mbetur në kujtesën e popujve si një burg i rëndë, veçanërisht  burgu më i rëndë kolektiv i shqiptarëve.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 na sjellë në kujtesë të kaluarën e lavdishme të gjyshërve tanë, të cilët me mund e gjak ruajtën e çliruan aq sa mundën, dhe në mos më shumë, ata na mësuan si luftohet dhe si duhet rënë  për atdhe, na mësuan  si nuk duhet të hiqet dorë kurrë nga aspiratat e lirisë, barazisë, drejtësisë mbi parime të reciprocitetit dhe të bashkimit kombëtar, e drejtë e natyrshme dhe e ligjshme e çdo kombi kudo në botën e qytetëruar.

Sot 135 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ne përkujtojmë me pietet dhe respekt heronjtë dhe dëshmorët, të gjithë ata, të cilët gjatë kësaj periudhe historike kanë rënë në altarin e Atdheut. Përkujtomë dhe nuk i harrojmë kurrë: Avdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Jakup Ferrin, Haxhi Zekën, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Dedë Gjon Lulin, Idriz Seferin,  Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Selam Musanë, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Hoxhë Kadri Prishtinën, Elez Isufin, Azem Bejtën, Shote Galicën, Myslim Pezën, Mujo Ulqinakun, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Emin Durakun, Xhemal Kadën, Asim Vokshin, Ali Kelmendin, Ibe Palikuqin, Gjon Serreçin, Osman Bunjakun,  Mulla Idriz Gjilanin, Shaban Palluzhën, Mehmet Gradicën, Imer Berishën, Ajet Gërgurin, Shaban Shalën, Fazli Graiçevcin, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallen e shumë të tjerë deri te Legjendari, Adem Jashari, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Me mundin gjakun dhe djersën e tyre dhe të bashkëluftëtarëve të tyre, në të gjitha periudhat e luftërave, sot e mot identifikohen të gjithë liri-dashësit dhe liri-bërësit, të gjitha ata shqiptarë dhe shqiptare, të cilët atdheut i kanë falur jetën, mundin, djersën, diturinë e pasurinë e tyre.

Qofshin të paharrueshëm për jetë e mot!

GJERGJ FISHTA: LIDHJA E PRIZRENIT

Gjergj Fishta

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,

Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,

Eja e t’kndojm më Lahutë t’Malcis,

Si ata Krenët e Shqyptaris

Në Prizrend na janë bashkue

Për me folë me bisedue,

Shqyptarinë se si m’e pshtue

prej çapojve t’Malit t’Zi,

Qi ka dyndun top e ushtri,

Me hi n’Plavë, me hi n’Guci,

Me marrë Shkodren me Malci,

Der ku dan vendi me Dri;

Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës

Dorë i dhanka Knjaz Nikollës

Me ndez zjarm aj m’votrat t’ona,

Me nga qet aj n’arat t’ona,

Me ba dru n’zabele tona,

E me gra e me vasha t’ona,

Me luejtë shkjau harushë nder ne,

Thue se s’ka Shqyptarë mbi dhe,

Por po kisht’, besa Shqyptarë,

Kisht’ Shqyptarë zemër bujarë,

Burra t’urtë, trima luftarë,

Qi s’po u tutshin kta me dekë

M’erz a m’tokë me pasë me i prekë.

Përse, qe, qaj Ali Pasha

Fort ka vra ato vetlla t’trasha,

Ka vra vetllat edh’ a idhnue,

Burri i botës kur ka ndigiue,

Se n’Berlin asht ba pleqnija

Nen kamë t’shkjaut me vue Shqypnija;

Edhe n’Pejë trimi ka dalë,

T’tanë Shqypnis ka çue nji fjalë,

Qi shk’a Krye, shk’a Bajraktar,

Shk’a Vojvodë e shpi e parë

Fill me dalun në Prizrend,

Per me ngrefë aty kuvend,

E si motit, për Atdhe

Me lidhë besë me lidhun fe:

Besë e fe me lidhë Shqyptare,

Se pa dalë Shqypnija fare,

Sa qi n’fushë as në zabel

Mos me lehë ma qen në stel,

Mos t’këndojë as pulë as gjel,

Vendin t’huejve mos m’ua lshue,

Shkjaut per t’gjallë mos me ju shtrue,

Mos me vu kapicë mbi krye:

Mbretit fjalen me ja thye.

(……………………………….)

Si ata hyjt qi shkrepin n’qiell:

Në Prizrend na shkuekan fill,

Prizrenjsnët ku mirë po i presin,

Bukë e zemër ku po u qesin,

Si zanat qi e ka Shqypnija,

Kur t’u shkojë miku te shpija.

E si tok na janë bashkue,

Trimat m’kamë atëherë janë çue

E kanë dalë në log t’kuvendit,

M’ato mojet e Prizrendit,

Ku kan ndejun rend mbas rendit,

Me Ali Pashen n’krye të vendit.

(……………………………………..)

Por janë Krenët e Shqyptaris,

Krenët e Gegvet e t’Tosknis,

Qi kan dalun në ket dhe

Me lidhë besë, me lidhun fe,

Edhe m’armë kta me u shtrengue,

Evropës fjalen m’i a poshtnue,

Qi me mbret paska pleqnue

Me i dhanë dore Malit Zi

Ta coptojë t’mjeren Shqypni.

(.. ………………………………….)

Aj asht trimi Frasher Begu,

Qi gjithkund, ku e qiti shtegu,

I la nam aj tosknis

Faqe t’bardhë i la Shqypnis.

Mandej vjen nji Qefali,

Prenk Bibë Doda, djalë zotni:

Per kah mosha mjaft i ri,

Por i vjeter me pleqni,

Kur të dojë me folë urti:

(………………………………)

Perse sod o kurr Shqyptari

Gjan e vehten do t’bajë fli

Per Atdhe, qi ati i la i Pari,

E per nderë e per liri.

Sod t’shtatë Krajlat edhe Mbreti,

N’at berlin n’kuvend bashkue,

E kan ba pleqnin n’mjet veti

Malcin Knjazit me i a lshue;

Me ia lshue Knjazit Malcin,

Me na da ne vlla me vlla,

Me na hupun Shqyptarin,

Me na lanun rob nen shkja.

Kush a nipash t’Kastrijotit,

Qi ka nderë e nuk ban kore:

Burrë, si burrat qi kjenë motit:

Aj sod armët të rrokë mizore

E të dalë në breg të Cemit,

Prej kah shkjau rri e na kercnohet,

M’i diftue botës e polemit,

Se pa gjak Shqypnija s’shtrohet,

Ktu s’do t’shklasë, jo kama e huej;

Kush, pos nesh, s’zen qe m’ket tokë;

Se na rob s’i shtrohna kuej,

Der sa t’jemi gjallë me kokë,

Me eshtna t’onë, po, ne Shqypnis

Nji mburojë kem’ per t’i a vu

Qi edhe topat e Rusis

S’kan per t’mujtë, jo, M’e dermue.

Abdyl Frasheri kshtu foli;

(………………………………)

Edhe Krenët e Shqyptaris

Kanë marrë letrën per m’e shkrue,

Fjalë për fjalë kshtu me peshue:

Ju qi jeni të shtatët Krajlat,

Edhe ti mbreti i Stambollës,

Falmeshndet Krenët e Shqypnis,

Per njat gjygj, qi e keni bamun,

Qi nen shkja me vue Shqypnija,

Pa shikjoni, se, per Zotin,

Mund t’na bijë ndo’i punë e keqe;

Pse na rob s’i bahna kuej,

Pagë e t’dheta s’i lajm kuej.

Njiket tokë të Shqyptaris

Zoti vetë Aj na e ka falun

E as Taljanit marrë s’i a kemi,

As rrëmye s’i a kem’ Francezit.

As Inglizit, as Teutonit,

Se ma Slavit jo se jo,

Qi veç dje ka ra n’Balkan

E kush di se ku e kputë zverkun:

Sot këtu, nesër s’die ku.

Sa per Mbretin e Stambollit,

Qi po thotë, se Knjaz nikollit

Do t’i falë Shkodrë e Malci,

Mund t’i thoni, se Shqypnija

Nji shportë fiqash nuk ka qillue,

Per m’u a da miqve peshqesh.

Por asht toka e t’Parvet t’onë,

Asht Atdheu, po i Skanderbegut,

Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit

E i atij Lekë Dukagjinit,

Edhe i Kukës edhe i Muzakut

Edhe i Strezës e i Aranitit

Qi e kan la t’tanë me gjak t’Turkut.

Prandaj s’ka as Krajl as Mbret,

Qi ket tokë e falë a e shet,

Der sa t’ket nji zog Shqyptari,

Qi t’bajë hije permbi dhe.

Kështu letren e kan dhanë

Per Berlin, ku kishin zanë

Mbreti e Krajlat, gjygj me i da

Shekllit t’ngratë, në gjak krejt la.

(Fragmente nga “Lahuta e Malcis” Shkodër, 1937.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …