Bedri Gashi: BETEJAT QË MERITOJNË TË HYJNË NË KUJTESËN E TRASHËGIMISË HISTORIKE

Kanë kaluar njëzet e tetë vjet nga ato ditë të zjarrta të korrikut të vitit 1998, kur në lokalitetet e Komunës së Klinës u zhvilluan tri nga betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tri përballje të mëdha me armikun, tri faqe të shkruara me gjak, sakrificë dhe heroizëm, të cilat nuk duhet të mbeten në margjina, por duhet të zënë vendin e merituar në regjistrin e kujtesës dhe të dokumentimit historik të luftës së popullit shqiptar për liri.
Bëhet fjalë për Betejën e Parë në Grykën e Kullës në Dollc, më 3 korrik 1998, Betejën e Dytë në Grykën e Kullës në Dollc, më 25 korrik 1998 dhe Betejën e Rixhevës, më 26 korrik 1998. Këto beteja nuk ishin thjesht përplasje të armatosura, por ishin momente vendimtare të një lufte që mori përmasa të mëdha, ku djemtë e lirisë nën udhëheqjen e Mujë Krasniqit-Kapuçit u vunë përballë një makinerie të fuqishme ushtarake.
Në Betejën e 3 korrikut nuk isha pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Por, sa herë që kujtoj atë ditë, përkulem me respekt të thellë para sakrificës së bashkëluftëtarit tonë të çmuar, zëvendëskomandantit të Njësitit “Graniti” të Gllarevës, dëshmorit Muhamet Haxhaj. Ai ra në një istikam të Dollcit dhe luftoi deri në frymën e fundit, duke mbrojtur tokën e Kosovës, duke u ngritur në lartësinë e rrallë të sakrifikimit dhe të heroizmit individual. Akti i tij heroik përmendet përherë dhe kujtohet me pietet të lartë në altarin e dëshmorëve.
Për dy betejat e tjera të korrikut, Betejën e Dytë në Grykën e Kullës dhe Betejën e Rixhevës, mund të dëshmoj drejtpërdrejt. I kam përjetuar nga afër, isha në istikame, pranë komandantit Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe bashkëluftëtarëve të mi të respektuar. Prandaj, kjo histori nuk duhet të personalizohet, të shtrembërohet apo të rrëfehet sipas interesave të çastit. Fatkeqësisht, edhe pas kaq vitesh, kujtesa për këto beteja herë-herë është cenuar nga rrëfime të pasakta, nga interpretime subjektive, nga xhelozi ndërzonale apo nga naivitete lokale.
Jam i bindur se historia nuk mund të shkruhet mbi këto devijime, por kërkohet guxim për të thënë të vërtetën. Prandaj, historianët, studiuesit, institutet akademike dhe institucionet që merren me dokumentimin e historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet ta ndërpresin heshtjen e gjatë të pasluftës. Pa paragjykime dhe pa ngarkesa personale, duke ruajtur distancën dhe objektivitetin që kërkon shkrimi shkencor i historisë, duhet të mblidhen dëshmitë e atyre që ishin pjesë e këtyre ngjarjeve, të ruhen dokumentet, të regjistrohen kujtimet e luftëtarëve dhe të dëshmitarëve dhe të ndriçohen me profesionalizëm të gjitha ato ngjarje që përbëjnë mozaikun e madh të luftës për liri.
Sot, më 25 korrik, kur përkujtojmë 28-vjetorin e Betejës së Dytë në Grykën e Kullës në Dollc, të zhvilluar nën udhëheqjen e Mujë Krasniqi-Kapuçit, me të cilin bashkëveprova nga fillimi i vitit 1997 dhe u angazhova në organizimin, unifikimin dhe forcimin e radhëve të luftës çlirimtare, si dhe mora pjesë pranë tij në të gjitha betejat e zhvilluara, ndiej një detyrim të veçantë moral dhe historik që të sjell para jush një pjesë të dëshmisë sime personale për këtë betejë.
Rrëfimi im është një këndvështrim ndryshe, një dëshmi e drejtpërdrejtë dhe origjinale e një ushtari që luftoi dhe ishte aty, në istikame, pranë bashkëluftëtarëve të tij.
Nesër, më 26 korrik, do të sjell edhe dëshminë tjetër për Betejën e Rixhevës, e cila meriton të kujtohet, të dokumentohet dhe të ruhet përjetësisht në kujtesën historike të Republikës së Kosovës.
EPOPEJA E QËNDRESËS NË GRYKËN E KULLËS, 25 korrik 1998
Një ndër ngjarjet më të rëndësishme luftarake të verës së vitit 1998 në Kosovë është, pa dyshim, Beteja e Dytë që u zhvillua më 25 korrik 1998 në Grykën e Kullës në Dollc. Sot, kur kalon përgjatë magjistrales Prishtinë-Pejë, në afërsi të asaj fushe të betejës, ende mund të gjesh gjurmë të asaj kohe. Ato janë gjurmë që nuk i ka fshirë koha. Janë dëshmi të një vere kur toka jonë ishte kthyer në fusha betejash dhe kur çdo kodër, çdo breg, çdo rrugë e çdo shteg mund të bëhej vend i përballjes së fundit. Aty qëndron edhe një pllakë e madhe me dy fjalë që peshojnë shumë: Epopeja e Qëndresës. Sa herë e shoh atë mbishkrim, më kthehet mendja te ajo ditë. Te zhurma e granatimeve. Te ushtarët e rreshtuar. Te fytyrat e tyre. Te heshtjet para betejës. Te guximi i tyre. Te Mujë Krasniqi.
Pra aty, më 25 korrik, u zhvillua një prej betejave më të mëdha dhe më të ashpra. Në krye të betejës ishte Mujë Krasniqi-Kapuçi. Ai ende nuk ishte shëruar plotësisht. Plagët i kishte ende, siç thuhet, të freskëta në trup. Trupi i tij mbante shenjat e betejave të mëparshme, por ai ishte kthyer. Dhe kthimi i tij ndihej kudo. Muja nuk ishte thjesht një komandant që kthehej në front. Me të kthehej një forcë tjetër. Një frymë që i afronte njerëzit dhe i bashkonte njësitet. Me të kthehej ndjenja se, pavarësisht nga sa e madhe ishte forca e armikut, ne nuk ishim më vetëm. Ai kishte ardhur për t’i bashkuar njësitet e krahut jugor të Drenicës dhe Llapushës në një qëndresë të përbashkët monumentale.
Me kthimin e tij në krahun më jugor të Zonës Operative të Drenicës dhe në hapësirat e saj, pasuan beteja të mëdha, të mundimshme, sakrifikuese dhe, njëkohësisht, krenare. Prandaj, sot, pas 28 vjetëve, këtë betejë mund ta quaj të denjë për t’u shënuar me meritë si kontribut historik. Ky kontribut ka të bëjë jo vetëm me atë që ndodhi, por më shumë për atë që përfaqësoi kjo betejë, që ishte përballja e patrembur e ushtarëve tanë me një forcë të madhe ushtarake të Serbisë. Ajo ishte një betejë ku njësitet tona, të bashkuara nga komandanti ynë, u vunë përballë një makinerie ushtarake shumë të madhe. Por në luftë nuk është gjithmonë numri ai që tregon se kush ka më shumë forcë. Ndonjëherë është vendosmëria që mbizotëron. Ndonjëherë është kauza që mbron. Dhe ndonjëherë është bindja se nuk ke më ku të tërhiqesh dhe nuk ke më ku të shkosh përtej tokës tënde.
Ne ishim rreshtuar në pesë njësi përgjatë vijës së asfaltit, nga Gryka e Kullës në drejtim të Rixhevës. Njësiti “Alfa” i Çabiqit dhe Njësiti “Thera” nga Abria e Poshtme, i komanduar nga Halil Bytyqi, ishte në vijën e parë, si dhe Njësiti i Mleqanit, i komanduar nga Beqir Sefë Gashi, ishte pozicionuar po aty. I radhitur në thellësi dhe si pararojë ishte edhe njësiti “Korbi”. Pas tyre, vinin “Graniti” nga Gllareva dhe “Beta” nga Dobërdoli.
Para se të fillonte beteja, Muja lëvizte nëpër të gjitha pikat e vendosura. E shihja duke kaluar nga një pozicion në tjetrin. Kontrollonte. Këshillonte. Shikonte ushtarët në sy. Ai e dinte se çfarë po vinte. Në luftë, ndonjëherë, edhe një vështrim i komandantit mjafton për t’i dhënë forcë një ushtari dhe Muja dinte ta bënte këtë.
Në orën 11:00 pushuan granatimet. Papritur, mbi vijat e para të frontit ra një heshtje e rëndë. Ishte ajo heshtje që nuk të qetëson. Përkundrazi, të paralajmëron. Ne kishim vendosur qëllimisht disa pozicione të rreme.
Forcat serbe u vendosën aty pa ndonjë vështirësi. Por nuk lëvizën më tej. Qëndruan. Vëzhguan. Pritën. Ne e kuptuam se diçka po përgatitej. Forcat serbe nuk po avanconin. Dukej sikur po blinin kohë për të zbuluar me saktësi pozicionet tona. Muja nuk pranoi të qëndronte në pritje. Ai nuk ishte njeri që priste gjatë kur duhej të merrte një vendim. Mori katër ushtarë dhe u nis drejt një krahu tjetër të bregut, buzë asfaltit. Lëvizën ngadalë. Me kujdes. Pa u diktuar. Dhe Muja arriti t’u afrohej pozicioneve të forcave serbe pa u vënë re. Aty, mbi pozicionet e maskuara, ndodheshin forcat e armikut. Një oficer i lartë serb po u jepte urdhra ushtarëve të tij. Më vonë, Muja më tregoi se oficeri mbante në dorë një letër me planin e veprimeve. Ushtarët që e shoqëronin e kishin parë nga afër se si ushtarët serbë shpërndaheshin majtas e djathtas, duke u futur në pyllin e dendur të Grykës së Kullës. Muja nuk dha urdhër për të hapur zjarr ndaj tyre. Ai kishte zgjedhur një objektiv tjetër. Oficerin. Komandantin që po i drejtonte. Nuk priti gjatë. Një krismë. Vetëm një krismë dhe oficeri serb ra i vrarë mbi thasët e rërës së pozicionit të maskuar.
Në ato çaste, askush nga ne nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur. Pastaj dëgjuam rafalët. Njërin pas tjetrit. Të shpejt. Të çrregullt. Për një çast menduam se luftëtarët tanë ishin përplasur drejtpërdrejt me forcat serbe. Mund të ishin vrarë. Tre prej nesh u nisëm me vrap drejt bregut të majtë nëpër të cilin kishin kaluar ushtarët tanë. Fatmirësisht rrugës takuam Mujën, i cili po kthehej drejt pozicioneve, bashkë me ushtarët e tjerë. E mbaja radiolidhjen hapur dhe dëgjuam zërat e forcave serbe duke kërkuar stafin mjekësor dhe ambulancën ushtarake nga prapavija. Nga një qendër tjetër e ndërlidhjes serbe foli shifra “Bistrica”. Kërkonte sqarime nga Dollci që mbante kodin “Linka”. Pas pak, nga “Linka” e Dollcit u dha njoftimi për oficerin e vrarë. Dhe atëherë nga ana tjetër e radiolidhjes shpërtheu një zë plot zemërim. Një pyetjet dhe përgjigjet e zhvilluara në radiolidhje në gjuhën serbe, më mbetën në mendje fjalët: – Prej nga ka ardhur ai plumb, ta q… nënën? A e dini çfarë kemi humbur? Nga “Linka” e Dollcit erdhi përgjigjja: – Nuk e dimë…Sikur ka mbirë nga toka. E dëgjuam atë bisedë pak çaste pas shkrepjes së pushkës së Mujës dhe kuptuam se oficeri që ishte vrarë ishte një figurë e rëndësishme e forcave serbe. Nga ana e tyre shpërtheu një rrëmujë e madhe. Zëra emocionalë. Sharje. Urdhra. Rafale të pakontrolluara. Ishte një çast kaosi dhe një çast kur një forcë e madhe, e cila kishte ardhur për të na shtypur, për një moment kishte humbur drejtimin.
E pyeta Mujën se si ndodhi. Unë e gjuajta oficerin, më tha. Në atë përgjigje të shkurtër kishte diçka për t’u zbërthyer më tej. Ai kishte zgjedhur kokën e bishave. Në vend që të hapte zjarr pa dallim, kishte goditur pikërisht atë që po drejtonte forcat. Pastaj u kthye te ne. E dinte se nuk do të vononte kundërpërgjigja. E dinte se pas vrasjes së oficerit të tyre do të vinte përgjigjja dhe përgjigjja erdhi. Forcat serbe do të përpiqeshin të na zmbrapsnin. Të na vrisnin pa mëshirë. Të na thyenin. Të na nxirrnin nga qëllimi dhe ngulitja finale.
– Nuk e dimë… sikur ka mbirë nga toka. Ende më tingëllon në vesh zëri zhgënjyes i raportuesit serb. Ne ishim aty, në tokën tonë, në mesin e maleve, bregoreve dhe Grykës së Kullës, aty ku çdo gur, çdo shkurre dhe çdo pëllëmbë dheu tundej. Ata kishin makineri, armë të rënda dhe një ushtri të madhe. Ne kishim vullnetin për të mos u dorëzuar dhe një tokë që nuk donim ta lëshonim.
Atë ditë u binda se lufta e të huajit në tokën tënde nuk matet vetëm me numrin e armëve që posedon dhe të ushtarëve që drejton. Rrezatoi një moment i rrallë qëndrese dhe ndryshoi kursi nga një grusht njerëzish që vendosën të qëndrojnë aty ku të tjerët do të tërhiqeshin orë e çast. Ne ishim aty dhe po qëndronim. Mbi ne binte pesha e një lufte të pabarabartë, ndërsa përballë nesh shtrihej një forcë e madhe ushtarake. Por, në atë çast, në atë vijë fronti, nuk mendonim për historinë. Mendonim vetëm për pozicionin që duhej ta mbanim dhe për shokun që kishim pranë. Mbanim tytat e drejtuara nga armiku. Bënim sytë katër. Megjithatë, sot, kur kthehem pas, e kuptoj se ne pikërisht aty jetonim historinë e lirisë sonë.
Gryka e Kullës nuk ishte më vetëm një vend në hartën e luftës. Ishte bërë një prej atyre vendeve që sikur krijonte një pakt hyjnor me ushtarët e vet mbrojtës. Gryka e Kullës me ushtarët e saj kishte vendosur të mos përkulej. Në qendër të saj qëndronte vetë Muja. Ai nuk ishte vetëm komandanti që na udhëhiqte. Ishte njeriu që lëvizte nga një pozicion në tjetrin, që shikonte ushtarët në sy, që e njihte rrezikun dhe, megjithatë, ecte drejt tij. Ishte ai që, edhe i plagosur, edhe i lodhur, edhe me trupin që ende nuk ishte shëruar, e gjente forcën të kthehej aty ku beteja kishte nevojë për të.
Si sot, kur e kujtoj atë ditë, më duket sikur dëgjoj ende zërat e ushtarëve të mobilizuar, zhurmën e largët dhe të afërt të mjeteve luftarake serbe dhe krismat e pushkëve tona dhe pushkëve armike që jehonin nëpër Grykën e Kullës.
Më duket sikur e shoh përsëri Mujën duke kaluar nëpër pozicione pa frikë. Më duket se i shoh ushtarët trima që i dolën përballë asaj furie. Të gjithë ishin guximtarë dhe trima, sepse po të mos ishte ashtu nuk do të ishin aty ku digjej toka nën këmbë.
Dhe mendoj…sa shumë rrëfime mbetën të pashkruara? Sa beteja u zhvilluan dhe a u harruan ato para se dikush të ulet për t’i shkruar… Prandaj po shkruaj. Jo vetëm për veten. Jo vetëm për ata që ishin me mua dhe që isha me ta, por për ata që ranë, për ata që mbijetuan dhe për ata që një ditë do të pyesin se çfarë ndodhi më 25 korrik 1998 në Dollc. Po shkruaj edhe për binjakët e mi që një ditë kur të mos jem në jetë, të mos më thonë: Përse babi ynë nuk la asgjë të shkruar për luftën për pavarësi nga Serbia. Po shkruaj sepse një ushtar që e ka përjetuar luftën e di se kujtesa është një tjetër front. Në frontin e parë luftuam kundër armikut. Në frontin e dytë luftuam për të mbijetuar, por në frontin e kujtesës duhet të luftojmë që e vërteta të mos humbasë. Dhe unë dua që kjo ditë të shënohet. Të mbetet siç ishte e lavdishme Gryka e Kullës. Të mbetet Dollci. Të mbetet zëri i atyre që luftuan. Të mbetet kujtimi i atyre që ranë. Të mbetet edhe ajo krismë e vetme që, nëpërmjet radiolidhjes, i bëri ata të pyesnin të habitur:
– Prej nga ka ardhur ai plumb…Ndoshta, për ta, dukej sikur kishte mbirë nga toka, por ne e dinim se ai plumb kishte ardhur nga zemra e një komandanti trim dhe të paepur që kishte vendosur të luftonte stoikisht bashkë me ushtarët e tij.
Gjatë gjithë ditës, përballë granatimeve, zjarrit dhe sulmeve të njëpasnjëshme, qëndruam aty ku ishim. Dhe tani, përsëri dhe përsëri pas 28 vjetëve, e kuptoj se ne thjesht ishim ofruar të gjithë për t’u flijuar. Nuk e dinim se si dhe kur Kosova do të ishte e lirë. S’e dinim nëse do të sulmohej regjimi kriminal serb nga forcat e NATO-s, siç ndodhi pas 24 marsit të viti 1999. S’e dinim absolutisht nëse Kosova do të ishte shtet i pavarur, siç ndodhi më 17 shkurt 2008, në ora 15:39 minuta.
Por me datën 25 të korrikut përvelues, fusha e betejës gjëmonte. Gryka u mbush me zhurmën e pandalshme të armëve, me krisma, me shpërthime dhe me ushtima që arrinin në majën e Kastratit dhe ktheheshin drejt nesh. Tymi e mjegull ngrihej para nesh dhe ajri ishte rënduar nga baruti. Oksigjeni nuk shkonte në tru sa duhet.
Topi që kishim në dispozicion nuk kishte shënjestër të përshtatshme dhe, në ato kushte, ishte pothuajse jashtë përdorimit efektiv. Disa ditë më parë, oficeri i lartë i UÇK-së, z. Mahir Hasani, i cili na kishte vizituar në pozicionet e Dollcit, na kishte udhëzuar që, në mungesë të shënjestrës adekuate, të përpiqeshim ta punonim vetë një të tillë, qoftë edhe me mjete të improvizuara. Ishte një prej atyre shembujve praktik të luftës sonë, ku duhej të luftoje me atë që kishe dhe të përpiqeshe ta bëje të vlefshme edhe atë që, në kushte normale, nuk do të mund të përdorej.
Përballë nesh, ndërkohë afrohej këmbësoria serbe. Lëviznin vazhdimisht. Provonin të na merrnin krahët. Kërkonin një pikë të dobët. Por ne nuk ua dhamë. Lufta zhvillohej gjithnjë e më afër dhe sa më afër vinte armiku, aq më e madhe bëhej nevoja për të qëndruar.
Ushtarët e Njësiti “Alfa”, Naser Gashi dhe Bekim Shala gjuanin me mitralozin “Gulinov 12.7”, në drejtim të forcave serbe. Fatkeqësisht, pas pak çastesh morëm informacionin se mekanizmi i tij ishte bllokuar pas gjuajtjeve të para gjatë betejës. Kur këmbësoria serbe vërshoi shtigjeve malore të Dollcit, përplasja u bë edhe më e afërt. Në ato çaste, Beqir Gashi (djali i vogël i Sefë Mleqanit) dhe Ali Gashi hodhën nga afërsia disa bombë dore mbi këmbësorinë serbe. Ishte një luftë që nuk zhvillohej më nga larg. Armiku ishte aty. Ne ishim aty. Secili prej nesh gjuanim dhe donim të të pësonte armiku. Secili prej armiqve gjuante dhe donte të pësonim ne. Dhe midis nesh ishte vetëm një hapësirë e vogël toke që duhej mbrojtur me çdo kusht. Tanket filluan të afroheshin. Zhurma e tyre sa vinte e bëhej më e madhe. Ne e dinim se përballë nesh vinte një forcë që nuk mund ta ndalnim me armët që kishim në dispozicion, por ndonjëherë, në luftë, njeriu nuk pret që të ketë armën e duhur. Pret vetëm çastin e duhur. Ali Gashi nga Njësiti “Alfa”, priti pikërisht atë çast. Kur tanku u afrua në distancë të rrezikshme, ai doli nga pozicioni dhe, nga afërsia e goditi me “Zola” tamam në zinxhirët e tij. Tanku u ndal. Për një çast, makineria e rëndë që kishte ardhur drejt nesh mbeti e palëvizshme. Pak më tej, Avni Krasniqi po ashtu nga Njësiti “Alfa”, vëllai i Mujës, iu afrua një tanku tjetër dhe përdori një koktej molotovi së bashku me tre ushtarë nga Likovci. Flakët e kapluan tankun. Dhe ajo pamje, në mesin e një beteje të tillë, ishte një përgjigje e një grushti ushtarësh ndaj makinerisë vrastare. Pas kësaj filloi sulmi i përgjithshëm mbi automjetet dhe këmbësorinë serbe. Të gjithë u përfshimë në betejë.
Në anën tjetër, Ali Krasniqi dhe Hamit Millaku, ushtarë të Njësitit “Alfa” hapën zjarr me mitralozët njëqindësh ndaj ushtarëve serbë. Paraprakisht, edhe Mirush Daka me njësitin e tij “Korbi” nga Ceraviku zhvilloi luftime me forcat serbe. Korbi i kishte hedhur një bombë ushtarëve serbë në një bunker të ndërtuar para betejës së 3 korrikut.
Topxhiu i njësive çlirimtare (kërkoj falje nuk më kujtohet emri i tij) gjuajti pesë predha në hyrje të Grykës në kolonën e automjeteve luftarake. Asnjëra nuk e goditi cakun e synuar. Kjo ishte një tjetër dëshmi e vështirësive dhe sfidave marramendëse me të cilat përballeshim. Armiku kishte tanke, mjete të blinduara dhe armatim të rëndë. Kishte logjistikë dhe qindra e qindra ushtarë të rregullt. Ne kishim ushtarë vullnetarë dhe armët e dashura që kishim mundur t’i siguronim nga një tokë e ndarë shqiptare. Nga Shqipëria. Tanket serbe në lëvizje u afruan për ta mbuluar tankun që Aliu kishte goditur me “Zola”. Nga pjesa e pasme e tankeve zbritën dy ushtarë serbë për ta lidhur për tërheqje mjetin e dëmtuar. Por nuk e patën të lehtë, sepse përpjekjet e tyre u penguan nga zjarri i ushtarëve tanë.
Halil Bytyqi nga Abria e Poshtme me ushtarët e tij dhe Beqir Gashi nga Mleqani ishin tok me Mujën në luftime. Edhe Remzi Vishaj me Njësitin “Beta” nga Dobërdoli, si dhe ushtarë të tjerë luftonin nga krahët. Në atë vorbull zjarri armik, në një moment u plagos Bashkim Raci nga gurët që ngriti në ajër plasja e granatës. Ai ndodhej njëzet metra larg meje. Pozicioni ku ai gjendej ishte i ekspozuar dhe nga krahu i djathtë ishte pothuajse e pamundur t’i afrohej dikush për t’i dhënë ndihmë. Pa u menduar gjatë, sapo kuptova se ai ishte plagosur, u nisa drejt tij. Vrapova përmes zjarrit të armikut, ndërsa plumbat fishkëllenin para këmbëve të mia dhe mbi kokën time. Çdo hap mund të ishte hapi im i fundit. Kisha vetëm një qëllim, të arrija te Bashkimi për t’i ndihmuar. Tashmë ishim në vijën ku forcat serbe e kishin kthyer në një nga pikat më të goditura të betejës. E përmenda këtë për të treguar se qëndronim pranë njëri-tjetrit dhe ishim shokë, vëllezër lufte dhe njerëz që nuk mund ta linim njëri-tjetrin.
Dita po konsumonte pasditen e vet të paharruar. Na mungonte uji dhe buka. U desh të nxirren nga vijat e betejës dy ushtarë për të sjellë ujë nga fshati Përçevë. Bukë nuk patëm dot. Banorët ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Ne ishim në betejën që nuk priste. Forcat serbe përdornin taktika standarde të luftës. Dëgjoheshin luftimet larg e më larg. Nga Drenica në Dukagjin. Nga Drenica në Llapushë. Magjistralja dhe birigjet e saj ishin arenë lufte. Duhet cekur se istikamet shin punuar me kujdes. Na mbronin fort. Përnjëmend në istikamet ku luftonin njësitet “Alfa” dhe “Thera”, forcat serbe nuk kishin mundësi të kalonin pa shkelur mbi bunkerët tanë. Edhe pse dy herë u nisën lendinës në drejtimin ku ishim, por nuk ndaluan, jo nga armët tona, por nga urdhrat e eprorëve të tyre. Këmbëngulja jonë e madhe ka dyzuar armikun shumëfish. Vullneti i ushtarëve tanë dhe qëndresa e tyre e patrembur janë ndoshta lavdërimi më i madh shpirtëror. Ata meritojnë çdo mirënjohje.
Në rrjedhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e Dollcit ishte një prej më të mëdhave. Ajo tronditi forcat serbe që marshonin me qindra trupa dhe me 150 automjete të rënda. Ata që nuk e kanë përjetuar një luftë të tillë e kanë të vështirë ta përfytyrojnë. Ata që e kanë dëgjuar nga larg, ndoshta kanë dëgjuar vetëm gjëmimet. Krismat. Shpërthimet. Pas çdo krisme ishte një ushtar armik ose ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra forcat serbe nuk kanë luftuar me vetveten, por me ne. Dhe, pas çdo shpërthimi ishte një pozicion shqiptar. Pas çdo metri toke ishte një jetë që rrezikohej.
Në muzgun e parë të së shtunës së katërt të korrikut 1998, forcat serbe arritën të depërtonin me makineri të rënda në Kijevë. Çfarë mund t’u bënim tankeve të shumta dhe mjeteve të blinduara! Fatkeqësisht nuk kishim armatim të mjaftueshëm dhe adekuat për t’i ndalur të gjitha. Ishte e rëndë. Shumë e rëndë. Sidomos kur zhurma e tyre kalonte pranë nesh. E dëgjonim makinerinë e luftës që lëvizte. Ndienim peshën e saj mbi tokën që po mbronim, por më e rëndë ishte diçka tjetër. Ajo ndjesia kur piknim gjak nga këto beteja, ndërsa njerëz që qëndronin larg frontit na thoshin: “Është e vështirë t’u dilet serbëve përpara me këto armë që keni.” Po. Ishte e vështirë, por ne u dilnim. Përse të mos u dilnim? Ishim në tokën tonë. Në shtëpitë tona. Në vendin tonë. Duhej të luftonim dhe ishte vendi për të cilin kishim vendosur të luftonim.
Në fund, barrikada dhe vija e vendosur në Dollc u shpërthye, por jo pa luftë. Jo pa qëndresë. Jo pa sakrificë. Të qëndrosh një ditë të tërë në betejë, mes tymit dhe zjarrit që të ngulfat, përballë dhe shumë afër një armiku të egër, nuk është një ngjarje që mund të kalojë lehtë nëpër kujtesë. Ajo mbetet. Mbetet në mendje. Mbetet në ndërgjegje. Mbi të gjitha, mbetet në histori. Aq ishin mundësitë tona, por përpjekjet nuk ishin të vogla. Ne nuk kishim gjithçka që na duhej për ta ndalur atë makineri, por kishim diçka që nuk mund të matej me numër. Kishim vullnetin për të qëndruar. Kishim guximin për të mos u dorëzuar dhe kishim një komandant që ishte aty përherë me ne. Në çdo çast. Në çdo pozicion. Në çdo rrezik. Ai ishte aty ku lufta ishte më e vështirë. Ai ishte aty ku rreziku ishte më i madh. Ai ishte aty ku duhej marrë vendimi. 28 vjet më vonë kuptoj se ajo që na mbajti nuk ishte vetëm arma që kishim në dorë. Ishte besimi. Besimi te njëri-tjetri. Besimi te liria e tokës sonë që vuante. Sado e gjatë dhe e rëndë që ishte betejë e 25 korrikut dhe të tjerat, ne nuk iknim nga zjarri i luftës për liri, por qëndruam.
Qëndruam siç duhet në Dollc. Nga ana jonë patëm tre të plagosur. Nuk patëm të vrarë.
Në betejën në epiqendër morën pjesë: Mujë Krasniqi, Ali Krasniqi, Beqir Gashi, Bedri Gashi, Halil Bytyqi, Ali Gashi, Agron Mirdita, Avni Krasniqi, Izet Milazimi, Naser Morina Gllarevë, Naser Gashi, Bekim Shala, Hamit Millaku, Musë Buzhala, Bujar Shala, Elmi Raci, Bashkim Raci, Kadri Demaku, Halit Gashi, Musli Morina, Naser Morina Klinë, Baki Gashi, Haki Gashi, Fitim Shala.
Nga beteja u kthyem pas mesit të natës. Gjithçka heshtte, përveç stafit mjekësor që po na priste në gjendje gatishmërie në Ujmirë.
P.S: Ka kaluar kohë e gjatë dhe ka emra që i kam harruar, por të gjithë bashkëluftëtarëve që nuk i kam përmendur dhe që kanë dhënë kontribut të madh atë ditë iu kërkoj shumë falje që kam janë në këtë përshkrim, pot të jenë të sigurt se në librin që jam duke shkruar do të jenë të gjithë të prezantuar në librin që e kam në dorëshkrim.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Azizi: Politikat shtetërore jugosllave dhe transformimi etnik i Peshterit dhe Bihorit (1918–1966)

Ismet Azizi: Politikat shtetërore jugosllave dhe transformimi etnik i Peshterit dhe Bihorit (1918–1966)

Hyrje Proceset etnike në Peshter dhe Bihor gjatë shekullit XX nuk mund të kuptohen vetëm …