RKL: Platformën e Serbisë për Kosovën në mënyrë të heshtur dhe të rafinuar po e pranon Bashkimi Evropian, madje edhe “partnerët tanë”

Sesa janë mashtruar politikanët tanë nga autoritetet e BE-së, dhe diplomatë të tjerë ndërkombëtarë, qysh prej pranimit të bisedimeve me Serbinë, pas legjitimimit të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë, tashmë po shihet sheshit edhe me korrjen e rezultateve nga ato bisedime të quajtura, teknike.


Në fillim, në mënyrë krejt të rafinuar u tha se me Serbinë do të ketë vetëm bisedime teknike dhe u përjashtua kategorikisht mundësia që të zhvillohen bisedime politike lidhur me statusin e Kosovës. Po ashtu, zyrtarët tanë të lartë, të gjithë pa dallim, ishin zotuar se kurrë nuk do të bisedohej për veriun e Kosovës dhe për asnjë segment tjetër, që kishte të bënte me statusin e vendit tonë.


 


Edhe gjatë procesit të atyre bisedimeve, zyrtarët serbë nuk e kanë fshehur faktin se bisedimet mund të quhen teknike, por në esencë ato janë politike. Ata, po ashtu kanë thënë se vjen dita kur do të bisedohet edhe për statusin e veriut të Kosovës, madje edhe për autonominë maksimale të saj,  e cila edhe funksionon si e tillë qysh prej 14 vitesh.


 


Këtë e kanë ditur të gjithë, madje edhe politikanët tanë, të cilët nuk janë aq naivë, sikur i pandehin disa, por e kanë fshehur të vërtetën dhe si gjithnjë e kanë kallaisur me fjalë të mëdha, me rrahje gjoksi, me sa e sa veprime të pamatura, të cilat kanë quar në degradimin e pavarësisë së Kosovës. Dhe, pikërisht lëshimi pe në bisedime për hir të “partnerëve në BE” i mundësoi Serbisë, jo vetëm të përfitojë nga bisedimet, por edhe të hartojë platformë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke përjashtuar kategorikisht shpalljen e pavarësisë, meqë Serbia qëndron e patundur në vendimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.


 


Tani po bisedohet për platformën e Serbisë në BE dhe pikërisht për këtë platformë do të jetë i detyruar të bisedojë, kryeministri, Hashim Thaçi dhe koordinatori, Blerim Shala, sepse kështu po na  udhëzojnë “miqtë” tanë në BE dhe “ambasadorët” e huaj në Prishtinë. Deklaratat publike se nuk kemi arsye të frikësohemi nga Serbia, sepse ato qenkan platforma tashmë të vjetruara dhe demode, nuk i ha më pazari, sepse historinë e armiqësisë 13-shekullore me serbët e dimë të gjithë dhe e kemi vuajtur mbi supe, sidomos në 100 vitet e fundit.  Në të gjitha bisedimet e deritanishme me Serbinë delegacioni i Kosovës ka lëshuar pe. Mjafton të përmendim vetëm çështjen e fusnotës, (me të cilën Serbia kalkulon edhe sot, meqë thirret në rezolutën 1244 të OKB-së), kur Qeveria ishte zotuar se në asnjë mënyrë nuk do të pranonte një kërkesë të tillë të Serbisë. Më vonë u tha se pranimi është formal, se ajo fusnotë ishte e vdekur, se ishte bërë vetëm sa për sy e faqe, se tekefundit Kosova është e pavarur dhe ç rëndësi paska një fusnotë e OKB-së. U tha madje se Kosova më shumë ka fituar, me pranimin në organizata rajonale, sesa ka humbur. Kështu thoshin në kohën e tyre edhe: Azem Vllasi, Ali Shukria, Kolë Shiroka, Rrahman Morina, Surja Popovci, Hysamendin Azemi, me rastin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi, të cilat quan në pezullimin e autonomisë së saj në vitin 1989. Edhe në atë kohë pati politikanë që trumbetonin se Kosova jo vetëm që nuk humbiste asgjë, por ajo po e përforconte pozitën e saj në Serbi.


 


Tani kur Serbia po i dikton kushtet e bisedimeve, kur ajo e ka mbështetjen jo vetëm formale të Brukselit zyrtar, bisedimet kanë marrë seriozitetin ndërkombëtar, meqë BE-së nuk i intereson pavarësia fiktive e Kosovës, asaj i intereson joshja dhe mundësisht pranimi i Serbisë në BE, me qëllim për ta shkëputur nga Rusia, përderisa Serbia ka lejuar Rusinë që në rajonin e Nishit ta ndërtojë bazën më të madhe ushtarake në rajon. Në një zhvillim të tillë, kur edhe Bullgaria kërkon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos rrinë duarkryq, por të ndërtojnë një bazë në Bullgari, Kosova futet në bisedime pa kusht me Serbinë, e cila i shfaq publikisht synimet e veta hegjemoniste antishqiptare. Në kushte dhe rrethana të tilla, bisedimet me Serbinë, i shërbejnë vetëm Brukselit zyrtar për ta joshur Beogradin mbi kurriz të pavarësisë së Kosovës.


 


Sesa serioze janë këto bisedime dhe çfarë pasojash mund të kenë për Kosovës mjafton të ballafaqojmë opinionet e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomejer dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert.


Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë z.  Peter Blomejer është cituar të ketë deklaruar se “parashtrimi i kërkesave maksimaliste  që ka bërë Qeveria e Serbisë me Platformën e saj për Kosovën, nuk e ndihmon procesin e dialogut që po zhvillohet midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, duke kërkuar që palët t’iu përmbahen kornizave të dialogut të cilat i përcakton, komisarja e BE-së, zonja Ashton”. Blomejer kundërshton kërkesat maksimaliste, por jo kërkesat e moderuara të Serbisë. Ndërkohë shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert, ka thënë se në platformën e Serbisë për Kosovën ka elemente të mira, por se ka pjesë që duhet të përpunohen që të jenë të pranueshme për të dyja palët.  Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, siç unë e kam kuptuar, ua ka ndarë ambasadorëve versionin punues të platformës për Kosovën. Presim ta shohim dokumentin final e atëherë do t’i japim komentet tona”, tha ai. “Nga ajo që kemi parë ka elemente të mira, të cilat ofrojnë shansin që të ecim para me dialogun. Megjithatë, janë aty disa pjesë që kërkojnë ende përpunime të rafinuara, që të jenë të pranueshme për të gjitha palët në proces”, vlerësoi ai.


 


Përfaqësuesi i BE-së në Beograd , Degert haptas flet për elemente të rafinuara, për interpretime lakonike, në mënyrë që asnjëra palë të mos ndihet humbëse. Për BE-në është me rëndësi që bisedimet që vazhdojnë, edhe kur shfaqen kërkesa maksimaliste, sepse pala që ka shfaqur kërkesa të tilla të quajtura maksimaliste, doemos se do ta ulë pak pazarin, por pala e Kosovës, e cila nuk ka shfaqur madje as kërkesa të natyrshme si ajo për bashkim me Shqipërinë, çfarë do të ofrojë në këtë rast, përveç pranimit të heqjes dorë nga veriu i Kosovës, pa marrë guxim as të bisedojë për tri komunat e Kosovës Lindore të mbetura nën Serbi.


 


Bisedimet me Serbinë pa kushtëzimin e pranimit paraprak të pavarësisë, Beogradit zyrtar i kanë lënë  mundësi të mëdha manovrimi, të cilat politika serbe i ka shfrytëzuar dhe po i shfrytëzon në të gjitha momentet.


 


Serbia ka arritur që prej një shteti agresor, të satanizuar nga mbarë bota demokratike dhe të bombarduar nga forca më e madhe ushtarake e botës, të luajë me shumë mjeshtri rolin e viktimës, duke e bindur një pjesë të konsiderueshme të faktorit ndërkombëtar, se ajo është bombarduar gabimisht, sepse me shqiptarët ka mundur dhe mund të ketë zgjidhje përmes bisedimeve. Ajo, po arrin t’ i bind një pjesë të madhe të shteteve të botës se  shkaktarë të vërtetë të luftërave kanë qenë kroatët, myslimanët e Bonjës dhe shqiptarët e Kosovës, që e prishën një shtet të njohur ndërkombëtarisht, sikur ishte Jugosllavia, dhe nuk ishte fajtore Serbia, e cila për 80 vjet ka qenë xhandari më besnik   i Evropës kundër  shqiptarëve dhe myslimanëve në Ballkan.


 


Politika largpamëse e Beogradit, për interesa hegjemoniste në rajon nuk është vetëm politikë e së kaluarës, por është politikë konstante e Beogradit zyrtar, është politikë për dominim dhe jo rastësisht  ekonomia e Serbisë është shtrirë në tërë Kosovën dhe gjithandej në Shqipëri, jo rastësisht kufiri mes Kosovës dhe Serbisë sipas marrëveshjes Thaçi-Daçiq, nuk do të shënohet me simbole shtetërore, sepse Serbia nuk pranon simbole të Kosovës, në kufi me një “provincë” të veten. Mjafton që Kosova ka kufi me simbole shtetërore me Shqipërinë,  me Maqedoninë e Malin e Zi. Me Serbinë nuk ka nevojë të ketë, meqë këtë nuk e dëshiron “fqinji” i veriut. Politika “largpamëse” dhe e moderuar e Kosovës, shkon përtej kërkesave të Brukselit, por kurrsesi nuk i ngop interesat e Serbisë e cila, ngopet vetëm kur nga Kosova të dëbohen të gjithë shqiptarët. Këto kërkesa maksimaliste, Daçiqi, Milosheviqi, Shesheli e Nikoliqi i kanë vënë në jetë në vitet 1998-1999. Këto barbari nuk do të duhej të harroheshin kurrë,  meqë në humbëtirat e Serbisë, apo në shkritoret e saj, duhet të kërkohet zbardhja e fatit të tyre, apo  mbetjet mortore edhe të afër 1800 shqiptarëve, për të cilët nuk bisedohet, sepse ky nuk është interes i Serbisë dhe natyrisht se nuk futet as në pakon e kërkesave maksimaliste të saj. 


 


Kurrë nuk duhet harruar me këtë rast se të gjithë ata shqiptarë që kanë arritur marrëveshje me Serbinë si: Esad Pashë Toptani, pastaj mbreti i vetëshpallur i Shqipërisë, Ahmet Zogu, bastardi Ceno beg Kryeziu, pastaj komunisti internacionalist, Koçi Xoxe, Ali Shukria, Fadil Hoxha, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina, Azem Vllasi, Xhavit Nimani e të tjerë, marrëveshjet e tilla i kanë arritur mbi kurriz të popullit shqiptar, duke u gjunjëzuar qoftë para Pashiqit, qoftë para Titos apo Milosheviqit. Të gjitha ato marrëveshje kanë qenë marrëveshje turpi dhe të tilla trajtohen nga shumica dërrmuese e shqiptarëve liridashës.


Se kush e ka fatin e keq që t’ i bashkohet emrave të përmendur, tash për tash nuk e themi dot, sepse procesi ende nuk ka mbaruar. Do të ishte fat për tërë kombin që të mos nënshkruhej asnjë marrëveshje me pionierin e xhelatit, Milosheviq dhe radikalin e barbaroidit, Sheshel, sepse çdo marrëveshje e deritanishme serbo-shqiptare ka dëmtuar interesin tonë kombëtar dhe asnjë marrëveshje me Serbinë në këto 100 vjet nuk ka rezultuar me fitore të shqiptarëve. Çlirimi i Kosovës më 11 qershor të vitit 1999 dhe Shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008 ishin rezultat i gjakut të derdhur për liri. Askush nuk ka të drejtë të arrijë marrëveshje, e cila dëmton qoftë edhe një metër katror të territorit të Kosovës, apo marrëveshje e cila pranon sovranitet të cunguar për hir të integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Ata që rrezikojnë në këtë proces po luajnë me zjarrin…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …