24 vjet më parë, më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e Lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës

RKL: Pse Qeveria e Kosovës është tërhequr nga vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë

Pavarësisht retorikave bombastike, si ato të Xhelal Sveçlës, të përkrahura edhe nga kryeministri, Albin  Kurti, Qeveria e Kosovës më në fund është tërhequr nga vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi për shtyrjen e vendosjes së reciprocitetit  thuhet se u mor pas kërkesës së ambasadorit amerikan, në Prishtinë, Xhef Hovenier. “Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta janë  të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kjo deklaratë e Qeverisë, për shtyrje të afatit, është një rast për blerje kohe, pasi dihet fare mirë se marrëveshjen për reciprocitet me Serbinë, Kosova nuk është në gjendje ta vendos, edhe pse Albin Kurti me këtë kauzë kishte fituar zgjedhjet, por deri tani është përmbajtur për ta aplikuar.

Nuk është momenti as situata e volitshme, që Kurti e Sveçla të tregojnë muskujt, sepse e dinë fare mirë sa vlejnë vendimet e tyre, por vendimi i tillë sado i drejtë, bie ndesh me projektin për krijimin e Asociacionit, apo “zajednicës” serbe, e cila sot e ka shpallur fillimin e funksionimit në veriun e Kosovës.

Nuk është kjo hera e parë që Qeveria e Kosovës  i jep penalti vetvetes, pasi serbët presin në pritë dhe në raste të tilla përfitojnë nga status-quoja.

Por kjo është ajo që e mbanë me paterica  në këmbë,  Qeverinë e Kosovës e Vetëvendosjen në rrugë për të realizuar premtimet, sepse vitet po ikin dhe asnjë prej tyre nuk është përmbushur.

Është fakti i njohur se Serbia kërkon nga Kosova kompromis në bisedime, se kompromisin si alternativë e përkrahin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë e kanë konfirmuar e rikonfirmuar sa e sa herë. Këtë e kërkon edhe Brukseli zyrtar. Kjo është kërkuar edhe nga qeveritë e kaluara. Dhe për më keq, Serbia është në pozicion shumë më të favorshëm në këtë drejtim, sepse ka prapa përkrahjen e pakursyer të Rusisë, por edhe të BE-së e shumë shteteve të Evropës e më gjerë.

Nuk duket që Albin Kurti të jetë mendjelehtë si Xhelal Sveçla, i cili merr turr, por tërhiqet  prapa edhe më me turr.

Reciprocitetin e vërtetë me Serbinë e ka realizuar vetëm ish kryeministri, Ramush Haradinaj, dhe ai reciprocitet në tregti e ekonomi ka pasur vlerë shumëfish më tepër sesa projekti i Kurtit për reciprocitet, duke i lutur serbët që ta pranojnë dokumentet personale të Kosovës.

Ndërkohë bëhet e ditur se ka reaguar edhe Kremlini zyrtar duke konsideruar   se tensionet në Kosovë kanë marrë hov pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë,  për të detyruar serbët vendorë  që t ‘ i pranojnë  dokumentet personale të Kosovës. Kjo ka bërë që serbët lokalë të vendosin barrikada në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bernjakut. “Rusia qëndron plotësisht pranë Serbisë në mosmarrëveshjen me Republikën e vetëshpallur të Kosovës dhe insiston se të drejtat e serbëve duhet të garantohen me një rezolutë për këtë konflikt”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Zëdhënësi i Kremlinit tha gjithashtu se Moska beson se vendet perëndimore që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të përdorin të gjithë ndikimin e tyre për të paralajmëruar autoritetet në atë vende që të mos ndërmarrin asnjë hap të pamatur që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Ne mbështesim qëndrimin paqësor, konstruktiv të Beogradit në atë kontekst, thirrjet për paqe të bëra nga Presidenti i Serbisë”, tha Peskov.

Kjo deklaratë e Kremlinit zyrtar nuk është thjesht një retorikë, por është një kërcënim i drejtpërdrejtë, për ata që kanë sy të shohin e veshë të dëgjojnë.

Rusisë i intereson shumë zgjerimi i konfliktit sidomos në Ballkan, ku NATO-ja është e pranishme por thuajse në të gjitha Shtetet përveç në Serbi e Bosnje-Hercegovinë.

Andaj në këtë situatë, përdorimi i kartës së reciprocitetit duket veprim aventurier, pavarësisht se parimisht të gjithë shqiptarët në Kosovë e më gjerë e përkrahin këtë të drejtë të natyrshme, por e cila është dardhë që e ka bishtin prapa.

Serbia me përkrahjen e vazhdueshme të Rusisë, do të përfitojë nga situata, sepse ajo e di fare mirë se prapa e ka edhe Brukselin zyrtar. Nuk janë vetëm parulla koti afishimet e sotme të serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e vendit, për fillimin e jetësimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive, ashtu sikur edhe është nënshkruar në Marrëveshjen e Brukselit nga delegacionit e Kosovës dhe Serbisë, gjashtë vjet më parë.

Tani për tani, një muaj afat për Qeverinë Kurti nuk është pak për t u këndellur dhe për të vepruar me maturi dhe jo me turrin e Xhelalit, për të treguar muskujt nga zyra e Ministrisë së Brendshme.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …