RKL: Sa herë të huajt na lavdërojnë punët i kemi si mos më keq

Servilizmi, nënshtrimi ndaj të huajve, shpirti skllav nuk janë fenomene të sotme me të cilat karakterizohen politikanët shqiptarë, dhe jo vetëm këta. Ky fenomen vetëm është ricikluar nga shekulli në shekull, nga njëra perandori sunduese te tjetra nga njëra robëri në tjetrën.

Për të mos shkuar shumë larg në të kaluarën, në shembujt që njohim nga historia jonë kombëtare, fenomenin e nënshtrimit, servilizmit, përfitimit mbi kurriz të bashkëkombësve e hasim edhe në kohën e Skënderbeut dhe në vazhdimësi deri në ditët tona. Klasa pacifiste shqiptare, me qëllim për të mbijetuar në vazhdimësi ka ecur rrugës më të lehtë, rrugës në nënshtrimit dhe servilizmit, sepse kjo rrugë i ka sjellë fitime, favore, por shpeshherë edhe të papritura, meqë sundimtarët nuk ia kanë besuar kurrë politikanëve që kanë tradhtuar interesat e kombit të vetë.

 

Ka ndodhur njëherë në Malësinë e Kurbinit kur Veziri i Shkodër kishte kërkuar kokën e komitit, Kolë Gjeçi për 100 lira. Sivëllami i tij me të dëgjuar për lajmin joshës dhe dobi sjellës të Vezirit të Shkodrës, tradhton vëllanë e natyralizuar, i pret kokën, e vë në calik dhe ia qet përpara vezirit, i cili e pyet cubin se si kishte arritur ta merrte kokën e njeriut, pasi kishin dështuar sa e sa para tij. Cubi i kishte treguar se komitin e kishte mashtruar lehtë meqë e kishte si vëlla. Veziri ishte tmerruar nga vepra e ligë e vëllavrasësit dhe kishte urdhëruar t’i pritej koka.

 

Ky Veziri burrë i gjanë,

Nuk po kënaqet por po qanë,

-Tu thaftë dora ç’ paske ba!

Ket farë burri qysh me vra!

A thua ai t ka besue,

E ti n’ besë e ke mashtrue?

 

-Unë me Kolën gjak kam pi

E prandej or, t’u ngjatë jeta,

Unë Kolën n’ besë e rrejta.

 

Veziri, edhe pse kishte kërkuar kokën e komitit, ishte çmeritur se atë e kishte vrarë i afërmi i tij në besë iu kishte drejtuar me fjalët:

 

-Fëlliqë na i paske vend e votër,

-Tuj tradhtue vëlla e motër,

-Mbasi vëllanë me vra ke shkue,

-Ti gja s’ lajke pa punue,

Varne qenin, qen të tërbue

Që Shqipninë e ka shnjerëzue. (Visaret e kombit, I. Shkodër, 1937, faqe 46-47.).

 

Nuk kemi as më të voglin dyshim në vërtetësinë që sjellë kënga e trimërisë, e shënuar në Visaret e kombit, në vitin 1937, meqë edhe në kohën kur është publikuar kjo këngë kanë ndodhur shëmti vëllavrasëse. Njëjtë kishte vepruar Ahmet Zogu, i cili kishte vrarë pas shpine Avni Rrustemin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Elez Isufin dhe sa e sa atdhetarë shqiptarë.  Jo rastësisht kjo këngë është publikuar pikërisht në kohën e Zogut.

 

Të huajt na kanë lavdëruar sa herë kemi bërë punët sipas kërkesave të tyre dhe nuk na kanë lavdëruar as na  lavdërojnë sa herë që kemi vepruar në mbrojtje të interesave tona.

Komisari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, gjatë vizitës së fundit  në Prishtinë,  përgëzoi të gjithë politikanët shqiptarë,  të cilët me aq lehtësi e përkushtim pranuan themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Fyle, mbase erdhi edhe me  një kërkesë tjetër, e cila  ka të bëjë me vazhdimin e vendeve të rezervuara për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se cenohet Kushtetuta e vendit dhe pavarësisht se kjo tejkalon planin e Ahtisarit, për pranimin e të cilit na kishin lavdëruar dhe na lavdërojnë të gjithë “miqtë” tanë ndërkombëtarë. Për këto dy vendime të Qeverisë, kryetares dhe Kuvendit na kanë lavdëruar të gjithë “miqtë” tanë, të cilët po mbesin gojëhapur me këtë mendësinë pacifiste, aziatike,  “lepe-peqe” të trashëguar nëpër  gjenet e politikanëve tanë, që nga koha a baba Dovletit.

 

Mbështetja e verbër te “miqtë” apo partnerët  tanë ndërkombëtarë, zbulon kompleksin e vogëlsisë, të paaftësisë të politikanëve  për të marrë në dorë fatin e kombit apo të Shtetit. Kjo politikë, krejtësisht servile dhe e nënshtruar e tri qendrave të politikë-bërjes shqiptare: Tiranë-Prishtinë-Shkup, ka bërë të çështja shqiptare në Ballkan të rënkojë, të stagnojë dhe të pacifikohet deri në degjenerim fatal.

Kjo  klasë politike nuk është e aftë, as ka orientim ta mbrojë interesin kombëtar të shqiptarëve të ndarë në gjashtë shtete, madje nuk ka as një pikë të qartë referimi në këtë segment.  Për më tepër, politikanët tanë duan të na bindin se të huajt, “miqtë” tanë na duan më shumë sesa ne duam njëri tjetrin, vetëm për faktin se jemi të urtë, të dëgjueshëm, si ai qengji që i thith dy dele.

Për ta është me rëndësi të qeverisin, të pasurohen, të përfitojnë mbi kurriz të pasurive kombëtare, mbi kurriz të vegjëlisë dhe mundësisht gjatë qeverisjes për një apo dy mandate të krijojnë pasuri madje edhe për stërnipa e stërmbesa. Ky është qëllimi  i tyre final dhe këtë qëllim e kanë arritur 99 për qind e të gjithë politikanëve shqiptarë, në trojet e shkapërderdhura dhe të bëra pikë e pesë të Shqipërisë.

Në Kosovë njohim vetëm dy kryetarë komune, të cilët nuk janë pasuruar as duket se kanë për qëllim të pasurohen mbi kurriz të popullit ( Ryfki Suma dhe Shpend Ahmeti) dhe tash për tash po  qeverisin me përgjegjësi dhe me ndërgjegje.  Kemi deputetë që marrin rrogë mujore sa njëzetë pensionistë bashkë, kemi ministra e zëvendës-ministra që para lufte jetonin me ndihma të organizatës bamirëse, “Nëna Terezë” dhe tani vozisin makina të blinduara, kanë shtëpi e banesa, kanë zënë në punë gratë e mamatë, ndërsa bijtë e bijat i shkollojnë në kolegje dhe universitete të huaja.

 

Këta politikanë kanë madje edhe sy e faqe  të kërkojnë votat e qytetarëve duke u premtuar mirëqenie përrallore, rritje pagash me përqindje, nga e cila në radhë të parë përfitojnë vetë dhe përfitojnë ata që janë të zënë me punë, ndërsa përditë varfërohen ata që nuk kanë punë dhe jetojnë me një e dy euro në ditë. Për këtë kategori që përfshin 20 deri në 30 për qind të qytetarëve të Kosovës, nuk interesohet askush. Premtimet për këtë kategori nuk vlejnë, por votat e këtyre njerëzve i duan të gjithë, pavarësisht se atyre, me faktin se nuk janë në punë nuk u rrisin dot rrogat, ndërsa rritja e “socialit” me 25 për qind, me bazën 80 euro, flet vetvetiu se cila është gjendja e tyre e mjerë dhe pa rrugëdalje.

Politikanët tanë e kanë kuptuar me kohë se 20 përqindëshi i varfërisë ekstreme nuk paraqet rrezik për turbullira sociale, meqë në vend nuk ka asnjë organizatë të vërtetë sindikale që merret me fatin e skamnorëve, sepse tekefundit për skamnorët kujdesën edhe disa organizata fetare, disa organizata të huaja dhe ndonjë bamirës.

Politikanë tanë, shumica syresh, kanë ofruar afër veti servilët si vetë, plastofilët, pa kurrizorët, butakët dhe tërë sojin e atyre, meqë të tillë janë vetë karshi të huajve. Këta vetëm sa po ia zgjasin agoninë vendit, duke u krekosur se janë të pazëvendësueshëm, se janë argatët më të mirë që ka pasur dhe ka Brukseli e ambasada amerikane në Prishtinë, se janë në gjendje të gëlltisin.

Deri kur do t’i durojmë?

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Humolli

Fatmir Humolli, ka njoftuar se nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka thënë se në zgjedhjet e …