RKL: “Strategjia” e Qeverisë për ta ruajtur veten duke dëmtuar Kosovën është strategji totalitare

Për të fshehur dështimet, krimin e organizuar në radhët e veta, manipulimin me qytetarët, heqjen dorë nga veriu i vendit, nënshkrimin e demarkacionit me Malin e Zi, ku këtij shteti sllav i dhurohen mijëra hektarë tokë të Kosovës, Qeveria trumbeton një strategji për sikur thuhet, “parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm”. Pjesëmarrja e disa dhjetëra shqiptarëve në luftën e Sirisë dhe Irakut konsiderohet për Qeverinë më me rrezik për vendin sesa marrëveshja që parasheh krijimin e një “Republike serbe” brenda territorit të Kosovës, sikur është AKS-ja. Po ashtu qeveria terrorizmin e identifikon edhe në “grupet radikale nacionaliste ekstremiste me origjinë serbe dhe shqiptare, që kundërshtojnë kufijtë dhe qeverisjen ekzistuese”.


Se cilat grupe serbe e kanë ndarë dhe e kanë terrorizuar Kosovën prej vitit 1999 e deri tani kur tashmë edhe  ia kanë arritur qëllimit, kjo dihet por është krejtësisht jo normale të thuhet se terrorizëm është kundërshtimi që po i bëjnë qytetarët e Kosovës kufijve të ndryshuar dhe qeverisjes ekzistuese. Madje shkohet aq larg me këtë “strategji” sa paragjykohen si terroriste grupet apo edhe partitë e opozitës që kundërshtojnë qeverisjen ekzistuese dhe me shumë të drejtë kërkojnë rrëzimin e saj.


Aprovimi i kësaj strategjie, zbulon para opinionit faktin se Qeverisë “i ka hyrë lepuri në bark” dhe nuk sheh asnjë zgjidhje, përveç shtrëngimit të masave represive, fuqizimit të pushtetit policor dhe instalimit të diktaturës, nën petkun e retorikës për rend dhe demokraci. Një Qeveri e tillë e korruptuar deri në fyt, e cila në kohën e thellimit të krizës sociale, kur mijëra qytetarë largohen nga vendi, ajo iu dyfishon pagat zyrtarëve të lartë, ndërkohë që një familje skamnore jeton me një euro e gjysmë shpenzime në ditë. Kjo Qeveri mund të mbahet në pushtet vetëm me polici dhe vetëm me mbështetjen që e merr nga BE-ja, krejt derisa Serbia t’i realizojë qëllimet e veta për ta neutralizuar shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.


Strategjia e Qeverisë për parandalimin e ekstremizmit, nuk ka të bëjë fare me ekstremizmin, por vetëm me zhvendosjen e vëmendjes së qytetarëve nga problemet me të cilat po ballafaqohen ata. Krrokatja për ekstremizëm është shpikje e medieve që i financon Qeveria, sepse prej vitit 1999 asnjë akt terrorist i origjinës fetare islame nuk është kryer në Kosovë. Sa i përket pjesëmarrjes së luftës në Siri ishte pikërisht Qeveria e Hashim Thaçit ajo e cila inicioi vajtjen e shqiptarëve për të luftuar atje. Nga ata “terroristë” nuk ka pësuar asnjë qytetar i Kosovës, asnjë shqiptar rom turk apo serb, nuk është dëmtuar asnjë pronë e ndonjë qytetari, nuk është vrarë as është plagosur njeri.


Qeveria hesht terrorizmin serb në veri të vendit, hesht edhe vrasjen e plagosjen e policëve dhe qytetarëve shqiptarë e boshnjakë në atë pjesët tashmë të aneksuar të vendit, hesht për krimin e organizuar dhe kontrabandën në veri, me të cilën është e lidhur ngushtë, sepse përfiton përmes sekserëve të vetë. Heshtë edhe rastin e kriminelit serb, i cili me disa kilogramë trotil kishte planifikuar të kryente një akt terrorit mu në mes të Prishtinës, në mënyrë që akti i tillë t’iu adresohej grupeve islame dhe Qeveria të arsyetonte fushatën kundër imamëve dhe myslimanëve shqiptarë në përgjithësi.


 


Kjo Qeveri nuk mund ta luftojë terrorizmin e shpikur në radhët e popullatës shqiptare, sepse një terrorizëm i tillë nuk ekziston dhe nuk mund të dëshmohet qoftë edhe me një shembull të vetëm. Ndërsa paragjykimi se të kthyerit nga Siria e Iraku do ta destabilizojnë vendin, është një non sens i llojit të vet, sepse ata, edhe pse në një numër trefish më të vogël sesa kukuris “Ekspresi i qeverisë” as janë kthyer as e kanë ndërmend të kthehen, për arsyen e thjeshtë sepse i pret dënimi me 15 vjet burg, sipas ligjeve që ka aprovuar kjo qeveri për rastet e tilla.


 


Në këtë “strategji” paragjykohen si terroristë edhe kundërshtarët politikë të cilët duan të rrëzojnë qeverinë. Ky formulim është qesharak dhe i paprecedent. Në formulime të tilla hetohet naiviteti, frika, mbase edhe mungesa e kapaciteteve intelektuale për të perceptuar realitetin drejt, arsyeshëm dhe logjikshëm. 


Strategjia e Qeverisë për ta ruajtur vetveten duke dëmtuar rëndë interesin e vendit, është strategji e shteteve totalitare, pavarësisht sesi e quan ajo vetveten. Krimi i organizuar brenda institucioneve, dëmtimi i territorit të vendit janë akte terroriste shtetërore


Pretendimi i tillë i Qeverisë tregon se ajo e ka lakun në fyt dhe nuk mund të bëjë tutje me një mendësi të tillë qeverisjeje në dëm të interesit të popullit dhe të qytetarëve të saj. Opozita e bashkuar, qytetarët liridashës, veteranët e luftës tani e kanë radhën, nëse luftën dhe presionin e pandërprerë politik e bëjnë për interesin e vendit, për interesin e qytetarëve dhe jo vetëm për ta ndërruar një koalicion qeveritar me një tjetër.


 

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …