Shqipëria kërcënohet për rikthimin e regjimit të vizave, ndërsa Kosova vazhdon të jetë pa viza qe 20 vjet

RKL: Për vizita zyrtare nëpër vendet e BE-së, të gjithë deputetët bëhen tok

Kryekuvendari  i Kosovës, Kadri Veseli, me një grup deputetësh, po qëndron për vizitë nëpër disa  shtetet e BE-së, me qëllim për të kërkuar liberalizimin e vizave, për qytetarët e vendit tonë,  të vetmit të ngujuar në geto, në gjirin e madh të Evropës “mëmë”. Dikur Fishta i madh e quante ndryshe “Evropën” por sot nuk ka kuptim ta përsërisim zemërimin e tij sa do të ligjshëm. Edhe nëse na ka kafshuar ndonjëherë e shumë herë, ajo për të mirën tonë e kishte bërë.

Në vizitën e parë të këtij ekipi në Austri, pjesë përbërëse e tij ishte edhe Teuta Rugova nga LDK-ja, parti kjo e cila vizitën e delegacionit e quan  lobim turistik, pastaj kritikuesi më me zë i Qeverisë dhe Kuvendit, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja, Aida Dërguti e PSD-së, e cila ia ka zënë dhe nuk ia lëshon vendin Vetëvendosjes në kryesinë e Kuvendit, Evgjeni Thaçi-Dragusha e PDK-së, Time Kadrijaj e AAK-së, Adem Hoxha nga Lista Serbe apo e minoriteteve  dhe Fikrim Damka nga grupi 6+. Kryetari i Kuvendit ka angazhuar në ekipin e tij lobues edhe ambasadorin e  Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, Memli Krasniqin, Albert Kinollin e Enver Hotin.

Në lutjet e tyre për liberalizim të vizave, ka edhe mjaft hipokrizi, sepse jo të gjithë këta deputetë janë pajtuar lidhur me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila është quajtur madje edhe tradhti kombëtare.

Por,  kur është puna për vizita zyrtare nëpër vendet e BE-së, të gjithë këta deputetë që nganjëherë i bëjnë turr njëri tjetrit për t’ i nxjerrë sytë, të gjithë bëhen tok, sepse, janë shëtitjet në vendet e Evropës, hotelet e shtrenjta, mëditjet e larta që i paguan buxheti i Kosovës, njohjet e reja e të vjetra me miq e dashamirë, për “të mirën” e vendit.

Rezultat i lobimit të  tyre të dukshëm është entuziazmi i hapareshur, fotot gjenetike, të skanuara me kujdes, sharmi, buzëqeshjet, pozat si aktorë filmash e mbi të gjitha xhepat plot, aty ku është edhe baza e përcaktimit të vetëdijes së tyre shoqërore, klasore, politike, fetare, shpeshherë edhe patriotike.

I djeg malli këta deputetë për liberalizim të vizave, në mënyrë që edhe fukaraja i Kosovës të shëtis lirshëm nëpër Evropë, kuptohet me paratë e veta, jo me ato të buxhetit, si këta kryeparët tanë të zgjedhur.

Andaj kaq shumë shtiren  se e duan popullin këta dhe deputetët e tjerë, dhe aq shpesh gjezdisin nëpër vendet e Evropës, me qëllim për të na  siguruar vizat, të cilat sapo të liberalizohen, qytetarët e Kosovës nuk i pret më pengesë tjetër për një jetë “më të mirë”. Ata fillimisht do t’ iu turren vendeve të Evropës, do të kërkojnë ndonjë punë, do të merrem me “zanatet” e tyre dhe të gjitha derivatet gjuhësore që i nënkupton kjo fjalë.

Por dihet edhe fakti se nëse nuk i kanë 3000 euro në konto, ata nuk hynë dot në asnjë vend të Bashkimit Evropian, nëse ajo nuk bën ndonjë përjashtim për shqiptarët që “aq shumë i do.

Ata, që nuk arrijnë të gjejnë punë, cilado qoftë ajo, sërish do të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë, pasi t’i kenë harxhuar edhe ato pak kursime për të provuar fatin.

Po Qeveria, nuk ka më  përse interesohet për ta. Mjaft ka folur, është ka derdhur djersë dhe është angazhuar me paratë  të buxhetit për t’ i bindur evropianët se edhe ne shqiptarëve na takon të bredhim të lirë gjithandej, sepse edhe pse i kemi këta emra të “shëmtuar” lindorë dhe perëndimorë, denbabaden jemi evropianë, sepse ne kur ia japim besën mikut na duhen 500 vjet për t’i rënë pishman. Nuk themi kot ne se “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”, edhe pse Evropa e thotë qartë se “shtëpia ime është vetëm imja, ti je vetëm një i paftuar që mund të sorollatësh për ta provuar  fatin…

Do t’i thurim lavdi Evropës, e cila më në fund, nuk ka “qare” pa u kujtuar për bijtë e saj shkapërdarë. Madje ajo u kujtua edhe për diçka tjetër. 20 vjet pas luftës e çlirimit nga barbaria serbe, ajo do t’i bëjë gjyq, luftës dhe çlirimit të Kosovës, sepse është ajo që na paska çliruar dhe tani do të na çlirojë edhe nga UÇK-ja. Liria jonë nuk qenka rezultat i  gjakut tonë të derdhur rrëke nga barbaritë serbe, të ndihmuara jo vetëm njëherë dhe jo vetëm me një rast nga shtetet e Evropës, të cilat kanë bekuar copëtimin e trojeve tona në vitin 1877, 1878, 1913, 1918, 1920, 1945, 1999 dhe vitin e tanishëm apo të ardhshëm kur Kosovës do t’i shkëputet edhe një pjesë, veriu i saj dhe kur enklavat serbe do të jetë “banovina” të vogla mesjetare në shtetin, që ka qeverinë më të kamur në botë dhe shkallën më të lartë të varfërisë.

Por është fat që tekefundit dikush jeton mirë e më mirë.

Zoti edhe gishtat në dorë nuk na i ka bërë të barabartë.

Nuk është më koha e barazisë dhe “barbarisë” komuniste, kur kërkohej sa më shumë barazi dhe bëhej një i pasuri me të varfrin. Tani është koha e re epoka e kapitalizmit ku i pasuri i ka të gjitha dhe i varfëri e ka të siguruar varfërinë jetike, gjenetike, me viza e pa viza, këtu e atje, gjithnjë duke u sorollatur, dikur nëpër humbëtirat e Perandorisë, tani në humbëtirat e Evropës e të botës.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …