Brickos

Ushtarët e UÇK-së

RKL: Vazhdon fushata e përçmimit dhe nënçmimit të luftës së UÇK-së nga disa jugo-medie në Kosovë

Disa medie e portale në Kosovë, nuk reshtin duke fyer luftën e UÇK-së, njëjtë, madje në një segment edhe më shumë, sesa shtypi në Serbi. Andaj, emërtimi si jugo-medie në gjuhën shqipe, në këtë segment e arsyeton qëllimin, sepse, në kohën kur Serbia zyrtare mohon të ketë kryer qoftë edhe një krim në Kosovë, fyen ata dhjetëra mijëra shqiptarë që i ka masakruar mizorisht, ndërsa  për të gjitha krimet fajëson UÇK-në, disa medie në Kosovë i brohorasin fillimit të punës së Gjykatës Speciale, duke sjellë tituj bombastikë si: Goditja Speciale, super-goditja speciale, “Batalioni” i të ftuarve nga Specialja, “Të lumët ne, na erdhi specialja” e të tjera si këto zbulojnë shpirtin e tyre të lig dhe urrejtjen e neveritshme drejtuar luftëtarëve të lirisë, të cilët janë në shënjestër të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, edhe pse dihet mirëfilli se kjo gjykatë u themelua me presionin ndërkombëtar, në radhë të parë të BE-së e shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kjo shpirtligësi, gëzimi e ngazëllimi që shpreh një gazetar, para të cilit  mezi presin të rrëfehen disa nga komandantët e UÇK-së dhe krejt politikanët, me ndonjë  përjashtim, kjo brohoritje e pa fre, idiotike nga një bir prokurori, që ka dënuar shqiptarë liridashës, sepse kanë kundërshtuar regjimin okupator titist e rankoviqist, është faqe e veçantë e indolencës dhe morbiditetit antikombëtar.

“Goditja speciale”  ngriti peshë pacifizmin neveritës, i cili nuk di ta shpjegojë as ta arsyetojë se çka po ndodh me këtë goditje, dhe kush do të goditet. Ky gëzim i ngazëllyer  i disa shqipfolësve ia tejkalon ngazëllimit të ministrit serb, pionierit të Sllobodan Milosheviqit, kriminelit vrastar,  Ivica Daçiq, i cilin ditë më parë u shpreh tejet i kënaqur  duke supozuar se kah vjeshta do të ngrihen akuzat e para kundër UÇK-së “terroriste”.

Në të njëjtën linjë kemi edhe disa pionierë të Daçiqit në Kosovë, çuditërisht jo nga gazetarët serbë të Kosovës, por nga ata që shkruajnë e botojnë shqip dhe të cilët gjuhën e tyre të urrejtjes, cinizmit, e shprehin edhe me krahasime groteske, gjithsesi cinike, sikur është titulli:

“Batalioni” i të ftuarve nga Specialja

Rreth 100 ftesa nga Gjykata Speciale kanë arritur deri më tani në Kosovë, ku vetëm gjatë këtij muaji thuhet se kanë arritur 40 ftesa të reja. Disa prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët tashmë janë intervistuar, mbeten me shpresë se nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk do të thirren përsëri, shkruan Gazeta Zëri. (12. 4. 2019)

Dihet se “Batalionin” e përbëjnë shumë më tepër pjesëtarë, por shpikja në këtë rast ka të bëjë me batalionet e UÇK-së, të cilat sipas tyre, mezi kanë pasur nga 100 luftëtarë, edhe pse realiteti ka qenë krejtësisht ndryshe, ndërsa cinizmi nuk fshihet dot me thonjëza, përkundrazi përforcohet, kuptohet me çfarë qëllimi.

Është edhe një element tjetër që e përforcon cinizmin e disa gazetarëve, të cilët kurrsesi nuk e përmbajnë dot urrejtjen e tyre të shfrenuar. Ata intervistojnë disa veteranë që bien pre e tyre,  vetëm me dëshirë për të dalë  në publik dhe zakonisht japin deklarata të papeshuara, të cilat pastaj bëhen objekt talljeje e cinizmi pa fre, të cilin ata nuk e kuptojnë, sepse nuk është e thënë që niveli i tyre arsimor të korrespondojë me atë të intervistuesit, por ata guximin dhe  armën e tyre drejtuar armikut e kanë dëshmuar me kohë, kur këta gazetarë  ia kishin mbathur, dhe nga Gjermania e shtetet e tjera ku ishin ‘rehatuar” dhe nga atje na kërcënonin se ishim fajtorë pse e kishim filluar luftën, ndërsa atje shpërbleheshin me dekorata si gazetarë trima që i kanë shpëtuar regjimit, madje edhe të tillët që ishin dhe mbeten spiunë të Serbisë.

Cinizmi i shprehur kundër UÇK-së, po manifestohet si fushatë politike  edhe për shkakun se tre krerët më të lartë të Shtetit, Qeverisë e Kuvendit janë nga radhët e saj, të cilët pa dyshim se janë në dosjet e Gjykatës Speciale dhe një ditë do të ballafaqohen, me goditjen-bumerang,  si pasojë e paditurisë dhe nënshtrimit të tyre ndaj të huajve.

Kjo “goditje” kurrë nuk do të jetë speciale, sepse të tre këta shtetarë dhe 86 deputetë të Kuvendit të Kosovës, shumica dërrmuese e politikanëve dhe zyrtarëve të vendit  e kanë aprovuar themelimin e Gjykatës, andaj nuk kemi të bëjmë me diçka   speciale, me diçka aq bombastike sa i fryjnë tullumbacet e tyre, disa nga  jugo-shqipo-gazetarët.

Goditjen Speciale e ka marrë kah mot Kosova  dhe jo vetëm disa qindra luftëtarë e eprorë të UÇK-së, me akuzat e Ministrisë së Serbisë së kohës në Milosheviqit. Madje ato akuza në mijëra faqe edhe i  kanë përkthyer jugo-mediet  me qëllim të diskreditimit të 160 të apostrofuarve, në mesin e tyre edhe dëshmorë e martirë,  të vdekur pas luftës.

Goditja, përbuzja, urrejtja, cinizmi që po i bëhet  luftës së UÇK-së, godet lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, fyen gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, tradhtarët i bën heronj, rehabiliton regjimin serb, kthen “epokën e përbashkësisë” dhe krijon kombin hibrid të kosovarëve serbë shqiptarë e malazez.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …