Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ka ngritur shqetësime të forta për krizën politike në Kosovë, duke paralajmëruar se zvarritja e formimit të institucioneve dhe paraliza e Kuvendit po krijojnë një situatë që, sipas tij, është në interes të kundërshtarëve të shtetit të Kosovës dhe veçanërisht të Serbisë. Robertson ka bërë thirrje për unitet politik në një periudhë që e konsideron veçanërisht të rëndësishme për Kosovën. Ai ka theksuar se nuk sheh ndonjë moment më të përshtatshëm për bashkim të forcave politike dhe ka paralajmëruar se zhvillimet brenda institucioneve po ndiqen me vëmendje edhe nga jashtë vendit. Bllokada politike në Kosovë i jep hapësirë Serbisë që të vazhdojë atë që ai e ka përshkruar si fushatë kundër pavarësisë së Kosovës. Robertson ka apeluar që deputetët dhe partitë politike të kenë parasysh përgjegjësinë që kanë dhe faktin se çdo zhvillim në vend po vëzhgohet nga komuniteti ndërkombëtar. Ish-zyrtari britanik ka folur edhe për procesin gjyqësor në gjykatën speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerë të UÇK-së. Ai ka thënë se, pavarësisht rezultatit, vendimi i gjykatës duhet të pranohet dhe Kosova duhet të vazhdojë përpara, pa lejuar që verdikti të shfrytëzohet nga armiqtë e saj. Robertson ka theksuar se një vendim i gjykatës speciale nuk duhet të shihet si mohim i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Ai ka rikujtuar se Aleanca kishte ndërhyrë për të mbrojtur popullsinë e Kosovës nga dhuna e regjimit të Millosheviqit. Në fund, ai ka folur edhe për perspektivën e Kosovës në NATO dhe rëndësinë e sigurisë së saj në një Ballkan Perëndimor që vazhdon të përballet me sfida politike dhe gjeostrategjike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
