Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: DAQIQ NË KINË, VULIN NË RUSI!

Kush do të shkojë nga Serbia në Iran e kush në Korenë e Veriut? Me siguri Vuçiç në Bruksel, leqë he kopilhanë!

Dikush pra, me siguri, ia mban zhagun Europës. Këta janë si fëmijët e gabelicës: njëri thotë diell, tjetri shi! Të paktën herë pas here e qëllojnë!

Si bëhet kaq naive apo hipokrite Europa? Po të mos ishte Amerika për t’i mbajtur në këmbë këta europianë, do të mendoja se vetë Europa po e përdor Serbinë si ndërmjetëse! Si duket, edhe vetë Europa po luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. Përndryshe, nuk do ta toleronte Serbinë. Kësaj të fundit nuk po i prishet fare gjiza, sikur e ka bërë shul e vek!

Me Europën po flenë ditën e me Rusinë natën. Kjo nuk po i pengon fare Europës, përkundrazi, po e josh dhe po e përkrah për ta anëtarësuar në Europë; po e presin me krahë hapur! Ndërsa standard tjetër përdorin ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve përreth Kosovës. Nuk po i hapin rrugë për kandidat në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipërisë ia prenë shpresat, vetëm pas vitit 2030!

Gjermania bën kontrata për xehetaritë dhe ekonominë e Serbisë me vlera të mëdha! Ndërsa Franca, mikja historike dhe tradicionale e Serbisë, e fuqizon atë për luftë me avionët Rafale, më modernët e saj! Dy shtetet më të fuqishme dhe më të forta, me ndikimin më të madh në Europë! Kur sillen kështu me Serbinë, kuptohet që Serbia është përherë e përzgjedhura dhe e përkëdhelura e Europës, edhe pse Serbia i ka bërë katër luftërat e fundit dhe gjenocid mbi boshnjakët dhe shqiptarët, pa i provokuar askush.

Po kjo Serbi e pati filluar edhe Luftën e Parë Botërore!

Serbia të konsiderohet me kaq përkrahje, sikur të ishte popull hyjnor, sikur se dhe ata veten e quajnë qiellor. Serbia aspiron ta bëjë botën serbe, që do të thotë, ku do që ndodhet një serb, aty duhet të jetë Serbi!

Serbia nga të gjitha anët po mbushet me armë. Vazhdimisht zhvillon luftën speciale përmes kolonës së pestë! Serbia na mban pezull në gjendje as luftë, as paqe! Serbia po fut thika përçarëse me fenë në Bosnje, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, e sidomos në Kosovë! Si dhe po i përdor serbët e Kosovës si mish për top, vetëm që të mos stabilizohet e zhvillohet Kosova!

Do ta lutesha bacën amerikan të na sjellë edhe 100 Jevenila dhe Singera që të sigurohemi se i rrëzojmë Rafalet serbe nëse nisen drejt Kosovës!

Kosova dhe Shqipëria duhet të armatosen maksimalisht me armë mbrojtëse! Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë nuk guxojnë ta mbajnë popullin në apati me ninulla! Duhet ta kenë parasysh gjendjen aktuale, ta sigurojnë lirinë dhe të ardhmen. Kjo bëhet vetëm nëse jemi të përgatitur mirë për luftë, atëherë mund të evitohet lufta!

Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të vetëdijshme përse janë në Ballkanin e trazuar nga influenca ruso-serbe! Rrethanat që po na presin urgjentisht kërkojnë hapa drejt ribashkimit të shqiptarëve në trojet e tyre. Duhet të bashkohemi të gjithë shqiptarët, që ta kemi atdheun dhe lirinë të sigurt! Vetëm të bashkuar jemi të sigurt për të ardhmen dhe faktor me peshë përpara të tjerëve në botë!

Nevoja e bashkimit është e menjëhershme, në rrethanat që po na krijohen!

09-09-2024 Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Të shpresojmë

Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës z. Kurti, në fjalën e tij para Këshillit të …