Sadik Halitjaha: LAJM QË KURRË NUK DO TA DOJA!

Me dhimbje mora lajmin e vdekjes së akademik Rexhep Qosjes, njeriut të veçantë për mbarë shqiptarët.

Mosha e tij nuk e zvogëlon, por e rrit dhimbjen për profesorin akademik Rexhep Qosja, i cili shkroi më shumë libra sesa pati vite jete. Ai kurrë nuk u ndal në përkushtimin e tij për atdheun dhe çështjen kombëtare.

Ishte njeriu që më së miri diti të shpalosë të bukurën dhe të veçojë të shëmtuarën.

Pata fat ta njoh në kohë të vështira, kur fshehtas vepronim për lirinë dhe Republikën e Kosovës. Që nga viti 1982, kur u ktheva nga burgu ushtarak, streha më e sigurt për mua në Prishtinë u bë Instituti Albanologjik. Aty kisha dajën tim, dr. profesor Xheladin Shala, i cili punonte në të njëjtin kabinet me Flamur Hadrin, në të njëjtin kat me Rexhep Qosjen, të cilin ne ilegalët me simpati e thirrnim “Baca Rexh”.

Kam shumë kujtime dhe përjetime, dhe shumëçka për të shpalosur në raste të tjera, për veprimtarinë kombëtare me Bacën Rexh, edhe pas luftës. Bëmë shumë përpjekje në ndërtimin e institucioneve dhe të shtetit të Kosovës.

Gjithmonë, kur duhej dhënë vlera kombëtare për shtetin dhe për shqiptarët, Akademiku i madh Rexhep Qosja ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Katër viganët e Kosovës – Rexhep Qosja, Ismet Gucia, Ali Hadri dhe Hetem Reqica – ishin shtyllat e një tabani kombëtar për Kosovën dhe mbarë shqiptarët.

Më së miri e përshkruan veprimtarinë e tij Prof. Ahmet Qeriqi në një shkrim të vitit 2017. Ahmeti ishte mik i tij, madje më shumë se mik; të gjitha lidhjet e tyre – private, miqësore dhe letrare – ishin të lidhura me kauzën kombëtare.

Prandaj, askush nuk di t’i shpalosë më mirë meritat, vlerat dhe të vërtetat e veprimtarisë kombëtare të Rexhep Qosjes sesa prof. Ahmet Qeriqi.

Ndjej dhimbje të madhe për të dy miqtë e mi të çmuar dhe të veçantë, i vetëdijshëm se kanë shkuar të përmbushur dhe të plotësuar me gjithë bagazhin që na lanë neve.

Ngushëllime familjes, farës dhe fisit, si dhe të gjithë atyre që ndiejnë dhimbje për të madhërishmin dhe të veçantin Rexhep Qosja.

Lavdi jetës dhe veprës së Rexhep Qosjes!

23 prill 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani

Milaim Sylejmani: Kur Vota shndërrohet në mall pazari!

Kah shkuan 349.5 milion?! Në prag të proceseve të njëpasnjëshme zgjedhore, financat publike u përballen …