Brickos

Sadik Murat Mujota (26.8.1939 – 15.1.1999)

Sadik Murat Mujota (26.8.1939 – 15.1.1999)

Reçaku, Mallapolci, Petrova e Belinci luftës për çlirimin e trojeve shqiptare  i kanë dhënë shumë dëshmorë e martirë. Masakra mbi popullatën civile, të cilën e kryen forcat ushtarake dhe policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, në Reçak, ishte ndër më monstruozet për nga mënyra e ekzekutimit dhe masakrimit të kufomave. Akti i asaj  egërsie barbaroide, të cilën e kryen serbët mbi shqiptarët e paarmatosur  i dha lemerinë forcave demokratike përparimtare të mbarë botës. Krimi i shëmtuar kundër civilëve, bëri që të aktivizohet diplomacia përparimtare botërore, e cila aktin e shëmtuar të masakrimit e trajtoi si “krim të rëndë kundër njerëzimit”.  Më 15 janar të vitit 1999, nga radhët e luftëtarëve të Reçakut kanë rënë në mbrojtje të popullatës civile: Sadik Mujota, Mehmet Mustafa, Ali Beqa, Ismail Luma,  Shaqir Berisha, Kadri Syla, Nazim Kokollari, Skënder Qarri,   Lutfi Bilalli, Kadri Syla, Enver Rashiti, Shaqir Berisha, ndërkohë që kanë rënë në  përpjekje për tërheqje të popullatës, Nexhat Ramadani,  Sadik Osmani dhe Ragip Bajrami. Më 19 janar 1999, në luftë për të mos lejuar që forcat serbe të merrnin kufomat e të masakruarve të Reçakut ka rënë duke luftuar heroikisht edhe Ahmet Kaçiku, Komandanti i Brigadës 161 të Zonës Operative të Neredimes.

Sadiku lindi më 26 gusht  të vitit 1939, në fshatin Mollapolc të Shtimes. Mësimet e para fetare i mori në mejtepin e fshatit, ndërsa tetëvjeçaren e  kreu pas Luftës së Dytë Botërore,  në shkollën e fshatit Petrovë.

Me qëllim për ta ndihmuar familjen kishte shkuar në Gjermani, ku ka punuar disa vite. Meqë, mbante kontakte me anëtarët e Lëvizjes, bie në sy të pushtetarëve serbë të cilët e kishin vënë në shënjestër, për shkak se familja e tij konsiderohej se armike e pushtetit jugosllav. Në vitin 1993, policë të shumtë serbë, në krye me komandantin e policisë në Shtime, Stojanin, kishin rrethuar familjen Mujota, por duke qenë se ata nuk e kishin hapur derën dhe nga frika e një rezistence aktive, policët ishin kthyer në Shtime. Sadiku me vëllezër disa herë është marrë në  “biseda informative” dhe është torturuar. Serbët i kanë torturuar edhe vëllanë e tij Shaipin, arsimtar.

Vëllezërit Mujota  mbanin kontakte ilegalitet  me dajën e tyre,  Sylejman Qeriqi në Krojmir të Drenicës jugore.  Sapo ishte zgjeruar lufta në këto anë Sadiku  së bashku me bijtë e vëllezërit i bashkohen radhëve të luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Neredimes. Asokohe nga Zvicra ku ndodheshin duke punuar kthehen për të marrë pjesë në luftës Fadili, Bajrushi e shumë të tjerë. Në Krojmir, Sadiku takohet me Rifatin. Me formimin e Pikës së Rancës, ku komandonte, Isak Musliu, Sadiku, Rifati e Fadili, fillimisht sistemohen  në Rancë.

Bashkëluftëtarët e thërrisnin “Malësori”.  Nga familja e tij luftës për çlirimin e Kosovës iu kishin bashkuar Rifati, Fadili, Bajrushi, Sefa, Njaziu, Fehmiu, Fatmiri, Sefedini, Bashkimi, Agimi, Xhemajli e të tjerë.

M ë 28 shtator të vitit 1998, forcat  policore serbe nisen për në Petrovë,  dhe vendosjen në shtëpinë e Veli Hysenajt, në dalje të fshatit, në rrugën për në Topillë. Ata kishin vendosur një pikë kontrolli, me qëllim për të ndërprerë të gjitha rrugëve, për furnizimin e UÇK-së. Sadik Mujota me bashkëluftëtarët e tij  kishte sajuar një plan të përgatirut mirë me qëllim për t’i sulmuar policët serbë, që ishin futur si pykë e rrezikshme në zonat e luftës. Nga sulmi i rrufeshëm dhe i befasishëm forcat serbe pësuan humbje, të cilat më vonë edhe i kanë pranuar publikisht. Duke qenë se ishin tërhequr me turp, forcat ushtarake e policore serbe  disa herë kanë bënë përpjekje për t u futur sërish në fshatin Petrovë, por nuk ia arritën qëllimit. Me rastin e formimit të  Kompanisë së Reçakut,  Sadik Mujota kërkon nga eprorët që të sistemohej në atë kompani e cila ishte vendosur dhe operonte përballë forcave serbe të pozicionuara në kodrën e Reçakut. Në Kompaninë e Reçakut  ai ishte sistemuar së bashku me djalin e tij, Njaziun, dhe vajza e vetme, Hanumshahen.  Gjatë ofensivave të verës së vitit 1998, Sadik Mujota kishte marrë pjesë në shumë beteja, në Rancë, në Carralevë, në Mollapolc, në Petrovë, në Llojza e në Reçak.

Më 15 janar të vitit 1999, herët në mëngjes forca të mëdha ushtarake e policore serbe kishin filluar aksionin për të hyrë në Reçak. Fshati ishte sulmuar nga të gjitha anët, ndërkohë që popullata civile kishte bërë përpjekje për të ikur nga fshati në drejtim të maleve.

Që në fillim të luftimeve, Sadiku, së bashku me bashkëluftëtarin e tij Mehmet Mustafa ishin pozicionuar në vendin e quajtur “Te Blini”, afër shtëpisë së Mehmetit, në anën perëndimore të fshatit Reçak. Ndërkohë, në orët e mbrëmjes pas disa orë luftimesh, predha e armëve serbe kishte goditur istikamin dhe shtëpinë e Mehmet Mustafës. Me atë rast bien heroikisht, Sadik Mujota, Mehmet Mustafa dhe bija e vetme e Sadikut, Hanëmshahja, 16-vjeçare.

Më 18 janar të vitit 1999, dëshmorët e rënë në Reçak bashkëluftëtarë e tyre me nderime ushtarake i varrosin në Varrezat e Dëshmorëve, në Legjendas,  (ish-Mollapolc). Sadik Mujota ka qenë i martuar me Zekien me të cilën pati bijtë: Eminin, Fadilin, Njaziun, Nazmiun, Fatmirin si dhe bijen e vetme, Hanëmshahen, e cila ka rënë së bashku me babanë.

Familja Mujota ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin e vendit, Në radhët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,  ka luftuar vëllai i Sadikut, Rifat Mujota. Familja Mujota ka marrë mirënjohje e falënderime nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme nga Kuvendi Komunal i Shtimes dhe nga shoqatat e luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …