Anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, (komisari i Shtabit) Mustafa Gjinishi, Ramadan Citaku dhe Dali Ndreu me anëtarë të Misionit ushtarak britanik.
Anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, (komisari i Shtabit) Mustafa Gjinishi, Ramadan Citaku dhe Dali Ndreu me anëtarë të Misionit ushtarak britanik.

Sali Onuzi: Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe i Luftës Nacionalçlirimtare (5.7.1943 – 10.7.1945)

Më 4 korrik 1943, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, do t’i jepte dymbëdhjetë shqiptarëve, secilit, një mandat të barabartë për të udhëhequr e drejtuar Luftën Antifashiste Nacionaçlirimtare të popullit tonë. Kjo skuadër udhëheqëse, kjo komandë kolegjiale, u themelua si Shtabi i Përgjithshëm i Fuqive të Armatosuna Nacionalçlirmtare, si Shtabi i Përgjithshëm i Luftës Nacionalçlirimtare,është emërtuar në histori si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe është nderuar në Kongresin e Përmetit si Shtabi i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.Kjo ka qenë e vetmja dekoratë për të, nëse mund ta quajmë kështu, sepse si institucion, si forum, ai nuk është dekoruar ndonjëherë!Si individë,po.Tre prej tyre, Spiro Moisiu, Ymer Dishnica dhe Abaz Kupi (në kohën e Demokracisë) janë dekoruar me urdhrin më të lartë të shtetit shqiptar “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” dhe gjashtë prej tyre, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Myslym, Peza,Haxhi Lleshi dhe Mustafa Xhani janë dekoruar më parë me titullin “Hero i Popullit”.

Më 10 korrik 1943, Këshilli i Përgjithshëm NÇ dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇ me një Proklamatë njoftuan publikisht dhe zyrtarisht krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Fuqive të Armatosura Nacionalçlirimtare. Në fakt, vendimi ishte marrë më parë.Në mbledhjen e datës 4 korrik 1943,“Këshilli i Përgjithshëm Naçional Çlirimtar vendosi të organizojë Shtabin e Përgjithshëm të fuqive të armatosuna Nacional-çlirimtare.” Shtabi i Përgjithshëm, sqaron vendimi “asht qendra organizative,politike dhe operative e gjithë fuqive të armatosuna antifashiste.”( AQSH,f.nr 40,dosja nr 3. F.17).

Edhe të nesërmen, me datë 5 korrik, në mbledhjen e parë konstituive, në prani të 12 anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, duke folur për kompetencat e Shtabit, Enver Hoxha shprehej se:“Shtabi, udhëheqësi i Luftës NacijonalÇlirimtare, ka kompetencë të plotë të bajë luftën, ta zhvillojë, ta organizojë dhe ta udhëheqë në bashkëp.(unim) me Kësh(llin ) e P.(ërgjithshëm Naç(ional)-Çlirimtar”.

Në fjalën e tij major Spiro Moisiu theksonte se: “Shtabi 1) Qendër organizative e Luftës.(ës)Naçc.(onal)-Çli.(rimtare)- (1)Mobilizimi, Transportet-Financat, komandant, 2)Qendër politike- formon politikisht ushtrinë e popullin, -ta edukojnë popullin, të sigurohet morali i naltë i ushtrisë e i popullit, me Buletine, Trakte-3) Qendër operative-operasjonet, Lidhjet gjerarkike me komandat ma të nalta – Të arrijë në kryengritjen e përgjithëshme.” (AQSHF. 41/APL.v.1943.D.1.fl.2)

Pra, Shtabi ishte zgjedhur me vota nga Këshilli i Përgjithshëm ANÇ, si organ i drejtimit të Luftës ANÇ, pra i kishte kaluar atij kompetencat ushtarako-politike te drejtimit.Në Rezolucionin e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar shkruhet tekstualisht “Shtabi i Përgjithsëm asht i pa-mvarun në rrethin e kompetencës së tij, ashtu siç asht shënue më nalt” (AQSH.F.40. viti 1943.dosja 3.fl.17)

Shtabi i Përgjithshëm nga ana e tij, po atë ditë,votoi dhe zgjodhi kryetar të tij major Spiro Moisiun dhe Enver Hoxhën , komisar.

Këshilli i Përgjithshëm, si organ pushteti kishte zgjedhur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, personalitete te Luftës Antifashiste nacionalçlirimtare. Tre prej tyre , Myslym Peza, Haxhi Lleshi dhe Mustafa Xhani ishin komandantë çetash antifashiste e partizane, të shquara në luftë kundër pushtuesve italiane, katër të tjerë , ish-oficerë të ushtrisë shqiptare, major Spiro Moisiu, major Abaz Kupi, toger Bedri Spahiu dhe nëntoger Dali Ndreu,kishin bërë emër në qëndresën kundër pushtuesve fashistë italianë, dy të parët në shkallë kombëtare dhe dy të tjerët në krahinat e tyre. Pesë te tjerë, si Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi,Ramadan Çitaku, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, si dhe Dali Ndreu e Bedri Spahiu, ishin politikanë të Frontit Nacionalçlirimtar dhe drejtues (anëtar të Komitetit Qëndror) të Partisë Komuniste.Malëshova dhe Dishnica ishin intelektualë të spikatur. Kësisoj mund të thuhet me plot gojë se, ky ishte një Shtab ushtarako-politik, i përgjithshëm, jo vetëm se do të komandonte gjithë njësitë dhe repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, por po ashtu, do të merrej me gjithë aspektet e Luftës e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare,me formimin politik të Ushtrisë e të popullit kryengritës, si edhe me marrëdhëniet me forcat aleate ndërkombëtare (aleatët e mëdhenjë dhe aleatët fqinjë antifashistë,jugosllavë dhe grekë).

Ai nuk ishte një Shtab i Përgjithshëm ushtarak klasik, siç e ka vënë në dukje me të drejtë historiografia ushtarake. Ai parasëgjithash ishte një Shtab i Përgjithshëm lufte, ku gati gjysma e tyre nuk ishin aspak ushtarakë,por njerëz të politikës, të kulturës,të ekonomisë e të fesë.Pra, ishte Shtab i Përgjithshëm i Luftës, në të cilin secili nga anëtarët kishte nje rol për të luajtur dhe nuk është se ,për shembull Sejfulla Malëshova, ishte aty simbolikisht, sepse nuk ishte ushtarak – siç është interpretuar ndonjëherë. Pikërisht Sejfulla Malëshova,(profesor filiozofie, kishte mbaruar në Leningrad Akademinë ushtarako-politike në vitet 1926-1927),duke diskutuar pas Enver Hoxhës në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm NÇ më 4 korrik theksonte se “Lëvizja e çetave ka ardhë në një shkallë të tillë zhvillimi sa që s’asht e mundun të bajë asnji hap përpara pa një qendër, që të lidhë e të organizojë operacionet në shkallë kombëtare.”… duhet me domosdo me organizue nji ushtri kombëtare, me një qendër si shtab i përgjithshëm”. (AQSHf.40dosja 3 viti 1943.f16/A).

Vetë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm,krahas drejtimit operativo-strategjik të Luftës dhe të Ushtrisë, shkruanin artikuj në shtypin nacionalçlirimtar dhe udhëhiqnin gjithë punën që bëhej në këtë fushë. Buletinet e Shtabit të Përgjithshëm, buletinet dhe artikujt që botoheshin te gazeta “Bashkimi”, te “Zëri i popullit” etj,janë shkruar në një nivel të lartë jo vetëm luftarak, por edhe politik, kulturor e publicistik. Është për ardhur keq që shumica e tyre deri me sot kanë mbetur anonimë.

Po kaq saktë emërtimi i Shtabit të Përgjithsëm del në vulën e tij,në të cilën ai titullohet:“Shtabi madhor i Luftës Naçional Çlirimtare”.Më këtë emërtim janë vulosur gjithë dokumentet e dalë nga Komanda e këtij Shtabi prej datës 21 korrik- ndofta edhe data e parë e përdorimit të saj. Herë pas here,siç shkruhej edhe në vulën e tij, Shtabi emërtohej, në të folur dhe në dokumente, edhe si Shtabi Madhor ose Shtatmadhoria, duke respektuar kështu traditën me të cilën ishte emërtuar historikisht, që nga krijimi i tij, më 5 maj 1913, Shtabi Madhor i Ushtrisë shqiptare.

Në kohën kur po krijohej Shtabi i Përgjithshëm, situatat po zhvilloheshin me shpejtësi. Partia komuniste shqiptare po punonte per zbatimin e direktivave të Kominternit për krijimin e “Fronteve të bashkuar Nacional Antifashist” me të gjitha forcat patriotike, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre ideologjike, por dhe të direktivave të aleatëve perëndimorë, për të arritur në një mirëkuptim e bashkëpunim ndërmjet forcave të rezistencës në vendet e pushtuara.

Në dokumentet e miratuara në Konferencën e Parë të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare shkruhet: “Balli kishte grumbulluar një pjesë të nacionalistëve…dhe shumë nga ata që donin të luftonin madje që “kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë me armë në dorë kundër okupatorit”. Dhe me këta “ është e mundur të krijohet Fronti i përbashkët Nacionalçlirimtar”( Historia e Popullit shqiptar gjatë luyftës së dytë botërore dhe pas saj ( 1939-1990), Tiranë 2008 f.62)

Pikërisht në këto ditë të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, po në Labinot më 10 korrik Këshilli i Përgjithshëm NÇ diskutoi rreth bisedimeve me Ballin Kombëtar për një marrëveshje të mundshme me të, për integrimin e tij në LANÇ. Skema do të ishte ajo e Konferencës së Pezës, siç ishte integruar Abaz Kupi, si individ, ndërsa çetat e tij bënin pjesë në Ushtrinë Partizane Vullnetare Nacionalçlirimtare.

Që në mbledhjen e tij të parë Shtabi i Përgjithsëm ngarkoi një komision i cili me 7 korrik hartoi një listë të kërkesave që do t’i paraqiteshin delegacionit ushtarak aleat.

Duke e parë dhe vlerësuar rrjedhën e situatave Fronti Nacionalçlirimtar po u dilte përpara atyre, po krijonte nje organizëm të përshatshëm për udhëheqjen e Luftës, një organ ushtarako-politik që do të kordinonte në shkallë kombëtare veprimet luftarake, por edhe me fqinjët e me aleatët e mëdhenj antifashistë.

Nga ana e tyre emisarët jugosllavë bënë ç’kishin mundësi që t’i vështirësonin këto proçese. Ata, siç del nga letrat e tyre, kritikuan Enver Hoxhën dhe Ymer Dishnicen pse po prisnin ta krijonin Shtabin e Përgjithshëm pas bisedimeve me Ballin Kombëtar.Ideja e Shtabit madhor të luftës e të ushtrisë ishte hedhur që në Konferencën e Pezës,ishte përforcuar në Konferencen e Pare të Vendit dhe ishin lëshuar për veprim udhëzime të qarta në mars e prill 1943.Por, forcimi i bashkimit politik të popullit sipas ideve te Konferencës së Pezës përbente vijën politike të veprimtarisë nacionalçlirimtare, në të cilat hynin pikërisht dhe bisedimet e marrëveshja me Ballin Kombëtar. Pas tyre do të zgjidhej natyrshëm edhe integrimi i forcave të armatosura të Ballit në Ushtrinë partizane e vullnetare NÇ. Pra një front i bashkuar kombëtar NÇ dhe një ushtri kombëtare Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të cilën do të nevojitej Shtabi i Përgjithshëm.

Por, siç duket, zhvillimi i situatave të brendëshme, si krijimi i vrullshëm i çetave dhe batalioneve të reja partizane,mbërritja në prill e misionit të parë ushtarak anglez për bisedime e marrëveshje me të kërkonte një organizëm ushtarak kombëtar. Po ashtu,kriza e rëndë që kish kapur regjimin e pushtimit fashist italian, por edhe ndikimi i emisarëve jugosllavë, bënë që në fillim të korrikut 1943 të shtrohej për diskutim dhe të krijohej Shtabi i Përgjithshëm “si një përgjigje flakë për flakë që po i japim armikut” ,por edhe si një zhvillim i pritshëm, i paraparë e i njoftuar me kohë.Të dyja këto aspekte jo rastësisht i theksonte Proklamata e Shtabit të Përgjithshëm dhe e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ e 10 korrikut 1943 me të cilën njoftohej populli për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ftohej “Balli Kombëtar” ,ashtu dhe të gjithë shqiptarët, të çdo partie qofshin, të bashkohen në frontin kombëtar antifashist, në Frontin nacionalçlirimtar”. ( Dok. të Shtabit të Përgjithshëm…vellimi I, botim vitit 1976,f.18)

Por siç dihet,në Mukje Balli Kombëtar nuk pranoi të integrohej në Luftën NÇ sipas vendimeve të Konferencës së Pezës. Megjithatë, ideja dhe puna e Partisë Komuniste dhe Këshillit të Përgjithshëm NÇ për ta organizuar Shtabin e Përgjithshëm të Luftës janë një dëshmi e përpjekjeve të tyre për t’i dhënë Luftës që më 1943 një tjetër diapazon në shkallë kombëtare.

Siç dihet historia mori drejtim tjetër. Balli, jo që nuk i integroi fuqitë e tij të armatosura në Luftën NÇ, por bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë kundër ushtrisë nacionalclirimtare; me kohë edhe Abaz Kupi , doli nga Fronti NÇ, nga Këshilli i Përgjithshëm NÇ dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Luftës NÇ. Megjithatë Shtabi i Përgjithshëm edhe në kushtet e veshtira të pushtimit gjerman, vijoi të zbatoje planin e tij strategjik te krijimit të Ushtrisë Nacionaclirimtare dhe , me dështimin e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, pas Operacionit të Dimrit 1943-44, e rriti edhe më tej gjërësinë dhe thellësinë e punës së tij organizative dhe luftarake me krijimin e brigadave të reja, divizioneve e pastaj edhe korparmatave.Historia e solli që “fuqitë e armatosura” të Ballit e Legalitetit, si dhe ato kuislinge, të shkërmoqen fare dhe, përveç krerëve, shumica e tyre hynë ne radhët e formacioneve të Ushtrisë Nacionalclirimtare. Shtabi i Përgjithshëm Nacionaçlirimtar iu përgjigj me zotësi situatave të reja politike e ushtarake , krijoi Ushtrinë Nacionalclirimtare dhe e çoi vendin në Çlirimin e tij me 29 nëntor 1944.Këtu mbaron edhe historia e tij si Shtab i Përgjithshëm i Luftës NÇ.

Që ky Shtab i Përgjithshëm i krijuar me politikanë dhe ushtarakë ishte një Shtab i Përgjithshëm lufte, e njëkohësisht, natyrshëm edhe i Ushtrisë nacionalçlirimtare mund ta shohim edhe më qartë në ditët e Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar, të mbledhur ne Përmet, më 24-28 maj 1944. Në këtë Kongres, më 26 maj 1944 “Këshilli ANÇ në emër të popullit i shfaq mirënjohjen dhe përgëzimet Shtabit të Përgjithshëm t’ Ushtrisë Partizane e vullnetare Nacional-Çlirimtare që dijti të ndërtojë dhe t’ organozojë ushtrinë t’onë popullore dhe ta udhëheqi me sukses në luftën kundra armikut të vendit t’onë.”

Por Këshilli nuk ndalet këtu. Me të drejtë vijon më tej përgëzimet e tij për Shtabin e Përgjithsëm:“Këshilli antifashist nacional-çlirimtar i shfaq mirënjohjen Shtabit të Përgjithshëm (vini re nuk thotë më të Ushtrisë PVNÇ.S.O) që diti të mobilizojë politikisht dhe ushtarakisht të gjitha fuqitë patriotike të vëndit t’onë, të ngrerë prestigjin e vendit t’onë para botës së jashtëme dhe të mbrojë pushtetin e vërtetë demokratik e popullor të krijuar me kaq gjak e sakrifica.”

Pra Këshilli antifashist NÇ, vetë Kongresi i Përmetit, në mendjet si dhe në dokumentet e tyre,ishin të vetdijshëm se ky institucion nuk ishte vetëm Shtab i Përgjithshëm i Ushtrisë, por kishte qenë e do të ishte deri në fund të Luftës një Shtab i Përgjithshëm i Luftës Nacionaçlirimtare.Prandaj edhe në dokumentet e Kongresit ai nuk hezitohet të emërtohet “Shtabi i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar”.Madje krahas përshendetjeve që Kongresi i Përmetit u dërgoi Stalinit, Ruzveltit dhe Çurçillit i dërgoi një përshëndetje edhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane vullnetare Nacionaçlirimtare,të vetmit organizmi shqiptar,me superlativa si vijon: “Nën udhëheqjen Tuaj të ndritur populli shqiptar ka mundur të organizojë një ushtri me të vërtetë popullore, që ka thyer të gjitha përpjekjet e okupatorit dhe të reaksionit të brendshëm, që ka nderuar Shqipërinë përpara botës dhe që është garancia e shëndoshë e një Shqipërie demokratike popullore.

Na përfaqësuesit e popullit shqiptar në këtë Kongres sigurojmë Shtabin e Përgjithshëm se nuk do të kursejmë asgjë për të ngritur më këmbë gjithë popullin shqiptar, për të mobilizuar gjithë djemtë e vajzat më të zgjedhur të vendit tonë në rradhët e Ushtrisë sonë heroike, për të shpejtuar fitoren tonë definitive mbi armikun dhe tradhëtarët e urryer të popullit shqiptar”. (Dokumente të organeve të larta të pushtetit revoluçionar naçionalçlirimtar” Tiranë, 1962,faqe 166)

Ky vlerësim kaq i lartë për Shtabin e Përgjithshëm në fakt indirekt bëhej edhe për Partinë Komuniste dhe Enver Hoxhën, por kjo nuk bëhej hapur e drejtpërdrejt për ta sepse aso kohe respektohej karakteri antifashist e patriotik i Luftës Nacionalçlirimtare. (60% e delegatëve të Kongresit të Përmetit mendohej se ishin anëtarë të Partise Komuniste.Shih Kristo Frashëri: Kongresi i Përmetit.(24-28 maj 1944) Vështrim historiografik dhe burime dokumentare, Tiranë, 2015.f.79)

Në në ditët e Kongresit të Përmetit, me 26 maj 1944 Kryesia e Këshillit ANÇ, në bazë të propozimit të Shtabit të Përgjithshëm, e njësoi postin e komandës së përgjithshme, ajo emëroi Enver Hoxhën komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ me gradën gjeneral -kolonel dhe Spiro Moisiun Shef të Shtabit të Përgjithshëm ( Shtatmadhorisë)me gradën general -major. Dy nga ish antarët e Shtabit , Ymer Dishnica dhe Sejfulla Maleshova,kaluan ne detyrat e reja që morën si antarë të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar ( si qeveri e përkohëshme e Kongresit të Permetit).Dy të tjerë ,Hysni Kapo dhe Islam Radovicka ,në ditët e Kongresit të Përmetit,dhe Mehmet Shehu ,pas clirimit të Tiranes do të bëheshin antarë të Shtabit të Përgjithshëm. Ndërkohë që në prag të clirimit, do të vritej pas shpine, Mustafa Gjinishi,(Dëshmor i Atdheut) gje që tregonte vec tjerash ,se sa e komplikuar dhe e vështirë ishte situata në të cilën vepronte Shtabi i Pergjithshëm.

Fryma e lartë patriotike e Ushtrisë NC,bindjet për një Shqipëri demokratike , për të cilën kishte luftuar dhe udhëhequr Shtabi i Përgjithshëm ,pas Clirimit do të binin ndesh me vijën politike që do të ndiqte udhëheqja e Partisë komuniste me Enver Hoxhën .Po kjo i takon një periudhe tjetër historike.

Por siç thamë, që në fillim të këtij shkrimi Shtabi i Përgjithshëm ka hyrë më së shumti në histori si Shtab i Ushtrisë Partizane nacionalçlirimtare.Në thelb, edhe ky përcaktim është i drejtë pse Lufta me Ushtri bëhet dhe se, si lufta dhe ushtria, nacionalçlirimtare ishin. Por, koncepti i Luftës është padyshim më i gjërë e më i thellë, më strategjik,le të themi edhe më politik e më organizativ, patjetër me një rreze më të gjerë, tamam ashtu siç ishte përcaktuar në Mbledhjen e parë, konstituive të Shtabit të Përgjithshëm.Ky ndryshim, ky zëvëndësim u bë gradualisht edhe në dokumentet e vetë Shtabit të Përgjithshëm,në urdhërat e udhëzimet e të cilit shënohej Shtabi i Përgjithshëm i UPVNÇ (Ushtrisë partizane vullnetare nacionaçlirimtare).

Ky ndryshim del të jetë bërë edhe në botimin e parë (viti 1965) dhe të dytë (viti 1976) të dokumentit bazë të mbledhjes konstituive të Shtabit të Përgjithshëm me datë 5 korrik 1943, ku që në rreshtin e dytë, shënohet “u mblodh për të parën herë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare i dalë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar”, në vend të origjinalit ku shkruhet, siç thamë më lart: ”Shtabi i Përgjithshëm i Luftës Nacjonal Çlirimtare”. Ky veprim sa i pasaktë, aq dhe i panevojshëm, shpreh një mendësi frike të autorëve e të redaktorit të botimit të “Dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare,” se mos ky institucion i Shtabit të Përgjithshëm të luftës i bënte ndopak hije rolit udhëheqës të Partisë Komuniste në Luftën Nacionalçlirimtare. Me këtë lidhet edhe fakti që ky botim i Dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm nuk e ka as Proçesverbalin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, me Rezolucionin e tij që përmban vendimin për krijimin Shtabit të Përgjithshëm, dhe nuk e ka dhënë të plotë as proçesvarbalin e mbledhjes së parë të Shtabit të Përgjithshëm me datë 5 korrik,sidomos pjesën e kompetencave të tij dhe të strukturës së vet Shtabit. Kjo frymë natyrisht është ndjerë dhe ka ndikuar edhe studimet historiografike për Shtabin e Përgjithshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …