Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka lexuar sonte para protestuesve një mesazh të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Para protestuesve, Haziri e ka prezantuar mesazhin duke thënë: “Një përshëndetje nga Cali jonë”, përpara se të lexonte fjalët e Mustafës. Në mesazhin e tij, Mustafa ka falënderuar qytetarët që kanë marrë pjesë në protestë, duke i cilësuar ata si mbrojtës të historisë, UÇK-së, lirisë dhe demokracisë. “Ne dje ishim luftëtarë të UÇK-së për liri, bashkim e demokraci. E ju sot jeni engjëjt mbrojtës të historisë, të UÇK-së, të lirisë dhe të demokracisë. Dhe jeni shndërruar në luftëtarë të drejtësisë”, thuhet në mesazhin e Mustafës. Mesazhi është lexuar në kuadër të protestës së zhvilluar sonte, ku qytetarët kanë shprehur mbështetje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
