Brickos

Sasha Stojkviq: Rasti “MAÇKATICA” dhe barra e së kaluarës

 


Edhe përkundër përpjekjeve të palëve të interesuara, e vërteta e historisë së afërt dhe e hijes së tmerrshme e të së kaluarës së këtushme nuk e lë as kë rehat. Pas paraqitjeve publike të Natasha Kandiqit dhe hapjes së çështjes rreth “rastit Maçkatica”, në jugun e Serbisë, asgjë më nuk është siç ishte më parë.


Të rikujtojmë se në tekstin autorial “ Shërimi  rehatisë shpirtërore” që u botua kah fundi i dhjetorit të vitit të kaluar në të përditshmen “Danas”, drejtuesja e “Fondit për të Drejtën Humanitare” e akuzonte një numër të madh njerëzish duke i përmendur edhe emrat e tyre, për fshehjen e planifikuar të krimeve të luftës, të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo i dha grusht të rëndë, opinionit lokal me rastin e përmendjes së emrit të DRAGOMIR TOMIQIT dhe atë në kontekst të realizuesit të projektit të djegies së trupave, të shqiptarëve nga Kosova, në shkritoret e ndërmarrjes “Maçkatica” në Surdulicë.


Pasi që opinioni i këtushëm ndërlidh gjithçka që mban parashtesën e “Hagës”, me Karla Del Ponte-n, këto paraqitje publike kanë shkaktuar një varg reagimesh me shkruarjen e demanteve nga ana e të përfolurve, kurse për rastin u interesuan edhe “organet kompetente”. Mirëpo dihet si rrjedhin ngjarjet në Serbi. Pas gjëmimit të fortë të malit, nuk polli madje as një mi. Megjithatë, patjetër, dikush duhet të përgjigjet në pyetjen se a ka pasur këtu krime të luftës? Tani për tani, lidhur me rastin e “Maçkaticës”, në drejtim të zbardhjes së këtij rasti vepron vetëm koalicioni i gjashtë organizatave joqeveritare nga Beogradi, e aty-këtu edhe ndonjë medium dhe gati askush tjetër. Pas reagimit të parë, i cili qe një reagim i zbehtë i organeve shtetërore – policisë, duhet të pranohet, patjetër, se pasoi një heshtje e plotë për këtë. Për të dëshmuar vendosmërinë se rasti i “Maçkaticës” nuk mund të lihet në harresë, koalicioni i OJQ-ve vendosi që t’i drejtohet Kuvendit të Serbisë, si kjo më e lartë demokratike në Serbi.


 


-Sipas konstatimeve të Natasha Kandiq-it, person i besuar, përkatësisht koordinator i projektit për fshehjen e gjurmëve të krimeve të luftës të bëra në jug të Serbisë ka qenë DRAGOMIR TOMIQIT“me përkrahjen dhe mirëkuptimin e të cilit është bërë bartja e organizuar e trupave, të viktimave nga Kosova, për në trevat e Vranjës dhe të Surdulicës”. Sipas të dhënave, që Fondi për të Drejtën Humanitare ka pranuar deri tani, nga ana e disa burimeve të pavarura, djegia e trupave në fabrikën “Maçkatica” është bërë në dy etapa, më 16 dhe 24 maj të vitit 1999, pas mesnatës, nën mbikëqyrjen e “Beretave të kuqe”, të cilat atëbotë e kishin bazën e tyre në “Bella Vodë” – afër Vranjës. Komandanti i atëhershëm i “Beretave të kuqe”, Millorad Legija, sipas burimeve në fjalë, kishte marrë pjesë, personalisht, në përcjelljen e një transporti deri në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë i pranishëm me rastin e djegies së tyre. Trupat qenë djegur në “shkritoret e hapura” nr. 4 dhe 5. Pranimin dhe organizimin e djegies së kufomave e kanë bërë:


1.Zoran Stoshiqi, i cili atëherë ishte kryeshef i sigurimit shtetëror për rrethin e Pçinjës;


2.Bratisllav Milenkoviqi, shef i BIA-s për Vlladiçin Han dhe Surdulicë;


3.Dragan Stankoviqi, kryeshef i SUP-it në Surdulicë që nga viti 1993;


4.Mirosllav Antiqi, kryeshef i BIA-s në Vranjë;


5.Dragan Llakiçeviqi, drejtor i “Maçkaticës” dhe zëvendësi i tij,


6.Aca Gjorgjeviqi – shkruan Natasha Kandiqi, duke shtuar edhe detaje të tjera të mjaftueshme, ashtu që të mos dyshohet aspak në vërtetësinë e fakteve të paraqitura.


Sipas këtyre dëshmive, fjala është për një shoqatë kriminelësh, mirë të organizuar, për të bërë “asanimin e terrenit”, pra fshehjen e dëshmive për krimet e bëra në Kosovë, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.


Natyrisht se ndaj një çështjeje të tillë, realisht askush nuk duhet të mbetet indiferent. Pas reagimeve të para, sipas detyrës zyrtare, për këtë rast është dashur patjetër, që të interesohet edhe prokurori special për krime të luftës, i cili madje pati premtuar publikisht se do ta procedojë tërë këtë rrëfim pa asnjë shtyrje.


Menjëherë pas kësaj pasoi edhe reagimi i parë zyrtar- shkarkimi i Zoran Stoshiqit nga pozita e inspektorit të përgjithshëm të MUP-it të Serbisë, për rrethin e Pçinjës, i cili në kohën për të cilën po flasim, ishte kryeshef i DB-së. Mirëpo kjo ishte e tëra, ngase nuk pati lëvizje të mëtejshme për ndriçimin në tërësi të rrethanave të “rastit Maçkatica”, së paku të atyre që dihen.


Mirëpo as pala tjetër nuk qëndroi duarkryq. Koalicioni i gjashtë organizatave joqeveritare, nga Beogradi, kërkoi nga Kuvendi i Serbisë që ta themelojë, urgjentisht, një Këshill Hetues, ose thënë me fjalorin vendor, një komision hetues, i cili do t’i verifikonte të dhënat për varrezat masive në Serbi dhe për asgjësimin e dëshmive për krimet në Kosovë, duke u bazuar po ashtu nga të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare, veçanërisht rreth rastit “Maçkatica”. Hapi më i rëndësishëm i të gjithë atyre, që janë duke u përpjekur për ndriçimin e plotë të së vërtetës rreth asaj se çfarë ka ndodhur në rastin “Maçkatica” ishte gjithsesi takimi me Predrag Markoviqin, kryetar i Kuvendit të Serbisë, përndryshe njëri prej anëtarëve të G17 plus.


– Në këtë moment është shumë me rëndësi të theksohet se deri tani kemi arritur që ta ngrehim këtë çështje në atë nivel, sa që shteti duhet patjetër që ta trajtojë institucionalisht, këtë rast. Markoviqi ka premtuar se do të bëjë gjithçka që gjërat të lëvizin nga pika zero. Po presim, ata kanë edhe pak kohë në dispozicion. Më vonë do të pasojë presioni përmes veprimeve publike, të grupeve joformale, por edhe me përkrahjen e disa partive parlamentare – shprehet me vendosmëri, Milenko Dereta nga “Iniciativa qytetare”. Megjithatë, ai konsideron se Kuvendi do të reagojë ngadalë, para së gjithash, për shkak të raportit aktual të forcave politike në Serbi. “Për formimin e këshillit hetues për rastin e “Maçkaticës” është e domosdoshme shumica parlamentare, që vështirë mund të realizohet në sfondin e interesave të ndryshme”, shprehet Dereta duke qenë thellësisht i bindur se e vërteta megjithatë do të dalë në shesh.


– Një disponim i tillë tani ekziston, mirëpo edhe po të mos ishte, ne duhet patjetër që të ballafaqohemi me të kaluarën. Sa më shumë që një gjë e tillë të shtyhet, aq më shumë do të krijohen raste për manipulime të ndryshme – konkludon bashkëbiseduesi ynë.


Edhe Ander Nosov, nga “Iniciativa e të rinjve”, e vlerëson vizitën e Markoviqit si “shumë kualitative” dhe thotë se kryetari i Kuvendit ka premtuar se për këtë rast, duke e shfrytëzuar të drejtën e deputetit, do të propozojë diskutim parlamentar.


– Na mbetet që edhe më tej të insistojmë, dhe të punojmë në krijimin e mekanizmava të përhershme për ballafaqim me të kaluarën. Nëse Parlamenti Serb, edhe gjashtë vjet pas luftës së Kosovës, nuk është i gatshëm që të debatojë për këtë çështje, atëherë do të nënkuptohet se po na mashtrojnë të gjithë politikanët dhe deputetët popullorë – konsideron Nosov. Ai thotë se nuk do të ketë të ardhme të lumtur në këto hapësira për derisa njëherë e përgjithmonë dhe me themel të njihet e vërteta e së kaluarës së këtushme.


– Çështja më qenësore tani është se si të gjenden modele që institucionet në Serbi – Parlamenti, policia dhe gjykatat – të japin përgjigje ndaj të gjitha çështjeve nga e kaluara dhe të pasojave të sotme. Nëse kemi aq varreza masive, aq kufoma dhe të zhdukur, për të cilat, madje, as që flitet, atëhere shtrohet pyetja – sa angazhohet për paqe ky pushtet? Nëse pushteti hesht për varrezat masive, atëherë ai ende është në luftë – thotë i bindur Nosov.


Kështu, “rasti i Maçkaticës” nga shtyllat e gazetave u transferua thjesht në dyert e institucioneve të shtetit. Kryetari i Kuvendit të Serbisë është institucion, të cilit duhet t’i besohet patjetër, mirëpo çështja e vullnetit politik rreth ndriçimit të të gjitha fshehtësive të errëta të së kaluarës ende mbetet një temë plotësisht e hapur.


– Mund të them se opinioni është më i zëshëm se institucionet. Më duket se ekziston një pjesë e opinionit, i cili është tmerruar dhe që konsideron se “Maçkatica” është vetëm njëra prej gjërave të tmerrshme, të cilat dëshmojnë për pogromin më të errët, të cilin këtu e kishte ndërmarrë pushteti i atëhershëm. Sa u përket institucioneve, në to edhe më tej qëndrojnë, në funksione, njerëz që parapëlqejnë t’i mbulojnë krimet dhe të flasin, ekskluzivisht, vetëm për viktimat serbe, kurse të mos përmenden fare veprat kriminale, djegia dhe zhdukja e gjurmëve të krimeve, të shkaktuara ndaj të tjerëve – thekson Natasha Kandiqi.


 


Mirëpo, edhe krahas të gjitha presioneve publike, për rastin “Maçkatica” dhe për rastet e tjera të ngjashme, nga të gjitha institucionet shtetërore, në nivelet e këtushme, ka reaguar vetëm Prokuroria Publike e Qarkut të Vranjës, edhe atë mjaft herët, para se rasti të jetë publikuar në media.


– Kjo informatë nuk është ndonjë risi dhe rreth saj është folur qysh me “rastin e Batajnicës”, edhe pse tani kemi më shumë të dhëna. Edhe pse informata për ekzistimin e varrezave masive në Vranjë ishte mjaft e zbehtë, megjithatë me atë rast pati reaguar Prokuroria Publike e Qarkut. Atëherë patëm kërkuar një raport të detajizuar edhe nga sigurimi shtetëror dhe ai i sektorit publik, si dhe patëm marrë një përgjigje, ku thuhej se në trevën tonë nuk ka, madje, as gjurmë dhe as dëshmi për varrezat masive dhe për djegiet eventuale. Pas dy raporteve të veçanta, nuk pati më elemente për ngritjen e procedurës dhe për këtë qe informuar edhe Prokuroria Republikane – thekson Milan Bozhilloviqi, prokuror Publik i Qarkut. Me formimin e prokurorisë speciale për krimet e luftës, organ të cilin e kryeson, ai më nuk ka kurrfarë kompetencash të tjera lidhur me rastin përkatës.


Natyrisht se për rastin “Maçkatica” reagoi edhe Prokuroria e Tribunalit të Hagës.


-Tribunali i Hagës qe i njohur për këtë rast prej burimeve të ndryshme të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Mirëpo, Tribunali i Hagës nuk është i vetmi institucion që ka të drejta ekskluzive për hulumtimin e krimeve të luftës. Kur Serbia pati ndërmarrë hetime lidhur me rastin e Batajnicës, njëlloj si për këtë rast i patën paraprirë thashethemet, gjë që gjatë hetimeve ato u konstatuan si të vërteta. Pra, radhën e ka hetuesi special, që nëpërmjet ndërmarrjes së hulumtimit, të rastit, ta bëjë verifikimin e dëshmitarëve eventualë dhe të njohurive, që i kanë ata – tha për “Vranjske” Florans Artman, zëdhënëse e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës.


Pas një qëndrimi të tillë, “të një strategjie të njohur të Hagës për t’i shmangur disa raste të caktuara”, posaçërisht pas heshtjes së orkestruar të kompetentëve vendorë, këtu shumëkujt iu lehtësua barra. Kuvendi as që e përmend më formimin e këshillit hetues. Prokuroria Speciale Serbe hesht. Ajo gjithashtu nuk i publikon as detajet rreth asaj se çka është ndërmarrë në këtë drejtim dhe as që e bën të ditur qëllimin e saj të mëtejshëm. Nga ana e saj, policia ka një sjellje klasike ndaj opinionit…


– Problemi qenësor qëndron në faktin se ne nuk kemi institucione, që e zbatojnë ligjin dhe që do ta zbulonin të vërtetën rreth asaj se çka kishte ndodhur në të vërtetë gjatë bombardimeve të NATO-s – komenton këtë neglizhencë, Natasha Kandiqi.


Në këtë drejtim, gjithçka është e qartë dhe nuk ka kurrfarë dilemash se po të kishim një shtet normal dhe po të sundonte drejtësia, kompetentët do të ishin detyruar të ndërmerrnin hulumtime më serioze dhe në afat sa më të shkurtër kohor do të ishin përgjigjur ndaj të gjitha çështjeve të hapura. Mirëpo institucionet tona po heshtin. Te ne, për zbatimin e ligjit vendosin zakonisht ata, që lehtë mund të konstatohet se kanë qenë pjesëmarrës dhe hartues, të ngjarjeve më të tmerrshme, të historisë serbe dhe që kanë qenë në grupin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit në kohën kur ai vepronte pa pengesa. Prandaj, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë farë ligji, shteti dhe drejtësie.


– Ata shpresojnë që të dhënat do të zhduken për disa ditë dhe se nuk do të flitet kurrë më për këto raste. Ata shpresojnë se edhe më tej janë të fortë, mirëpo opinioni demokratik nuk do të ndalet dhe do të bëje vazhdimisht presione që të zbardhen dhe të verifikohen të gjitha faktet që kanë të bëjnë me këtë rast – premton Natasha Kandiqi.


Megjithatë, mjerisht, rreth rastit “Maçkatica” qartësia vazhdon të mbetet paqartësi. Sado që po prolongohet puna rreth ndriçimit të së kaluarës dhe sado që historia po përpiqet të futet nën mburojën e interesave kombëtare, në këto hapësira, nuk do të ketë paqe për aq kohë derisa nuk ndriçohen gjërat, që kanë të bëjnë me “rastin Maçkatica”. Deri atëherë e kaluara nuk do të na hiqet qafësh, dhe si të tillë ne do të jemi peng i saj. Sado të mundimshme që të jenë përpjekjet që kjo gjendje të ndryshohet, atë duhet bërë patjetër. Jeta e së “djeshmes” duhet të zëvendësohet patjetër, me shikimin kah e “nesërmja”. Mbase, pas të gjithë këtyre ngjarjeve, kjo nuk do komente të veçanta. Apo ndoshta edhe duhet…


http://www.presheva.com/press/hapi250405.html

Kontrolloni gjithashtu

Prindi i ish presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi ka uruar që sa më parë të kthehen në Kosovë të gjithë që po mbahen në Hagë

Ish kryetari, Hashim Thaçi ka pritur sot në paraburgim prindërit e tij, Haxhi dhe Hyra …