Në kohë të ndryshme, drejtësia ka veshur petkun e padrejtësisë dhe ka gjykuar jo mbi të vërtetën, por mbi frikën, interesin apo paragjykimin. Historia njerëzore është e mbushur me raste kur ata që qëndruan në anën e lirisë u vunë në bankën e të akuzuarve, ndërsa koha më pas i shpalli të pafajshëm dhe madje i ngriti në piedestal. Sot, për shumëkënd, ajo ndjenjë rikthehet kur sheh liderët e UÇK-së të mbajtur prej vitesh në Hagë, në një proces që shpesh perceptohet si tepër i gjatë, i padrejtë dhe i mangët në prova.
Që në fillesat e njerëzimit, rrëfimi i Kainit dhe Abelit na mëson se padrejtësia mund të lindë edhe nga xhelozia dhe keqinterpretimi. Abeli, i pafajshmi, bie viktimë jo për shkak të fajit, por për shkak të një intrige të errët. Kjo histori biblike mbetet një metaforë e fuqishme: jo gjithmonë ai që goditet është fajtor, dhe jo gjithmonë ai që gjykon ka të drejtë morale.
Në shekuj, figura si Zhana d’Ark janë përballur me gjykime që sot duken absurde. Ajo u shpall heretike dhe u dogj në turrën e druve, vetëm që më vonë të njihej si heroinë dhe shenjtore. A nuk është kjo një dëshmi se drejtësia e një epoke mund të jetë padrejtësia e një tjetër? Se tribunat dhe gjykatat, kur ndikohen nga politika apo frika, mund të prodhojnë vendime që historia i rrëzon pa mëshirë?
Edhe në një shoqëri që sot konsiderohet ndër më të zhvilluarat, si ajo amerikane, ndodhi një nga episodet më të errëta të drejtësisë: gjyqet e shtrigave në Masaçusets. Qindra gra dhe burra u akuzuan për magji; shumë prej tyre u dënuan pa prova reale, të shtyrë nga histeria kolektive dhe dëshira për të gjetur fajtorë aty ku nuk kishte. Sot, ato procese shihen si një njollë në historinë e drejtësisë.
Në këtë kontekst lind pyetja: a po përsëritet historia? A po shohim një proces që, në vend se të mbështetet mbi fakte të pakundërshtueshme, zgjatet në kohë duke lënë hapësirë për dyshime të mëdha? Kur një gjykim zvarritet për vite të tëra pa një përfundim të qartë, ai rrezikon të humbasë besimin e publikut dhe të perceptohet më shumë si ndëshkim sesa si drejtësi.
Drejtësia e vërtetë nuk duhet të jetë as hakmarrje, as spektakël, as instrument politik. Ajo duhet të jetë koherente, e drejtë dhe e mbështetur në prova të forta, e jo në pretendime të fabrikuara apo dëshmi të paqarta. Nëse këto mungojnë, atëherë çdo akuzë rëndohet nga hija e dyshimit dhe çdo proces kthehet në një barrë morale për vetë sistemin që e zhvillon.
Kur e analizojmë procesin e Gjykatës së Hagës, me të ashtuquajturat “Dhoma të Specializuara”, ndaj krerëve të UÇK-së, krijohet përshtypja e gjykimeve politike në ish-Jugosllavi, ku paraprakisht, përmes Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës, të drejtuar nga UDB-ja, zhvillohej një fushatë për dënimin sa më të ashpër të veprimtarëve që ishin kundërshtarë të atij sistemi. Kujtojmë edhe organizimet dhe “ligjërimet” nëpër shkollat e Prishtinës, ku të akuzuarit paraqiteshin padrejtësisht si armiq, duke mohuar luftën e tyre për popullin e vet.
Historia na ka mësuar të jemi të kujdesshëm: ata që sot gjykohen para popullit, nesër mund të nderohen. Dhe ata që sot gjykojnë, mund të gjykohen nga vetë historia.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
