Selajdin Abdullahu: Republika në udhëkryq: kur presidenti nuk zgjidhet dhe zgjedhjet bëhen serial

Në Republikën e Kosovës, demokracia ka zbuluar një funksion të ri: zgjedhje të reja.

Seancat parlamentare janë shndërruar në një lloj teatri monoton: shumë seanca, pak dialog dhe një fund i parashikueshëm — dështim për kuorum. Deputetët bëjnë rolin e spektatorëve të vetes, ndërsa publiku jashtë sallës sheh një shfaqje që përsëritet aq shpesh sa humb edhe efektin komik. Në fund, mbetet vetëm ironia: një shtet që s’arrin të zgjedhë presidentin, por arrin gjithmonë të zgjedhë momentin për zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e shpeshta po trajtohen si terapi universale: nëse s’ka marrëveshje — zgjedhje; nëse ka krizë — zgjedhje; nëse s’ka krizë — gjithsesi zgjedhje, sepse ne duhet të bëhemi shembull i demokracisë ballkanike dhe evropiane. Kështu, cikli politik i vendit i ngjan një rrethi vicioz, ku fundi është vetëm fillimi i një fushate të re. Partia në pushtet premton stabilitet dhe zhvillim ekonomik me “superpuna”, që shpesh barazohen me “superrrena”, ndërsa opozita e ka kthyer dështimin e pushtetit në strategjinë e saj, duke e kërcënuar atë me zgjedhje të reja, por në fund prodhon vetëm kalendar elektoral. Flasin për përgjegjësi, por praktikojnë shtyrje; kërkojnë konsensus, por investojnë në bllokadë.

Ndërkohë, presidenti — posti që supozohet të mishërojë unitetin — kthehet në një test matematikor që askush s’do ta zgjidhë. Numrat nuk dalin, jo sepse janë të pamundur, por sepse askush s’do të bëjë llogaritjen deri në fund. Politika preferon ekuacionin e hapur: më mirë pa zgjidhje sesa me kompromis. Duke u mbështetur në tezën e Niccolò Machiavelli se “qëllimi justifikon mjetin”, kriza politike po shfrytëzohet më shumë si instrument pushteti sesa si arsye për zgjidhje.

Kostoja? Jo vetëm financiare, megjithëse çdo palë zgjedhje ka çmimin e vet. Kostoja më e madhe është konsumimi i besimit publik. Kur vota thirret shpesh, por rezultati ngec në vend, qytetari fillon të pyesë: a është ky proces për të zgjidhur problemet, apo për t’i shtyrë ato me afat të ri? Demokracia nuk matet me sa herë votojmë, por me sa herë vendimet tona prodhojnë stabilitet.

Satira e kësaj situate është e hidhur: një vend që e ka votën si instrument kryesor, por e përdor si justifikim për të mos vendosur. Një klasë politike që flet për mandat, por jeton në fushatë të përhershme. Një president që nuk zgjidhet, por që shërben si arsye për gjithçka tjetër që nuk bëhet.

Pozita ka rënë në kurthin që e ka ngritur vetë, ndërsa opozita vetëm evidenton dhe konstaton shkeljet kushtetuese të pozitës, pa ndërmarrë veprime konkrete që do ta ndryshonin situatën.

Ndoshta është koha për një risi të vërtetë: jo zgjedhje të reja, por sjellje të reja.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Elezi: Dobërdolani përuron Kullën e Lirisë

Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar bashkëluftëtarë,
të nderuar gjeneral të luftës dhe të paqes, i …