Shaqir Vukaj: Figura kontroverse e Prek Calit, cili ishte në të vërtetë ai?

Shaqir Vukaj: Figura kontroverse e Prek Calit, cili ishte në të vërtetë ai?

Kohë më parë në DITA pati replika mes Uran Butkës dhe Shaqir Vukajt lidhur me kryengritjet antikomuniste në Shkodër dhe Malësi. Në shkrimin botuar në DITA në janar 2014 me titull “Më shumë se një replikë me Uran Butkën”, Vukaj shkruan ndër të tjera:

Prek Cali është emër tepër i njohur për këdo në Kelmend e në krejt Malësinë e Madhe. Mbas Luftës vëllavrasëse të Kelmendit u damkos si tradhtar e bashkëpunëtor i fashizmit, reaksionar, feudal, bajraktar etj. etj. Mbas viteve ‘90-të u ngrit në piedestal, duke e hyjnizuar e kthyer pothuajse në mbinjerëzor….

Duke qenë një figurë tepër interesante që kërkon trajtim të ekuilibruar, larg mllefeve e ndikimeve ideologjike. Ai ishte njeri i thjeshtë, i dalë nga populli, që megjithëse analfabet, me urti e burrëri, diti të ecte përpara e të bëhej i respektuar nga shumëkush, madje edhe nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha që u morën me caktimin e kufijve veriorë. Roli i tij është tepër i madh për mbetjen e Kelmendit brenda territorit të Shqipërisë.

Është për të ardhur keq që nuk është folur për rolin e tij në mbrojtje të Vermoshit, kur ish Mbreti Zog ia dhuroi atë Jugosllavëve dhe ai u vu në krye të malësorëve për ta mbrojtur me jetën e tyre që ai të mbetej brenda kufijve të Shqipërisë. Në kohen e socializmit nuk flitej sepse ai ishte damkosur si tradhtar, ndërsa tani nuk flitet se ata që e hyjnizojnë, duan t’i shmangen këtij akti tradhtar të Ahmet Zogut…

Ky, mbasi erdhi në pushtet e internoi Prek Calin. Në fakt armiqësia midis tyre lidhej edhe me faktin se ai kishte përkrahur Revolucionin e Qershorit. Dokumentet flasin se armiqësia midis tyre ishte më e hershme.

Mbas katër vite internimi, Zogu e lejoi Prek Calin te kthehej ne vendin e tij dhe, siç kishte vepruar edhe me të tjerë, që me dhelpëri e joshje përpiqej të merrte me të mirë armiqtë e kundërshtarët, i dha gradën e kapitenit në rezervë, duke e caktuar “për mbajtjen e qetësisë publike dhe ruajtjen e kufijve të Kelmendit”.

Megjithatë, ata nuk u bënë kurrë miq.

Gjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore, tashmë në moshë të thyer, ai ka qëndruar pothuajse gjatë gjithë kohës në fshatin e tij, në Vermosh. Italia Fashiste që ndiqte një politikë mikluese ndaj njerëzve me emër, e kishte caktuar në detyrën e komandantit të forcave vullnetare të Kelmendit, Plavës e Gucisë.

Për veprimtarinë e tij gjatë luftës të dhënat janë kontradiktore. Ka dokumente që tregojnë pakënaqësi të pushtuesve ndaj tij për mosveprim kundër atyre që luftonin për liri, siç ekziston edhe ndonjë dokument që tregon se ai ka marrë pjesë në ndonjë aksion kundër atyre që luftonin për çlirimin e vendit.

Kështu në një letër të Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmerisë, Hysni Dema të dt.19 prill 1944 thuhej: “Informohemi se komunistët e Tuzit janë tuj lëvizë lirisht në atë rreth dhe komandanti i atyshëm nuk ka marrë ndonjë masë. Hetoni mbi sa më sipër dhe na njoftoni se ç’arsye e pengojnë atë oficer të mos marri masa kundër atyne komunistave”. Kolonel Hysni Dema.

Ndërsa në një letër të Komandantit të Përgjithshëm të Rojës Kufitare, drejtuar Komandës së Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërmjet tjerave thuhet:

“Komanda e batalionit Heroi i Kufirit Shkodër, e mbështetur në informatat që ka marrë telegrafisht, na njofton se Prek Cali me një çetë vullnetarësh të katundit të tij, së bashku me disa çeta të Plavë e Gucisë, në bashkëpunim me çetnikët malazezë që ndodheshin në katundin Vermosh, mbasi kanë kalue kufinin kanë mësy partizanët dhe në vazhdim të një përpjekje janë shpartallue. Prek Cali me 20 vetë ka mujtë me shpëtue, kurse shokët e tij kanë metë mrena. Prek Kola prej katundit Vermosh e banues në Guci, me të birin janë zanë rob prej partizanëve, të cilët mandej i kanë lirue…Shtojmë se fati i çetnikëve nuk dihet”. Kolonel Sami Koka ( Arkivi Qendror i Shtetit).

Mbas çlirimit të vendit Prek Cali nuk iku jashtë Shqipërisë, as nuk u fsheh shpellave siç bënë disa të tjerë. Ai qëndroi në shtëpinë e vet, i respektuar deri në fund nga shumica dërmuese e malësorëve, por jo ashtu siç shkruan U.Butka se “Popullsia e Malësisë së Madhe dha kushtrimin. Prijësit e saj ishin Gjelosh Luli, Prek Cali dhe Llesh Marashi” ( fq. 34)

Duke ju referuar dokumenteve që përmendë Z. Butka dhe atyre që nuk i përmendë, në asnjë dokument nuk rezulton që Prek Cali ose përfaqësues të Kelmendit të kenë marrë pjesë në ato kuvende që organizuan Llesh Marashi e të tjerë, për më tepër, që ata vetë të kenë organizuar kuvende për përgatitjen e kryengritjes kundër pushtetit të ri.

Nga dëshmia e Llesh Marashit në gjyqin Ushtarak, që U. Butka i referohet me hollësi ( fq.36), del shumë qartë se ata kishin menduar të organizonin një mbledhje me parinë e Malësisë së Madhe, ku dhe i kishin ftuar dhe ai përmendë me radhë Hotin, Kastratin, Bzheten, Dedaj, Zagorën ( këto tre të fundit, fshatra të bajrakut të Shkrelit) etj. Ai pohon në gjyq, se kishin tentuar të organizonte çeta, në Hot, Kastrat e Shkrel. Kelmendi nuk përmendet fare.

Edhe në relacionin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (fq.37) ku flitet për organizmin e një mbledhje të parisë së Malësisë së Madhe, ku merrnin pjesë përfaqësues nga Hoti, Shkreli, Bzheta, Dedaj e Zagora, nuk flitet asnjë fjalë për Kelmendin.

Në kapitullin “Kryengritja e Kelmendit” (f.40) thuhet “Malësia e Madhe kishte dhënë kushtrimin. Kelmendi ishte në ballë të kësaj rezistence me në krye Prek Calin”.

E vërteta qëndron krejt ndryshe. Që te qëndronte në ballë, duhej të organizohej, të ishte e para në përplasjen e armatosur. Kelmendi ishte i fundit për nga pozicioni gjeografik e jo i pari, pra nuk kishte si të qëndronte në ballë. Për me tepër, përfaqësuesit e Kelmendit nuk morën pjesë në asnjë prej këtyre kuvendeve ku planifikohej “kryengritja”, kështu që nuk kishte si të ishte në ballë. Megjithëse kapitulli që i kushtohet kësaj “kryengritje”, është hallakatje për t’ju shmangur pikërisht asaj, që vetëm kryengritje nuk ka qenë…”

Kontrolloni gjithashtu

Në Gjykatën Speciale po vazhdon paraqitjen dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit, Ramiz Qeriqi

Çka thanë avokatët: Mishetiq dhe Emmerson për dëshmitarin e Prokurorisë, Ramiz Qeriqi, në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka deklaruar se Ramiz Qeriqi është i dyshuar për …