Shefqet Dibrani: Dashuria lind bashkë me poezinë

(Sevdije Rexhepi “SIMFONI E HESHTUR”, poezi, botoi “URA”, Gjilan 2003, faqe 64) 

Poezia e Sevdije Rexhepit ngjallë emocione lirike, të cilat sikur pa dashje rikujtojnë zymtësinë e një vjeshte e cila pa mëshirë i ka zhveshur pemët nga frutat e tyre, kurse gjethet era e ftohtë ua ka përplasur ndanë rrugës… Poezia e Sevdije Rexhepit është një tip i poezisë lirike, por që ka edhe imazhe të theksuara metaforike, duke e bërë poezinë dhe autoren më të ndjeshme, më përjetuese dhe më melankolike: “Ditë vjeshte…/ Bie shi i ftohtë ngadalë/ …./ Diçka të qetë s’më lë?…/ Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,/ Pse nuk fle?!”, (faqe 5).
Sevdije Rexhepi i takon brezit më fatkeq të krijueseve dhe krijuesve letrarë që ka pasur Kosova, ngase ajo ka bërë një rini të pa rini. Tërë shkollimin e saj e ka kryer nënë rrethanat e aparteidit klasik që ishte mbërthyer Kosova. Ajo nuk ka pasur rastin as t’i shijoj dhe as t’i përjetoj aktivitetet dhe angazhimet kulturore që i ka kudo rinia studentore, as kurrë nuk ka pasur rastin të bëjë një bujtje në konviktin dhe as të hajë një shujtë të ngrohtë në mensën e studentëve. Por: “Në këtë ditë të pakohë/ Në pikën e njëjtë qëndroj/ Mbi valët e momentit mundohem të fluturoj/ Bashkë me kohën që nuk pret”, (faqe 10).
Ajo, e mbrusur me idealin për të ardhmen e saj, sikur nxitoi t’i ikte jetës studentore, që për brezin e saj ishte më shumë se torturë, të paktën nga bastisjet e policisë serbe nëpër të të ashtuquajturat “shkolla – shtëpi”. Gjatë gjithë shkollimit të saj, privilegjet që i kishin kudo studentet nëpër universitetet botërore, shqiptarëve u ishin mohuar krejtësisht, dhe krejt natyrshëm vargjet që poetizohen si sinonim i erërave të ftohta, të vjeshtës a dimrit, shirat që binin pa pra, e pa reshtur, personifikojnë personalitetin e studentes kosovare në ato rrethana kur Sevdija u shkollua. “Kjo erë e ftohtë dimri/ Shprish pa mëshirë flokët e mia/ E më mbyll sytë si për inat/ Me pluhurin e qytetit tim,/ …/ A thua, cili do ta triumfojë dëshpërimin?/ …/ Në heshtje lexojnë vuajtjet e njëri-tjetrit,/ …/ Për një ditë të ngrohtë, pa erë.”, (faqe 6).
E vetëdijshme për gjendjen që mbretëronte në atë kohë, ajo me sukses i sfidoi vështirësitë e kohës për të marrë më vonë epitetin e një intelektualeje e cila me vetëdije ka regjistruar kohën e saj të rinisë e të studimeve nën një pushtim, siç thamë klasik dhe tejet primitiv. Poetja ka vazhduar rrugëtimin e saj “Nëpër shtigjet e panjohura/ Që kurrë më parë shkelur si ka(m)/ Por erdhi stuhia/ E mori gjithçka me vete…”, (faqe 13). Pikërisht ishte kjo vetëdije krijuese, si indikacione që më rikthyen për të rikujtuar (edhe një herë) atë kohë të trishtuar, që mos ia pafsha askujt, pa le femrës e studentes kosovare, veçmas një intelektualeje që tashmë është edhe poete, siç e kemi rastin me Sevdije Rexhepin dhe lirikat e saj: “Ky shi që bie e nuk ndalet dot/ gëlltit pa mëshirë orët e kësaj dite/ dhe e mbështjell me monotoninë e saj…”, (faqe 15). Ndërsa beftësia e këtyre lirikave, dhe sidomos tendenca e përhershme për t’iu dhënë një sharm lirik, sa të dëshirueshëm po aq edhe të pranueshëm, japin një nuancim personifikues, poetik e letrar, duke e bërë këtë poezi edhe më të pranueshme. 

PIKAT E SHIUT

Sa shumë pika 
Në dritaren time
Nuk mund t’i numëroj
Dhe as që mundohem fare
Bien shumë ngadalë 
Dhe qetë-qetë rrëshqasin
Deri në pakufi
Ngase fundin e këtij udhëtimi nuk e di, 
Sodis me kureshtje
Humbëm në thellësinë e imagjinatës sime 
Papritur ylberi shfaqet
Dhe në dritaren time troket,(Faqe 18.) 

Dhe, tani pas kaq e kaq vitesh, mund të mendojmë se autorja: nëse jo qëllimisht, bile në mënyrë spontane i paska regjistruar ato fenomene të cilat kanë lënë gjurmë në vetëdijen e saj krijuese. Kjo poete dhe brezi i saj, jo vetëm që përballuan një aparthejd klasik, por pritën e përcollën luftëra të ashpra, pikërisht atëherë kur ishin në një lloj embrioni krijues “sepse sa herë që bën(j) hapin e parë/ takuan(oj) edhe udhëkryqet e saj”, (faqe 27), kurse jeta me të papriturat e saj vinte pengesat e saj si një “erë e ftohtë fryn/ ditë e marrë marsi/ më mërdhin zemrën/ ngase nuk e di…”, (faqe 19). 
Mbarimi i luftës do ta gjenë Sevdijen dhe brezin e saj, dikë pa shtëpi e katandi, të tjerë pa të afërmit e të dashurit, e përgjithësisht Kosovën pa institucione të konsoliduara shtetërore e kulturore, dhe pa ndonjë vizion e ardhmëri të qartë. Sado që Kosova tashmë e kishte fituar (bile?!) lirinë e të shprehurit, ky vend edhe sot e kësaj dite mbetet pa një brez që mund të mendohet si elitë e re krijuese. 

PSE SOT… KËSHTU? 

Ndoshta pse diell nuk jam
E të lëshojë rrezet
Pse s’mund të shndërrohem në re, në shi
Të shpërndaj freski
Apo pse jam dikush tjetër
Se gjithçka që ndiej vë në letër
Apo pse jam shumë e marrë
Që pëlqeva në shikim të parë
Ndoshta pse i besoj çdo fjalë që shkruan miku
Që rrjedhin nga brendësia apo kotësia
Nuk e di 
Por e di se sot ndihem si fëmijë.(Faqe 23.) 

Jo vetëm rasti i Kosovës, por i të gjitha vendeve që kanë kaluar tranzicionin politik me kaq dhembje, kanë mbetur pa një brez, pasi siç thotë maksima filozofike “revolucionet i hanë bijtë e vet”, por në atdheun tonë kemi mungesën e disa brezave krijuesish për shkak të rrethanave që i përjetoi ky vend dhe ky popull. Kurse Kosovës edhe sot e kësaj dite i mungon një brez elitë që do ta përfaqësonte me dinjitet krijimtarinë letrare të dekadës së fundit të shekullit të kaluar dhe këtë dekadën e parë të këtij shekulli që sapo kemi hyrë. Me gjithë rrethanat e kohës, Sevdije Rexhepi arriti të konsolidohet dhe të formësohet si poete, duke u paraqitur me përmbledhjen e saj të parë poetike “Simfoni e heshtur”. 

SIMFONI E HESHTUR

Ditë vjeshte… 
Bie shi i ftohtë ngadalë
Nuk dëgjohet tjetër veçse ushtimë dhe ritëm
Të shndërruar në melodi që përsëritet
Me nota nostalgjike
Deri në mbarimin e kësaj simfonie
Mendoj, 
Kujtoj, 
Dhe pyes mendjen: 
Pse diçka të qetë s’më lë?… 
Nuk e di pse shpirti im nuk pushon, 
Pse nuk fle?! (Faqe 5.) 

Përmes metaforës së “simfonisë” ajo mëton të imponohet si një poete që nuk rri në heshtje sado që në pjesën e dytë të titullit sinonim ka heshtjen. Përmes kësaj heshtje poetja ka mëtuar të sjell mesazhin e të gjithave rrapëllimave të ditës të cilat me tërë ato kufizimet e shumta, sikur tregojnë se ajo ka pasur një mungesë jete. Por, duke sfiduar tragjiken kolektive dhe atë individuale, ajo ka sëndërtuar konceptin e veprës që merret me fenomene dhe devijime që e dëmtojnë një shoqëri të tëre: “Dhe më përkujtojnë rrugën e nisur nga Ti/ Me fjalë falso…”, (faqe 32), “Topi ishte në anën tënde/ Më propozove të luaj/ Edhe pse rregullat e lojës/ Nuk i dija/ Kur fillova të mësohem/ Të luaj më mirë/ Godite aq fort/ Sa…”, (faqe 35), diku tjetër poetja shprehet edhe më me zemërim si ta zëmë në vargjet që po citojmë: “Ti ndoshta i ke dhënë zemër dikujt tjetër/ E këta rreshta do të gjejnë ngushëllimin/ Ku tjetër, pos në letër!…”, (faqe 48). Duke e kundruar fenomenin e lënies, braktisjes e të fjalës peng për pritje të gjata, poetja me mjaftë mllef e pëlcet durimin: “Zëri yt më vjen nga larg/ Si një ushtimë…/ Ç’thua ti?/ Të pres dashurinë tënde/ O të nis kërkim të ri?!”, (faqe 53). 
Poezia e Sevdije Rexhepit imponohet me një qasje reale, ofron mesazhe aktuale me prirje sforcuese edhe në aspektin kualitativ. Pa dyshim poezia e Sevdijes është produkt i rrethanave që kaloi kombi ynë, është vet shtrati i këtyre venerimeve letrare, ku ka bërë përpjekje për të regjistruar fenomenet dhe ngjarjet që kanë ndodhur rreth dhe në unin e saj. “Shtegtimi është aq i ngadalshëm/ Nëpër valët e jetës/ …/ Nga ndrojtja nuk zbehem/…/ nëpër gjurmët e mia të arrish/ Në pikëqëndrimin ku unë pres…!”, (faqe 54). 
Pavarësisht nga ajo që thuhet se poezia është intime, poezia e Sevdijes sikur kalon këtë eveniment pasi ajo ka thënë edhe të përgjithshmen e atyre, përkatësisht ka përshkruar me sinqeritet realitetin shoqëror e politik, dhe atë historik që kaloi kombi ynë, për t’u bërë si një “flluskë bore që pret lindjen e një të nesërmeje të re”. 
Më shumë se sa një poezi estetike, kjo poete ka bërë përpjekje që lexuesit të saj t’i sjell një poezi etike e cila me indikacione të theksuara merret edhe me fenomenet që kenë qitur krye viteve të fundit. Sidomos në Kosovën e pas luftës ku atë vend të çliruar nga një pushtues i egër klasik, e kanë pushtuar kulturat e gjithë universit tokësore, dhe kjo ka ndodhur në kuadër të misionit për të ruajtur paqen politike. 
Natyrisht, Sevdija është e vetëdijshme për misionin që ka; qoftë si poete, qoftë si intelektuale, po më shumë si një femër e emancipuar. Vetëdija si një nocion etik e lidh më shumë autoren me fatin tragjik dhe historik që kaloi kombi ynë. Pastaj angazhimet e saj letrare lidhen edhe me lëvizjet e shumta soc-kulturore dhe me pasojat e rrëmujës e rrëmetit që kalojnë të gjitha shoqëritë në konsolidim politik, shoqëror e kulturor. Por, poezitë që ua kushton: gjyshit-babokit, nënës dhe babait dëshmojnë për një etikë kulturore e letrare karshi etërve që na sollën deri në të tashmen tonë të gëzuar. 
Shikuar nga ky prizëm mund të themi se poezia e Sevdijes është zë i lidhur me lëvizjet që kalon kolektiviteti i vet nacional dhe ai kombëtar, tamam siç potencuam më parë, poezia e saj është e lidhur ngushtë me fatin dhe tragjiken historike dhe atë sociale të kombit tonë. Duke lexuar poezinë e Sevdijes, vërejmë se ajo si autore thellë e ka kuptuar procesin e sëndërtimit të koncepteve, dhe lehtë e ka pranuar jetën si një proces në përpunim e sipër, kurse shoqërinë e përdor si një argument për t’i pasqyruar ndryshimet etike e psikike që po i bënë kombi ynë. 
Fryma lirike e kësaj poezie, sikur paraqet dramen reale të femrës në shoqëri e cila për ditë e më shumë përballet me nënçmimin, përbuzjen dhe injorimin dhe këto fenomene ajo më shumë i ka ndrydhur e shtrydhur si ndjenja personale të cilat vazhdimisht shoqërohen me pika të ftohta uji, shiu, a erëra të ftohta vjeshte e dimri, fate këto që nuk e lënë atë të dalldiset si një poete pa koncept, madje duket se këto rrethana atë më shumë e kanë detyruar të preokupohet me të qenit pjesë e shoqërisë në ndryshim në njërën anë, dhe në anën tjetër për t’i dhënë koncept real jetës dhe poezisë së saj. 

JAM KËTU 

Nëpër agimet e para
Kur rrezet ballin tim lëmonin E më zgjonin
Eca ngadalë nëpër vite
Dhe thura vargje
Të mbështjella me ëndrrat e mia
Kur qielli ishte i ngrysur
Retë pa mëshirë luftonin
E sillnin shiun rrebesh
Pas këtij rrugëtimi me shtrëngata
Bashkudhëtare me ylberin u bëra
Ia fala ngjyrat e arta
Dhe ngrohtësinë e diellit… 
Sot sërish jam këtu
Në këtë Tokë
Me Ty… 
Faqe 60.

Vëllimi poetik “Simfoni e heshtur” i Sevdije Rexhepit jep indikacione të mjaftueshme për të kuptuar se autorja ka sens poetik, ka ideshmëri dhe ka stil për të prekur fenomene a dukuri interesante. Dhe padyshim me një kujdes paksa më të shtuar në aspektin estetik dhe figurativ, ajo mund të ndërtojë një varg edhe më të qëndrueshëm, dhe karshi kësaj mund të profilizoj stilin e saj krijues, për t’u bërë pastaj një poete e kërkuar dhe admiruar. 
St. Gallen/Zvicër, tetor 2009.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …