Brickos

Sheradin Berisha: Epopeja e Jasharëve, heroizëm i pashembullt në historinë e njerëzimit


Pashtriku.org, 06. 03. 2014 – Prekazi i Poshtëm shtrihet rreth 2 km në lindje të Skënderajt. Është vendbanim i shtrirë në kodrina dhe lugina i ndarë në lagje. Para luftës fshati kishte 220 shtëpi, me 1630 banorë shqiptarë. Gjatë luftës janë djegur e shkatërruar 178 shtëpi dhe objekte të shumta ekonomike, ndihmëse dhe të tjera. Për të vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Poshtëm, nuk është shumë vështirë, pasi në kthesën e parë sapo e kalon Skënderajin, në krah të djathtë të rrrugës së asfaltuar, është i vendosur mbishkrimi “BAC, U KRY!”. Në hyrje të fshatit, para Kompleksit Memorial “Adem Jashari” ndodhet Kulla Memoriale e Familjes së Hamit Jashari, e cila në Betejën e Lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998, ishte fortesa e parë që u përballë me forcat ushatrake-policore serbe, ku gjatë kësaj rezistence ranë dëshmorë 12 anëtarë të kësaj familje dhe 3 mysafirë që ishin strehuar ato ditë. Rreth 200 metra mëtutje, në të dy krahët e rrugës shtrihet Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. Në të djathtë, (në një tatëpjetë të rregulluar mirë), janë varrezat e 61 dëshmorëve, në krye me Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharin, ndërsa në të mjatë të rrugës janë shtëpitë Muze të Jasharëve. Pranë varrezave të tre heronjëve të parë (të Shabanit, Ademit dhe Hamzës) pandërprerë qëndrojnë dy ushtarë të gardës së FSK’së, të cilët vëzhdimisht – bashkë me mijëra vizitorë që vijnë për homazhe, nderojnë sakrificën sublime të familjes Jashari, e cila ndryshoj një epokë.


 


Dalja publikisht e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës (me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci) ka bërë kthesë historike në vetëdijsimin e popullit shqiptar, në kuptimin, se UÇK’ja ekziston dhe si e tillë nuk ishte krijesë e “shërbimeve sekrete serbe”, ashtu siç e kishte cilësuar shpeshherë presidenti “historik” dhe kryetari i LDK’së Ibrahim Rugova. Pas daljes publike të UÇK’së, kryekrimineli serb Sllobodan Millosheviq intensifikojë operacionet policore – ushtarake kundër UÇK’së dhe popullatës shqiptare. Janari i vitit 1998, solli me vete kumtin e fundit të paqes së rrejshme në Kosovë. Më 22 janar 1998 forcat kriminale serbe sulmuan familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm. “Shërbimi Sekret Serb, me kohë kishte identifikuar pikat e rezistencës në Drenicë, duke shënuar si pikën më të rrezikshme Kullën e Jasharëve në Prekaz. Sulmin mbi kullat e Jasharëve, njësitë policore serbe e ndërmarrin gjatë natës, më 22 janar 1998, nga një distancë e vogël, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën dhe nipat e tij, Fitimin e Besimin, iu kundërpërgjigjën. Pasi merr vesh për sulmin, nga Llausha, ku kishte qëlluar atë natë, arrin me shpejtësi në Prekaz komandanti, Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe me bashkëluftëtarë të tjerë. Gjatë luftimeve, kanë marrë plagë Ilirianë dhe Selvete Jashari. Të nesërmen në mëngjes, policët serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit, në shenjë hakmarrje për disfatën e pësuar në Prekaz, kishin vrarë punëtorin Hysen Manxholli, nga Mikushnica.” (Adem Shaban Jashari dhe bërthama e parë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – vëllimi i dytë të monografisë, “Feniksët e lirisë” – Maj 2002.) Pas kësaj rezistence, Kullën e Shaban Jasharit e vizitojnë shumë gazetarë, politikanë, e njerëz të shumtë nga e gjithë Kosova. Shaban Jashari në të gjitha takimet kë thënë: “Nuk kemi ku të shkojmë më tej. Kur sulmohet shtëpia, meshkujt, po besa edhe gratë, kanë për detyrë ta mbrojnë nderin e shtëpisë, sepse nderi i shtëpisë është edhe nderi i atdheut”.(Po aty)


 


Në këtë kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej gjithnjë e më shumë mbizotruese e situatës në Kosovë, u vu në lëvizje diplomacia ndërkombëtare. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërtohej mbi qëndrimin e njohur “mospranimi i gjendjes status quo” dhe “kundërshtimi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi”. Mbi këtë bazë, Grupi i Kontaktit dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes përmes diplomacisë së ashtuquajtur lëvizëse (Shuttle diplomacy), do të ngarendin sa në Beograd e sa në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, përmes negociatave. Ngjarjet më kulmore që i dhanë kahje zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderohen vizitat e shpeshta të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, i deleguari special i SHBA’ve për ish’Jugosllavinë, në janar – mars të vitit 1998 në Prishtinë dhe në Beograd. Ambasadori Robert Geldbard në një nga takimet e tij (më 22. 02. 1998) me kryetarin e LDK’së Ibrhim Rugova në Prishtinë publikisht e akuzoi UÇK’në si “organizatë terroriste”.


 


Me këtë deklarim ndjellakeqës, ambasadori amerikan, qartazi përpiqej ta forconte lidershipin e moderuar politik në krye me Ibrahim Rugovën, për proceset e reja politike që ishin planifikuar të bëheshin gjatë verës së vitit 1998. Më 23 shkurt, z.Geldbard gjatë një takimi me Millosheviqin, i premtoj Beogradit lehtësira, duke deklaruar se disa nga sanksionet ekonomike që ia kishin vënë Serbisë më herët do të hiqen! Ky diplomat amerikan, skajshëmrisht akuzues për luftën e UÇK’së, në të vërtet i dha forcë shtytëse në aspektin politik kreut të LDK’së Ibrahim Rugova, ndërsa në aspektin ushtarak e trimëroi Sllobodan Millosheviq, për të marrë një ofensivë gjithëpërfshirëse për zhbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vrasjen e shqiptarëve dhe shkatërrimin e vendbanimeve të tyre. Dhe, në të vërtet kjo dramë e tmerrshme ndodhi!


 


Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, më 28 shkurt forcat ushtarake-policore të Millosheviqit në “emër të spastrimit të terenit nga bandat terroriste të UÇK’së” sulmuan fshatrat Likoshan të Drenasit dhe Ҫirez të Skënderajt. Në këtë sulm janë përdorur armatime të rënda dhe helikopterë. Gjatë këtyre operacioneve në fshatrat e Drenicës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë vendosi lidhjen mes Beogradit dhe bazave të veta në Kosovë dhe me helikopterë u sillte ndihmë forcave serbe, që qëllonin pa ndërprerë në fshatrat me popullsi shqiptare. Në këtë operacion, në Likoshan dhe Ҫirez u vranë e u masakruan pamëshirshëm 24 shqiptarë: gra, fëmijë e pleq të pafajshëm.


 


 


ADEM JASHARI: “NUK DO TË DORËZOHEMI PËR SË GJALLI!”


 


Kjo ekspeditë shfarosëse, vazhdojë nga 5, 6 e 7 mars 1998 edhe në Prekazin e Poshtëm. Prekazi i Poshtëm shtrihet rreth 2 km në lindje të Skënderajt. Është vendbanim i shtrirë në kodrina dhe lugina i ndarë në lagje. Para luftës fshati kishte 220 shtëpi, me 1630 banorë shqiptarë. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz të Poshtëm janë vrarë 56 shqiptarë, prej tyre 21 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Në mesin e të vrarëve shumica ishin gra, fëmijë dhe pleq. Gjatë luftës janë djegur e shkatërruar 178 shtëpi dhe objekte të shumta ekonomike, ndihmëse dhe të tjera.


 


Më 3 dhe 4 mars 1998, rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ishin dislokuar forca të shumta serbe të artilerisë së rëndë. Po ashtu, policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë.


 


Më 5 mars 1998, rreth orës 5.00 të mëngjesit, forcat ushtarke – policore serbe ndërmorën një sulm të kombinuar mbi fshatrat: Prekaz i Poshtëm, Llaushë, Polac, Marinë, Vojnik dhe Rakinicë të komunës së Skënderajt dhe ky sulm zgjati deri me 7 mars. Shënjestra kryesore e tyre ishte Familja e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm.


 


Komandanti Adem Jashari, në këtë situatë të rëndë ka marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit. “Nuk do të dorëzohemi për së gjalli!Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur”! ka thënë Adem Jashari. Dhe kështu ndodhi!


 


 


RRËFIMI I BESARTA JASHARIT


 


Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve në Prekaz, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerie. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga këto pozicione: nga Fabrika e Municionit, nga kodrat e Skenderajt, Lisat e Xanit e pozicione të tjera. I menjëhershëm dhe shumë i fuqishëm ishte edhe kundërpërgjigja e Komandantit të UÇK’së Adem Jashari dhe familjes së tij.


 


Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari, filloi një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pas asnjë kompromis e përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje.


 


Dëshmitarja Besarta Jashari (e bija e Hamzë Jasharit), e cila ka mbijetuar nga kjo ngjarje, rrëfen: “Ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. Atë ditë, u vra vetëm Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim. Tërë dita shkoi me gjuajtje të fuqishme të forcave serbe, ndërsa në mbrëmje të shtënat u qetësuan. Në mbrëmje, Adem Jashari së bashku me djemtë, Blerimin, Kushtrimin dhe Igaballin i mbushnin karikatorët dhe bëheshin gati për luftën e ditës tjetër. Ata e vëzhgonin dhe e përcillnin me shumë kujdes situatën”. (Bardh Hamzaj, Faik Hoti, “Jasharët, histori e rrëfyer nga Rifat, Besarta, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari”, Prishtinë, 2003, f. 91-92.)


 


Në ditën e dytë, më 6 mars, sipas rrëfimit të Besartës, ngjarjet janë zhvilluar kështu: “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat. Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra podrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar atë. Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes tonë. Nga kjo granatë dhe disa të tjera që u hodhën rresht, nga plagët e marra vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Ademi, që luftonin nga një pozicion në tjetrin”. (B.Hamzaj, F.Hoti, Jasharët…, f. 92-93.)


 


Në ditën e tretë të sulmit, me 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK’së Adem Jashari dhe familjes së tij, Besarta i përshkruan edhe momentet e fundit të rezistencës në shtëpinë e Jasharajve. Besarta këtë ditë e kujton si vijon: “Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së podrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekje për të na mbrojtur. Të gjallë ishim vetëm unë dhe Kushtrimi. E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi, ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra. Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13 vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që i kishim. Në ballafaqim me ta, Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatikë në dorë. Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vet fillova të shkojë te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s’përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite”. (B.Hamzaj, F.Hoti, Jasharët…, f. 93-94.)


 


Kjo luftë heroike e pashembullt në historinë e njerëzimit, njihet me emrin – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


 


 


PËR MASAKRAT NË LIKOSHAN, ҪIREZ DHE NË PREKAZ TË POSHTËM – BËHET PËRGJEGJËS EDHE GRUPI I KONTAKTIT!


 


Pas Masakrës në Prekaz të Poshtëm (më 5, 6 e 7 mars 1998), “këndellet” diplomacia ndërkombëtare, e cila “urgjentisht” kërkon ndërprerjen e dhunës së armatosur për t´i lënë rrugë zgjidhjes së problemeve përmes dialogut në mes palëve. Më 9 mars 1998 në Londër mblidhet Grupi i Kontaktit, për ta diskutuar eskalimin e gjendjes në Kosovë. Për çudi, në deklaratën e lëshuar nga Grupi i Kontaktit, kritikohet “përdorimi i tepruar i forcës” dhe “tejkalimi i autorizimeve” të njësive speciale të policisë serbe, “që ka sjellë për pasojë së paku 80 humbje jete…”, ndërsa denohen në tërësi siç theksohet në deklaratë “aksionet terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të çfarëdo grupi apo personi.” Pra, Grupi i Kontaktit, operacionet shfarosëse të njësive speciale serbe kundër shqiptarëve i cilëson si përdorim i tepruar i forcës, ndërsa veprimet e UÇK’së që ishin në mbrojte të popullatës shqiptare nga forcat serbe, i cilësonte si “aksione terroriste”!


 


Si rrjedhim, duke pasur parasysh këto veprime të njëanshme diplomatike, dhe deklaratën anti UҪK të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, pa hezitim mund të thuhet se, për vrasjen dhe masakrimin e familjeve shqiptare në Likoshan, Ҫirez dhe në Prekaz të Poshtëm, bëhen përgjegjës edhe shtetet e Grupit të Kontaktit!


 


KUSH U VRA E U MASAKRUA MË 5, 6 e 7 MARS 1998 NË PREKAZ?!


 


Gjatë tri ditëve të rezistencës, në Prekazin e qëndresës historike – ranë dëshmorë: 56 burra, gra, pleqë e fëmijë, prej tyre 20 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Pas shumë pengesave që bënin njësitë kriminale serbe, të cilat e mbanin akoma të rrethuar fshatin, varrimi i kufomave u bë më 12 mars 1998.


 


Pesëdhjetëegjashtë (56) dëshmorët janë:


 


1.Adem Shaban Jashari


 


2. Shaban Murat Jashari


 


3. Zahide Shaban Jashari


 


4. Zarife Bahtir Jashari


 


5. Hidajete Rifat Jashari


 


6. Valdete Rifat Jashari


 


7. Igballe Rifat Jashari


 


8. Igball Rifat Jashari


 


9. Hamza Shaban Jashari


 


10. Feride Ramadan Jashari


 


11. Selvete Hamzë Jashari


 


12. Afete Hamzë Jashari


 


13. Besim Hamzë Jashari


 


14. Lirie Hamzë Jashari


 


15. Blerim Hamzë Jashari


 


16. Fatime Hamzë Jashari


 


17. Blerina Hamzë Jashari


 


18. Adile Bahtir Jashari


 


19. Fitim Adem Jashari


 


20. Kushtrim Adem Jashari


 


21. Artim Sejdi Jashari


 


22. Bahtie Muharrem Jashari


 


23. Abdullah Zen Jashari


 


24. Blerim Zen Jashari


 


25. Bujar Zen Jashari


 


26. Qazim Osman Jashari


 


27. Nazim Zuk Jashari


 


28. Beqir Bajram Jashari


 


29. Halil Bajram Jashari


 


30. Sherif Brahim Jashari


 


31. Faik Tahir Jashari


 


32. Sinan Ramadan Jashari


 


33. Ali Ramadan Jashari


 


34. Elheme Uka Jashari


 


35. Halit Imer Jashari


 


36. Mihrije Feriz Jashari


 


37. Hajzer Zymer Jashari


 


38. Myrtez Zymer Jashari


 


39. Sabrie Zymer Jashari


 


40. Hanife Zymer Jashari


 


41. Hamit Hus Jashari


 


42. Sala Sheremet Jashari


 


43. Qerim Hus Jashari


 


44. Shahin Qerim Jashari


 


45. Ukshin Qerim Jashari


 


46. Hajrije Zymer Jashari


 


47. Hamide Ajet Jashari


 


48. Kajtaz Maliq Jashari


 


49. Ajvaz Kajtaz Jashari


 


50. Smajl Asllan Jashari


 


51. Sadik Hysen Jashari


 


52. Afije Hysen Jashari


 


53. Hamdi Sadik Jashari


 


54. Elfije Sadik Jashari


 


55. Fatime Sadik Jashari


 


56. Ramiz Sadik Jashari.


 


Gjatë luftimeve në Prekaz kanë rënë dëshmorë: Osman Geci nga Llausha, daja i Komandantit Legjendar të UҪK’së Adem Jashari dhe tre miq të Hamit Jasharit (Isak Halili 1934 – 1998, Fatime Bazaj 1978 – 1998 dhe Smail Bazaj 1980 – 1998) të cilët ato ditë ishin strehuar te familja e tij.


 


 


 


KUSH  RA NGA FAMILJA E SHABAN JASHARIT?


 


Nga familja e Shaban Jasharit (nga 5 – 7 mars 1998) bien dëshmorë:


 


1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit


 


2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit


 


3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit


 


4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit


 


5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit


 


6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit


 


7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit


 


8. Hamëz Shabani Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit


 


9. Feride Mecini -Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit


 


10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit


 


11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit


 


12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit


 


13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit


 


14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit


 


15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit


 


16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit


 


17. Adem Shaban Jashari (42) vëllai i Hamëz Jasharit


 


18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit


 


19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit


 


20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit


 


* * *


 


E KUSH MBIJETOi…?


 


Më 12 gusht 2013, gjatë një vizite që i bëra Kompleksit Memorial “Adem Jasahri”, ciceroni i këtij kompleksi Rifat Bejta, para vizitorëve të shumtë thotë se: Pas sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, nga familja e Jararajve mbijetuan gjithsejt 10 anëtarë, gjashtë meshkuj (bashkë me Rifatin) e katër femra.


 


– Nga familja e ngushtë e Rifatit mbijetuan: tre djem e një vajzë;


 


– Nga familja e ngushtë e Hamzës mbijetuan: një djalë e një vajzë;


 


– Nga familja e komandantit Adem Jashari mbijetuan: një djalë e dy vajza.


 


Ndërsa prej anëtarëve të familjes Jashari që ishin në Prekaz, të gjallë kanë mbetur 6 anëtarë:


 


– Bashkimi, Iliriana dhe Fazliu (tre fëmijët Rifatit),


 


– Shqipja e Marigona (vajzat e Ademit) dhe


 


– Besarta (vajza e Hamzës).


 


Gjatë tri ditëve të rrethimit dhe qëndresësë në Prekaz, Ilirjana, Fazliu, Shqipja dhe Marigona ndodheshin të dajët, kurse Bashkimi dhe Besarta i mbijetuan rrethimit.


 


Ndërkaq në perëndim (Gjermani) në atë kohë ishin 4 të tjerë:


 


– Rifati,


 


– Murati, djali i Rifatit,


 


– Bekimi, djali i Hamzës dhe


 


– Lulzimi, djali i Ademit.


 


PËRTIRJA E FAMILJES JASHARI


 


Pas luftës, tre djemtë e Jasharëve, Murati i Rifatit, Lulzimi i Ademit dhe Bekimi i Hamzës u martuan dhe nga këto martesa kanë lindur 12 fëmijë, 7 djem e 5 vajza, të gjithë me emra të ripërtërirë, të prindërve, gjyshit dhe gjyshes së tyre.


 


Në një foto me 8 fëmijë të veshur me veshje kombëtare, simbolizon ripërtëritjen e familjes Jashari pas luftës.


 


 


 


Sheradin Berisha: Historia zyrtare dhe krizat e  planifikuara politike, që përbëjnë historinë e vërtetë


 


Për mendimin tim, historia është si një lum i madh, që rrjedh brenda shtratit, dhe sipërfaqja e tij prezanton një histori të datave, luftërave, të traktateve, marrëveshjeve, të mbretërve, presidentëve, gjeneralëve, të politikës në përgjithësi, dhe krejt kjo është një histori zyrtare të cilën e kemi mësuar dhe po e mësojmë sot e kësaj dite në të gjitha nivelet e shkollimit.


Por shtrohet pyetja:


– A është kjo historia e vërtetë që ka ndodhur?!


Përgjigjja është:


– Absolutisht JO!


– Pse nuk është e vërtet kjo histori që e mësojmë në shkollë?!


– Sepse shumë plane të zhvillimeve politike, luftarake etj., mbeten të fshehur (sekrete), të cilat si të tilla e mbajnë të deformuar kuptimin përmbajtësor të realitetit historik që ka ndodhur!


Pasi është kështu, atëherë shtrohet pyetja tjetër:


– Po, kush e mbanë të deformuar këtë realitet historik?!


Përgjigjja është e qartë:


– Politika e planifikuar nga oligarkët miliarderë – FMN, BB, OKB, NATO…, që sipërfaqësohet në publikë përmes aktorëve të politikës!


 


Ta qartësojmë këtë segment!


 


Ashtu sikurse në ekonomi që çdo ecuri zhvillimore planifikohet paraprakisht, edhe në politikë shkaktimi i ngjarjeve dhe krizave të ndryshme planifikohen, nuk ndodhin aksidentalisht, pra nuk zhvillohen spontanisht. Presidenti i 32’të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Delano Roosevelt (30 janar 1882 – 12 prill 1945), ka një thënie epokale. Ai thotë (po citoi): “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftë se diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë”. Ndërkaq shkrimtari austriak Stefan Zweig (28 nëntor 1881 – 22 shkurt1942) në një studim të tij ka theksuar, (po citoi): “Në jetën e vërtetë, reale, në fushën e veprimit të forcave politike rëndësi vendimtare nuk kanë, mendjet e ndritura e as bartësit e ideve të kulluara, por një racë shumë më e ulët e shumë më e shkathët – që janë njerëzit e prapaskenave. Kjo duhet theksuar patjetër për t’u ruajtur nga të gjitha llojet e naivitetit politik”. Në filozofinë politike kushtuar krizave politike ekzistojnë dy parime:


– e para “rregull nga shkaktimi i krizave”, dhe


– e dyta “fitore përmes konfliktit”.


Këto parime karakterizojnë plotësisht doktrinën e filozofit gjerman Georg Fridrih Vilhelm Hegel (1770-1831), siç është “Teza, antiteza dhe sinteza“ apo thënë më qartë: “problemi – reagimi – zgjidhja”.


 


Si rrjedhim, për të ndryshuar një gjendje politike në një shtet, kërkohet shkaktimi i një krize politike dhe kjo krizë pastaja eskalon dhe zhvillohet nën menaxhimin e faktorëve politik, (“nga njerëzit e prapaskenës” – Stefan Zweig), sipas doktrinës hegeliane: teza – antiteza – sinteza apo problemi – reagimi – zgjidhja. Duket se Hegeli ka identifikuar qartë procesin universal me anë të të cilit të kundërtat, të cilat ai i quante “tezë apo problemi” dhe “antitezë apo reagimi”, bashkohen gjithnjë në një kompromis të nivelit më të lartë, që quhet „sintezë apo zgjidhja“! Kjo dialektikë hegeliane, për fat të keq është provuar të jetë e përdorur gjatë shek.XX nga politikbërësit e pamëshirshëm për manipulimin e ngjarjeve, revolucioneve – në dobi të agjendës së tyre!


 


Sa për ilustrim:


 


Duke pasur parasysh këtë filozofi të shkaktimit dhe menaxhimit të krizave, duket qartazi se të gjitha krizat e pasluftës në Kosovë dhe me theks të veçantë kriza e krijuar në veri të Kosovës pas intervenimit të policisë ROSU (më 25 korrikut 2011), në pikat kufitare 1 dhe 31, barikadimi i serbëve atje, ndërmjetësimi i KFOR’it, dialogu teknik dhe ai politik (Serbi – Kosovë) që po vazhdon akoma në Bruksel, po zhvillohet mbi bazën e agjendave të përcaktuara nga faktorë të jashtëm që i përkasin prapaskenës politikë-bërëse!


 


Edhe Kriza politike dhe zhvillimet tjera në Ukrainë që nga fillimi i “protestave opozitare” e deri më sot (kur trupat ushtarake ruse janë futur në Krime), duket se janë zhvilluar sipas një skenari të planifikuar për të ndodhur në atë mënyrë, siç ka thënë presidenti amerikan Roosevelt. Me të njëjtin skenarë janë zhvilluar dhe kanë përfunduar edhe luftërat në Irak, Egjipt, Libi…etj., dhe kjo “pranverë arabe” po vazhdon edhe në Siri…!!!


Kur jemi tek “Pranvera arabe” dua të vë në pah dy argumente, si më poshtë:


 


E para: Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bënin përgatitje për një sulm të mundshëm mbi Sirinë (për shkak të përdorimit të helmeve kimike), gazeta “Daily Mail” ka publikuar një foto të Sekretarit Amerikan, John Kerry duke darkuar me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assadin, në vitin 2009. B.Assad dhe J.Kerry, (i cili në atë kohë ishte një ish-kandidat për president i SHBA-së dhe një prej senatorëve me më shumë ndikim në Senat), duken tepër të përfshirë në bisedë, ndërsa gratë e tyre i qëndrojnë nga pranë. Një kamarier me veshje popullore siriane i qëndron pranë, ndërsa Kerry dhe Assad shijojnë darkën, e cila nuk mund të konsiderohet si një pritje diplomatike, por një kortezi personale e Presidentit të Sirisë. Për ironi të fatit, pas atij takimi, Kerry deklaroi në mediat amerikane se ishte takuar me “partnerin” al-Assad, me qëllim që të diskutonte mbi mbarëvajtjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Kjo është njëra anë e medaljes ndërkaq në anën tjetër, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në një fjalim (pas përdorimit të armëve kimike në Siri nga Assad’i) nuk ngurroi ta krahasonte atë me Hitlerin dhe Saddam Hussein!!! Kjo është historia e prapaskenave!!!


E dyta: Gjer në fund të vitit 2010 Mohamer el Gadaf’i ishte partneri NR.1 i perëndimit (në të gjitha sferat e interesit) në Lindje të Mesme, ndërkaq nga janari i vitit 2011 ai, nga miqtë perëndimorë – u shndërrua në “armik” NR. 1 për atë pjesë të botës! Kjo dëshmon qartë, se lufta që u zhvillua në Libi dhe që pasuan në vendet tjera të lindjes së Mesme deri të lufta e përgjakshme që po zhvillohet në Siri, është luftë e PLANIFIKUAR dhe s’ka të bëjë fare me luftën kundër largimit të diktatorëve, (që do të duhej të rezultonte me lirinë dhe demokracinë e aspiruar të popujve të këtij rajoni), por ka të bëjë me ndërrimin e diktatorëve dhe të regjimeve…, nga ata që po e çojnë botën drejt një diktature “demokratike” GLOBALE!


Dhe kjo dinamikë e krizave gjithësesi do të përfundojë ashtu siç e kanë planifikuar oligarkët miliarderë – global, në Washington, Nju Jork, Bruksel, Paris, Vjenë, Berlin, Londër, Moskë…, të cilët prej këtyre krizave politike nxjerrin përfitime të mëdha financiare, ekonomike etj. Zatën të gjitha luftërat qytetare, ndërshtetërore, rajonale e kontinentale, si në të kaluarën ashtu edhe sot e kësaj dite në epiqendër e kanë këtë qëllim!

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …