Sapo doli nga shtypi libri më i ri,"Falë i qofshim Kosovës", i politologes dhe veprimtares, Elife Luzha

Sherif Luzha: Dy fjalë për librin e Elife Luzhës, “ FALË I QOFSHIM KOSOVËS”

Libri “Falë i qofshim Kosovës”, i autores Elife Luzha, i përket zhanrit të publicistikës, brenda të cilit gjenden tridhjetë (30) shkrime, shumica prej të cilave janë publikuar më herët nëpër gazeta dhe portale të ndryshme elektronike të Kosovës. Mbi bazën e homogjenitetit të temave dhe të stilit me të cilin është shkruar, libri është ndarë në dy pjesë, në të cilat paraqiten pikëpamjet e autores për çështje të caktuara, që lidhen me momente të ndryshme historike, politike, shoqërore dhe juridike të shqiptarëve si komb, dhe veçanërisht të Kosovës si shtet. “Falë i qofshim Kosovës” është një sintezë preokupimesh të autores, që lidhen me pozicionin e gruas në shoqëri (pjesa e parë) dhe përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar përgjatë historisë e deri më sot (pjesa e dytë). Përtej ndarjes së lartpërmendur, lexuesit e këtij libri realitetin socio-politik të shqiptarëve mund ta shohin nga tri perspektiva, të cilat, ndonëse jo domosdoshmërisht të lidhura me kohën e foljeve, nga pikëpamja e horizontit të pranimit mund të artikulohen nëpërmjet sajimit të tri trajtave kohore dhe atë: 1. Si ishte,  2. Si është dhe 3. Si do të duhej të ishte.

Nëpërmjet perspektivës së parë jepet aspekti historik i çështjes së Kosovës. Sakrificat, burgosjet, keqtrajtimet, dënimet, vrasjet, shpërnguljet janë bërthama e perspektivës së parë, e cila, ndonëse e dhënë nëpërmjet disa emrave, në sfond ka fatin kolektiv të popullit të Kosovës gjatë kohës së okupimit, ku veçohet këmbëngulja e patriotëve shqiptarë për të realizuar lirinë. Në kuadër të kësaj, ndër të tjera, autorja ka shkruar me përkushtim edhe dy shkrime: të parin si respekt për punën atdhetare të veprimtarit Mehmet Hajrizi dhe, të dytin, si rekuiem për dëshmorin Arif Seferi.

Nëpërmjet perspektivës së dytë jepen situatat nga paslufta e Kosovës, të para kryesisht nga këndvështrimi i rrethanave socio-politike dhe nga situatat e angazhimet diplomatike. Raportet e Kosovës me Serbinë, mbështetja e vazhdueshme amerikane për t’i siguruar Kosovës shtetësinë, përpjekjet e qarqeve të ndryshme për pengimin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së, janë disa nga momentet e Kosovës së pasluftës, mbi të cilat autorja, në këtë libër, hedh dritë. Perspektiva e tretë është ajo çfarë e ravijëzon pozicionin intelektual të autores. Ajo, krahas përshkrimit të vuajtjeve, sakrificave apo arritjeve dhe sukseseve për sendërtimin e shtetit të Kosovës, nuk mund të qëndrojë pa reaguar, e të rrijë indiferente ndaj prapësive që ndodhin në republikën aq shumë të dëshiruar të shqiptarëve. Komoditeti i ish-bashkëpunëtorëve të okupatorit në realitetin e sotëm, implikimi i tyre në jetën politike, hapësira mediatike që ata kanë, janë fakte para të cilave autorja nuk ka mundur të heshtë.

Elifja, e cila që 15 vjeçe është marrë me aktivitete “ilegale”, për çka edhe ka vuajtur përjashtimin nga shkolla dhe burgun, nuk mund ta durojë një kolaboracionist, që rri pa e vrarë aspak ndërgjegjja edhe pas krimeve që ka bërë ndaj popullit të vet. Është plot domethënie dhe shumë mirë i argumentuar reagimi i autores ndaj një deklarate të Azem Vllasit, të dhënë në njërin nga TV-mediumet e Kosovës, ku një pjesë e këtij reagimi është artikuluar kështu: “Jam shumë koshiente se nuk duhet cenuar liria e tjetrit. Por, në këtë rast, do të doja t’u dërgoja një mesazh të gjithë atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, janë përfshirë në krimet e ish-sistemit sllavo-komunist, që të paktën për hir të të rënëve, të të mbijetuarve të masakrave kriminale e të fëmijëve të dëshmorëve, t’u shmangen paraqitjeve dhe deklarimeve të tilla, si të A.Vllasit, ku haptas shprehet admirimi për kohën që solli shumë gjak e lot për nënat shqiptare”. Ky është një reagim i arsyeshëm, që mund të kuptohet edhe si thirrje për krijimin e një ambienti të ndërgjegjshëm, në radhë të parë shoqëror e pastaj politik, nga mungesa e të cilit shqiptarët kanë vuajtur historikisht.

Kritikë tjetër që autorja e ka ndaj realitetit të sotëm kosovar, është edhe mospërgatitja e lidershipit kosovar, i cili nuk njeh asnjë filozofi politike, nuk ka formim teorik për politikëbërje e as nuk ka njohjen e duhur të praktikave nga vendet me përvojë, çka e shtyn autoren që, ndër të tjera, në shkrimin me titull “Kultura dhe morali në politikën shqiptare” të thotë: “Brengosës është sidomos fakti i mangësive në zotërimin e profesionit të politikanit, përderisa thuajse secili synon postin e tij” dhe kjo ndodh, shpjegon autorja më tutje, sepse “politika, më shumë se çdo gjë tjetër, vlerësohet si mundësi përfitimi dhe pasurimi, e jo si një detyrë me përgjegjësi”. Pas kësaj autorja konstaton: “S’do mend që politika kosovare ka mangësi të dukshme sa i përket kulturës politike, duke filluar që nga mosrespektimi i institucioneve, ligjeve shtetërore e deri te retorika denigruese e lidershipit”. Natyrisht, dikush që njeh teoritë liberale, (autorë si John Rawls), që e di dëmin që shkakton korrupsioni te shoqëritë, respektivisht te shtetet, për çka autorja ka shkruar, nuk mund të pajtohet me atë se çfarë përfaqëson sot lidershipi kosovar. Mungesa e një bazamenti etik, së bashku me deficitin profesional politik, ka bërë që Kosova të ketë shkallën më të lartë të korrupsionit në rajon dhe nivelin më të ulët të arsimimit. Krejt e kuptueshme që kjo nuk ka kaluar pa u vërejtur e, rrjedhimisht, pa u kritikuar nga dikush që ka një interesim të vazhdueshëm për ecurinë e shtetit tonë, nga dikush që, në mënyrë konsekuente, është preokupuar për fatin e popullit të saj, siç është Elifja.

Pjesë e rëndësishme e librit “Falë i qofshim Kosovës”, nga aspekti i angazhimit intelektual, janë shkrimet, të cilat diskutojnë pozitën e gruas në shoqëri, për të cilën, siç thotë autorja, ka shumë vend për t’u përmirësuar. Ashtu sikurse Martin Luter Kingu, i cili kur kërkonte të drejtat për njerëzit me ngjyrë shprehte bindjen se të drejtat e njerëzve me ngjyrë do të ishte edhe vlerë për popullin amerikan, se barazia do t’i bënte nder Unionit (Linkoln), ashtu edhe autorja është e bindur se respektimi dhe avancimi i të drejtave të gruas, përveçse është akt human, po ashtu do të ishte edhe vlerë e shtetit të Kosovës si nevojë e domosdoshme e konsolidimit politik.

Si përfundim, mund të thuhet se libri “Falë i qofshim Kosovës” është një vlerë shtesë për publicistikën shqiptare dhe lexuesit, të cilët do ta kenë në dorë, do të mësojnë informata dhe fakte të mjaftueshme rreth rrugëtimit plot sfida të popullit të Kosovës drejt shtetit të pavarur, për të cilin janë sakrifikuar shumë njerëz dhe shumë të tjerë kanë vuajtur, ashtu sikurse edhe autorja me familjen e saj. Ajo që dikur shkruante parulla për lirinë e Kosovës, sot shkruan për ta ndërtuar shtetin e saj, dhe kjo nuk është asgjë tjetër, veçse vazhdimësi me përmbajtje të sinqertë patriotike, që dallon nga patriotizmi nominal e hipokrit, të cilin sot e gjejmë në retorikën e disa “patriotëve”.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …