leoni

Sherif Musë Brahimaj (16.12.1956- 18.4.1999)

Sherif Musë Brahimaj (16.12.1956- 18.4.1999)

Sherif Musë Brahimaj u lind me 16 dhjetor 1956 në fshatin, Novosellë të Pejës. Ka përfunduar shkollën fillore në vendlindje dhe atë profesionale në shkollën teknike të Pejës, drejtimin e makinerisë. Brumosja patriotike e gjenit familjar e trashëguar në breza e bëri personalitetin e tij prej një djali trim e të vendosur për t’i bërë ballë trysnisë së regjimit shovinist serb. Axha i Sherifit, Rrustem Brahimaj do të vritet në moshë të re, në kohën e sundimit të egër të Mbretërisë Jugosllave.
Në vitet e 40-ta të shekullit XX babai i Sherifit, Musë Brahimaj ishte aktiv në radhët e forcave atdhetare në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare, në Sanxhak të Pazarit të Ri, ku shquhej për aftësitë e tij luftarake. Po ashtu në pranverën e vitin 1945, Musë Brahimaj me shumë bashkëfshatarë dërgohen për në Tivar, por fatmirësisht një pjesë e këtij grupi shpëtojnë në momentet e fundit nga masakra. Por, përndjekja nga regjimi titist vazhdoi edhe në dekadat e ardhshme.
Sherif Brahimaj, ishte aktiv në shumë demonstrata e protesta që u organizuan në dy dekadat e fundit të shekullit të kaluar, duke filluar që nga demonstratat e 1981 e të gjitha të tjerat me radhë. Nuk kishte organizim që bëhej kundër sistemit qeverisës serb dhe dhunës së ushtruar nga aparatura hegjemoniste e saj, që nuk mori pjesë. Në një protestë të madhe që u mbajt në Pejë, në vitin 1996, Sherifi mori pjesë me bashkëshorten, vëllezërit e shumë të afërm. Po në atë ditë rrihet brutalisht vëllai Rexhep M. Brahimajt nga policët serbë, të cilët i shkaktuan lëndime të rënda trupore.
Me daljen në skenë të UÇK-së me 28 nëntor 1997, u ngrit si feniks i lirisë edhe vullneti e dëshira për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga kjo periudhë lagjja, Haxhiaj në fshatin Novosellë të Pejës, ishte një çerdhe e UÇK-së, dhe mburojë për çdo ushtar të lirisë. Shtëpia e djalit të axhës së Sherifit, dëshmorit Ramiz Brahimaj shndërrohet në shtab të UÇK-së, shtëpi kjo e cila siguronte një urë lidhëse të sigurt në mes Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” dhe asaj 136 “Rugova”.
Me inkuadrimin në UÇK, Sherifi mori pjesë me bashkëluftëtarët në bartjen e armatimit nga Rugova nëpër bjeshkët e Shtedimit e Rosulisë deri në lagjen Haxhiaj. Rruga ishte shumë e gjatë dhe e vështirë, me shumë borë, erë, shi e rrezik nga pritat e ushtrisë çetnike serbe, por, asgjë nuk mund t’i ndalte në misionin e tyre fisnik. Nga ky armatim që e bartnin nga Zona e Rugovës, i njëjti do shpërndahej në zonat e Rrafshit të Dukagjinit, Drenicës e deri në Shalë të Bajgorës.
Krahas bartjes së armatimit, Sherifi kontribuoi jashtëzakonisht shumë edhe në bartjen e të plagosurve. Shumë ushtarëve që vinin të plagosur në lagjen Haxhiaj, do iu printe Sherifi e Ramizi në drejtim të Rugovës ku më pastaj dilnin në Shqipëri për shërim të plagëve. Kujdesi, siguria, mikpritja e treguar nga djemtë e kësaj lagjeje bëri që veprimtaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të rritej në anën e Podgurit, duke i dhënë edhe një shtytje të madhe luftës së drejtë për liri e pavarësi. Shtëpia e Sherifit si edhe çdo shtëpi në lagjen Haxhiaj ishte përplot me refugjat që vinin nga rrethina, ku para se të dilnin në Rozhajë aty gjenin mikpritjen vëllazërore shqiptare.
Trimëria, besnikëria, morali, atdhedashuria janë virtytet më të larta njerëzore që e tipizonin personalitetin e dëshmorit, Sherif Brahimaj.
Duke e parë aktivitetin e madh të UÇK-së në lagjen Haxhijaj, pas 8 prillit të vitit 1999 kjo lagje ishte në shënjestër të predhave nga artileria e rëndë e ushtrisë serbe. Me 12-13 prill 1999 ndodhi edhe njëra ndër betejat më të mëdha frontale, ku Sherifi mori pjesë duke dhënë shembullin më të mirë se si mbrohet atdheu. Në këtë betejë ka rënë në altarin e lirisë edhe dëshmori, Shaqir Tahiraj.
Gjendja sa shkonte e rëndohej, numri i madh i familjarëve dhe refugjatëve detyroi Sherifin e të afërmit që të organizoheshin për bartjen e tyre deri në Rozhajë.
Rënia e dëshmorit në kurthin e ngritur nga ushtria paramilitare çetnike serbe ndodhi, më 18 prill 1999, në Husaj, ku në kolonën e refugjatëve ndodhi sulmi makabër. Aty mbetën të vrarë: Nemke Brahimaj (e moshuar), Rexhep Brahimaj, Mursel Brahimaj, Sherif Brahimaj, Milazim Pelaj e Kastriot Kastrati (13 vjeç) dhe shumë të plagosur. Kurse Ramiz Brahimaj vritet në Pas Hajlë nga snajperistët e ushtrisë serbe. E vëllai i Sherifit, Xhemajl Brahimaj arrestohet dhe dërgohet në burgun e Andrijevicës po në këtë ditë nga ushtria serbe bashkë edhe me Zeqir Bajraktarin e Hysen Zogajn të cilët i rrahen brutalisht me metodat më çnjerëzore duke përdorur edhe rrymën elektrike, shkopinj e mjete të tjera të forta mbi trupat e tyre.
Sherifi ishte pjesëtar i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, por ai dhe bashkëluftëtarët nga Haxhiaj siguronin një korridor të rëndësishëm për të lidhur Brigadën 133 me brigadën 136 “Rugova”. Bashkëluftëtarët e dëshmorit të kombit, Sherif Brahimaj ishin: Ramiz Brahimaj, Afrim Xhuraj, Shaqir Tahiraj, Tasim Elezaj, Salih Lajçi, Xhemajl Brahimaj, Halil Brahimaj, Rizë Brahimaj, Osman Podrimçaku, Enver Podrimçaku, Ramiz S. Brahimaj, Albert Selimaj, Nexhat Brahimi, Ali Selimaj, Shefqet Brahimaj, Halil Elezaj, Xhevat Brahimaj, Ali Elezaj, Naim Brahimaj e shumë të tjerë.
Familja Brahimaj në luftën e fundit në Kosovë i dha çështjes dhe kauzës së drejtë për liri e pavarësi dy dëshmor: Sherif e Ramiz Brahimaj dhe tre martir: Nemke, Rexhep e Mursel Brahimaj. Ata u varrosën me nderime të larta ushtarake në varrezat e fshatit Novosellë.
Për nder të jetës dhe veprës së dëshmorin Sherif Brahimaj, iu kanë kushtuar një sërë poezi nga shkrimtarë vendas, këngë nga rapsodët popullorë dhe biografinë e tij e hasim në shumë libra si: të Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Feniksët e lirisë, Shtigjet e Përgjakura nga Ali Daci, Të Pavdekshmit e Dukagjinit nga Hasan Hasani, e në shumë libra të tjerë kushtuar dëshmorëve të lirisë.
Po ashtu dëshmorit dhe familjes së tij iu janë ndarë shumë mirënjohje nga institucionet e vendit, shoqatat e dala nga lufta, nga shumë komandat të UÇK-së, e së fundi dëshmori i kombit dekorohet me urdhrin e lartë “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.
Emri i dëshmorit të kombit Sherif Brahimaj është skalitur me shkronja të arta në obeliskun e ngritur në qendër të Pejës për nder të dëshmorëve të kësaj komune, në pllakën përkujtimore në Novosellë, në lapidarin e ngritur për nder të të rënëve të lagjes Haxhiaj, në pllakën për dëshmorët e kombit në Marinë të Skënderajt, e në shumë të tjera.
Dëshmori la pas vetës gruan Sofinë dhe pesë fëmijë: asokohe, Arbenitën (12 vjeç), Doruntinën (11 vjeç), Arbërin (9 vjeç), Shpendin (7 vjeç) dhe Drenin (3 muajsh). (Dren Sh. Brahimi)

Kontrolloni gjithashtu

Habib Jakup Gashi (26.10.1978 – 28.5.1999)

Habib Jakup Gashi (26.10.1978 – 28.5.1999)

Fshati Nagac i Anadrinit të Rahavecit, me kohë ishte një çerdhe për organizimin e shumë …