Qindra studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të mbështetur edhe nga studentë nga Kosova dhe Shqipëria, kanë protestuar në Shkup me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Protesta është shoqëruar me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje në mbrojtje të gjuhës shqipe, ndërsa atmosfera është karakterizuar nga këngë patriotike dhe mesazhe uniteti kombëtar. Studentët kanë kënduar njëzëri këngën “Besa besë, besën e kem dhanë…”, duke e kthyer qendrën e Shkupit në një manifestim simbolik kuqezi. Njëri nga organizatorët, gjatë një fjalimi para protestuesve, deklaroi se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga identiteti dhe gjuha e tyre. “Mos ta mendojë askush që kemi harru, ne nuk e harrojmë kurrë nënë tonë Shqipëri”, është shprehur ai para turmës. Në protestë ka folur edhe një hoxhë, i cili theksoi se gjuha shqipe do të ruhet dhe do të flitet brez pas brezi. Protesta vjen në kohën kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore dhe publike në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime dhe debat të gjerë në opinionin shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
