Shoqata “Familja dhe Shpresa"

Shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina, i ka drejtuar një letër kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi

Filloje plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale, zotëri Kryetar i Kosovës

Shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina, e cila përfaqëson familjarët e viktimave civile nga masakra e Kralanit e vitit 1999, sot i është drejtuar Kryetarit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me kërkesë publike për të iniciuar në parlamentin vendor plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale për Kosovën (Dhomat e Specializuara) në Hagë, në mënyrë që pos krimeve të pretenduara të individëve të UÇK-së nga prokuroria e kësaj gjykate, kjo gjykatë të merret edhe me krimet e luftës që shteti i Serbisë ka bërë në Kosovë. Serbia dhe kriminelët e saj të shumtë, të cilët ende gjenden të lirë dhe të mbrojtur nga qeveria e shtetit fqinjë, ka masakruar afro 13000 civilë shqiptarë të Kosovës, gjatë luftës sonë për liri dhe pavarësi të viteve 1998-1999, dhe drejtësia ndërkombëtare deri më tash ka dështuar të merret me këto krime lufte ndaj popullit tonë.

“Kërkojmë nga ju, zotëri Kryetar, që të përdorni kompetencat kushtetuese (neni 84, pika 6) të postit që mbani dhe të fusni në rendin e ditës të parlamentit të Kosovës plotësimin e këtij ligji gjysmak dhe të hapni rrugën që në këtë gjykatë të gjykohen e ndëshkohen Serbia dhe përgjegjësit serbë për vrasjen e më të dashurve tanë në fshatin Kralan me 4 Prill 1999 dhe të të gjithë civilëve të tjerë të Kosovës gjatë luftës për liri dhe pavarësi”, tha Zana Bytyqi-Geci, përfaqësuese e shoqatës në kërkesën publike drejtuar Kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Tash e pesë muaj shoqata e jonë, e cila përfaqëson familjarët e 86 viktimave civile të ekzekutuara nga ushtria e Serbisë në fshatin Kralan, ka bërë disa kërkesa të njëjta tek deputetët e Kosovës, kryetarët e partive parlamentare shqiptare, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, por deri më tash asnjë prej tyre nuk na është përgjigjur pozitivisht lidhur me kërkesën tonë, tha ajo.

“Ndjehemi të zhgënjyer me formën e tashme të ligjit të miratuar i cili i anashkalon krimet e Serbisë të bëra ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës. Ndjehemi po aq të zhgënjyer me injorimin që partitë politike, pra edhe ish-partia e juaj, është duke i bërë kërkesës sonë tash pesë muaj.  Ndjehemi të zhgënjyer me heshtjen e tyre të pa arsyeshme dhe të çuditshme,” tha zonja Bytyqi-Geci më tutje në letrën drejtuar Kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi.

 “Shpresojmë se ju zotëri Kryetar, do të na përgjigjeni pozitivisht dhe do të keni vullnetin dhe guximin që të thyeni këtë heshtje dhe të përdorni urgjentisht kompetencat tuaja kushtetuese e të ktheni për rishqyrtim në parlament këtë ligj gjysmak, i cili në formën e miratuar është i turpshëm, sepse e kurseu Serbinë dhe kriminelët e saj nga masakrat e bëra nëpër tërë Kosovën”, iu drejtua përfaqësuesja e shoqatës kryetarit të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën në emër të shoqatës.

P.S.

Kompetencat e Kryetarit të Kosovës:

http://www.president-ksgov.net/?page=1,14

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]

(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;

 “Familja dhe Shpresa”

 Shërbimi për komunikim dhe media

Adressa: Ganimete Terbeshi, nr. 11, 38200, Klinë,

Tel 1: 045 480 677

Tel 2: 044 777 596 ,

E-mail: [email protected]

 

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 – 20.04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …