Përplasjet politike brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shfaqur hapur edhe në Kuvend, ku deputetja Hykmete Bajrami i është kundërpërgjigjur ashpër Vjosa Osmanit, pas kritikave të kësaj të fundit për mënyrën se si Qeveria Hoti kishte menaxhuar fondet për mbështetjen e bizneseve gjatë pandemisë, në vitin 2020. Osmani, duke kritikuar Qeverinë Kurti për raportet e saj me oligarkët dhe atë që e cilësoi si ndërrim të “bosave të krimit”, kishte rikujtuar edhe pakon financiare të vitit 2020. Ajo pretendoi se fondet e asaj kohe u ishin dhënë bosëve të bizneseve, duke theksuar se vetë kishte qenë ndër zërat më kritikë ndaj kësaj mënyre të shpërndarjes së mjeteve. Por kjo deklaratë nxiti reagimin e Hykmete Bajramit, e cila në atë kohë drejtonte Ministrinë e Financave në Qeverinë Hoti. Ajo e cilësoi Osmanin si “turiste politike”, duke e akuzuar për shtrembërim të fakteve dhe mungesë dinjiteti politik. Bajrami pretendoi se fondet e vitit 2020 nuk u ishin ndarë pronarëve të bizneseve, por kishin shërbyer për financimin e pagave të punëtorëve të sektorit privat, në një kohë kur ekonomia ishte pothuajse tërësisht e mbyllur për shkak të pandemisë. Në reagimin e saj, Bajrami nuk u ndal vetëm te fondet e pandemisë, por e akuzoi Osmanin edhe për standarde të dyfishta politike, duke thënë se qëndrimet e saj ndryshojnë varësisht nga pozita dhe karrigia ku ndodhet. “Për ta, e njëjta gjë është e drejtë ose e gabuar, varësisht nga karrigia ku janë ulur”, deklaroi Bajrami. Ndërkaq, Osmani kishte thënë se këtë çështje kishte dashur ta ngrinte në Kuvend, por nuk i ishte dhënë fjala.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
