Shoqëria civile i kërkon llogari Hagës: Dëshmoni se premtimi për drejtësi të paanshme ndaj Kosovës nuk ishte formalitet

Një grup prej 22 drejtuesish dhe përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile i kanë drejtuar një letër presidentes së gjykatës speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova, duke ngritur shqetësime serioze për ecurinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe duke kërkuar më shumë transparencë, besueshmëri dhe respektim të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Në letrën e tyre, nënshkruesit theksojnë se synimi nuk është të paragjykojnë vendimet e gjykatës, por të nënvizojnë ndikimin që ky proces ka në besimin e qytetarëve, marrëdhëniet ndëretnike dhe perceptimin e drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë. Nënshkruesit shprehin shqetësim edhe për faktin se ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa një vendim të shkallës së parë, duke vlerësuar se kjo situatë rrezikon të perceptohet si një formë ndëshkimi para përfundimit të procesit gjyqësor. Ata kërkojnë përgjigje publike ndaj shqetësimeve të ngritura nga raporti i BHRC-së, sqarime për trajtimin e provave që burojnë nga institucionet serbe, rishikim të praktikës së paraburgimit të zgjatur dhe mundësimin e monitorimit të pavarur të procesit gjyqësor. “Krimet e luftës dhe krimet kundër civilëve, pavarësisht se nga kush janë kryer, kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Por kjo drejtësi duhet të jetë e tillë që qytetarët ta njohin si të drejtë dhe të paanshme. Kosovës iu premtua se drejtësia, llogaridhënia dhe legjitimiteti ndërkombëtar do të ecnin së bashku, ndërsa tani është koha që ky premtim të dëshmohet me vepra dhe jo të mbetet vetëm një deklaratë”, thuhet në përmbyllje të letrës.

Kontrolloni gjithashtu

Ministria e Mbrojtjes: Kosova nuk merr pjesë në samitet e NATO-s pa statusin e anëtarit ose partnerit

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s që …