Shqipëria e bëri të veten, i doli hakut luftës së UÇK-së, po çka do të bëjë politika e vendit-pro dhe kundër UÇK-së

Shqipëria e bëri të veten, i doli hakut luftës së UÇK-së, po çka do të bëjë politika e vendit-pro dhe kundër UÇK-së

Dje në Shqipëri, në Kuvendin e saj, 21 korriku i vitit 2022 ka rreshtuar edhe një datë me rëndësi kombëtare, dhe ndër më të rëndësishmet për vlerat dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së. Mbase vetëm me koincidencë, por 12 vjet më parë, pikërisht më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas ankesës që ia kishte drejtuar Serbia, lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës,  kishte saktësuar se akti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të  Drejtën ndërkombëtare.

Pas një debati të gjatë, më në fund Kuvendi i Shqipërisë unanimisht  ka miratuar rezolutën mbi fabrikën e gënjeshtrave të pretendimeve të Dick Martyt për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri nga ish-krerët e UÇK-së. Kjo rezolutë kaloi me 125 vota pro. Nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Projektrezoluta fillimisht u depozitua nga Partia Socialiste kundër raportit të Dik Martit, me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka theksuar se e fituan betejën e parë për të siguruar një qëndrim të bashkuar dhe unanim të Kuvendit të Shqipërisë. “Mirënjohje çdo deputeti pa dallim të krahëve politikë për mbështetjen dhe përgjegjshmërinë atdhetare që treguan sot me këtë votim historik. Tashmë kalojmë në fazën tjetër shumë, shumë më e vështirë. Beteja jonë shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të kërkojmë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e Rezolutës 1782 të vitit 2011, ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë,  ka thënë mes tjerash,  Taulant Balla.

Kjo nismë historike epilogun e vet pritet ta marrë  në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të kërkohet një raport vijues për ndryshimin e Rezolutës 1782 të vitit 2010, me ç rast  të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri apo në Kosovë,  nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kjo fitore në dukje e vonuar megjithatë do ta bëjë të vetën dhe Shqipëria Mëmë, ashtu sikur  bëri në vitin 1974, kur nuk e nënshkroi Dokumentin e Helsinkit për mos ndryshimin e kufijve, duke i lënë rrugë ligjore luftës për liri e bashkim kombëtar, edhe tani i luftoi me sukses, në mënyrë të ligjshme pretendimet ogurzeza, të liga dhe antishqiptare të qarqeve serbe, të cilat kishin blerë me para evrodeputetin zviceran me origjinë serbe, Dodik Martinoviq, dhe i cili me përkrahje edhe të disa qarqeve antishqiptare  kishte arritur që në Parlamentin Evropian të plasonte një raport për gjoja  “trafikimin e organeve të serbëve gjatë luftës së vitit 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Shqipëria me Edi Ramën në krye, dëshmoi për të satën herë përkushtimin vëllazëror, përkushtimin në mbrojtje të së drejtës dhe së vërtetës, lidhur me luftën e pastër fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe kulmi i këtij angazhimi ishte votimi unanim i Rezolutës së Partisë Socialiste, që tregon po ashtu një shkallë të lartë të ndjenjës së përgjegjësisë kolektive, kur është në pyetje interesi kombëtar, pavarësisht divergjencave politike në vend.

Por tani shtrohet pyetja tjetër, çka duhet të bëjnë Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca për krerët e UÇK-së në Hagë

Në parim të gjithë këta deklarativisht do ta mbështesin rezolutën  e Kuvendit të Shqipërisë dhe do ta falënderojnë Tiranën zyrtare, por pa vonuar shumë sërish do ta etiketojnë Edi Ramën si “vëlla” të Vuqiqit, si pro serb e pro grek, sipas qëndrimeve të tyre, pasi shkëlqimi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, lë në hije Kuvendin e Kosovës, Qeverinë dhe Përfaqësuesen e Presidencës.

 

Duke qenë unikë në qëndrimet e tyre kundër kreut të luftës, katër nga të cilët ndodhen para trupit (turpit) gjykues të Gjykatës Speciale, duke kërkuar minimizim e pjesëmarrësve në luftën e UÇK-së, duke akuzuar Hashim Thaçin për themelimin e Gjykatës Speciale dhe për shumë “gabime” të tjera,  duke pretenduar ta zhvlerësojnë  krejt të kaluarën 20-vjeçare të të arriturave kolosale të Kosovës si dështime e  keq-qeverisje, duke shpallur haptas Republikën e tretë të tyre, kjo treshe e mjerë dhe e përvëluar në vorbullën e urrejtjeve, inateve, xhelozisë, ia ka lidhur këmbët vetvetes dhe nuk mund të nxirret dot nga “zalli i gjallë” ku ka rënë.

Sot Vjosa Osmani nuk la pa përmendur, sipas saj, “shkaktarin” e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçin duke minimizuar Rezolutën e aprovuar të Kuvendit të Shqipërisë, kundër raportit të Dik Martit. “Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë. E pyetur nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë, Osmani tha se s’është me rëndësi vizita por është e rëndësishme të mbikëqyret puna e Speciales në raport me të akuzuarit atje dhe se a po respektohen të drejtat e njeriut.

A do të mund ta kalojnë urrejtjet dhe inatet e tyre, Vjosa Osmani e Albin Kurti për të shkuar për vizitë në burgun e Hagës, ashtu sikur ka bërë Glauk Konjufca, dhe sikur po bëjnë “haxhillëk” sa e sa  vizitorë në mesin e tyre edhe mercenarë dhe kundërshtarë të UÇK-së, të djeshëm e të sotëm.

Vjosa Osmani e Albin Kurti, nuk do të shkojnë për vizitë në Hagë, sepse nuk ua lejon “kredoja” e tyre, parimet, qëndrimet, urrejtja dhe thjesht sepse nuk duan të bien në  nivelin e  Adriatik Kelmendi dhe të tjerëve,  që dje shanin e sot lavdërojnë.

Treshi: Vjosa Osmani, Albin Kurti e Glauk Konjufca, do të mundohen që sa më parë të harrohet Rezoluta e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dik Martit, në radhë të parë sepse e ka iniciuar Partia Socialiste e Edi Ramës, pastaj sepse nuk janë në gjendje të ndërmarrin asgjë në dobi të luftës së UÇK-së dhe aspak në dobi të kreut të luftës, sepse veprimet e tilla të mundshme dhe të dobishme për kombin e shoqërinë shqiptare përgjithësisht bien ndesh me përcaktimet e tyre  me mashtrimet e tyre me idiotizmat politikave të tyre.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 7. 2022

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …