Komuniteti shqiptar në Texas do të mblidhet sot në Austin për të protestuar kundër verdiktit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta është paralajmëruar të mbahet në orën 13:00 sipas kohës lokale, me komunitetin shqiptar që synon të shprehë kundërshtimin ndaj vendimit të gjykatës dhe të përcjellë mesazhin e tij në mbështetje të UÇK-së dhe ish-drejtuesve të saj. Sipas organizatorëve, protesta synon gjithashtu të rikujtojë rolin që, sipas tyre, UÇK-ja pati në mbrojtjen e popullsisë dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Në prag të shpalljes së aktgjykimit, kongresisti amerikan nga Texas, Keith Self, kishte shprehur shqetësim lidhur me mundësinë e ndikimit të asaj që ai e quajti “anshmëri politike” në proceset gjyqësore në Hagë. “Shpresoj që një anshmëri e tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të merret vendimi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi pas viteve të shtypjes serbe”, kishte shkruar Self më 14 shtator në platformën X. Protesta në Austin pritet të jetë një tjetër tubim i komuniteteve shqiptare jashtë Kosovës, pas protestave të zhvilluara në ditët e fundit në Prishtinë, Shkup dhe qytete të tjera.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
