“Shteti apo Kombi” analizë e studiuesit të mirënjohur shqiptar, Kristë Maloku

Publikimi i këtij studimi të rëndësishëm në revistën shkencore Dardania Sacra 4, zbulon para opinionit tonë lexues një mendje të thellë intelektuale, një njohës jashtëzakonisht të thellë të mendimit politik shqiptar dhe mbi të gjitha një intelektual origjinal me një këndvështrim tejet të vëmendshëm për të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar.
Kristë Maloku, për të cilin opinioni ynë din fare pak, për të mos thënë se nuk din fare, ishte një intelektual kontradiktor ashtu sikurse Faik Konica apo Lasgush Poradeci. I njohur në qarqet intelektuale si krijues me një kredo origjinale, ai në kohën e tij nuk e gjeti dot vetveten, meqë kontradiktat shoqërore dhe politike që mbretëronin në Shqipërinë e viteve 30 të shekullit të kaluar e kishin katandisur vendin në një monarki autarkike, anarkike, e cila ngulfati çdo mendim apo ide të lirë. 
Intelektuali Kristë Maloku, një prizrenas që jetoi dhe krijoi në Tiranë dhe në Vjenë, dispononte arsim të lartë në shkencat shoqërore dhe ishte ndër njohësit më të mirë të problemeve aktuale politike dhe shoqërore të kohës së tij. Për më tepër, ai ishte i guximshëm në paraqitjet e botëkuptimeve të tij, pavarësisht se iu pëlqenin apo nuk iu pëlqenin idetë e tij, qarqeve intelektuale të kohës. 
Në studimin e tij Shteti apo Kombi, Kristë Maloku arrin të sintetizojë mendimet e tij realiste në disa kategori filozofike sociale, të cilat në esencën e tyre paraqiteshin të ngatërruara dhe keqinterpretoheshin nga intelektualët mediokër, që nuk ishin në gjendje të bënin diferencime të qarta të ideve dhe të nocioneve të caktuara. Ai, me një metodologji të avancuar shkencore, i pajisur me njohuri solide nga lëmenj të ndryshëm të filozofisë, historisë, etnopsikologjisë shqiptare dhe shkencave të tjera relevante, arriti të sintetizojë mendimin e tij politik, mjaft origjinal në vrojtimin e disa problemeve kapitale të sferës shtetërore, kombëtare dhe historike. 
Kristë Maloku, kishte qasje filozofike reale ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti ndaj fenomenit kombëtar shqiptar, si një tipologji e veçantë etnopsikologjike, në krahasim me popujt apo kombet e tjera të Ballkani. Me vëmendje të shkencëtarit të shkathët, të cilin nuk e kishin kuptuar si duhet bashkëkohësit, ai bën një ndarje realiste në mes të shtetit centralist kombëtar dhe shtetit demokratik, të cilin e aspironte elita intelektuale në Evropë, por që asokohe nuk ekzistonte në asnjë vend të kontinentit plak. 
Duke qenë njohës erudit i literaturës botërore, Kristë Maloku zbërthen disa nga nyjat më të pazbërthyeshme të çështjes shqiptare, edhe pse ato nuk i shpjegon në tërësi, ndoshta për ta nxitur dhe për ta provokuar mendimin politik shqiptar, i cili ende mbeti në gjumin e së kaluarës dhe ende nuk ka dhënë përgjigje në 100 pyetjet e këtij mendimtari të talentuar të gjeniut krijues shqiptar. 
Duke parashtruar për studim problemin shqiptar, ai thotë: 
*Zgjidhja e problemit shqiptar kërkon para së gjithash shumë mend e shpirt. Djalëria shqiptare është mësuar për ta parë kombin dhe vendin e vet nëpër syzet e do vagobandave të tymosur kafehanesh apo të do pseudointelektualëve pedantë e skolastikë, apo edhe të do shkrimtarëve të huej që nuk kanë pasur as zotësinë dhe kurrë nuk kanë marrë mundin e duhur për t` iu kushtuar problemeve tona një vëmendje të plotë dhe objektive. Prandaj nuk është çudi që brenda djalërisë shqiptare vlon një anarki pikëpamjesh e mendimesh mbi kombin, popullin dhe vendin e vet. Dhe, shpëtimtar i kombit mund të quhet ai shpirtmadh që ia falë asaj djalërie ideologjinë e vërtetë të shqiptarizmës reale kombëtare. Neoshqiptarizma gjirokastrite na dha të kuptojmë nevojën e një ideologjie, por ideologji vetë nuk na dha. Dhe gabimi i saj qe, se nuk gërmoi ndër mina të kombit e të shpirtit shqiptar, kjo do të thotë se ajo nuk u interesua aspak për materialin konkret dhe real, por ndërtoi dhe përpiloi, në bazë të do teorive sociologjike të shekullit të kaluar, një bina fare heteronome, një bina për homunkulus, por jo për shqiptarë të gjallë.* 
Në përpjekje për të identifikuar problemin shqiptar, ai parashtroi 100 pyetje, në të cilat ka arritur të rrumbullakojë totalitetin ekzistencial, etnik, etik, kulturor, fetar e dokësor të shqiptarëve, por pa dhënë përgjigje në pyetjet e caktuara. Ai, jo vetëm asokohe por edhe aktualisht mbetet sfiduesi më i fortë i problemit shqiptar, i kësaj nyje aktualisht ende të pazgjidhshme të çështjes së përgjithshme shqiptare në Ballkan. 
Është me interes sidomos botëkuptimi i tij individualist, hegelian, në vrojtimin e dukurive dhe premisave idealiste, në të cilat e mbështet teorinë e tij në zhvillimin sinkronik dhe diakronik të së kaluarës shqiptare në përgjithësi. 
I prirë nga individualiteti pietist shqiptar, i ndikuar pozitivisht sidomos nga kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili për të paraqet amanetin më të ndritshëm të shpirtit dhe të etnitetit shqiptar, Kristë Maloku ka arritur ta identifikojë gamën e tërësishme të problemit shqiptar në kohë dhe hapësirë, si dhe në të gjitha rrafshet, qofshin ato shtetërore, kulturore, shoqërore, fetare apo dokësore. 
Për 100 pyetjet e tij simptomatike dhe tejet me interes, ai, doemos se kishte edhe përgjigjet e veta të caktuara, disa nga të cilat mund të hetohen përbrenda këtij studimi. 
Duke qenë njohës i thellë i fenomenologjisë shqiptare, në botëkuptimet e tij idealiste, por edhe realiste në të njëjtën kohë, ai ua çori maskën mediokritëve, plagiatorëve, pseudointelektualëve, lapangjozëve me fesin aziatik apo me frakun evropian, mejhanexhinjve dhe politikanëve gjysmakë me të cilët ishte e mbushur përplot Shqipëria e viteve 20 dhe 30 e shekullit XX, në kohën kur shpërtheu erudicioni i këtij mendimtari të shquar të kulturës shqiptare. 
Me qëllim të njohjes për së afërmi me parashtresat dhe botëkuptimet e këtij mendimtari, ne do të marrim në shqyrtim vetëm disa nga pyetjet e tij, të cilat nuk kanë marrë përgjigje meritore as në kohën tonë. Sfida e Kristë Malokut është e një thellësie hegeliane, andaj edhe duhet pasur shumë kujdes në interpretimin e problemeve që i kishte identifikuar në kohën e tij. Pikërisht këto probleme ende kanë mbetur të pazgjidhshme, sidomos në rrafshin etnik, përderisa shqiptarët ende rrojnë të ndarë në pesë shtete, ashtu edhe në rrafshin e ndasisë kulturore e fetare dhe në raport me fqinjët grabitçarë, në pamundësinë e unifikimit të faktorit jo vetëm politik dhe shoqëror të kombit shqiptar. 
Ndër pyetjet më të thella sfiduese të këtij mendimtari, ne kemi shkëputur për zbërthim disa prej tyre. Kemi bërë përpjekje për të dhënë mendimin tonë lidhur me disa prej këtyre pyetjeve, në raport me kohën dhe situatën e cila po mbretëron aktualisht ndër ne, duke konsideruar se etnopsikologjia shqiptare, edhe pse ka përparuar drejt të ashtuquajturit emancipim demokratik bashkëkohor, në disa segmente sërish ka mbetur statike, besnike e së kaluarës tradicionale, besnike e heterogjenitetit tipik shqiptar. 
A kanë ndjenja të përbashkëta kombëtare të gjithë shqiptarët kudo qofshin në botë? 
Në dukje të parë përgjigjja në këtë pyetje del e lehtë, por po të analizohet më thellë problemi aktual shqiptar, po të merren në studim faktorët realë mbizotërues në etnikumin shqiptar dhe atij në mërgatë, gjendja momentale nuk jep të dhëna të mjaftueshme për të dhënë një përgjigje të thjeshtë mohuese apo pohuese. Tri luftërat çlirimtare që ndodhën në trojet e robëruara të Shqipërisë, në të cilat, në forma të ndryshme organizative apo ndihmese, mori pjesë vetëm një e treta apo e katërta e kombit, japin për të kuptuar mungesën e shprehur të ndjenjës unifikuese kombëtare. Dashuria e ligjshme ndaj kombit dhe atdheut nuk duket se është sentiment idealist i shumicës shqiptare. Të paktën kjo përshtypje krijohet po të analizohet situata aktuale e mungesës së përkushtimit idealist kombëtar të kësaj shumice pacifiste, heterogjene dhe të adaptuar lehtë në të gjitha rrethanat, qoftë në robëri, kur ajo nënshtrohet, qoftë në liri kur ajo mbetet krejtësisht indiferente. 
Pse shqiptarët gjithmonë kanë sajuar formacione të veçanta ushtarake qysh nga koha e persianëve të moçëm e deri në kohën e Turqisë? 
Edhe kjo pyetje na rikthen në kujtesë angazhimet militante mijëvjeçare të shqiptarëve deri në kohën tonë. Shqiptarët, pa kurrfarë përkrahjeje nga ndonjë ushtri tjetër, u mobilizuan dhe luftuan për çlirimin nga Perandoria Osmane. Vetëm me forcat e veta partizanët shqiptarë e çliruan vendin e tyre nga aleanca fashiste italo-gjermane, në nëntor të vitit 1944. Asnjë ushtar i Armatës së Kuqe sovjetike nuk ka marrë pjesë në çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi. Organizimi i tri luftërave çlirimtare në kohën tonë bën të kuptojmë këtë specifikë të shpirtit luftarak shqiptar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë paraqitja më autentike e mobilizimit autentik kombëtar në luftë kundër robërisë. 
Ku qëndron dallimi në mes të toskëve, gegëve dhe kosovarëve? 
Kjo pyetje ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për faktorin kohor historik kur qe parashtruar, por edhe për situatën aktuale. Kundruar realisht, ekziston kjo ndasi, edhe pse ndjenja atdhetare romantike shqiptare nuk pajtohet me këtë ndarje. Realisht, këto dallime ekzistojnë dhe, mjerisht ato po thellohen gjithnjë e më tepër, si në planin politik ashtu edhe në atë shoqëror, ekonomik dhe shtetëror. Tendencat dezintegruese politike në Shqipëri po çojnë drejt ndarjeve në jugun toskë dhe në veriun gegë, ndërsa shqiptarët e Kosovës, sikur kanë zënë të pajtohen se janë kosovarë, edhe nga aspekti kombëtar. Krejt kjo po bëhet me vetë dëshirën dhe përcaktimin plebishitar të shumicës pacifiste shqiptare në Kosovë, në ish -RJ të Maqedonisë dhe në Kosovën Lindore. 
Kristë Maloku ishte ndër intelektualët e parë shqiptarë që kishte vërejtur këtë shkizmë të pariparueshme në mesin e shqiptarëve. Situata e cila aktualisht mbretëron në Kosovë dhe në Shqipëri identifikon elementet dalluese, dezintegruese, të cilat nuk janë të sotshme, as nuk janë vetëm pasojë e robërisë shekullore. Dallimin në mes të toskëve, gegëve dhe kosovarëve po e thellojnë më tej disa nga liderët tanë politikë, të cilët e kanë pranuar rezignatën tragjike të status-quosë, si dhe disa intelektualë gjysmakë, të cilët nuk i pranojnë të arriturat integruese kulturore kombëtare. Ndërsa lideri pacifist Ibrahim Rugova me klanin e tij po bën përpjekje që shqiptarët e Kosovës t`i identifikojë si kosovarë, si entitet të veçantë kombëtar, sipas teorisë së AVNOJ-it titist, me ç rast qenë shpikur kombet e reja si sllavomaqedonët, boshnjakët e të tjerë. Edhe liderët e tjerë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe në ish -RJ të Maqedonisë sikur e pranojnë në heshtje këtë realitet, jo të kushtëzuar nga bashkësia ndërkombëtare. 
A ka shqiptari më tepër ndjenja kolektiviteti apo individualiteti? 
Përgjithësisht, sidomos në të kaluarën, shqiptarët kanë qenë më shumë individualistë, ndërsa edhe aktualisht janë më shumë bajraktarë se sa integristë. Parashtrimi i kësaj pyetjeje nga Kristë Maloku meriton një kundrim të thellë, të argumentuar në raport me kohën, me rrethanat aktuale historike dhe shoqërore. Edhe sot e kësaj dite bota intelektuale shqiptare e sidomos politikanët shqiptarë janë individualistë të pandreqshëm, ndërsa integristë të papërfillshëm. Mungesa e ndjenjës së kolektivitetit është shkaku primar i ndarjes dhe i shkapërderdhjes së trojeve shqiptare. Këtë fenomen tipik të racës shqiptare e kishte vërejtur edhe Sami Frashëri, i cili e kundërshtoi me forcë individualitetin e tepruar shqiptar dhe shërbimet që ata iu bënë të huajve, por kurrë Shqipërisë, atdheut të tyre. 
Individualiteti i tepruar, për të mos thënë edhe i sëmurë e degjenerik, bën që politikanët shqiptarë të luftojnë me të gjitha mjetet për të dominuar mbi njëri-tjetrin, duke qenë servilë ndaj të huajve dhe përgjithësisht të pa interesuar për unifikim dhe bashkim kombëtar. 
A është shqiptari më shumë tip prodhues apo tip tregtar? 
Po të analizojmë forcat e sotme prodhuese shqiptare në krahasim me të kaluarën dhe raportet e reja shoqërore politike, aktualisht vasale ndaj Evropës dhe UNMIK-ut, atëherë fare lehtë mund të përfundojmë se shumica shqiptare nuk është e interesuar për prodhim mallrash vendore, por për tregtimin e tyre në të gjitha nivelet. Lulëzimi i tregtisë dhe mungesa e favorizimit nga ana e shtetit të elementit prodhues vendor, krijon varësi ekonomike, defaktorizon kapacitetet e mundshme prodhuese dhe krijon parakushte për shfrytëzimin e resurseve kombëtare nga makro tregtarët botërorë, të cilët janë të lirë të blejnë pasuritë kombëtare gjithandej ku e kanë shtrirë dominimin e tyre gllabërues, kapitalist. 
Si e kupton shqiptari kamjen (pasurinë), si mjet sundimi mbi të tjerët (mbi më të varfrit) apo si mjet pavarësie nga të tjerët? 
Ashtu sikurse edhe problemet e tjera që i ka identifikuar Kristë Maloku, edhe kjo pyetje është tejet sfiduese për të dhënë një mendim të prerë. Shumica shqiptare, sidomos në Kosovë, më tepër e do pasurinë për të sunduar mbi të tjerët, meqë deri vonë ka qenë edhe vetë e sunduar nga të huajt, ndërsa janë të pakët ata shqiptarë të cilët pasurinë e tyre e konsiderojnë si mjet pavarësie ekonomike ndaj më të pasurve, apo ndaj atyre me të cilët reflektojnë interesa të ndërsjella. Qasja ndaj kësaj problematike doemos se është e lidhur ngushtë edhe me faktorë të tjerë relevantë ekonomikë dhe shoqërorë. Identifikimi i këtij problemi lidhet edhe me vetëdijen klasore dhe shoqërore të individit të caktuar, si dhe me nivelin emancipues dhe arsimues në të njëjtën kohë. E kaluara ka treguar se shumica e shqiptarëve të pasur, pasurinë e ka vënë në shërbim të shtypjes së të tjerëve, ndërsa pakica e ka shkrirë pasurinë për interesin e përgjithshëm kombëtar, edukativ apo arsimor. Kështu ndodh edhe te kombet e tjera sidomos në Ballkan. 
A është bajraktari shqiptar një i parë ndër të parët, apo një Fyhrer, një mbret? 
Edhe pse pyetja është parashtruar para më shumë se 60 vjetëve, kur ende ndihej ndikimi i fuqishëm i Kanunit të Lekë Dukagjinit, ky fenomen edhe aktualisht mbizotëron klasën politike shqiptare sidomos në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në ish -RJ të Maqedonisë. Partiakët tanë kanë elemente të shumta të bajraktarisë fisnore, klanore. Ata nuk i përshkon aspak ndjenja integruese kombëtare. Bajraktari i dikurshëm shqiptar ishte i pari i bajrakut, i pari i fisit apo i krahinës. Bajraktari i sotëm është kryepari i partisë, kryepari i shtetit, apo i ndonjë grupi të rrezikshëm mafioz. Sot mund të identifikohen katër bajraktarë bashkëkohorë aktualë të tipit FYHRER. Kryepari i socialistëve, Fatos Nano, kryepari tjetër tipik, bajraktari i veriut, Sali Berisha, bajraktari tjetër i improvizuar, Ibrahim Rugova, dhe bajraktari në mesin e bajraktarëve më të rinj, Ali Ahmeti. 
Po të analizojmë veçmas këta ekzemplarë individualistësh politikë do të dalin në shesh të gjitha veset dhe tiparet e njeriut shqiptar, bajraktar, i cili me çdo kusht mundohet të mbahet në pushtet, me çdo kusht lufton për t` ia marrë fronin tjetrit, madje duke iu nënshtruar edhe të huajve sikur Ahmet Zogu, Ceno beg Kryeziu, Esat Pashë Toptani, Ali Shukriu, Rrahman Morina e disa të tjerë. Kjo bëhet me të vetmin qëllim, që lideri i tillë të postohet në vendin e parë, në mesin e të parëve dhe jo i dytë apo i tretë në sofrën e parë. Kjo mendësi tipike feudaliste është karakteristikë e shumë shqiptarëve deri dje të robëruar. Kur robi arrin të bëhet bajraktar, ai mbi të gjitha bëhet satrap dhe i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve. Katërshja e sotme politike shqiptare ilustron më së miri karakterin ende bajraktar të politikanit tonë, të tillë sikurse e kishte tipizuar në kohën e vet, intelektuali dhe eruditi i mendimit politik shqiptar, doktor Kristë Maloku. 
Si arriti ta drejtojë jetën tonë në të kaluarën Kanuni i Lekë Dukagjinit pa ushtri, pa policë e pa xhandarë? 
Mbijetesa e Ligjit të Lekës prej kohës së antikitetit e deri në ditët tona është një fenomen tipik i botës së organizuar qytetare shqiptare, të cilën e ka vërejtur me shumë vëmendje, studiuesi, Kristë Maloku. Ligji shqiptar ka mbijetuar falë organizimit të përkryer feudal, fisnor, si dhe falë zbatimit rigoroz të së drejtës autentike, mbështetur mbi parime barazie fisnore e krahinore, mbi barazinë individuale dhe kolektive, sipas parimeve fundamentale:E mira e përbashkët i paravihet dëmit të veçantë, apo njerëzit janë të barabartë para ligjit si i miri ashtu edhe i keqi, sepse gjyqi bëhet shpirt për shpirt, ndërsa dukjen e falë Zoti, pavarësisht nga pozita sociale apo përkatësia gjinore e individit. (Kanuni i Lekë Dukagjinit). 
Sesi arriti të mbijetojë ky ligj pa ushtri e pa xhandarë, ka po ashtu një shpjegim që buron nga vetë kanuni, i cili njëherësh ishte edhe bazament juridik legjislativ dhe ekzekutiv. Ekzekutues ishin paria, pleq e stërpleq, të cilët vilnin të ardhurat nga i pandehuri, i shpallur fajtor, apo nga kundërvajtësit dhe plangprishësit e shumtë nëpër bajraqe. 
Rikthimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në Shqipërinë e Veriut pas shembjes së sistemit komunist, tregon qëndrueshmërinë e këtij ligji, i cili aktualisht po aplikohet atje ku nuk arrin ligji i shtetit, apo ku nuk ka fare aparat ekzekutiv shtetëror, i cili do t`i mbronte të gjithë qytetarët, pa dallim. 
A ka shqiptari sedër shtetërore kombëtare, apo tallet me vocërrinë dhe dobësinë e shtetit të vet? 
Edhe ky fenomen tipik, sidomos i botës shqiptare, është identifikuar me vëmendje nga studiuesi i mirënjohur i etnopsikologjisë shqiptare, Kristë Maloku. Sedra shtetërore kombëtare shqiptare, mjerisht, nuk është e nivelit emancipues, nuk është madje as e nivelit që ekziston te popujt e tjerë të Ballkanit. Vetëm në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, shqiptarët krenoheshin me përkatësinë kombëtare dhe me shtetin e tyre, edhe pse ai ishte një shtet autarkik. Me rastin e shembjes së Shqipërisë më 1991 e deri tani, kredoja kombëtare shqiptare, përveç në raste të veçanta, pothuajse nuk ekziston, ndërsa janë më shumë ata që tallen me shtetin dhe dobësinë e tij, sesa të atillë që do t`i përkushtoheshin burrërisht përforcimit të shtetit. Janë qindra e mijëra shqiptarë që e kanë ndërruar fenë dhe kombin vetëm për t`u larguar nga atdheu. Mënyra se si është përbuzur Shqipëria sidomos në vitet 90 të shekullit njëzet është një precedent i llojit të vet në historinë e popujve të qytetëruar. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë që pjesëtarët e një kombi t`ia japin zjarrin atdheut, ta shkatërrojnë ekonominë kombëtare dhe pastaj të turren në ambasadat e anijet e huaja, për të ikur nga atdheu. Këtë papërgjegjësi dhe prirje për ta tallur, blasfemuar dhe për ta përdhosur atdheun e kishte identifikuar me kohë edhe dr. Kristë Maloku. 
Pse e çmon shqiptari gruan në njërën anë si një objekt të shenjtë dhe të paprekshëm, ndërsa e trajton si kafshë me një vleftë kafshe ordinere? 
Kjo është ndër pak pyetje në të cilat mendimi kritik i Kristë Malokut është tejkaluar. Sot nuk mund të flitet për raportet e tilla, të cilat dikur buronin nga kanuni i Lekë Dukagjinit. Femra shqiptare aktualisht është shumëfish më e emancipuar dhe nuk mund të trajtohet më, si shakull për të bartur, sipas KLD. Është e vërtetë se në të kaluarën shqiptari i kanunit, gruan e ka marrë me fishekun në pajë dhe atë e ka trajtuar si kafshë që prodhon. Po ashtu, është më se i vërtetë edhe konstatimi se për një flirt, qoftë edhe të paqëllimshëm të gruas me një burrë tjetër, në të kaluarën ajo është ndëshkuar fizikisht, në shumë raste edhe është mbytur, apo linçuar. 
Pse i jep shqiptari më shumë rëndësi betimit:`Për qiell e për dhe` se sa betimit monoteist `Për krisht, Për All-llahun, për Zotin etj? 
Ky konstatim i dr. Kristë Malokit për situatën aktuale nuk ka ndonjë peshë, të paktën për anën retorike të betimit, i cili edhe ashtu është zbehur tejmase. Shqiptarët, për aq sa kanë kulturë tolerance fetare, po aq kanë edhe indiferencë ndaj feve të caktuara. Kështu që betimi nuk është kurdoherë edhe reflektim real i qëndrimit parimor. Në të kaluarën, ka qenë e përhapur frazeologjia e betimit me përmbajtje pagane, me përmbajtje të një feje tokësore, me besim në fenomenet e natyrës, e sidomos në sentimentin e besës, të nderit dhe të burrërisë. 
Kristë Maloku ka vërejtur me vëmendje fenomenin si të tillë, edhe pse në situatën aktuale ky fenomen është relativizuar dhe nuk përshkohet me përmbajtje të thellë të përkushtimit hyjnor. Betimet:Pasha Tokë e Qiell, Pasha Diell e Hanë, Për të Shtunë e shtatëqind vjet e të tjera tanimë nuk dëgjohen ndër shqiptarë. Këto betime i përkasin së kaluarës. Edhe betimet në zot dhe në shenjtorë janë gjithnjë e më të rralla. Tani ndër shqiptarë gjithnjë e më tepër dëgjohen betime të karakterit individual si: Pasha familjen, pasha fëmijët, për kokën e djalit, pasha sytë e ballit e të tjera, të cilat mund të jenë ngulitur edhe nga ndikimi i gjitonëve tanë. 
Si kuptohet toleranca fetare ndër malësi dhe fanatizmi dërrmues ndër qytete shqiptare? 
Dr. Kristë Maloku me vëmendje të intelektualit të thellë ka vërejtur edhe këtë fenomen, i cili, me sa di unë, deri tani nuk është trajtuar në letrat tona. Është e vërtetë e pamohueshme se pjesa rurale e Shqipërisë etnike përshkohet me tolerancë të theksuar fetare, ashtu sikurse del i vërtetë edhe supozimi se intoleranca fetare, edhe pse jo gjithaq e shprehur, është karakteristikë e meseve urbane. Është tanimë e njohur kultura e tolerancës fetare ndër ne, në radhë të parë me faktin se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë fanatikë fetarë, dhe janë tepër të rralla rastet e përdhunimeve mbi baza fetare. 
Mirëpo, kohëve të fundit, intoleranca e caktuar fetare vërehet sidomos në disa qytete të mëdha, mbase për shkak të koncentrimit të madh të të ashtuquajturit pluralizëm të përcaktimit të shprehjes fetare, si dhe për shkak të keqkuptimit e këtij pluralizmi, sidomos nga kryesues të disa organizatave të huaja humanitare, të cilat nën maskën e ndihmës dhe të solidarësisë kanë arritur të koncentrojnë edhe një ndikim të tepruar të fesë apo sektit të caktuar, qoftë në ikonografi, qoftë edhe në forma të tjera të veprimit. Pjesa rurale e trojeve etnike të Shqipërisë nuk është prekur as sot nga fanatizmi fetar. Dhe, kjo përbën një fenomen të cilin e kishte identifikuar në kohën e tij dijetari i shquar shqiptar, Kristë Maloku. 
Mendimeve origjinale filozofike të këtij eruditi shqiptar duhet kushtuar shumë vëmendje, sepse në trashëgiminë e tij shkrimore, edhe pse ndonjëherë kontradiktore, ai ka prekur disa nga ato që me të drejtë i quan gërmim ndër mina të kombit, të cilat duhet të demontohen shkencërisht dhe me përgjegjësi, për të arritur në rezultate të caktuara. 
Identifikimi i këtyre “minave” kërkon vigjilencë dhe dituri shkencore, në mënyrë që nga e kaluara afirmative dhe e begatshme kombëtare të vilet nektari i kulturës autentike, e cila i ka përballuar me sukses shekujt e errësirës, të amullisë aziatike dhe të kozmopolitizmit imponues bashkëkohor. A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Prindi i ish presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi ka uruar që sa më parë të kthehen në Kosovë të gjithë që po mbahen në Hagë

Ish kryetari, Hashim Thaçi ka pritur sot në paraburgim prindërit e tij, Haxhi dhe Hyra …