Si trajtohen klientët, kryesisht nga Kosova, në hotelet e Llixhave të Elbasanit

Si trajtohen klientët, kryesisht nga Kosova, në hotelet e Llixhave të Elbasanit

Turizmi në Shqipëri, në decenien e fundit i ka dyfishuar e mbase edhe trefishuar përfitimet,   sidomos pas luftës në Kosovë dhe thyerjen faktike të kufirit  në vitin 1999, që i ndante për afër një shekull shqiptarët.

Pushuesit në bregdetin e Shqipërisë prej Velipojës e deri në Sarandë  janë të shumtë nga viti në vit, edhe për faktin se në 10 vitet e fundit shteti dhe kompanitë kapitaliste të përfitimeve e shfrytëzimeve të resurseve natyrore e të njerëzve, përgjithësisht,  kanë ngritur kapacitete gjigande në shërbim të turistëve, nga të cilët Shqipëria, (e radhitur në vendet e para të Evropës për ditët me diell),  realizon një pjesë të madhe të buxhetit e përfitimeve të Shtetit.

Përveç turizmit bregdetar e atij malor në dimër, në periudha të caktuara vjetore  janë në shërbim edhe sa e sa banja termike, të cilat vizitohen edhe  nga vendësit, por  shumë më tepër nga shqiptarët jashtë kufijve administrativë, nga “kosovarët”  sikur na  kanë quajtur dhe na quajnë, pa dallim të gjithë vëllezërit tanë, në Shqipëri.

Llixhat e Elbasanit, të njohura edhe si Banjat e Elbasanit,  ndodhen në Tregan pranë qytetit të Elbasanit. Këto burime janë të njohura dhe të përdorura, qysh  gjatë periudhës romake. Hoteli i parë i ndërtuar nga sipërmarrësit privat ka qenë ai i vitit 1932, i quajtur ” Hotel Park”, pronë e Grigor Nosit, ndërsa më vonë janë ndërtuar edhe hotele të tjera.

Në dhjetë vitet e fundit janë rritur tejmase kapacitetet pranuese të pushuesve dhe pothuajse të gjitha hotelet janë të mbushura përplot, me çmime në dukje reale, por për ne nga Kosova janë të njëjta për shkak se në vajtje ardhje me veturë, janë dyfishuar shpenzimet e naftës e të benzinës.

Ajo që kam vërejtur, në njërin nga hotelet ku kam qëndruar 10 ditë me bashkëshorten time,   dhe që u bie në sy të gjithë atyre që interesohen për më shumë të dhëna është, reduktimi minimal i fuqisë punëtore, duke përfituar kështu mbi kurrizin e klientëve. Në vend se të shpeshtohen hyrjet e qëndrimit në vaska ato janë kufizuar me vetëm njëherë në ditë dhe me qëndrim minimal, 5 deri në 10 minuta për 24 orë

Në këtë kohë llogaritet edhe zhveshja e veshja e klientëve. Ky shfrytëzim tejet minimal bëhet, mbase edhe në mungesë të ujit, por në radhë të parë, bëhet  për shkak të mungesës së personelit  që merret me shërbime për hyrje dhe dalje nga vaskat.

Nuk duhet ndonjë njohje e veçantë  e ujërave “shëruese” termike për të kuptuar se qëndrimi  mesatarisht 8 minuta në një vaskë,  sa mund t’ i ndihmojë klientit për 24 orë.

Po të ishte  qëndrimi në vaska dy herë në ditë nga 15 apo 20 minuta, edhe do të mund të besohej se do të arrihej  ndonjë efekt  shërues,  nga sëmundjet e shumta që propagandohen në muralet e hoteleve.

Në korridoret e mbushura përplot me  reklama propaganduese lidhur me dobitë dhe shërimin e sëmundjeve që kryesisht trajtohen nëpër vaska  nuk gjeni dot një rregullore të thjeshtë për të drejta dhe obligimet e pushuesve.

Ushqimi në mëngjes e në darkë është  dietal, me qumësht e kos përgjithësisht ndërsa ushqimi i drekës me shumë mish e yndyrë, mbushur me mëlmesa e shtesa të  ndryshme, sallata në drekë me tranguj  e pak domate…

Ajo që më së shumti i godet pushuesit e shumtë nga Kosova është mungesa e shitoreve dhe pamundësia për vetë-ushqyerje apo vetë përgatitje  të ushqimit.  Në tërë atë kompleks  me katër pesë hotele  të mbushur përplot, dhe me sa e sa apartamente e shtëpi ka pushues  me nevoja të veçanta të ushqimit, ka invalidë të shumtë me sëmundje specifike, që kërkojnë edhe ushqime konform diagnozave mjekësore. 

Arsyen pse nuk ka shitore nuk e di askush.

Tregu ambulant është i stërmbushur me rroba gjithë faresh sa duket se ia zënë frymën çdo këndi. Tregu i pemëve e perimeve është i varfër dhe me çmime dyfish më të larta sesa në tregjet e tjera. Një kilogram banane  të  gjelbra shitet mbi dy euro. Dardha vendore e pjekur mirë,  është edhe e  lirë por  gjendet   shumë rrallë.

Shërbehet edhe çaj i rusit, dhe të gjitha pijet e tjera.

Ata  që më së shumti i pengojnë shumicën e pushuesve  janë grupet shëtitëse të argëtuesve me daulle klarinetë  e def,  që ekzekutojnë me tërë fuqinë e instrumenteve e zërit, sidomos  kur vallëzojnë kalimthi  dhe këndojnë  “e jona Kosova e jona  Shqipëria” e këngë të tjera që nxisin disa nga  pushuesit kosovarë të futin duar në xhepa për të “sajdisur” argëtuesit që dalldisin vallet sikur të tregjet e Banglladeshit e vendeve të lindjes.

Prania e tyre  nëpër terë kompleksin e hoteleve  me nga tri e katër orë në ditë  me valle e ndonjë strofë kënge para hoteleve, përbën një dhunë dërrmuese  për të gjitha ata që kanë shkuar të pushojnë dhe të gjejnë,  sadopak.  qetësi e prehje shpirtërore,   sepse nëpër banja,  kudo dhe jo vetëm në Llixhat e Elbasanit,  nuk shkohet për argëtim e qejfe, për këngë e valle,  sikur shkohet në bregdet,  por shkohet për pushim e mundësisht edhe për pak shërim,  për të cilin flitet aq shumë por që lë shumë për të dëshiruar.

10 minuta në ditë në vaskë me ujë shërues, aq është caktimi që kanë paraparë  kapitalistët e hoteleve,  me të cilët është mbushur kudo Shqipëria.

Nuk janë më Llixhat e Elbasanit të  kohës së Socializmit ku pushonin gratis punëtorët e qytetarët për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Natyrisht se ishte një tjetër realitet atëherë, sot është koha e përfitimit, shfrytëzimit deri në palcë, madje duke të përcjellë me hare, me curle e lodër…

I vetmi gjest që më ka lënë përshtypje për të mirë është një si pijetore-qajtore, përballë hotelit, “Asllan Kuqja” ku përhapet  kënga burimore shqiptare, pa as edhe një këngë të vetme tallava, por me këngë e valle të zgjedhura nga të gjitha trojet shqiptare, me të cilën  çdo kush pushon bashkë me nostalgjinë e një kohe të perënduar dhunshëm e padrejtësisht. Por edhe ato këngë ngulfaten për disa orë në ditë nga brambullimat e daulleve. 

Meqë sipas prognozave të mia në Llixhat e Elbasanit ka më së shumti klientë nga Kosova por edhe nga trevat jashtë Shqipërisë, do të ishte e rrugës që këto banja të vizitohen edhe nga autoritete qeveritare të përbashkëta, të Kosovës e të Shqipërisë,  për të parë si trajtohen ata, cilat janë kërkesat e tyre, të drejtat dhe obligimet e pushuesve por në radhë të parë e mbi të gjitha të atyre që ofrojnë shërbime.

 

Ahmet Qeriqi

29. 10. 2022

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …