Silvi Halili: Enver Hoxha mbrojti familjen Gërvalla, pas vrasjes së Jusufit

33vjet pas vrasjes së tre veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, në Untergrupenbah të Gjermanisë, vazhdon të mbetet mister ky atentati.

Tashmë është e qartë se Shërbimi Sekret Jugosllav qëndron prapa vrasjes së tyre, por deri më tani nuk kanë arritur të kapen atentatorët.

 

Më poshtë vjen një shkrim të Revistës Gjermane Der Spiegel të botuar 8 ditë pas vrasjes së 17 janarit 1982. “Der Spiegel”, me 25 janar 1982 – Vrasës të panjohur vranë në afërsi të Hellbronnit tre jugosllavë.

 

Për autoritetet gjermane të sigurimit, masakra është një kulminacion i ri i luftës së nëntokës në mes të pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë jugosllav dhe të kundërshtarëve të shtetit shumëkombësh të Republikës Federative të Jugosllavisë.

 Pas kroatëve në ekzil, duket se qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve në ekzil të Republikës së Kosovës.

BMVV-ja e gjelbër 316 lëvizi prapa nga garazhi  Shoferi nuk deshi të kthehej në borë dhe e drejtoi automjetin prapa për 40 metra deri në një udhëkryq. Kur automjeti u ndal nën një ndriçim rrugor nga një kantier ndërtimi doli një burrë në anën e djathtë dhe nga largësia prej tri metrash shtiu në brendi të automjetit.

Një burrë i dytë shtiu gjithashtu, pastaj qëndroi prapa automjetit që përmes plasaritjeve të dritareve anësore të bindej për efektin e të shtënave.

Ishte e llahtarshme ajo që kishin parë banorët e “Habichtshöhe” të komunës Untergruppenbach afër Heilbronn- it natën në mes të së dielës dhe të së hënës të javës së fundit: automjeti katër cilindrash kishte lëvizur më tej me shpejtësi të lartë, shoferi kishte mbajtur këmbën ende në pedalin e gazit.

Pastaj me gjasë ai e kishte lëshuar freksionin… kishte vdekur. Automobili i pakontrolluar bëri një hark dhe u përplas në një derë të mbyllur të një garazhi. Rrotat e automobilit sharruan në borë; motori u shua; automobili u ndal. Në brendi të automjetit policia gjeti: – shoferin: Bardhosh Gërvalla  31 vjeç.

Jugosllavi i qëlluar nga gjashtë të shtëna ishte shtrirë i vdekur prapa timonit të automjetit, – bashkëshoferin e tij, Kadri Zeka, 28-vjeçar, i vdekur nga dy të qëlluara plumbi në pjesën e sipërme të trupit,- vëllanë e shoferit, Jusuf Gërvalla, 36, gjithashtu i qëlluar nga dy plumba, i plagosur dhe në rrezik jete.

Të tri viktimat u identifikuan shpejt dhe u klasifikuan edhe politikisht: jugosllavë në ekzil të përkatësisë etnike shqiptare nga krahina e Kosovës, në jug të shtetit ballkanik dhe të tre agjitues kundër qeverisë në Beograd.

Edhe për aktorët e krimit pati menjëherë të dhëna. Që në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdiq, pëshpëriti: “Kjo ishte UDB-ja”, Shërbimi sekret shtetëror.

 

Dymbëdhjetë herë ishte shtirë nga dy pistoleta të kalibrit 7.65 në tre burrat; dhjetë të shtëna i kishin goditur në zemër, mushkëri dhe në zverk. Një nëpunës në vendin e ngjarjes:

“E tëra duket si ekzekutim”. E tëra ishte në stilin tashmë të provuar të sigurimeve shtetërore, është i mendimit snaiperisti dhe instruktori policor nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner:

“Katër të shtëna duhet të qëllojnë – tri për ta gozhduar viktimën apo, nëse është në këmbë, për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për rezistencë dhe pastaj e shtëna pasuese duhet të jetë domosdoshmërish vdekjeprurëse”.

Edhe kjo flet për UDB-në. Jashtë vendit të tyre agjentët e Shërbimit të sigurimit dhe kundërshtarët e regjimit janë përfshirë qe sa vjet në konflikte të përgjakshme. 

Në shumë raste jugosllavët në ekzil kanë sulmuar me dhunë ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e vendit të tyre. Beogradi ndaj vrasjeve dhe terrorit ka reaguar shpesh me të njëjtat mjete. Si shesh i të shtënave ballkanike shërbeu edhe një herë Republika Federale e Gjermanisë dhe policia u tregua edhe një herë e pafuqishme t’u japë fund këtyre veprimeve. Përgjegjësitë janë të qarta.

 

 

 

 Beogradi iu druhet grupeve në ekzil si nxitëse të trazirave në shtetin shumëkombësh dhe i lufton ato. Vrasësit nga Shërbimi sekret kanë drejtuar pistoletat e tyre sidomos ndaj kroatëve në ekzil. Në shumë raste pjesëmarrja e Beogradit në vrasjen e kroatëve në ekzil është më se e qartë.

Për shembull: Kur kroati Franjo Goreta, vetë një ish-agjent i Shërbimit të sigurimit me urdhër vrasjeje në Republikën Federale të Gjermanisë doli nga radhët dhe e vrau një oficer udhëheqës, Beogradi nisi një komando ndaj tij. Ndaj Goreta-s, që porsa kishte kryer dënimin e tij me burg, njerëzit e UDB-së kryen një atentat, të cilit ai arriti t’i shpëtojë për pak.

Në procesin pasues ndaj tre aktorëve, gjyqtari shkroi në aktgjykim një apel, të paktën deri tash të kotë, drejtuar Bonn-it: “Është e papranueshme që në territorin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja me qëllim të zgjidhjes së problemeve të tyre të brendshme shtetërore”. Përveç kroatëve, duket se në thumb të organeve jugosllave kanë rënë edhe shqiptarë në ekzil.

Që nga pranvera e vitit të fundit, kur rezistenca në krahinën jugosllave të shqiptarëve të Kosovës u shndërrua në trazira të përgjakshme, Beogradi si nxitës akuzoi të huajt.  Sipas politikanëve beogradas, konflikti është dirigjuar nga shteti fqinj shqiptar dhe nga shërbimet besnike komuniste të Moskës, por edhe nga Republika Federale Gjermane.

Fakt është se vetëm në Baden-Württenberg jetojnë 2.000 shqiptarë jugosllavë, shumica prej të cilëve me azil politik. Mbi aktivitetet e tyre Konsullata gjenerale e Jugosllavisë në Stuttgart jo rrallë ka ankesa.

Kështu, për shembull, kur në pranverë të vitit 1981 u organizua një demonstratë, jo sa për të rënë kushedi sa në sytë e shqiptarëve, që kërkonin ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia, demonstruesit kur vërejtën se u fotografuan nga një shtëpi në të cilën ndodhej një shkollë jugosllave, hynë brenda dhe takuan aty përveç fotografit, edhe konsullin gjeneral jugosllav, Branko Dimitrijeviq.

 

Ata e morën filmin, të cilin, megjithatë, u detyruan t’ia kthejnë sërish policisë. Ky do të ketë mundur të jetë edhe shkaku i vrasjes së mëpastajme, sepse njëri nga të fotografuarit e mundshëm në atë film mund të ketë qenë edhe Bardhosh Gërvalla, shoferi i vrarë në Heilbronn.

Gërvallajt ishin të njohur në skenën e ekzilit. Vëllai Jusufi, i cili në “Tageszeitung” vetëm se ishte deklaruar për “luftën çlirimtare”, ishte edhe botues i një gazete në ekzil të njohur si “Zëri i Kosovës”.

Bardhosh Gërvalla kishte ardhur në Gjermani në vitin 1974. Koka politike e vëllezërve, të cilët ishin vendosur në Reinhaus në Untergruppembach në vjeshtë të vitit 1981, ishte pa dyshim Jusuf Gërvalla, i cili nga Konsullata Gjenerale në Stuttgart u akuzua zyrtarisht si drejtuesi i organizatës “Fronti i Kuq”, që lufton qeverinë jugosllave.  

 

Ka nisur demonizimi i Donika Gërvallës, e cila në një intervistë televizive inkriminoi dhe zyrtarë të Qeverisë në vrasjen e babait të saj si dhe bëri akuza në drejtim të Ramush Haradinajt e Albin Kurtit.

 

Kështu, politikanë e analistë kanë nisur një fushatë ndaj saj, e cila foli hapur për shumë tema përfshirë edhe krimin e korrupsionin në Kosovë. Por, në një shkrim të Salih Kabashit, publikohen foto dhe video, në të cilat shihet Donika në prehër të Enver Hoxhës, për të cilin e bija e Jusufit foli fjalë të këqija. Ndërkohë që Donika ka dalë në foto me Hoxhën në një kohë kur kjo ka qenë privilegj për çdo kosovar e patriot të asaj kohe. Ja çfarë thuhet në shkrimin e Salih Kabashit:

 “Është e kotë të merresh me diçka që është fund e krye spekulim, por nuk është e pavlefshme të thuhet se zonja Gërvalla-Schvvartz ka hedhur një koncentrat gënjeshtrash me të cilat një kohë të gjatë do të ushqehet opinioni ynë i etshëm dhe i djegur për të dëgjuar veç rrena. Bash pse ishte vajzë, dhe jo vajzë e kujdo, asaj i nevojitej shumë më shumë sojni.

Ajo foli krejt si ka folur Baci: mendjemadhësisht e trimërishto-budallakisht. Një negativizëm absurd, një prepotencë qesharake, përgjithësisht fjalë të pamatura e të pashije…, këto, për mua, janë të veçantat e një interviste të qytetares gjermane me prejardhje shqiptarekosovare- maqedonase, Donika Gërvalla Schwartz, dhënë një televizioni në Kosovë, të cilën nuk e kam shikuar por e kam lexuar.

More, aman, si nuk kishte përmendur kend për të mirë në krejt tundjeshkundjen e saj! Së paku shumë  aktivistëve në Gjermani, Zvicër e kahdo nëpër Evropë ajo iu ka borxh së paku falënderimin për pritjen, përkrahjen, mbështetjen e rritën e saj.

 

 

Le të mos ta falënderojë Enver Hoxhën që Gërvallajt e Jusufit i mbajti familjarisht në pëllëmbë të dorës

 

Le të mos ta falënderojë Enver Hoxhën që Gërvallajt e Jusufit i mbajti familjarisht në pëllëmbë të dorës. Dhe që edhe Jusufin, edhe pas vdekjes, e mbajti gjallë po ai regjim…

Ajo thotë se në dosjen e vrasjes së Jusuf Gërvallës gjenden emra të qeverisë së sotme të Kosovës… Po disa nga këta qeveritarë kur ka ndodhur vrasja mund të kenë qenë ende me pelena, moj zonjë! (Në mos pastë pasur në mend nënë Suzanën, e cila ende punon në njërën nga ministritë.

Dhe është e natyrshme se ajo me emrin e saj gjendet në të gjitha dosjet mbi atentatin, natyrisht e qartë: jo si e dyshuar…, por se, thjeshtë, ishte bashkëshortja e Jusuf Gërvallës.)

Është e kotë të merresh me diçka që është fund e krye spekulim, por nuk është e pavlefshme të thuhet se zonja Gërvalla-Schwartz ka hedhur një koncentrat gënjeshtrash me të cilat një kohë të gjatë do të ushqehet opinioni ynë i etshëm dhe i djegur për të dëgjuar veç rrena.

Bash pse ishte vajzë, dhe jo vajzë e kujdo, asaj i nevojitej shumë më shumë sojni. Ajo foli krejt si ka folur Baci: mendjemadhësisht e trimërishto-budallakisht. Më e tmerrshmja dhe më e dhimbshmja në krejt këtë mesele është se zonja Gërvalla- Schwartz, pos në vetërrënimin e saj, po bëhet edhe vetë (!) e dyshuar për vrasje të tre heronjve. Kështu ajo e Baci dyshimet mbi vrasjen i shtrinë në më shumë se gjysmën e Kosovës”.

 

 

Pacolli, i përfshirë në dosjen e vrasjeve

 

Sipas gazetës “Zëri i Kosovës”, më 15. 01. 2014, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, Donika Gërvalla, vajza e Jusufit, i vrarë para 32 vitesh në Untergruppenbach të Gjermanisë, bashkë me vëllanë Bardhoshin dhe bashkëveprimtarin Kadri Zeka, tha se në dosjen e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës ka edhe emra të Qeverisë aktuale të Kosovës.

“Emra të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës janë pjesë e dosjes hetimore, dhe përmenden në këto dosje”, – tha Ajo. Donika Gërvalla theksoi se Jusuf, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën i ka vrarë UDB-ja. “Atentati ishte kryer nga një grup profesionistësh.

Unë nuk kam njohuri për emra të tillë. Drejtësisë gjermane duhet t’i lihet t’i zbardh faktet” – u shpreh ajo. Ndonëse Donika Gërvalla nuk ka përmendur emra të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës që janë pjesë e dosjes hetimore, një burim që dëshiron të mbetet anonim, ka thënë se, në dosjen e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, është i përfshirë zv/Kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.

 

Sipas këtij burimi, Pacolli, ditën e vrasjes (më 17 Janar 1982) ka qenë në Tiranë, ndërkohë që vetura e tij, të cilën z.Pacolli e kishte deklaruar se ja kanë vjedhur, dyshohet se është përdorur gjatë kohës së vrasjes.

 

Behgjet Pacolli njihet si njëri nga biznesmenët më të fortë, me firmën “Mabetex – Project Engineering”, me seli në Lugano të Zvicrës. Në mars 2006 ai themelon “Aleancën Kosova e Re – AKR”, që fillimisht e ka cilësuar si organizatë biznesi, por me kalimin e kohës e shndërron në parti politike.

Ky biznesmen i njohur, më 4 janar 2006 (pikërisht në kohën kur në Vjenë po vazhdonin negociatat Prishtinë- Beograd, me ndërmjetësimin e Ahtisarit, për statusin e Kosovës) zhvillon një intervistë të gjatë (prej 8 faqesh) në gazetën serbe “Nedeljni Telegraf” me titull: “Sudbina regiona je u rukama Beograda: “Kosovo ne mozhe bez s’bije” – “Fati i rajonit është në duar të Beogradit:

 

Pacolli: “Kosova nuk mundet pa Serbinë”.

 

 Në këtë  intervistë të gjatë, kjo gazetë për herë të parë publikon edhe shumë fotografi të z. Pacolli, e në mesin e tyre publikon një fotografi me Mercedesin e tij (1980) dhe një foto, të dalë në vitin 1981 në Restorant “Dora” në Prishtinë, me UDBashin Selim Brosha, emri i të cilit shpeshherë është përmendur si njëri i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Madje edhe në procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviçit në Hagë, një dëshmitar i mbrojtur (ish-UDB-ash shqiptar) me Kodin K-6, në seancën gjyqësore të datës 10 qershor 2002 ka pranuar se në vrasjen vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla është përfshirë edhe punëtori i shërbimit sekret, Selim Brosha”, shkruan “Zëri i Kosovës”.

 

 

 

 Beogradi dirigjoi vrasjet

 

Ekzemplar është edhe aksioni i madh i ndërmarrë nga Shërbimi i Sigurimit Jugosllav në fillim të vitit që shkoi kundër bashkëkombësit të tyre të vënë në thumb, Rasim Zenelajt. Zenelaj ishte drejtues dhe arkëtar i”Besëlidhjes Demokratike Shqiptare”. Me të shtëna pistoletash ndaj kundërshtarit të regjimit, Zenelajt, i cili shpëtoi me lëndime të rënda, më 14 maj të vitit të shkuar, u bë me dije për herë të parë orientimi i ardhshëm kryesor i Sigurimit të fshehtë jugosllav.

Për ta shkyçur Zenelajn, Beogradi farkëtoi plane të kushtueshme, angazhoi agjentë të shumtë, mori përsipër bile rrezikun e futjes në komplotin e vrasjes edhe të përfaqësuesve konsullorë dhe të eksponimit të top-ndihmësve të heshtur. Ç’është e vërteta, plani dështoi.

Pjesëmarrësit arritën të ikin. Në procesin që po zhvillohet tash në Frankfurt ndaj atentatorëve të Zenelajt doli edhe një herë në shesh përzierja drastike e zyrtarëve jugosllavë në ndjekjet vrastare të emigrantëve.

 

 

 

Në fund të viteve të ‘70-ta një agjent i Shërbimit të fshehtë nga qyteza e Kosovës, Ferizaji, ishte ngritur në rang konsullor. Me emrin Salih Salihi, ai paraqitet menjëherë pastaj në shërbimin diplomatik të konsullatës së vendit të tij në Republikën Federale.

Së pari në Konsullatën Gjenerale në Hamburg, e më vonë në Konsullatën Gjenerale në Frankfurt. Aty u vendos si rojë me numër të letërnjoftimit ngjyrë hiri 6750. Në Frankfurt si nëpunës i lartë konsullor vepronte me numër të letërnjoftimit 6322 një tjetër agjent i shërbimit sekret, Svetozar Mirjaciq, i quajtur “Tozo”. Konfident i rangut të lartë të të dy shërbyesve ishte Rade Surla, më parë partizan dhe së fundi i etabluar si sipërmarrës ndërtimi në Frankfurt.

Surla i vizitonte shokët e konsullatës dhe i njoftonte për veprimet e njerëzve të ekzilit. Kështu, kujton shoferi i tij, kur Surla priste vizitë më tha: “Duhet treguar i vëmendshëm ndaj tij”. Njeriu i errësirës ishte gjenerali i Shërbimit të fshehtë, Milan Šašiq.     (Shekulli)

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …