MIT
mbpzhr 2018
Airport Adem Jashari
kek
Fillimi / Opinione / Skënder Sadri KAPITI: Edhe sot Shqipëria është “pengesë” për Kosovën
Skënder S. Kapiti

Skënder Sadri KAPITI: Edhe sot Shqipëria është “pengesë” për Kosovën

Shqipëria, kryeministri dhe qeveria e tij jo vetëm se janë për ndarjen e Kosovës, por e keqja akoma më e madhe është ajo se Kryeministri Rama, madje edhe hapur është tejet i angazhuar për ndarjen e Kosovës, bashkë me Presidentin e Kosovës dhe me atë të Serbisë. Dhe duhet që  si ai, dhe Mogherini, përfaqësuesja e Lartë e BE, ndërmjetësuesje e Lartë e BE-së në bisedimet  Kosovë-Serbi të shpallen persona non grata në Kosovë, pasi ajo u bë palë bashkë me Presidentin e  Serbisë, atë të Kosovës dhe me Kryeministrin e Shqipërisë në procesin e minimit të Shtetit të Kosovës, pasi me idenë për korigjim kufijsh, kjo si platformë synonte ta kthente gjëndjen e Kosovës në Statusin e saj të para vitit 1999, dhe për më tej si ide ishte edhe kundër  vlerave, frymës  dhe linjës politike të BE-së.

Dhe tjetra, është fakti se Shqipëria duke qenë problematike me eksodin, me krimin e organizuar dhe me drogën, asaj  nuk i hapen negociatat dhe rrezikon kthimin e vizave për shqiptarët e Shqipërisë, pra kthim prapa të saj  në procesin e integrimit në BE.

Dhe ajo akoma më e rëndë është fakti se Shqipëria në vënd që të ishte përkrahëse, ndihmë dhe shpresë për Kosovën, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Kosovës, ajo, pra Shqipëria, është bërë problem për veten e saj si dhe pengesë dhe problem serioz edhe për integrimin  dhe per liberalizimin e vizave  per qytetaret e Kosovës.

Në Berlin dështoi  komploti antiKosovë, komplot i cili fatkeqësisht kishte edhe mbështetjen dhe miratimin  e presidentit të Kosovës, por edhe të kryeministrit të Shqipërisë, dhe këta të fundit, të dy  duhet domosdo që të largohen e të japin dorëheqjen.

Në këtë komplot u përfshinë pra edhe shqiptarë, dhe  pro tij ishin  persona politik madje të nivelit më të lartë  të cilëve si moral u doli dhe rezultoi  interesi personal i tyre mbi atë shoqëror e nacional.

Tashmë në Berlin  u vertetua se “idea” për ndryshim kufijsh apo ndarje të Kosovës ishte “çorbë” e gatuar në Beograd me mbështetjen e Rusisë. Por ndonjë lugë të kësaj “çorbe” mesa duket kishin ngrënë edhe disa shqiptarë që fatkeqësisht nuk janë “dosido” por janë në majë të shtetit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës.

U desh këmbëngulja e forte e kryeministrit të Kosovës, R. Haradinaj dhe ndërhyrja e fuqishme e Kancelares së Gjermanisë Znj. Merkel që të pengohet tragjedia më e re e trojeve shqiptare, atyre të Kosovës, coptimi i saj.

Është çudi, se si ka mundësi që dy shqiptarë, kryesisht, kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Kosovës, si ka mundësi dhe ku e gjetën guximin që të nëpërkëmbin dhe të mos pyesin as për Kushtetutat e të dy shteteve shqiptare, as për interesin kombëtar dhe as për faktin se i gjithë kombi shqiptar kudo në dy shtetet shqiptare, në trojet e tyre kudo ata janë, dhe diaspora shqiptare janë kundër ndarjes së Kosovës.

Shqipëria politike e cila historikisht nuk ka qenë e preokupuar seriozisht  për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pra as të çështjes shqiptare në tërësi, prandaj është mirë përderisa  ka bërë të kundërtën duke qenë edhe pengesë për Kosovën në përpjekjet e Kosovës për të fituar liritë dhe të drejtat e tyre kombëtare dhe kundër vullnetit të shqiptarëve të Kosovës për bashkimin e tyre me Shqipërinë, do të ishte mirë që Tirana zyrtare sot të mos ndërhynte fare në çështjet e brëndshme të Kosovës.

Shqipëria, politika e saj pothuajse gjithmonë është interesuar vetëm për sundimin, për pushtetin dhe për korrupsionin dhe abuzimin me shtetin dhe me shoqërinë shqiptare në Shqipëri.

Politika e Tiranës në këto 100 vite nuk është se ka shkëlqyer në ndonjë aspekt me rëndësi kombëtare, as në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor e demokratik, as në zhvillimin civil dhe ekonomik, as në progresin e mirëqënies e të sigurisë, as në integrimin e brëndshëm dhe as në atë ndërkombëtar.

Si e tillë ajo, politika e Tiranës nuk ka punuar për interesin kombëtar dhe as nuk ka krijuar seriozitet, prestigj dhe as besim as te faktori ndërkombëtar.

Duke qenë e tillë, Shqipëria as nuk mund të ndikonte, dhe as nuk mundi asnjëherë që të mbrojë e madje as edhe ta ndërkombëtarizojë problemin gjithkombëtar shqiptar, pra as problemin e Kosovës. Dhe duke qenë si një shëmbull i tillë, Shqipëria ka ndikuar për keq dhe në dëm të Kosovës, pasi Shqipëria  duke qenë problematike për veten e saj nuk ka mundur që të zgjidhë as problematikën gjithshqiptare, pra as atë të Kosovës.

Edhe dje, Shqipëria dhe politika e saj ka qenë kundër historisë dhe kundër interesit kombëtar. Kjo pasi Tirana ka qenë rreshtuar si aleat dhe si “vëlla komunist” një herë me Titon e Jugosllavinë, pastaj me Stalinin e Rusisë dhe me Mao Ce Dunin e Kinës, dhe për 50 vite Shqipëria marksist-leniniste kishte si armik demokracinë perendimore.

Pra, a nuk ishte kjo politikë e Tiranës antihistorike dhe në dëm të kombit, pasi armiqt më të mëdhenj shqiptarët kanë pasur dhe kanë po ata, serbo-ruso-ortodoksët të cilët nuk e njohin por në aleancë strategjike pengojnë dhe lobojnë fuqishëm kundër Kosovës?!

Dhe aktualisht, pse kryeministri i Shqipërisë ndërhyn dhe “lobon” politikisht dhe diplomtikisht për ndarjen e Kosovës, kur tanimë kjo politikë dhe diplomaci është  objektiv serbo-rus dhe në dëm të Kosovës. Më qartë për këtë rol të kryeministrit shqiptar në ndarjen e Kosovës na e thotë Sonja  Biserko, Kryetare e Komiitetit të Helsinlit në Serbi  se: “Në të vërtetë Beogradi gjatë gjithë kohës ka kërkuar  partner në Tiranë dhe më në fund e ka gjetur atë: është kryeministri Edi Rama. Ato bisedime (për ndarjen) filluan para dy vitesh kur Rama ishte në Nish”- citon Biserko

Pra, 50  vite Tirana ideologjiko-komuniste ishte rreshtuar kundër historisë dhe interesit kombëtar. Dhe si rezultat, prej kësaj politike e pësuan shqiptarët e Shqipërisë por më shumë Kosova dhe shqiptarët e tjerë në trojet e tyre jashtë Shqipërisë londineze.

Por edhe gjatë këtyre 30 viteve tranzicioni, në Shqipëri politika e Tiranës gjithmonë e interesuar për interesa të ngushta, politika e saj mbeti gjithnjë kundraproduktive dhe problematike, konfliktuale, korruptive dhe e papërgjegjshme duke injektuar e ndikuar shëmbull të keq edhe te politika dhe te politikanët e Kosovës.

Politika e Tiranës  e mbajti Shqipërinë mbrapa në kohë dhe në moszhvillim demokratik, ligjor, pa mirëqënie dhe larg integrimit në BE, politikë e cila nuk ka se si të mos jetë pengesë edhe për Kosovën, përderisa Kosova priste të kundërtën, ndihmë dhe përkrahje nga Shqipëria.

Por cfarë ndihme e përkrahje mund t’i jipte Shqipëria Kosovës,  kur Shqipëria, politika e saj ishte dhe vazhdon të jetë problem i madh për vetë Shqipërinë.

Ajo edhe sot ka krijuar problematika për vetë Shqipërinë. P.sh. edhe aktualisht Shqipëria është bërë problem e shqetësim  në Europë për eksodin, për largimin e shqiptarëve dhe për kriminalitetin sidomos të kultivimit e të trafikimit të drogës si brënda Shqipërisë ashtu edhe nëpër shtetet e Europës.

A mundet vallë që Shqipëria në këto kushte të kontribuojë për liberalizimin e vizave të bashkëkombasve të saj në Kosovë, kur Shqipëria rrezikohet që asaj t’i kthehet regjimi i vizave për shkak të kërkesave të qytetarëve shqiptarë për azil, ku vetëm gjatë këtyre pak viteve të fundit nga Shqipëria për shkak të varfërisë dhe të papunësisë janë larguar nga Shqipëria mbi 400 mijë shqiptarë, dhe ku sondazhi i vitit 2018 tregon se 84% e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria?!

Shqipëria me deficite të mëdha demokratike, me deficite ligjzbatueshmërie; problematike me krimin e korrupsionin, me varfërinë; vënd i cili është zhytur në problematika si me trafikimin e drogës, krimin e organizuar dhe me korrupsionin  dhe për “eksportin” e kriminalitetit.

Jo vetëm se nuk mundet, por ky fakt përbën shkak dhe justifikim për disa politikanë të BE-së të cilët kundërshtojnë liberalizimin e vizave  për shqiptarët e Kosovës.

Kjo politikë e Tiranës është eksportuar edhe te politika e Prishtinës, pasi edhe ajo sillet, vepron e punon nën shëmbullin e asaj të Tiranës, ku për rrjedhojë edhe Kosova përballet me po ato fenomene krimi, korrupsioni, papërgjegjshmërie, padrejtësie, prapambetjeje , moszhvillimi e mosintegrimi.

Mirëpo, po të kishte qenë Shqipëria në rregull, e fortë dhe e konsoliduar patriotikisht, demokratikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht, diplomatikisht, dhe si një shtet i fortë ligjor, dhe po të kishte qenë Shqipëria antare e BE-së patjetër që do të kishte qenë edhe një ndihmë jashtëzakonisht e madhe për shtetndërtimin e Kosovës, për zhvillimin dhe integrimin e saj, për konsolidimin e shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës.

Dhe prandaj themi se përderisa Shqipëria nuk u forcua dhe nuk u konsolidua si shtet i fortë politikisht, diplomatikisht, patriotikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, as si shtet ligjor, as si demokraci dhe as e  integruar në BE, prandaj edhe nuk ka kontribuar dhe as nuk ka ndihmuar shtetin e Ri Shqiptar të Kosovës, por përkundrazi një gjëndje e tillë permanente paqëndrueshmërie në Shqipëri ka qenë dhe ka ndikuar e promovuar imazh  negativ edhe për Kosovën.

Pra moszhvillimi dhe prapambetja 100 vjecare  e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit, progresit, mirëqënies; mosndërtimi i shtetit ligjor, mosfunksionimi i drejtësisë dhe demokracisë, si dhe mosintegrimi europian i saj ka efekt negativ dhe pengues edhe për Kosovën.

Durrës, 4 Prill 2019

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Një sy i shkelur, një proces i dënuar

Kryeministri Haradinaj bëri atë që ia këkoi morali i burrështetasit dhe nderi i luftëtarit. Kohët ...