Smajl Latifi: Fjala ime në varrimin e dr. Hysen Sadriut

Fjala ime në varrimin e dr. Hysen Sadriut
—-
Të respektuar pjesëmarrës të kësaj ceremonie mortore, e pikëlluara familje Sadriu,
Është e natyrshme që dhimbja është e madhe sot për të gjithë ne, sepse edhe humbja është e madhe. Dhimbje ka familja e të ndjerit dr. Hysen Sadriut, të afërmit, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur e kanë punuar me të. Njerëzit që kontribuojnë shumë dhe pa u lodhur për të mirën e përgjithshme, duke ndihmuar shumë qytetarë, pacientë dhe të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmën e tij, lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive. Veprimtaria e dr. Hysenit, para së gjithash ishte njerëzore, sepse ishte një njeri i mirë dhe vinte nga një familje me traditë, nga familja Sadriu që i dha aq shumë atdheut. Duke qenë i tillë atë e karakterizonte edhe guximi për të vepruar dhe për të mos hequr dorë nga interesat e përgjithshme. Ndër cilësitë që e karakterizonin personalitetin e Dr. Hysenit ishte sinqeriteti, ndershmëria, parimësia e virtytet e larta morale e njerëzore. Këto cilësi i manifestonte në çdo moment të jetës e të punës, sepse një njeri si ai nuk kishte mëdyshje dhe hamendësime. Në fund të fundit, parimet morale janë vlera humaniste që nuk zhbëhen lehtë dhe ato të përcjellin në çdo hap të jetës. Ai u shërbeu pacientëve edhe atëherë kur ishte tepër e vështirë, edhe atëherë kur në QKUK ishin aplikuar masat e dhunshme nga Serbia, që e përdornin institucionin shëndetësor për të ushtruar veprime kriminale e gjenocidale. Të veprohet në ato rrethana, kur ishte e rrezikuar edhe vetë qenia e tij fizike, vërtetë që ishte guxim i madh. Vetëm njerëzit me shpirt human mund të arrinin deri në atë pikë sa të rrezikonin kaq shumë. Në ato rrethana tepër komplekse Ai ka shpëtuar jetë njerëzish të rëndomtë, të cilët i qenë mirënjohës dhe nuk mund ta harronin njeriun që vuri në rrezik jetën e tij për të shpëtuar të tjerët.
Të respektuar pjesëmarrës,
Dr. Hyseni kontribuoi për luftën tonë çlirimtare dhe e bëri punën e tij me faqe të bardhë dhe me ndershmëri. Ishte fisnik dhe shumë modest, e që asnjëherë nuk mburrej për bëmat e tij, ngase konsideronte se vetëm po e përmbushte misionin e tij fisnik, atdhetar e human. Këto cilësi vetëm sa i japin peshë figurës së tij prej humanisti e atdhetari. Kontributi i tij në avancimin e institucionit ku shërbeu ishte i dukshëm. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut krenohet me arritjet e doktor Hysenit, sepse ky institucion fitoi në peshë e eci përpara, për sa kohë punoi ai aty. Ai i dha kuptim edhe shkencës së mjekësisë, duke u dëshmuar për integritet të lartë njerëzor, për vlera dhe cilësi të larta profesionale, për besueshmëri dhe për ndershmëri.
Po kush është Hysen Sadriu?
Hyseni, si një djalë fshati i Stubllës, e nderoi emrin e tij, të familjes, të mësuesve të tij, të profesorëve të gjimnazit “Vëllezërit Fashëri” në Deçan, ku i mori udhëzimet e nevojshme se si të bëhet njeri i mirë, profesionist i respektuar dhe njeri i vlerësuar nga komuniteti i punëtorëve shëndetësor e më gjerë. Doktor Hyseni asnjëherë nuk i mjaftonin dituritë e arritura. Pas përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, studimet postdiplomike i vazhdoi në Universitetin e Zagrebit. U shërbeu bashkëvendësve të tij në Stubëll e kudo në fshatrat e Rekës së Keqe, e pastaj vijoi në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Kontributi i tij do të vlerësohet e çmohet në QKUK, respektivisht në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, sepse aty shpëtoheshin shumë jetë njerëzish. Dhe për një profesionist me shpirt të madh, siç ishte Dr. Hysen Sadriu, nuk kishte kënaqësi më të madhe se shpëtimi i një jete njeriu. Dhe të shumtë qenë ata që ia besuan jetën e tyre doktor Sadriut, e ai nuk i zhgënjeu. Ai i ndihmoi edhe shumë ushtarë të UÇK-së, ai trajtoi edhe mësuesin e nderuar që e vrau Serbia, mësuesin Halil Geci, vrasja e të cilit, kulmoi me urrejtjen ndaj pushtuesit dhe ndezi zjarrin e popullit shqiptar liridashsë, ngriti në këmbë djemtë dhe vajzat që do të rreshtohen në UÇK, momente që i pamë të gjithë në varrimin e mësuesit nga Llausha. Ai u shërbeu edhe luftëtarëve të UÇPMB-së e të UÇK-së (Kombëtare), që të shërohen nga plagët e luftës dhe ta vazhdojnë jetën e të punojnë për interesin kombëtar. Prandaj, doktor Hyseni do të mbetet ikonë e njerëzve të zakonshëm që nuk kishin miq apo para dhe si i tillë do të nderohet e kujtohet.
Ngushëllime familjarëve të doktorit, miqve, të afërmëve dhe të gjithë qytetarëve nga Stublla, Reka e Keqe, Gjakova dhe qytetarëve e bashkëkombësve tanë!
Mbahuni të fortë!
I paharruar qoftë kujtimi për doktor Hysen Sadriun!
Të qoftë i lehtë mbi varr dheu i tokës shqiptare, dr. Hysen Sadriu!
Lavdi emrit dhe punës që na le amanet!
—-
Stubëll, Komuna Gjakovë
Më: 25 maj 2024

Kontrolloni gjithashtu

Myzejene Selmani: Kjo qeveri ka shkatërruar Aviacionit Civil të Kosovës

Kjo qeveri, që nga fillimi i saj për motive politike, ka shkatërruar institucionin më të …