Smajl Latifi: FLAKADANËT E PASHUAR, SKËNDER REXHEPI DHE FITIM DURAKU

Fjala ime në 25-vjetorin e përjetësimit të heronjve Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku
(Homazhe në kompleksin përkujtimor në Krushë të Madhe dhe në vendin e rënies mbi fshatin Fortesë)
FLAKADANËT E PASHUAR, SKËNDER REXHEPI DHE FITIM DURAKU
Sot, përkujtojmë një ngjarje të dhimbjes krenare.
Jeta është vetëm një udhëtim. Që të mos humbet rruga, kërkohet një orientim i qartë në kohë dhe hapësirë. Për ecjen tonë të sigurt dhe të drejtë, kërkohet që të orientohemi në rrugën e nderit e të krenarisë që e ndoqën të parët tanë.
Më 21 janar të vitit 1999, një rrugë të tillë e mision të rëndësishëm, të vështirë, por të domosdoshëm, e kishin nisur luftëtarët e lirisë, Skënder Rexhepi- Komandant HEKURI, Fitim Duraku, drejtues, organizator dhe pjesë aktive e shumë veprimeve luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Mustafë Bajraktari, veprimtar dhe luftëtar i përkushtuar në rrugën e lirisë (vdiq pas luftës), si dhe Xhavit Elshani, ish-komandant i njësitit “Syri i Shqiponjës” të Br.124. Ata, pasi e kishin mbushur makinën përplot me armë, predha dhe municione, që kishin destinacion ZOD-në dhe mbështetjen për Komandantin e saj, Ramush Haradinajn, diku mbi fshatin Fortesë (Bellacërkë), përballen me pusinë e organizuar të forcave serbe. Në përballje me forcat serbe të pritës, do të bie në fushën e betejës, komandant “Hekuri” dhe do të plagosen rëndë e lehtë, Fitim Duraku, Xhavit Elshani dhe Mustafë Bajraktari. Makina e mbushur me armë, predha dhe municione do të marrë flakë dhe do të digjet terësisht. Si pasojë e eksplodimit të makinës, nga plagët e marra, do të kalojë në amshim, Skënder Rexhepi.
***
Skënder Rexhepi është veprimtari i cili i shërbeu me besnikëri dhe tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Ai ishte i organizuar në grupe ilegale atdhetare qysh në vitet `80-ta. Rrugën e lirisë si veprimtar i shquar i LPRK-së, dëshmori Skënder Rexhepi e kishte zgjedhur me vetëdije të plotë, i ndërgjegjshëm plotësisht, se është e vështirë, e mundimshme, por gjithsesi rruga e vetme e nderit dhe e krenarisë. Asnjëherë nuk u shmang nga ruga e lirisë dhe pa u lëkundur, eci e kurrë s’u ndal për qëllimin dhe idealin e lartë të lirisë. Vepra e tij jetësore është e mbushur me plot përpjekje dhe përkushtime të veçanta. “Hekuri” kishte punuar për një periudhë të gjatë për kryengritjen, për organizimin dhe mobilizimin e shqiptarëve në rrugën e luftës së armatosur çlirimtare. Pra, “Hekuri”, jo rastësisht do të marrë përsipër përgjegjësi dhe detyra, të cilat do t`i arsyetojë dhe kryejë me nder. Nofka luftarake “Hekuri”, i përgjigjej plotësisht Skënderit.
Veprimtaria e Skënderit është e shtrirë edhe në Universitetin e Prishtinës, si në Fakultetin e Bujqësisë e te kolegët e tij të profesionit e më gjerë, i cili me punë ka krijuar shokë gjithandej dhe ka mbjellë farën e lirisë kudo.
Komandant Skender Rexhepi ka kryer misionin e luftëtarit të lirisë me nder dhe përgjegjësi, duke u bërë shëmbëlltyrë ndër breza për të cilët la amanet veprën jetësore dhe atdhetare. Një fshat i vogël siç është Mrasori, i dha shumë luftës për liri, nderoi kombin duke ia falë birin e tij, Skënder Rexhepin, përjetësoi emrin që i bën krenarë shqiptarët kudo që ndodhen.
***
Fitim Duraku – FITA, do të mbahet mend përherë si student i mirë i gjeografisë. Ishte i gjallë, dinamik, i përcaktuar qartë për të shtegtuar pa u tundur në rrugën e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar. Ai qysh si i ri do të bëhet pjesë e veprimtarisë ilegale atdhetare, duke qenë aktivisht dhe shumë i përkushtuar në radhët e LKÇK-së. Fitimi ishte gjithnjë i kthjellët si kristali, i vendosur në idealet e larta të lirisë e i shoqërueshëm me shokët e luftës dhe të veprimtarisë.
Dëshmori Fitim Duraku, bashkë me Enver Durakun, Bekim Gashin, Hida, Ismet, Isak, Sedat dhe Sinan Hotin, pastaj me Hysni Durakun, Muhamet Malsorin, Dalip Behrën, Ismail Gashin, Shukri e Xhemajli Hotin, Agim e Sami Nallin, Agim e Ragip Hotin, Nijazi Gashin etj., që të gjithë dëshmorë të lirisë dhe me shokë e bashkëveprimtarë të rënë e të gjallë gjithandej trojeve tona, bënë një punë të shkëlqyer në përgatitjen, organizimin dhe mobilizimin e njerëzve që do ta bëjnë më pas UÇK-në një vlerë dhe arritje të madhe kombëtare, që ndryshoi përgjithmonë rrjedhat e historisë sonë. Ky brez atdhetarësh të udhëhequr nga mendjendrituri dhe atdhetari i guximshëm, profesor Ukshin Hoti, do ta përjetësojnë me gjak e dhimbje emrin e tyre në analet e historisë më të re të popullit tonë.
Fitim Duraku është njëri nga gurët më të çmuar dhe më të fortë në kalanë e luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Kurrë nuk do të harrohet fakti se, Fitim Duraku, edhe pas plagëve të marra mbi fshatin Fortesë, do të qëndrojë i pathyeshëm, ashtu si trimat qëmoti, për gati tre muaj rresht. Asnjë ofshamë nuk e lëshon Fitim Duraku gjatë tre muajve sa ishte i shtrirë në spitalin ushtarak të Pagarushës.
Fitimit të plagosur, mbi kokë do t`i rrijë baca Islam, një njeri me zemër bujare, mbështetës i madh i djemve të luftës dhe i çështjes së lirisë, i cili, dy ditë para fillimit të aksionit të forcave ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, përderisa erdhi në shtëpinë e tij vetëm sa për t`i ndërruar rrobat, u vra më 26 mars 1999, bashkë me 4 vëllezërit e tij, Muharremin, Eqeremin, Ismetin, Isretin dhe djalin e Muharremit-Agimin, si dhe shumë bashkëfshatarë të tjerë në Krushë të Madhe). Baca Islam do të përkujdeset jo vetëm për Fitimin, të cilin e kishte djalë, por edhe për luftëtarë të tjerë të plagosur në vijat e frontit të luftës.
***
Më datë 4 prill 1999, do të pushojë së rrahuri zemra dhe do të fluturojë në përjetësi shpirti i madh kryengritës i Fitim Durakut. Një ditë më parë, më 3 prill 1999, do ta fitojë pavdekësinë edhe shoku i tij i punës dhe i luftës, Enver Duraku, dëshmor i kombit.
***
Skenderi dhe Fitimi janë simbol i rezistencës, i përkushtimit dhe i vendosmërisë së pashoqe në luftën e lavdishme për liri. Ata u flijuan për idealin e lirisë dhe të bashkimit, për përparimin dhe dinjitetin tonë kombëtar e njerëzor. Pas vetes lanë një veprimtari të bujshme jetësore, e cila do të kujtohet dhe nderohet brez pas brezi.
***
Dëshmorët e atdheut, Skender Rexhepi, Fitim Duraku dhe të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e këtij nënqielli, janë yje të pashuar të lirisë. Ata janë fanar që ndriçojnë rrugën tonë.
Ne që mbijetuam luftën, e kemi për detyrë dhe për nder që të përpiqemi të ecim me hapa dinjitoz në rrugën e trasuar me gjak e jetë, në mënyrë që të përmbushim idealet e dëshmorëve.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Skënder Rexhepin dhe Fitim Durakun!
Lavdi jetës dhe veprës së tyre!
Smajl LATIFI
Krushë e Madhe – Fortesë

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Edhe në Nabërgjan, si anembanë Kosovës, ka shumë dhimbje por edhe krenari

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë nderime  në vendin ku pushojnë dëshmorë e martirë …