Brickos

Sot shënohet 22 Prilli, Dita e Tokës

Sot shënohet 22 Prilli, Dita e Tokës

Pandemia Covid-19 e bëri të vështirë punën në zonat e mbrojtura, por gjithashtu vuri në dukje rëndësinë për ruajtjen e natyrës

Prishtinë, 22 prill 2021 – Pandemia Covid-19, e cila preku pothuajse të gjitha aspektet e jetës dhe solli sfida të shumta shëndetësore, sociale dhe ekonomike, tregoi edhe një herë pasojat e qëndrimit të papërgjegjshëm të njeriut ndaj natyrës. Në Ditën e Tokës, Organizata Botërore për Mbrotje të Natyrës WWF dhe Parqet Dinarides, rrjeti i zonave të mbrojtura Dinaride, kryen një hulumtim/raport që konfirmoi se tashmë ka shumë tregues të ndikimit të drejtpërdrejtë të pandemisë në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe nevojën për financim më të qëndrueshëm të tyre.

“Pandemia na ka konfirmuar se sa të prekshëm jemi, si njerëzit ashtu edhe natyra janë të ndërlidhura si dhe ndikimi ynë negativ në botën natyrore rrit rrezikun e krizave të tilla shëndetësore. Duke vepruar me përgjegjësi ndaj natyrës dhe duke ruajtur ekosisteme të shëndetshme, ne zvogëlojmë rrezikun e pandemive të reja dhe pasojat që ato sjellin. Në të njëjtën kohë, ne pamë sa kanë rëndësi zonat e mbrojtura për ne sepse shumë njerëz vërshuan në natyrë gjatë pandemisë. Shpresojmë se tani do të bëhemi më të përgjegjshëm në mbrojtjen e tyre”, thekson Goran Sekulić nga WWF Adria, duke komentuar rezultatet e këtij raporti të botuar sot.

Efektet e pandemisë dhe qëndrueshmëria e saj shkaktuan nevojën për të rregulluar buxhetet kombëtare dhe për të drejtuar fonde për shëndetin dhe mbrojtjen e qytetarëve, dhe duke pasur parasysh mbështetjen tashmë modeste të shtetit për zonat e mbrojtura, si dhe masat shtrënguese pritej t’i vinin menaxherët e zonave të mbrojtura në një pozicion edhe më të vështirë.

Zoran Mrdak – kryetar i Parqeve Dinaride, thekson se menaxhimi i zonave të mbrojtura është shumë sfidues edhe në situata të rregullta dhe kërkon përmirësime të vazhdueshme dhe investime në kapacitetet e menaxherëve.

“Pandemia na ka zbuluar të gjitha dobësitë e sistemeve ekzistuese të menaxhimit dhe nevojën për mbështetje shtesë. Qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve në mbrojtjen e natyrës duhet të jetë parandalimi i ndikimit negativ të pandemisë në burimet natyrore, parandalimi i përdorimit intensiv dhe të paqëndrueshëm të zonave të mbrojtura për sanimin afatshkurtër të deficitit ekonomik, si dhe zhvillimi i njohurive specifike dhe aftësive me të cilat punonjësit do të jenë në gjendje t’u përgjigjen sfidave të shumta në aktivitetet e përditshme të tyre”, thekson Mrdak.

Zonat e mbrojtura në rajonin e Dinarides janë destinacione shumë tërheqëse turistike, për turistët vendas dhe të huaj dhe si të tilla kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale. Për shkak të tendencave negative ekonomike dhe turistike të shkaktuara nga pandemia, WWF dhe Parqet Dinarides paralajmërojnë se mund të ndodhë shfrytëzim i paqëndrueshëm i burimeve të tjera natyrore në zonat e mbrojtura. Gjatë vitit të kaluar, shumë zona të mbrojtura kanë pasur një numër të konsiderueshëm të rritur të vizitave turistike në familje. Kjo vetëm konfirmoi potencialin e madh turistik të këtyre zonave, por gjithashtu tregoi se një numër i madh i zonave tona të mbrojtura nuk janë të gatshme t’u përgjigjen këtyre presioneve sepse ato nuk kanë kapacitete adekuate për të menaxhuar vizitorët dhe për të zhvilluar dhe zbatuar programe promovimi dhe edukimi.

Në anën tjetër, zonat e mbrojtura, pra natyra e ruajtur, janë një zgjidhje e mundshme për pandemitë potenciale në të ardhmen. Qeveritë duhet ta njohin këtë si një përparësi dhe të tregojnë një shkallë më të lartë të proaktivitetit në vlerësimin e situatës dhe shkëmbimin e informacionit me zonat e mbrojtura dhe një fleksibilitet më të madh në zbatimin e mekanizmave për financimin dhe sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për zonat e mbrojtura, e cila do të mundësojë realizimin e mëtejshëm të të gjitha funksioneve e tyre.

            • FUND –

Për më shumë informata:

Krenare Salihu, WWF Adria, [email protected] ; +383 44 424 810

WWF:

WWF është njëra nga organizatat e pavarura më të mëdha dhe më të shquara të ruajtjes së natyrës në Botë, me gati pesë milion mbështetës dhe një rrjet global aktiv në më shumë se njëqind vende. Misioni i WWF është të ndalojë përkeqësimin e mjedisit natyror të tokës dhe të ndërtojë një të ardhme në të cilën njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën duke ruajtur biodiversitetin e botës dhe duke siguruar që përdorimi i burimeve natyrore të ripërtritshme të jetë i qëndrueshëm, duke promovuar uljen e ndotjes dhe konsumin e kotë. Për informacione shtesë: https://www.wwfadria.org/

Parkqet Dinaride:

Parqet Dinaride përfaqësojnë një rrjet prej 95 zonash të mbrojtura nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia dhe Sllovenia. Anëtarët e Parqeve të Dinarides janë gjithashtu individë, adhurues të natyrës dhe miq të rrjetit. Shoqata zyrtare “Parqet Dinarides – Rrjeti i Zonave të Mbrojtura Dinarides” u krijua në Podgoricë në fund të vitit 2014, me selinë e saj në Podgoricë. Më shumë informacione në: https://parksdinarides.org/en/about_us/

 

Kontrolloni gjithashtu

Shfaqet dokumentari, “Mustafë Bahtiri, mësues atdhetar, fisnik dhe dinjitar"  dhe promovohet libri i autorit Prof. Dr. Jusuf Osmani: “Mustafë Bahtiri – Pishtar i Arsimi”

Shfaqet dokumentari, “Mustafë Bahtiri, mësues atdhetar, fisnik dhe dinjitar”  dhe promovohet libri i autorit Prof. Dr. Jusuf Osmani: “Mustafë Bahtiri – Pishtar i Arsimi”

Të enjtën me 25 prill 2024, duke filluar nga ora 11:00, në sallën e Kulturës …