Brickos

Spanjolli Borell e sllovaku Lajçak i hakmerren Hashim Thaçit për shkak të bisedimeve në Uashington dhe jo në Bruksel

Spanjolli Borell e sllovaku, Lajçak, i hakmerren Hashim Thaçit për shkak të bisedimeve në Uashington dhe jo në Bruksel

Publikimi i aktakuzës nga Prokuroria e Gjykatës Speciale kundër kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dy ditë para fillimit të bisedimeve të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë,  në Uashington, nuk është ndonjë rastësi as koincidencë e rastit, por thjesht një ndikim politik i BE-së mbi Prokurorinë, ashtu sikur ndodhi presioni edhe kundër ish kryeministrit të  Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për shkak se nuk e kishte hequr taksën kundër mallrave të Serbisë, ishte akuzuar nga Gjykata Speciale për gjoja krime luftë në Kosovë, pavarësisht se Haradinaj dy herë ishte akuzuar nga Gjykata e Hagës dhe dy  ishte  shpallur i pafajshëm dhe ishte liruar nga Gjykata. Ai sërish ishte ftuar po për të njëjtat akuza.

Shpallja e aktgjykimeve të para, në mesin e afër 200 të akuzuarve nga Prokuroria e Gjykatës Speciale  nga radhët e eprorëve  dhe ushtarëve të  UÇK-së, tregon vetvetiu se është vendim politik i krerëve më të lartë të BE-së, të cilët madje kanë akuzuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përzierje në punën e BE-së lidhur me Kosovën.

Me këtë rast shtrohet pyetje, sa mund të jetë e drejtë dhe e paanshme një gjykatë speciale vetëm kundër UÇK-së, që pretendohet se ka kryer krime kundër policisë dhe ushtrisë kriminale të Milosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por  nuk ka  një gjykatë speciale kundër kriminelëve serbë të cilët kanë vrarë e kanë masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, boshnjakë, kroatë e të tjerë gjatë dhjetë viteve të fundosjes së Jugosllavisë.  Evropa nuk ka themeluar gjykatë Speciale për 8.000 mijë boshnjakë të vrarë,  gjatë dy ditëve, në Srebrenicë, 25 vjet më parë nga serbët e Milosheviqit, Karaxhiqit dhe Mladiqit.

Publikimi i lajmit për ngritjen e aktakuzave kundër kryetarit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nga disa analistë po komentohet si gjest i mirë i Gjykatës, për dështimin e bisedimeve Kosovë Serbi, në Uashington, meqë disa qarqe në Evropë nuk duan të bisedohet lidhur me ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve. Instruktorët e këtyre projeksioneve, mundohen të na binin se Gjykata Speciale edhe kur vepron kundër luftës së UÇK-së, këtë e bën për të mirën e Kosovës.

Po pikërisht këta ish-bashkëpunëtorë të hershëm e të vonë të regjimeve serbe, në vazhdimësi kanë akuzuar kryetarin Hashim Thaçi se ka lidhje të fshehta me Serbinë dhe iu ka nënshtruar Vuçiqit, me qëllim të mos ndjekjes nga Gjykata Speciale. Madje disa e kanë paraqitur edhe si vëlla të Vuëiqit. Po ashtu, disa krerë të partive politike  kryetarin, Hashim Thaçi në vazhdimësi e kanë akuzuar se është servil i Evropës dhe po bën pazare kundër pavarësisë së Kosovës, me qëllim që vetë të shpëtojë nga Gjykata Speciale, edhe pse dihej botërisht se kjo gjykatë raciste e fashiste, shënjestrën kryesore e kishte dhe e ka Hashim Thaçin, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandantë të Zonave dhe luftëtarët më të dalluar të UÇK-së.

Grushti, që Borelli dhe Lajçaku i kanë dhënë kryetarit të Kosovës, Hashim  Thaçi, ka për qëllim që bisedimet në Uashington të dështojnë dhe të rikthehen sërish, në Bruksel për të vazhduar edhe 20 vjet të tjera, krejt derisa t’ i plotësohen të gjitha kërkesat Serbisë. BE-ja pretendon që në të ardhmen ta krijojë një klasë politikanësh shqiptarë me prejardhje të bashkim vëllazërimit, të cilët do të pranonin të bashkëjetonin dhe të bashkë-qeverisnin me Serbinë, në mënyrë që Serbisë t’ i kthehej, “nderi i humbur” nga  bombardimet e NATO-s, në mars, prill, maj, qershor të vitit 1999 me të cilat nuk janë pajtuar shtetet e Evropës, për veç Britanisë së Madhe.

Sot, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Serbi, William Montgomery, ka reaguar pas aktakuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Ai tha se publikimi i aktakuzave është një shembull tjetër i zgjerimit të hendekut në mes të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe sipas tij publikimi i aktakuzës para takimit të caktuar në Washington nuk është diçka e rastësishme. “Askush nuk do të besojë se është rastësi”, ka thënë Montgomery për mediet në Serbi.

Ndërkohë, bashkë-kryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Carl Bildt, nuk habitet nëse përpjekjet për të zhbërë Gjykatën Speciale do të shtoheshin tash, kur janë ngritur aktakuzat për kryetarin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai e ka pyetur kryeministrin Avdullah Hoti, pse pikërisht në këtë kohë, para takimit Kosovë – Serbi, që ishte paraparë të mbahej për 27 qershor, në Uashington, Prokurori Special ka publikuar aktakuzën. “Pse Prokurori Special vendosi që tash, papritmas, të bëjë publike aktakuzën kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi? Ndoshta ai kishte indikacione se Thaçi po përpiqej të mobilizonte Shtëpinë e Bardhë për të mbyllur Gjykatën Speciale. Unë nuk do të habitem nëse përpjekjet e tilla tash do të intensifikohen”, ka shkruar Bild, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.

Opinionet në vend, për dhe kundër Gjykatës Speciale janë polarizuar skajshëm

Në anën tjetër opinionet në vend, për dhe kundër Gjykatës Speciale janë polarizuar skajshëm. Krerët e veteranëve të luftës janë gjetur të papërgatitur për t u dalë në mbrojtje dy protagonistëve ndër më kryesorët të luftës së UÇK-së por edhe të shtet-nderimit të pas luftës në Kosovë, sikur janë:  Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Kreu i OVL-UÇK-së ka shprehur pakënaqësi dhe nuk ka përjashtuar  protesta paqësore, natyrisht pa treguar kohën sepse nuk ndihet fare i sigurte në veprimet e tilla.

Veteranët e vërtetë, duhet të tregojnë mospajtimin e tyre kategorik kundër krejt kësaj nëpërkëmbjeje të luftës së shenjtë të UÇK-së, të cilën me 90 për qind të efektivit ushtarak dhe tërë logjistikën e përkrahu Amerika dhe Anglia, në intervenimin  e NATO-s, në vitin 1999.

Do të ishte me vend edhe takimi i të gjithë eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë ftuar dhe kanë dhënë deklarata në Prokurorinë e Gjykatës Speciale, që të marrin një qëndrim unik, t’ i përgjigjen apo jo,  ftesave për gjykim. Në një rast të tillë Gjykata do të shpallej e papranueshme, ndërsa ajo përmes mekanizmit të vet do të fillonte arrestimin e tyre, ashtu sikur kishte bërë Serbia në kohën e vet. Mos-përgjigjja  do të thotë edhe mosnjohje. Mos- pranimi i Gjykatës nënkupton edhe mbrojtjen në heshtje, pa folur asnjë fjalë. Këto veprime, jo vetëm që e dëmtojnë Gjykatën Speciale, por e vënë në pikëpyetje krejt punën dhe kredibilitetin e saj.

Tash po shihet qartë ajo që e kemi shkruar dhe e kemi thënë sa e sa herë në Radion-Kosova e Lirë se kjo Gjykatë nuk është formuar sa për sy e faqe, ashtu sikur kanë menduar dhe mendojnë shumë mendjelehtë, në mesin e të cilëve edhe mjaft të papërgjegjshëm dhe me deklarata naive,  si ato se  Gjykata do të dështojë, pasi ata e paskan mbrojtur luftën për mrekulli gjatë dhënies së dëshmive.

Tani të gjitha ata që janë ftuar, në mesin e tyre jo pak edhe në cilësi të dëshmitarëve, qoftë për dëshmi konkrete lidhur me organizimin dhe zhvillimin e luftës, qoftë edhe dëshmitarë kundër bashkëluftëtarëve të tyre, duhet të jenë unik në qëndrime, nëse vërtetë duan ta dëshmojnë pastërtinë e luftës së UÇK-së, sepse në rastin konkret nuk po akuzohen individë të veçantë, sikur thotë Sali Berisha, Vjosa Osmani dhe disa politikanë të tjerë në vend e më gjerë, por është akuzuar kreu komandues dhe ai politik i luftës, komandantët e zonave dhe shumë prej autoriteteve më të larta të luftës, të cilëve ndërkohë do t u dorëzohen aktakuzat dhe shumë prej tyre edhe do të paraburgosen.

 

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca e katër ndaj 11 veteranëve të UÇK-së

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …