Brickos

Spartak Braho

Spartak Braho: Dëshmitë e Ali Anadollit, një punonjës i respektuar ish-Sigurimit të Shtetit, duhet të jenë objekt i Prokurorisë

Pjesa e dytë e intervistës së Xhevdet Shehut,  me deputetin, Spartak Braho, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare)

 

– Zoti Braho, pjesa e parë e intervistës me ju ditën e djeshme, ka pasur një jehonë të madhe, jo se këto gjëra nuk janë diskutuar ndonjëherë në shtyp, por sepse ju jepnit një dëshmi në dorë të parë. Me sa kam kuptuar nga reagimet, interesimi ka lidhje me dëshminë që ju sillnit nga dorëshkrimi i operativit të ish-Sigurimit të Shtetit Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar zotin Berisha si agjent në vitin 1967, me pseudonimin “Penicilina”. Keni të dhëna të tjera nga shënimit apo dëshmitë e këtij operativi?

– Më vjen mirë për interesimin që ka ngjallur kjo intervistë. Edhe mua nuk më ka pushuar telefoni dje gjatë gjithë ditës. Lexues, të njohur e të panjohur të DITA-s, kërkonin se çfarë do të sjellim në pjesën e dytë të kësaj interviste…

 

– E pra, çfarë ka mbetur ende pa thënë nga shënimet e operativit Ali Anadolli?

– Janë shumë gjëra. Ju duhet t’i kushtonit disa numra gazete asaj dosje, por kjo është thuajse e pamundur. Dëshmitë e Ali Anadollit, një punonjës i respektuar dhe i besueshëm i ish-Sigurimit të Shtetit,  tashmë duhet të jenë objekt i Prokurorisë. Megjithatë, për kuriozitetin tuaj dhe të lexuesve të nderuar të gazetës DITA, unë po ju tregoj ca gjëra më shumë.

Nga operacionet e Sigurimit të Shtetit është zbuluar veprimtaria agjenturore e Rexhep dhe Milica Ramës në shërbim të UDB-së, gjë që vërtetohet nga dosja prej 1200 faqesh e Rexhepit dhe prej 700 faqesh e Milicës, dosje këto që ndodhen në arkivin e SHISH. Kur erdhi në pushtet, Sali Berisha nuk arriti t’i zhdukte por me anë të Gazidedes mundi të zhdukte dosjen e tij. Edhe Gazidede ishte i rekrutuar nga UDB-ja, i tërhequr në bashkëpunim kur ishte mësues në Peshkopi. Jo më kot Berisha i dha këtij personi pushtet të pakufishëm më 1997-n. Ai dinte shumë për të. Bashkë me Gazideden, Sali Berisha ka zhdukur edhe shumë dosje të tjera, të cilat i janë dorëzuar UDB-së. Fatmirësisht, të dhënat e mësipërme për lidhjet familjare të Sali Berishës dhe gruas së tij, janë botuar edhe në gazetën kosovare “ Koha Ditore” në vitet 1997-1998.

– Zoti Braho, le të kthehemi edhe njëherë para viteve ’90, në kohën kur Sali Berisha ka qenë mjek. A ka hije dyshimi në veprimtarinë e mjekut Berisha, i cili arriti të bëhej një nga mjekët më të besuar të udhëheqjes politike të asaj kohe? Të mos harrojmë se ai ishte mjek personali Hysni Kapos…

– Po. Kjo është e vërtetë. Dhe është shumë e çuditshme se si ai arriti të bëhej mjek i Hysni Kapos. Ai donte të shkonte deri tek Enveri, por sikurse e ka deklaruar vetë Nexhmije Hoxha, ajo ka penguar hyrjen e Sali Berishës në ekipin e mjekëve që kujdeseshin për Enverin. Gjithsesi ai arriti të hynte në familjen e Njëshit të asaj kohe, sikurse e keni parë kur ka dalë në fotografitë që janë botuar tashmë në liqenin e Pogradecit, ku Saliu dhe Liria janë bashkë me Sokolin dhe Liljanën. Nejse, kjo është tjetër punë.

Në rrethanat që ndodhej, për të arritur pikësynimet e tij, kuptoi se e vetmja rrugë ishte puna këmbëngulëse, aktivizimi intensiv në mbështetje të detyrave të ngarkuara nga Partia dhe bashkëpunimi me organet e Sigurimit. Sa e sa herë, Sali Berisha ka përgatitur ambientet e spitalit dhe ka zbatuar me përpikmëri operacionet e brendshme që kryente Sigurimi i Shtetit, duke vendosur teknikën operative përgjuese ndaj kosovarëve të arratisur nga Kosova si grupe irredentiste. Në një rast, kur një djalë kosovar i shtruar në spital, që rridhte nga një familje patriotike dhe fisi i tij kishin vuajtur në burgjet e Goli Otokut, u bënë veprime operative për të zbuluar dhe identifikuar personalitetin e tij, me anë të Sali Berishës. Ky e “identifikoi”  dhe e etiketoi atë si serb! Kur ai djalë do t’i dorëzohej autoriteteve jugosllave në kufi, para se të arrinte atje, u hodh nga një urë dhe theu këmbë e brinjë, vetëm për të mos rënë në dorë të UDB-së. Kosovari nuk u dorëzua dhe u verifikua më vonë se ishte vërtet ndryshe dhe u mbajt në Shqipëri.

– Le të vazhdojmë më tej, sipas dëshmive të Ali Anadollit. Çfarë gjërash të tjera interesante mund të na thoni?

– Nuk janë të paktë mjekët që ka spiunuar Sali Berisha, gjoja për veprimtari të dyshimtë dhe armiqësore. Që nga kjo kohë filluan dyshimet ndaj Sali Berishës si agjent i UDB jugosllave. Në vitet 1991 – 1992 në Shqipëri u dyndën serbë të Kosovës që e njihnin mirë gjuhën shqipe. Ata ishin udhëzuar nga UDB që, duke u hequr si kosovarë dhe na bashkëpunim me agjentët serbë në Tiranë, të kryenin veprime për të ndikuar në popullin shqiptar kundër kosovarëve dhe në fakt, deri në një farë mase, UDB ja arriti qëllimit me anë të seksit, hapjes së lokaleve, shitjes së mallrave me çmime të shtrenjta në një kohë kur në Shqipëri kishte varfëri. Në atë kohë, Sali Berisha dhe Mehmet Elezi kanë marrë kontakt me disa prej tyre.

Duke lexuar këto dëshmi, unë jam tronditur jashtëzakonisht. Prandaj dhe them publikisht se sado që të flasë për ndershmëri, Sali Berisha e di se akoma jetojnë persona që e njohin shumë mirë. Në bazën e filozofisë së tij ka qenë mashtrimi, ves të cilin e përdori dhe po e përdor edhe në politikë. Kjo e rrëzoi nga pushteti në ’97 –n por ky mashtrim e solli përsëri në pushtet, i mbështetur nga mediet dhe agjenturat e jashtme.

Me këto ngarkesa në biografi, Sali Berisha e dinte se nuk mund të ecte përpara duke punuar në mjekësi dhe për këtë hodhi hapin e parë duke e rregulluar që stërvitjen ushtarake ta kryente në Brigadën Rezerviste të Gardës. Pas këtij hapi, duke shfrytëzuar Dine Abazin që ishte mjeku i Hysni Kapos, arriti t’a zëvendësonte atë kur mungonte. Kur ishte provizor tek Hysni Kapua, filloi t’i thoshte djalit të tij, Besnikut, që ta hiqnin Dinen dhe të merrnin Sali Berishën si mjek të familjes. Këtë bisedë Besniku ja thotë Dines dhe pas kësaj, Sali Berishën e vunë në dispozicion të familjes së Simon Stefanit. Gjatë kësaj kohe, Sali Berisha shkonte jashtë shtetit për të bërë analizat e anëtarëve të Byrosë Politike dhe, më vonë, edhe me kurse specializimi 6 e 12 mujore.

Duke ditur edhe lidhjet e mësipërme, UDB filloi në këtë kohë përpunimin e tij në Francë dhe më 30 dhjetor 1974 tërhiqet në bashkëpunim nga shërbimi i fshehtë jugosllav me pseudonimin e dosjes “Bisturia”, pseudonim ky që duhet të jetë ndryshuar më vonë. “Bisturia” është dosja personale e Sali Berishës në arkivat e UDB-së, ku janë depozituar tërë kontributet e tij në interes të UDB –së.

Më vonë, zbulimi shqiptar i dërgon informacion kundërzbulimit ( sigurimit ) se në Shqipëri veprojnë dy kanale të UDB – së : Një kanal kalon nga fshati Viçidol dhe drejtohet nga një mjek kardiolog ndërsa një kanal tjetër, vepron në Shkodër. Ky dokument firmoset nga zv/drejtori i Sigurimit të Shtetit, Sulejman Abazi. Jo më kot, me të marrë pushtetin, Sali Berisha urdhëroi arrestimin e tij.

– E, me gjithë këto që thoni, Sali Berisha e mori pushtetin në vitin 1992. A vazhdoi veprimtaria e tij e mëtejshme në shërbim të agjenturave të huaja?

– Pse, ju keni dyshim për këtë, paskeni marrë vesh gjithë fatkeqësitë që i kanë ndodhur Shqipërisë gjatë pushtetit të tij. Me ardhjen e Demokracisë, Sali Berisha filloi të shkruajë dhe të botojë disa artikuj për demokracinë dhe shoqërohej shumë me Mehmet Elezin, i cili kishte lidhje të ngushta me Elez Biberajn. Në këto rrethana, perëndimit i duhej të zgjidhte një kandidaturë të besueshme që kishte lidhje të forta që më përpara me vendet perëndimore dhe të ishte nga veriu ( meqë emigracioni më i madh ishte nga veriu, Kosova, Mali i zi dhe Maqedonia ). Por amerikanët, me anë të Rajersonit, i cili ishte komandant i grupeve të emigracionit në Beograd, rekomandoi Sali Berishën për kryetar të Partisë Demokratike, të cilin e mbajtën si të besuarin e tyre dhe e përkrahën më shumë se të gjithë udhëheqësit e Ballkanit, por që në fund ky i tradhtoi.

Sali Berisha ishte beniamin i Amerikës ndër udhëheqësit e lindjes, por ai nuk e justifikoi këtë, për shkak se ai drejtohej nga UDB-ja dhe, pas ardhjes në pushtet, e ktheu Shqipërinë në një vend ku strehohej fondamentalizmi islamik dhe në bashkëpunim me Gazideden strehoi terroristë shumë të rrezikshëm. Për këtë Ai e lejoi atë (Gazideden ) të krijonte shoqatën islamike dhe të bëhej kryetar i saj si dhe e anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike. Nga fondamentalizmi islamik ai ka marrë qindra mijëra dollarë bakshishe e shumë dhurata të çmuara për gruan e tij, që i mbajnë vetëm gratë e sheikëve dhe që shkojnë me miliona dollarë. Këto probleme i di ish ambasadori ynë në Malajzi, Ferit Hoti.

Sali Berisha ka marrë miliona dollarë për t’u çuar armë palestinezëve më 1996. Ai i nisi avionët me armë, të cilët zbritën me detyrim në Çad dhe u ndaluan të vazhdonin më tej. Urgjentisht ka ardhur në mënyrë sekrete në aeroportin e Rinasit Arafati dhe ka biseduar për gati 1 orë me Sali Berishën, ku e ka kërcënuar se në rast të mos mbërritjes së armëve ose parave të paguara, do ta likuidonte fizikisht. Në këtë kohë dollarët ishin përdorur për qëllime të tjera. Për të larë këtë borxh ai ndërtoi strategjinë për t’i gjetur këto para. Në shtator 1996 Saliu jep konferencë për shtyp ku deklaron se paratë e shqiptarëve në firma janë më të pastrat, ndërsa disa ditë më parë, FMN kishte dhënë sinjalin për mbylljen e tyre. Pas kësaj pati një vërshim të parave të popullit në firmat piramidale, lekët e të cilave u morën nga qeveria për të shlyer Arafatin. Të tjerat u grabitën nga brenda oborrit të Saliut.

– Këto janë fakte të pohuara edhe nga të tjerë. Po sa të vërteta janë ato? A do të dëshironit të përballeshit me Sali Berishën në gjyq për këto fakte?

– Pa asnjë dyshim. Ju mund të mos më besoni mua kur them se Berisha është një superagjent dhe një nga kriminelët më të rrezikshëm të këtij vendi. Atëherë besoni atë që thonë amerikanët. E tha disa ditë më parë një agjent i FBI-së. Ish-agjenti i FBI-së, Mark Rossini duke komentuar protestën e opozitës në vendin tonë, nëpërmjet një postimi në Twitter e cilësoi këtë protestë si të ndikuar nga rusët, duke akuzuar për këtë drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha. “Në Shqipëri po zhvillohen protesta, të thirrura nga Sali Berisha, i cili është nën ndikimin e rusëve. Ai dhe familja e tij e kanë humbur pushtetin. Nëse Sali Berisha merr pushtetin, Putin do arrijë të depërtojnë në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo i hap rrugë Putinit të ketë qasje mikpritëse në portin e Adriatikut”, shkruan Rossini. Çfarë doni më tepër?

 

-Rosini është amerikan dhe mbase di më shumë se ne. Por lexuesit tanë duan fakte konkrete të veprimtarisë së mbrapshtë të Berishës. Mund të na tregoni ndonjë gjë më shumë zoti Braho?

– Po. Keni të drejtë. Si ish-kryetar I Komisionit parlamentar Sigurisë Kombëtare kam fakte dhe kam krijuar bindjen se UDB-ja përgatiti 2 Prillin 1991 dhe vrau në Shkodër, në bashkëpunim me politikanë të PD ( Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ali Kazazi ), Arben Brocin. Gjatë protestës, kur Broci është qëlluar me një pistoletë, një person i quajtur Islam, që ishte afër më Arben Brocin, dëgjoi këto fjalë : “ Zef, pse ma bëre këtë ?”

Por ka edhe fakte të tjera që do t’i themi më vonë. Berisha, për të marrë pushtetin ka bashkëpunuar me përfaqësues të zbulimit grek dhe vendeve arabe duke bërë për këtë çdo lëshim. Është një ish-punonjës në Shtëpinë me gjethe që ka përgjuar bisedat e Saliut me urdhërdhënësit e tij të shërbimeve sekrete jashtë shtetit. Janë dëshmi të tmerrshme. Pavarësisht se shumë shqiptarë mund t’i marrin lehtësisht me mend pasi kanë përjetuar gjëmat e këtij njeriu. Le ta ndërpresim sot këtu këtë bisedë.(DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …