“Spoti” i marrëzisë

“Faleminderit TMK” quhet spoti që po afishohet vazhdimisht në RTK dhe po e përcjellë drejt shpërbërjes përfundimtare këtë trupë, e cila për afër 10 vjet rresht i shërbeu faktorit vendimmarrës ndërkombëtar, për ta ruajtur paqen e stabilitetin në vend, duke ushqyer aspiratën iluzore se më në fund TMK-ja do të bëhej ushtri e Kosovës.

Në kohën kur Marti Ahtisari kishte paraparë shpërbërjen e TMK-së, kushtëzuar nga Beogradi zyrtar dhe qarqet evropiane antishqiptare, disa analistë të huaj, madje edhe ushtarakë të lartë të NATO-s, kishin paraparë mundësinë e destabilizimit të vendit, meqë kishin informacione të shumta sesa respekt gëzonte populli i Kosovës për këtë trupë me prejardhje nga UÇK-ja. Sondazhet ndërkombëtare dhe vendore gjithnjë kanë treguar se popullata e vendit, ndër të gjitha institucionet, më së shumti i ka besuar TMK-së. Zyrtarë të huaj, të stërvitur enkas për këtë qëllim, treguan kujdes të jashtëzakonshëm në këtë drejtim, meqë tërë procesin e kishin projektuar dhe realizuar me shumë maturi, fillimisht duke e bindur kreun politik të Kosovës për ta shuar TMK-në dhe duke e joshur kreun e kësaj trupe me premtime se ata që do të kontribuonin në shpërbërjen e saj të suksesshme do postoheshin në hierarkinë e Forcës së Sigurisë.

Procesi i krijimit dhe i punës gati 10-vjeçare të TMK-së është një histori në vete, shumë e dhembshme, por edhe e trishtueshme, sepse ishin pikërisht kuadrot drejtuese të kësaj force, që pranuan të lakohen në të gjitha mënyrat, që pranuan edhe të përbuzen e të diskreditohen nga protektorët ndërkombëtarë dhe tashti, si “shpërblim” po marrin nga një dhuratë “të çmueshme” një falënderim publik, përcjellë me një spot djallëzor në RTK. Është ky një falënderim për aktivitetin e tyre 10-vjeçar në deminimin e terrenit, në rregullimin e kanalizimeve madje edhe në vendbanimet serbe, në ndërtimin e sa e sa objekteve me rëndësi, shpeshherë edhe në pastrimin e bërllokut të qyteteve, në ndihmën që i ofruan popullatës në rastet e fatkeqësive natyrore, pjesëmarrjen në sa e sa ushtrime ndër më të ndryshmet, duke qenë gjithnjë në shënjestër të policisë ndërkombëtare, prokurorëve dhe gjyqtarëve të UNMIK-ut. Të gjitha këto makinacione bëheshin me qëllim për ta ruajtur qetësinë publike, me qëllim që të krijohej bindja në popull se një ditë TMK-ja do të bëhej ushtri e Kosovës dhe deri atëherë të pacifikoheshin të gjitha rrethanat e mundshme të shpërthimit të zemëratës së popullatës shumicë në Kosovë, për shkak se procesi drejt pavarësisë kishte degraduar, ishte shantazhuar dhe ishte zvarritur sa e sa herë.
Është më se e vërtetë se idealistët e TMK-së tërë këtë mund e derdhën në shërbim të popullit, për të cilin edhe kishin luftuar, por punën dhe mundin e tyre e shfrytëzoi klasa politike në pushtet dhe protektorët ndërkombëtarë, me qëllim për ta mbajtur nën kontroll sigurinë e brendshme dhe për të rrahur gjoks se Kosova po e ndërtonte ushtrinë e vet të ardhshme. Kishte në TMK edhe kuadro syleshë, të cilët vërtetë mendonin se po e krijonin ushtrinë e Kosovës, ndërsa fjala e paraqitja e tyre në publik ushqente iluzione, dhe në këtë mënyrë ndikonte në pacifikimin ekstrem të situatës si dhe në stopimin e hulumtimeve për të krijuar një forcë të vërtetë të mbrojtjes së vendit.

Kujt i shërben ky spot cinik?

Spoti, me të cilin falënderohet shpërbërja qyqare e TMK-së është kulmi i djallëzisë politike, që po luajnë mbi kurrizin tonë disa qarqe ndërkombëtare, të cilave po iu duket pak shpërbërja e TMK-së, por këtë proces po e përcjellin me hipokrizi e djallëzi, që do të mbahet mend si shpikja më poshtëruese, që po i bëhet aspiratave të këtij populli për ta pasur ushtrinë e vet. E themi me plot bindje se mesazhi i spotit përveç se është djallëzor është edhe poshtërues, përbuzës e fyes, sepse ta falënderosh pjesëtarin e TMK-së, që ka punuar në kushte tejet të rënda dhe me pagesë minimale për 10 vjet rresht dhe t’i thuash faleminderit se po shpërbëhesh në mënyrë të qetë dhe qysh sot po mbetesh rrugëve, vërtetë se tërë kjo është më shumë se hipokrizi, është një cinizëm i llojit të vet.

Përse pra ky falënderim?

Spoti, realisht shpreh një sukses dhe një gëzim të madh për stafin e misionarëve të huaj, që kishin marrë përsipër ta shpërbëjnë TMK-në. Ata, qysh nga fillimi kanë pasur frikë se ky proces mund të mos pranohet nga të gjithë pjesëtarët e kësaj trupe, dhe për pasojë mund të destabilizohet vendi. Kjo nuk ka ndodhur, andaj, ata shprehin aq shumë falënderime, sepse janë më se të kënaqur, që tërë procesi u realizua pa asnjë incident, pavarësisht se humbi Kosova. Për ta është me rëndësi që procesi i shpërbërjes së TMK-së u realizua pa asnjë tronditje.
Do të kishte qenë më pak hipokrit sikur të shpikej një spot me përmbajtje të ngjashme dhe të falënderohet kreu i Kosovës dhe kreu i TMK-së për dëgjueshmëri dhe bindje të neveritshme ndaj planeve, që po e sakatojnë Kosovën nga të gjitha drejtimet dhe jo të nëpërkëmben në këtë mënyrë ndjenjat e pjesëtarëve të saj, që kanë mbetur dhe do të mbesin rrugëve, sepse falënderimi i tillë nga këto qarqe, nga të gjithë pjesëtarët e TMK-së po përjetohet se formë e moderuar e cinizmit dhe urrejtjes kundër tyre dhe kundër të gjithë shqiptarëve liridashës.

Qarqe të caktuara antishqiptare në kuadër të UNMIK-ut dhe tani të EULEX-it po pretendojnë që ta stopojnë procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ashtu sikur stopuan me sukses krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Detyrë kryesore e EULEX-it do të jetë të ndihmohet Kosova në fushën e rendit dhe të ligjit, nga e cila do të kenë përfitim të gjitha komunitetet. Kjo do të bëhet nën ombrellën e gjerë të Rezolutës 1244, që ka për qëllim të mbështesë Kosovën në fushën e rendit dhe të ligjit për të gjitha komunitetet, ka deklaruar për BBC-në, Erik Shevalje , këshilltari i posaçëm i ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. Vendosja e EULEX-it nën ombrellën e OKB-së ka ardhur si rezultat i mosnjohjes së Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ka sqaruar ky këshilltar, i cili ka shtuar me këtë rast se marrëveshja për shtrirjen e këtij misioni, mbështetur në planin e OKB-së është shumë më e rëndësishme sesa disa mosmarrëveshje që ende ekzistojnë, duke sqaruar definitivisht se rezoluta 1244 vazhdon të mbetet në fuqi dhe kjo do ta mbajë peng ardhmërinë e Kosovës.

Nuk është për t’u habitur, nëse një ditë, kur të përmbushet dhe të realizohet (nëse realizohet) kapitulli i mortajës së quajtur “plani i Ahtisarit”, dikush mbase do të kujtohet të afishojë një spot, i cili i falënderon shqiptarët e Kosovës që kanë hequr dorë nga identiteti i tyre kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, në Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë,  në fshatin Berishë, qëndroi  për një vizitë, …