Abdyl Mushkolaj: KA ARDHUR KOHA QË GJYQËSIA JONË T’I ULË NË BANKËN E TË AKUZUARVE KRIMINELËT DHE T’I LIROJË TË PAFAJSHMIT

 


Ritheksojmë qëndrimin tonë se besojmë fuqishëm në pafajësinë e bashkëluftëtarit tonë Bedri Krasniqi nga Turjaka e Pejës, njërit nga ish-luftëtarët e denjë të UÇK-së, për veprën penale për të cilën është arrestuar dhe dënuar nga (pa)drejtësia e Kosovës. Menjëherë pas ikjes nga burgu i Dubravës i Bedri Krasniqit, ministrja e drejtësisë Nekibe Kelmendi, bëri një kualifikim të zhdrejtë duke u paraqitur menjëherë para medieve, duke përdorur shabllonin e vjetër sa ishte avokate e të ndjerëve Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, po ashtu pjesëtarë të UÇK-së, për vrasjen e të cilëve është akuzuar pa të drejtë Bedri Krasniqi.

Ne veteranët e UÇK-së për Dukagjin mendojmë se kualifikimi i ministres së drejtësisë Nekibe Kelmendi, se Bedri Krasniqi “i ka vrarë policët” dhe “e ka vrarë shtetin” është tendencioz, i gabueshëm dhe i paqëndrueshëm, ngase Bedri Krasniqi ka dhënë prova të shumta se nuk është vrasës i shtetit, por një nga ata që me të gjitha mundësitë luftoi për ta fituar lirinë dhe për ta bërë shtetin, duke e larë edhe me gjakun e plagëve të veta në beteja të shumta për çlirimin e Kosovës.
Siç është thënë edhe në reagimet tona të herave të tjera lidhur me rastin e Bedri Krasniqit (si kur është akuzuar, arrestuar e dënuar pa të drejtë) Bedriu është i pafajshëm dhe është përdorur për të qenë njëri nga fajtorët kujdestarë. Ngase pjesëtarët e UÇK-së, siç kanë treguar të gjitha proceset gjyqësore të deritanishme, kanë qenë fajtorë kujdestarë madje edhe nëse nuk kanë qenë në Kosovë fare kur kanë ndodhur rastet për të cilat janë akuzuar dhe kanë mbajtur nga 6 e 7 vjet burg pa fakte e prova, për t’u liruar më pas të pafajshëm.
Bedri Krasniqi dhe familja e tij janë keqtrajtuar e terrorizuar vazhdimisht nga organet e rendit dhe të ligjit, vetëm pse dikujt i ka konvenuar dhe ka mundur ta instrumentalizojë policinë dhe drejtësinë për ta bërë këtë. Në rastin konkret, ka konflikt interesi mes ministres së drejtësisë dhe Bedri Krasniqit, ngase në procesin e montuar gjyqësor kundër Bedriut, Nekibe Kelmendi ka qenë avokate e të ndjerëve Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj.
Është e udhës të përsërisim se secili nga ne e di cilët janë vrasësit e Sebahate Tolajt dhe të Isuf Haklajt, për vrasjen e të cilëve kemi ndjerë dhe ndjejmë keqardhje të thellë. Është pikërisht UNMIK-u dhe nomenklatura serbo-komuniste që ka bashkëpunuar me ta, që i ka kurdisur këto vrasje dhe vrasjet tjera si këto, prapavija e të cilave ka qenë nxitja e vëllavrasjeve dhe mbajtja nën tension e situatës në Kosovë. Ministrja Kelmendi por edhe një pjesë e aparatit shtetëror e dinë fare mirë se si dhe pse kanë ndodhur kjo seri vrasjesh.
Me pretekst të zbulimit dhe hetimit të tyre janë mbajtur nën hetime dhe kërcënime komplet strukturat e larta të UÇK-së, shumë prej luftëtarëve të UÇK-së edhe janë likuiduar fizikisht, kurse në fakt vrasësit kanë qenë njerëzit e shërbimeve sekrete serbe dhe hallkat zingjirore të Klanit të Zemunit me veprim në Kosovë dhe organizatave tjera ushtarako-policore serbe, të cilët në këtë drejtim kanë bashkëpunuar me segmente të caktuara drejtuese të UNMIK-ut.
Parimisht, ministrja Nekibe Kelmendi është dashur të ofroj[ dorëheqje shumë më herët për ikjen nga burgjet e Kosovës të shumë të burgosurve, për obstruksionet që po ndodhin nëpër burgjet e Kosovës dhe për aktet skandaloze që po ndodhin në vazhdimësi në sferën e drejtësisë e të gjyqësisë të cilën ajo e drejton. Asnjëri nga serbët e arrestuar për krime lufte nuk është dënuar, edhe përkundër fakteve e dëshmive të shumta. Vetëm në një rast mbi 20 prej tyre kanë ikur kolektivisht nga Burgu i Mitrovicës dhe askush nuk është marrë me këtë rast. Ndërkaq gjatë tërë viteve të pasluftës, pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten viktima apo fajtorë kujdestarë të pazareve të mëdha që po i bën Serbia me aleatët e vet.
Kujtojmë me këtë rast se Bedri Krasniqi u shpall person në kërkim për vrasjen e Sebahates dhe të Isuf Haklajt, vetëm për të arritur efekte politike. Pikërisht dy ditë para zgjedhjeve përmes mjeteve të informimit dhe televizioneve nacionale të Kosovës, për Bedri Krasniqin u dha lajmi i shoqëruar me fotografi se është “vrasësi” i dy policëve të lartcekur, sepse dikush donte të paraqitej viktimë për të përfituar në kurriz të këtyre vrasjeve, për të fituar zgjedhjet siç edhe ndodhi. Struktura të njohura politike kanë përfituar nga këto vrasje. Dy ditë para zgjedhjeve të radhës, Bedriu u dënua ad hoc, sërish për të përfituar politikisht dikush. Në kundërshtim me të gjitha normat e drejtësisë, për Bedri Krasniqin u paragjykua në të gjitha rastet. Ai u shpall fajtor para se të gjykohej, duhej vetëm të linçohej. Por sidoqoftë e vërteta është një, pa marrë parasysh kush e vuan dënimin dhe kush akuzohet.
I përkujtojmë ministres Kelmendi se askush nuk është dënuar nga radhët e UNMIK-ut dhe të tjerëve të cilët kanë vjedhur miliona nga Kosova dhe kanë ikur jashtë vendit. Askush nuk është dënuar nga radhët e tyre as për vrasje të njohura që nuk kanë qenë të pakta. Askush nuk është dënuar as për keqpërdorimin seksual të fëmijëve as për abuzimet seksuale të zyrtarëve të UNMIK-ut me vajza të reja, po flasim për afera të hapëta mediale. Qindra të tjerë kanë qenë të implikuar në afera korruptive dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi para ligjit. UNMIK-u ndërhynte në ligj kur donte, ishte mbi ligjin.
Thjesht ju, “drejtësia” në Kosovë i gjykoi e dënoi vetëm pjesëtarët e UÇK-së. Për çdo gjë që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës ata u trajtuan fajtorë kujdestarë me të cilët padrejtësisht janë mbushur burgjet e Kosovës, kurse fajtorët e vërtetë e kanë mbrojtjen e shteteve prej nga vijnë. Deri më tani, drejtësi për pjesëtarët e UÇK-së pothuajse asnjëherë nuk ka pasur, ka pasur vetëm ndëshkime të padrejta. Njëanshmëria shumë e theksuar në gjyqësinë kosovare ka bërë që ky segment mjaft i rëndësishëm i shtetit të jetë tërësisht i dështuar. Ka prej tyre që ende sillen dhe mendojnë sikur në kohën e pushtetit të diktatorit Millosheviq, jo rrallë herë edhe duke u shërbyer me ligje komuniste.
Gjyqësia në Kosovë ende shikon pas. Ka ardhë koha të shikojmë përpara dhe ta shikojmë të ardhmen.. Ka ardhë koha që gjyqësia jonë t’i ulë në bankën e të akuzuarve kriminelët e vërtetë dhe t’i lirojë të pafajshmit.
Kryetari i OVL të UÇK-së për Dukagjin: Kolonel Abdyl Mushkolaj

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …