Stuhitë lënë pas dëme të mëdha në bujqësi, fermerët kërkojnë ndihmë urgjente

Reshjet e dendura të shiut dhe breshri që kanë përfshirë Kosovën gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, duke prekur dhjetëra fermerë në disa komuna të vendit. Ndër zonat më të goditura janë Theranda, Peja, Klina dhe Istogu, ku sipas raportimeve janë dëmtuar kultura të ndryshme bujqësore dhe sipërfaqe të mbjella me perime. Kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, njoftoi se stuhia ka shkaktuar dëmtime në qytet dhe në disa fshatra përreth, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes. Në Pejë, autoritetet komunale thanë se nuk janë regjistruar pasoja për qytetarët dhe se dëmet materiale në infrastrukturë janë minimale. Ndërkohë, fermerët raportojnë humbje të mëdha. Bujku Xhevdet Gjocaj nga fshati Kovrag i Burimit tha se breshri ka shkatërruar tërësisht kulturat bujqësore, duke lënë familjen e tij dhe shumë fermerë të tjerë pa të ardhura për këtë sezon. Çështja e kompensimeve mbetet ende e hapur edhe për dëmet nga vërshimet e vitit 2022. Edhe pse Qeveria e Kosovës kishte miratuar një fond prej 9 milionë eurosh për rimëkëmbjen dhe kompensimin e ekonomive familjare, bizneseve dhe fermerëve, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të planifikuara nuk është ekzekutuar, duke lënë shumë të dëmtuar ende në pritje të kompensimit.

Kontrolloni gjithashtu

Rashit Qalaj

Rashit Qalaj akuzon Albin Kurtin për bllokimin e institucioneve

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Rashit Qalaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se …