driloni com
vipa
Fillimi / Opinione / Sylejman Krasniqi: Oazë e kujt është Kosova ?
Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Oazë e kujt është Kosova ?

          Ka tri vjet që politika në Kosovë po mirret me rehatimin e fqinjëve të saj dhe nuk po i shikon problemet e veta të brendëshme. Që nga gjysma  e  parë  e vitit 2015 qeveritë tona bëjnë gara se cila do të jetë më besnike ndaj nënshkrimeve  të vëna në Bruksel  nga krerët e shtetit tonë. Dhe qeveritë ndrrohen njera pas tjetrës mu si “kuleqët e qirave” me të vetmin qëllim që të tregohen se cila është më  e  moderuar  se tjetra  në përmbushjen e premtimeve ndaj të huajve.  Kurse në fushata  parazgjedhore e shtjerrënin gurmazin duke  e premtua  zhvillimin ekonomik dhe  mirëqenjen e popullatës dhe me përkushtim  thonin  se do t’i krijojnë  mbi 350000 vende pune dhe se do të hapin universitete në të gjitha qytetet e Kosovës. Bile pati edhe të tillë që premtoi  universitet edhe në Lluzhan të Llapit e  në Shtime  të rrafshit të Kosovës. Më i sinqerti  dhe më i besuari nga të gjithë ishte Behgjet Pacolli  i cili premtoj se do t’a ç’vendos  Universitetin e Prishtinës nga aty,  por nuk e tregoj lokacionin e ri! Dhe ky premtim i dhurohej dikuj…!? Por është e sigurt se këtë ç’vendosje nuk do t’a bënte për hatër të Marecit e as të Kosovës…

          Pas zgjedhjeve,  partitë  bënin turr e vrap se cila do të jetë  më me “fat” për  të marrë pjesë  në tepsinë e qeverisë, dhe cila do të tregohej  më besnike  ndaj të huajve, duke i  lënë anash ( e besa edhe në harresë) premtimet  para  zgjedhësve të vet. Vijat e kuqe shkriheshin edhe natën(!)  vetëm për të zënë pritën para tjetrit. Para zgjedhjeve griheshin e vriteshin mes veti  e pas  shpalljes së rezultateve futeshin në koalicione si miqtë më të mirë. Bile, për  t’i zbutë inatet, ndihmonin edhe vëllezërit  tanë nga gjaku por edhe të huajt  në  miratimin e afrive në koalicione.

          Bëri krejt çka mundi të bënte dhe një natë vonë, pasi u kthye nga vëllau i madh ( dhe me porosi të ti, të kryetarit të Shqipërisë), e mundi veten dhe u fut në koalicion qeverisës  për t’a “shpëtuar”  Kosovën nga kriza qeverisëse!? Pastaj nuk vonoj shumë dhe gadi  të gjitha partitë që ishin në pritje u rradhitën për të ndarë tortën e qeverisjes së vendit. Tani  nuk  kishte rregull në ndarjen e tepsisë. Me rëndësi  ishte vetëm vullneti dhe dëshira  për  të “shpëtuar” vendin  nga  ngërçi  politik dhe përmbushja e premtimeve ndaj miqëve tanë të jashtëm.  Tepsia qeverisëse u nda në mënyrën më të çuditshme. Aty nuk pati plotpjestim sipas fuqisë së votës por grabitje të posteve sipas muskujve. U desht që të ngopen të gjithë të uriturit për pushtet. Kryeministri e filloj punën me stupc në krah! Menjëherë e shkarkoj komisionin e Murat Mehës për demarkacionin. E caktoj një komision profesionistësh. Opinioni i gjërë mendoj se, më në fund,  do të kthehet e mbara në këtë vend. U përgatitën planet dhe strategjia për miratim në Kuvend të demarkacionit por nuk i kishin punët mirë me numra. Ato duhej që të siguroheshin se përndryshe do të bëheshin horë para botës. Besa e dhënë të huajve nuk bën të shkelet. U desh që të investohej shumë në ndërhyrje në njërën parti kryeneqe të opozitës në mënyrë që të sigurohej një votë e vetme për të kaluar në Kuvend. Paraja e çon ujin përpjet-thoshin të parët tanë. Kur kësaj ia shtojmë edhe shantazhimin dhe kolonën e pestë brenda, suksesi ishte i garantuar. Pati paralajmërim partia kryeneqe nga kryetari i Kuvendit kur ai iu kërcënua botërisht në sallën e Kuvendit se “…do ta shihni ju në muajin janar se çka do të ndodhë me ju..”. Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Trembëdhjetë deputetë e lëshuan rrugë e opozitës dhe iu mbathën pushtetit në mënyrën më dinake të mundshme. Kurse partia paqësore rrinte me një këmbë për ta votua demarkacionin sepse kishte hise edhe ajo në këtë marifet, edhepse ishte në opozitë. Kishim “investua” shumë mund në demarkacion nëpërmjet Murat Mehës dhe të  Ekipit të Akademikëve. Kishin humbur shumë kohë sa ishte kryeministër kryetari i tyre i partisë. Pas disa seancave të Kuvendit dhe pas disa ndërprerjeve nga gazi lotsjellës demarkacioni u miratua memzi me një votë të paguar shtrejtë.

          Miratimi  i demarkacionit në kushte të jashtëzakonshme përngjau shumë edhe me zgjedhjen e krytarit të Kosovës, Hashim Thaçit, në fund të viti 2014 dhe me zgjedhjen e kryetarit të Shqipërisë, Sali Berishës, në viti 1996. Pra ,si po duket, ne po u dashka që çdo gjë ta bëjmë në situata të  jashtëzakonshme. E jashtëzakonshmja neve do të na bëhet e zakonshme. Sepse që nga 2 prilli i vitit 1981 e deri më 11 qershor të vitit 1999 kemi qenë në gjendje të jashtëzakonshme. Tashmë jemi bërë imun në të jashtëzakonshmën, kurse e zakonshmja na bëhet e padurueshme dhe e pazakont.

          Java që e lamë pas ishte shumë e bujshme për politikën dhe popullin e Kosovës. Ndodhën ngjarje të paparashikuara për opinionin. Të tilla ishin edhe për një pjesë të politikës, por pjesa tjetër i kishte parapa dhe dyshohet se edhe i kishte përgatit skenarët për këto ngjarje. Tre faktorët kryesor të pushtetit thauja se nuk  kishin koordinim  mes veti, ose bëheshin si  të tillë!? Mundoheshin se cili cilit do t’ia lëshonte në dorë patatën e nxehtë. Kështu më 26 mars ndodhi arrestimi i Marko Gjuriqit, drejtorit të të ashtuquajturës zyrë  për Kosovën në qeverinë e Sërbisë. Arrestimi u bë në mënyrë mjaft spekakulare. Kjo ndodhi të nesërmen e darkës së shtruar mes kryetarit të Sërbisë dhe kryetarit të Kosovës. Për këtë arrestim nuk kishin dijeni disa segmente të pushtetit! Ose ndoshta  ashtu vetëm paraqiteshin para opinionit !?Gadi sa nuk u ngatërruan edhe kompetencat mes kryeministrit dhe zavendësave të tij. Koha e kurdisur e vizitës së Marko Gjuriqit në Kosovë dhe spektakli i arrestimit të ti, të bën të dyshosh në ndonjë skenar të mirëpregatitur nga njëra palë ose nga të dy palët bashkë. Se çka pritet dhe çka mëshifet pas këti operacioni spektakular mbetet të shihet. Në opionion mendohet se janë dy arsyet e këti spektakli: arsyeja e parë është që të harrohet demarkacioni  dhe të mos përmendet liberalizimi i vazave( nën trysninë e të cilit u mundua që të bindet opinion dhe deputetët për miratim  të demarkacionit) dhe  arsyeja e dytë mund të jetë trysnia për të fillua me formimin e “Zajednicës”. E, si  po shihet, qëndrojnë të dyja këto parashikime.

          Në vazhdën e befasive, vetëm tri ditë pas rastit të arrestimit të Marko Gjuriqit, u deportuan,  u ekstraduan, u kidnapuan, u arrestuan, ose u grabitën nga shërbimet sekrete turke për në Turqi gjashtë qytetarë turq të cilët ishin mësimdhënës në kolegjin “Mehmet Akif” në mënyrën më misterioze. Për këtë rast qeveria nuk kishte pasur njohuri fare! Prap faktori politik e shtetëror i Kosovës doli i përçarë dyzash !? Nuk dihej se kush i ka arrestua e as kush i ka deportua dhe me leje të cilit organ të shtetit të Kosovës? Dhe kur kryeministri e shkarkoi nga detyra ministrin e brenshëm dhe drejtorin e AKI-së erdhi edhe kërcënimi i kryetarit të Turqisë për kryeministrin e Kosovës dhe njëkohësisht i bëri lavdata kryetarit të Kosovës për ndihmesën e dhënë në deportimin e qytetarëve turq për në Turqi. Në Kosovë u krijua një kaos politik dhe mediatik i paparë ndonjëherë në këto anë. Flitet se nuk ka ndodhë kurrë në asnjë shtet të botës arrestime dhe deportime të këti lloji. Kryetari i Kosovës, në konferencë  për shtyp, të deportuarit i quan terrorista pa dhënë asnjë fakt  të vetëm. Me këtë rast u shkel e drejta elementare e shtetasëve turq dhe tanimë nuk mund të parashikohet fati i tyre. Kjo nuk përkon me të drejtën kanunore shqiptare por as me ndonjë konventë ndërkombëtare.për të drejtat e njeriut. Në manifestimin e Pashkëve në katedralen Shën Nëna Tereze Dodë Gjergji e tha thelbin e këti veprimi “..Këta që kanë pre mikun në besë, të gatshëm ta dorëzojnë edhe kryeministrin”. Për habinë tonë, kryemyftiu i  Kosovës Naim Tërrnava nuk e foli asnjë fjalë për këtë ngjarje edhe pse radha e ka deshtë që ai të prononcohej para Dodë Gjergjit.

          Dy-tri ditë para ngjarjes me shtetasit turq u mbajt gjykimi  i imamit të xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit, i cili akuzohej për organizim të shkuarjes në Siri për pjesëmarrje në luftë në krah të Isis-it të qytetarëve nga Kosova dhe për nxitje të terrorizmit. Ai u lirua nga gjykata si i pafajshëm.

          Këto ditë u mbajtë seanca gjyqësore ndaj grupit të ashtuquajtur “Syri  i popullit” të cilët akuzohen  gjoja për terrorizëm. Gjykimi u shty për një ditë tjetër. Qeveritarët tanë ( por edhe gjyqësia e Kosovës) me andje e përdorin termin terrorist për pjesëtarët e kombit shqiptar. E sidomos për rivalët politik, gjë që nuk ndodhë askund në botë. E këta më së paku kanë të bëjnë me terrorizmin. Këtu kam parasysh dr.prof. Sadri Ramabajën, njëri nga të akuzuarit e këti grupi, i  cili nuk ka të bëjë asgjë me terrorizmin. Përpos nëse mund të quhet i tillë vetëm pse tërë jetën ka veprua  dhe  punua  për çlirimin e vendit të vet. dhe për formimin e një shteti të mirëfillt shqiptar. Mëkati i ti mund të jetë, ndoshta, pse ka qenë pjestarë i LPK-së e dihet tanimë se LPK-ja e ka  qenë ideatorja dhe themeluesja e UÇK-së  e kjo si duket nuk iu shkon përshtati pushtetarëve tanë. Pranadaj edhe dëshirojnë që të humbet çdo gjurmë e LPK-së dhe kështu historia të mirret se fillon vetëm prej tyre.

          Nëse analizohen me sy kritik këto ngjarje të dy javëve të fundit me të drejt qytetari i Kosovës pyet se nga po e çon politika të ardhën tonë? A e kemi të trasuar rrugën tonë të drejt apo ajo është ende në kërkim e sipër? Nëse edhe sot hamendemi se nga do t’ia mbajmë, medet për ne se kush po na prinë. A nuk morrëm përvojë të mjaftueshme nga sundimi pesëqindvjeçarë  anadollak dhe gadi njëqind vjet nën thundrën sllave? A nuk e morrëm seriozisht porosinë e Frashërllive se “…dielli për shqiptarët lind atje nga perëndon”. A nuk morrëm mësim nga gabimi i Sali Berishës kur na anëtarësoi në Konferencën Islamike? A do të sillemi europiançe apo do të kthehemi me nostalgji tek turko-arabët apo tek stepat aziatike. A jemi të vetëdijshëm se sa i ngusht është bashkëpunimi islamo-ortodoks kundër qenjes shqipatre?

          Këto veprime  e vejnë në pikëpyetje edhe orientimin politik të Kosovës në vlimet aktuale gjeopolitke dhe gjeostrategjike dhe mundet të ketë pasoja të papërmirësueshme në marrëdhënjet me miqtë tanë. Këtu i kam parasysh ndërhyrjen në zgjedhje të Rusisë në SHBA dhe në disa shtete të fuqishme të Europës si dhe ndërhyrjet e vjetëve të fundit për ta destabilizua Maqedoninë dhe Malin e zi. Tani po shihet qartazi se radha është për t’i çrregullua trojet shqiptare para se të futet në BE i tërë Ballkani. Ndikimi rus në këto anë ka gjasa të depërtojë sepse, si duket, edhe ka investua mjaft tash dhe në të kaluarën. Tani po ndihet një afri e madhe mes Rusisë dhe Turqisë ose mes ortodoksizmit dhe islamizmit. Që të dyja këto rryma e kanë shtri ndikimin ekonomik dhe fetar në masë të madhe në këto anë. E ne, shqiptarët, kemi përvojë mjaft të hidhur nga perandoria turke dhe ajo sllave, prandaj ne duhet që t’i hapim sytë mirë që të mos bijmë edhe një herë nën ndikimin e tyre por të veprojmë dhe të sillemi si europjanë që jemi. Historia e jonë shumë e bujshme nuk na lejon që të harrojmë se sa të afërt janë islamizmi  me ortodoksizmin. Nuk duhet t’a harrojmë se nuk është rastësisht qendra, apo selia, ortodoksizmit në Stamboll e jo në Kremlin. Dhe kjo nuk është nga sot por nga Epoka e Gjergj Kastriotit. Pra që nga viti i larët 1458 kur nënshkruhet marrëveshja mes sulltan Mehmetit të dytë dhe Patriarkanës së Stambollit ( atëherë Konstandinopojës) e njohur si marrëveshja e  miqësisë dhe bashkëpunimit mes fesë ortodokse dhe islame. Kjo marrëveshje asnjëherë në histori nuk është kontestuar e as rrezikuar për t’u anuluar ose rishikuar, por gjatë shekujve vetëm sa është kultivuar dhe begatuar, duke e trashë miqësinë e fesë islame dhe ortodokse. Nga ky moment sultan Mehmeti  i çon fjalë Gjergj Kastriotit dhe i thotë se” Konstandinopoja ra” por Gjergji i ynë ia kthen “Kruja jo”. Dhe të gjitha të zezat për shqiptarët kanë ndodh nga kjo marrëveshje. Këto të zeza po na përcjellin edhe në ditët e sotit.

          Shumë luftëra  kanë bërë shqiptarët gjatë historisë. Shumë herë luftërat i kemi fituar  por pas luftës nuk kemi ditë me u gjetë dhe fitoret kanë ngelë të gjymta e ndonjënjë herë edhe jemi mbrapakthye. Epoka e Gjergj Kastriotit ka qenë fitore e plotë. Në Luftën e Dytë Botërore u orientuam drejt dhe fituam si kurrë më parë. Edhe lufta e UÇK-së doli e suksesshme dhe u bëmë me shumë miqë, si asnjë herë deri tani. Pas ngjarjeve të fundit, të cekura më lart, po vihet në pikëpyetje gjeturia e elitës tonë politike. A do të shkojmë drejt forcimit  të identitetit tonë europian  apo do të rrëshqasim stepave afrikano-aziatike?

          Kam frikën se me këto sjellje të elitës tonë politike prap do të rishfaqet  tek ne Vija e Teodosit por tani nuk dihet se nga do t’ia mbajnë shqiptarët?! Do të shkojnë rrugës së trasuar nga Rilindasit tanë apo do të zhyten në batakun e Orientit e për t’u mos u ngritur më kurrë?!

Kontrolloni gjithashtu

Donika Omari: Replikë me gazetarin, Ben Andoni, që përbalt kombin e vet

Donika Omari: Replikë me gazetarin, Ben Andoni, që përbalt kombin e vet

Një shkrim i botuar në një të përditshme me titullin: Urrejtja e shqiptarit patologji që ...