Tefta Cami-Cani:

Tefta Cami-Cani: Vështrim mbi Monografinë, “Gjashtë ditë sa një jetë” kushtuar dëshmorit, Labinot Krasniqi

 

Dëshmorët e kombit janë të pavdekshëm

Më 24 shtator 2016 mora pjesë në promovimin e monografisë me titull “ GJASHTË DITË SA NJË JETË”, AUTOR APOSTOL DUKA, ku përshkruhet me realizëm e në mënyrë jetësore jeta e shkurtër si moshë, por heroike  e lavdishme dhe e përjetëshme për luftëtarin e orëve të para e të përbetuar për jetë a vdekje për Çeshtjen kombëtare, Labinot Gani Krasniqi.

 Çështja shqiptare është vënë në rrugën e zgjidhjes dhe jemi në pragun e saj

U përfshiva në një atmosferë atdhetare e sjellë nga vitet e luftës dhe e heroizmave të pafund të shqiptarëve anekënd trojeve shqiptare. U mbusha me frymë liridashëse dhe ndjeva një besim të madh e të patundur se Çështja shqiptare është vënë në rrugën e zgjidhjes dhe jemi në pragun e saj. Ky besim buron nga traditat historike kombëtare, që ndër shekuj populli ynë ka luftuar dhe ka punuar që të njihen e publikohen të vërtetat mbi vendimet e padrejta të coptimit të Shqipërisë e të kombit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha europiane, si dhe të luftohet me përkushtim të madh për mbrojtjen e tyre. Këto tradita të vyera historike atdhetare, fatmirësisht ruhen me kujdes në memorien e historisë tonë kombëtare dhe trashëgohen nga brezi në brez në mënyre të pandërprerë. Vepra heroike e luftëtarit të lirisë, Dëshmorit të Kombit shqiptar, Labinot Gani Krasniqit dhe të gjithë të rënëve dëshmorë në luftën për Çlirimin e Shqiperisë nga pushtuesit nazifashistë dhe të Kosovës e të Kumanovës, si dhe për fitimin e të drejtave për Çamërinë dhe për shqiptarët, që banojnë në trojet e tyre në Maqedoni e në Mal të Zi, në Preshevë e Bujanovc, në Medvegj e Podujevë janë dhe do të mbeten ndër shekuj në Altarin Kombëtar të Luftës për Liri e Pavarësi të Kombit Shqiptar.

Zgjidhja e drejtë e Çeshtjes shqiptare ka të bëje, në radhë të parë, me edukimin atdhetarë të brezit të ri, me arsimimin e edukimin me motivin e lartë për t’i shërbyer atdheut e popullit të tij. Po kjo kërkon përgatitje e aftësim të brezave të rinj për të qenë të aftë në mbrojtje të lirive e të drejtave të njeriut, në përgatitje e aftesimin për të marrë pjesë e konkuruar me profesionalizëm në veprimtaritë prodhuese brenda e jashtë vendit në kuandrin e integrimeve e të levizjes së lirë të njerëzve dhe të nomandizimit të shoqërisë njerëzore. Këto procese të kohës kanë përfshirë edhe kombin shqiptar. Por me rëndësi është, që të synohet në ruajtjen e identitetit kombëtar, në integrimin me të gjitha vlerat e virtytet njerëzore e shoqërore, duke iu nënështruar konkurencës sipas aftësive dhe principit shqiptar e human, për të jetuar e fituar me djersën e ballit. Një rol të madh për edukimin atdhetar dhe me principet e integrimeve rajonale e globale ka familja, si qeliza bazë e shoqërisë, për të ndjekur shembullin atdhetar të parardhësve e të prindërve edhe në këto kushte të reja të integrimeve e lëvizjeve globale.

Monografia përshkruan kujtime të përjetuara e histori aktuale e të lavdishme heronjsh si të Adem Demaçit, Hydajet Hysenit, Gani Krasniqit e shumë e shumë të tjerëve të panumërt, që sistemi serbo-titist ua grabiti e masakroi moshën më të bukur të rinisë së tyre. Këta heronj të heshtur, por me vlera të pallogaritshme dhanë shembuj qëndrese stoike për Çeshtjen kombëtare, për lirinë e pavarësinë e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, sepse për ata dhe pasardhësit e tyre të gjitha trojet shqiptare janë atdheu i shtrenjtë i tyre, që duhen liruar, siÇ qe shembulli i djalit ende të parritur e dhëndërit të ri të familjes e fisit nacionalist të Krasniqëve, Labinotit e të qindra të tjerëve që shkuan e luftuan në Kumanovë. Këta djem nënash janë një shembull e model i shqiptarizmit, që e bënë theror rininë e jetën e tyre për zgjidhjen e Çeshtjes kombëtare, duke hedhur me neveri e trimëri dhunën e terrorin psikologjik e fizik, si dhe ofertat e pista për t’i mëshiruar e tradhëtuar idealet e tyre komëtare shqiptare, sipas shembullit të heroit të madh Hasan Prishtina, që u është përgjigjur kështu ofertave: “ Nuk heq dorë nga mbrojtja e trojeve shqiptare edhe sikur t’më falin gjithë arin e botës.”

Përpjekjet e lufta për lirinë e pavarësinë e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare kanë qenë të vazhdueshme

Nuk kanë as ditë e vit se kur kanë filluar, por që vazhdojnë të jenë në rend të ditës edhe sot e mot. Çdo brez ka patur, ka e do të ketë për mision zgjidhjen e Çeshtjes kombëtare me të gjitha mjetet e format e kërkesave të kohës, të integrimeve rajonale, europiane e botërore.

“ Dëshmorëve “ Nga Gjergj Fishta:”  O ata t’lumtë, qi dhanë jetën,

                                                                          O ata t’lumtë, që shkrinë vehten,

                                                                           qi për erz e nderë t’shqiptarëve,

                                                                           derdhën gjakun t’ue luftue.

                                                                           Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,

                                                                           but u kjofshin moti e stina.”

Sa djem e burra shqiptar kanë sakrifikuar e derdhur gjak ndër vite për të fituar lirinë e pavarësinë e vendit si dhe për të gëzuar liritë e të drejtat e njeriut krahas popujve të tjerë. Nënat shqiptare kudo që janë nuk e dëshirojnë luftën, nuk e duan gjakderdhjen e fëmijve të tyre e të bashkëmoshatarëve të të fëmijve të tyre, sepse luftrat ua kanë marrë nga gjiri engjëjt më të shtrenjtë, krijesat më të dashura të tyre, fëmijët. Por nënat shqiptare nuk e dëshirojnë as gjakderdhjen e bijve të kundërshtarëve, sepse zemra nënash e ndiejnë dhe e dijnë se ata janë viktima të politikave shoviniste. Prandaj edhe urata e tyre është: “ Qoftë konflikti e gjakderdhja e fundit dhe fundi i konflikteve gjakatare në këtë rajon!”

Model i një nëne trime e fisnike është e mbetet Nëna Xhemile, nëna e Notit apo Labit, nëna e Labinot Krasniqit. Burgun e persekutimet ndër vite nuk i provoi vetëm Ganiu me bashkëluftëtarët e tij, por më shumë edhe bashkëshortet e familjarët e tyre. Xhemile Krasniqi-Berisha mbajti mbi supet e saj që në moshë të re përgjegjësinë e barrën e gruas dhe të burrit të shtëpisë. I është dashur që të merrej me të gjitha punët e mbarëvajtjes së shtëpisë, të mirërritjes, të mbrojtjes, të arsimimit e të edukimit të fëmijëve të saj, të ecejakjeve mbas burgjeve të bashkëshortit, patriotit të orëve të para, Gani Krasniqit. Dhe ajo, kur flet për të birin, Notin, thotë: “ Jeta e Notit ishte e shkurtër dhe mua më mblidhen e bëhen bashkë lindja, fëmijëria, rinia, kurbeti, martesa, lufta, ikja e tij para kohe nga jeta, dhe Çdo gjë që ka ndodhur në ato pak vite të jetës së tij më duket si një Çast i vetëm.” Fl. 81

Xhemiles i kanë mbetur si meraqe apo pengje, që s’kishin të bënin me dëshirën  apo me mundësitë e saj. Ka provuar vështirësitë e emigracionit të djemve e sidomos të Notit, që kish provuar edhe largimin me rreziqe jete e vështirësi, si me gomone etj. Me gjithë leverditë që ka emigracioni, ajo u jep një mesazh filozofik të gjitha nënave shqiptare, sepse nga përvoja e saj, ka arritur në përfundim se: “ Më mirë bukë e kripë e në shtëpinë tënde, ku të ka rënë koka, se sa mbret në shtëpinë e huaj….” fl. 83

Pengjet e prindërve për fëmijët nuk kanë të sosur asnjëherë. Pas daljes nga burgu Gani Krasniqi, babai i Notit, ka pas dëshirë që ta kishte sa më pranë, apo siÇ thotë populli, ta kishte nën fletët e tij, por ka qenë e pamundur, “ sepse Kosova priste shumë nga burrat si Gani Krasniqi, që ishin betuar se nuk do të gjenin asnjë Çast prehje e qetësi, pa e parë Kosovën të lirë e të pavarur…Ora e Kosovës kishte ardhur, kushtrimi për luftën finale ishte dhënë prej kohësh, tani fjalën e kishte pushka.” fl. 87

Gani Krasniqi u ngrit e mori pjesë me djemt e tij Sylejmanin e Dinin si dhe me farefisin e tij në luftën për Çlirimin e Kosovës dhe bërjen e saj të lirë e të pavarur. “ Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, tregon Gani Krasniqi, ishte një zinxhir i zjarrtë brezash, nga të cilët asnjeri nuk ka të drejtë të marrë primatin dhe të thotë: “ Unë isha i pari.” Në veprimtarinë time, unë kam besuar se mund e duhet të jem më i dobishëm këtu brenda Kosovës, sesa të jem jashtë, në emigracion. I kisha të gjitha mundësitë të shkoja në Zvicër dhe në Gjermani, SHBA dhe gjetkë, por preferova të qëndroja këtu, madje në fshat dhe jo në qytet. Këtë ndjenjë, luftova shumë ta kultivoja edhe te fëmijët e mij, të cilët ishin jashtë dhe u kthyen në Kosovë sapo nisën këtu krismat e para. Syla, Dini ishin luftëtarë me armë në dorë në formacionet e UÇK- së, ndërsa Labinoti ishte ende djalë i njomë në ato vite dhe këtë e kishte peng të madh, dhe kjo ishte njera nga arsyet, në mos arsyeja kryesore, që ai shkoi në luftën e Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë, ku ishin qindra e ndoshta me mijëra djem nga Kosova dhe Shqipëria.” fl. 114

Gani Krasniqi ka qenë e është dhe do të mbetet gjithmonë si emblemë e nacionalizmit shqiptar me vizionin e kohës. Ai flet pak, megjithëse ka bërë shumë që në rininë e tij për Çeshtjen kombëtare, për fitoren e lirisë e të pavarsësisë së Kosovës. Nuk u ngjan atyre që i bien gjoksit dhe flasin e shkruajnë për veten e tyre. Ai nuk pajtohet as me ata burra, që kan folur e flasin pas kuvendeve, apo kanë ngritur e ngene ditirambe pas betejave. Gani Krasniqi ka qenë, është e do të mbetet shembulli i patriotit të madh të shqiptarizmës. Eshtë i heshtur dhe, kur flet, përpiqet të tregojë sa më shumë për të tjerët dhe bashkëluftëtarët e tij. Ndërsa kur e pyet për veten e tij, të sheh në sy dhe buzëqesh. Thjeshtësia e modestia dhe urtësia e tij janë tiparet kryesore të luftëtarëve të lirisë së Kosovës, që për luftrat e heroizmat që kanë bërë e vlerësojnë e thonë me modesti: “ Ishte një detyrim i kohës për zgjidhjen e Çeshtjes kombëtare.” Për Dëshmorët e Kombit flet vet vepra e tyre. Por është një detyrim atdhetarë e moral që bashkëluftëtarët e tyre t’i përshkruajnë me realizëm. Zgjedhja President i Republikës së Kosovës të një prej krerëve të UÇK-ës , z. Hashim ThaÇi, i arsimuar e doktoruar në Universitetin e Zyrihut të Zvicrës, është një vlerësim për luftën heroike të UÇK-ës dhe një shpresë për vlerësimin e luftëtarëve e të dëshmorëve të lirisë dhe të veteranëve.

Monografia nxjerr në pah filozofinë e nacionalizmit e të qëndresës mbarëshqiptare

Monografia ka një kompozim e stil të veçantë e gjithpërfshirës. Përshkruan e ndjerr më në pah filozofinë e tiparet e nacionalizmit e të qëndresës mbarshqiptar:

-Nacionalizmi shqiptar ka qenë e mbetet bazamenti e shtylla e qëndresës së kombit shqiptar.

-Strategjia e nacionalizmit shqiptar ka qenë e mbetet mbrojtja e trojeve ekzistuese me diplomaci e bisedime, por edhe me gjak e sakrifica për fitoren e pavarësisë së Kosovës, si dhe për sigurimin e lirive e të drejtave të njeriut baras me kombësitë e tjera në Maqedoni e Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, Bujanovc e Medvegj dhe për njohjen e zgjidhjen e Çeshtjes Çame .

-Strategjia e përmbajtja e nacionalizmit shqiptar nuk ka qenë e nuk është fryma shoviniste, për të pushtuar tokat e të tjerëve. dmth, të fqinjëve dhe për të dhunuar e masakruar popullsinë e tyre.

Nga të gjithë shqiptarët janë për t’u përshëndetur, Lëvizja e Vetvendosjes me Albin Kurtin për qëndresën që po bëjnë, por pa përdorim dhunë. S’duhen lejuar krijimi i enklavave serbe, sepse jo vetëm bien në kundërshtim me principet e integrimeve europiane, por janë shprehje e strategjive të reja serbomadhe për gllabërimin e Pavarësisë së Kosovës. Në qoftë se punohet për integrimin në Kosovë, duhet në radhë të parë, të punohet për integrimin e minoriteteve që jetojnë në Kosovë si ato serbe e të tjerë. Po s’u integruan ata brenda komunitetit shqiptar e komuniteteve të tjera, si mund të flitet pë integrimin rajonal e europian. Mendoj se s’duhet lejuar as zbatimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, që i grabit Kosovës territore. Si marrëveshja e krijimit të enklavave serbe ashtu edhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi, janë në kundërshtim me principet e kohes lidhur me respektimin e lirive e të drejtave të shteteve përkatëse dhe të territoreve të tyre. Ata që detyrohen t’i nënshkruajnë ato akte, duhet të mendohen mire, se ato firmëtar e qeveri, historia do t’i gjykojë e dënojë me ashpërsi e neveri autorët dhe do t’i cilësojë tradhëti kombëtare.

Dihet që Fuqitë e Mëdha i coptuan padrejtësisht trojet shqiptare për të kënaqur babëzitë e fqinjëve. Edhe gjatë këtyre 26 viteteve BE vazhdon të mos jetë në përkrahje të kombit shqiptar, nga keqinformimi, apo tradita historike e tyre për të mbështetur fqinjët në dëm të kombit shqiptar. Si mund të shpjegohet, se vetëm Republikës së Kosovës në Ballkan nuk i është dhënë e drejta e levizjes së lirë në Europë?!  Pse vetëm Kosova të konsiderohet si delja e zezë në Ballkan, që s’paska përmbushur kriteret e BE. Kur dihet se Republika e Kosovës është shteti më i ri, që po përpiqet të forcojë institucionet e të katër pushteteve, me gjithë shqetësimet që vazhdon t’i nxisë Serbia. A duhet që Elita politike e shtetërore shqiptare këtej e përtej Drini, të vazhdojë t’u bindet diktateve të BE pa asnjë ekuivok, duke u udhëhequr vetëm nga besimi i tyre te integrimi europian e botëror?! Ne shqiptarët e kemi treguar, se jemi për integrimin, por jo të jetë në dëmin tonë, ndërsa Europa të vazhdojë të kënaqë zilitë e pretendimet, apo tekat e fqinjëve. Kërkesat e fqinjëve janë që të hiqen nga historia e popullit shqiptar konfliktet që kanë qenë zhvilluar në të kaluarën, për mbrojtjen e trojeve shqiptare, ku janë vrarë e shkuar në bajonetë mijra e mijra shqiptarë, burra e gra, si dhe fëmij, si dhe janë djegur e zhdukur fshatra. Kjo lloj oferte bëhet nga fqinjët në shqipëri. Ndërsa në Maqedoni kam dëgjuar që as që bëhet fjalë për njohjen e historisë së popullit shqiptar me të vërtetat historike e pa subjektivizma, politizime e manipulime. Ndërsa qeveria Greke vazhdon të kërkojë varret e ushtarëve grek, megjithse deri tani e ka mbushur Shqipërinë me parcela të tilla.Edhe nëse ka të tilla, ata kanë qenë pushtues në Shqipëri dhe i takon Qeverisë Greke, që të vijë e t’i marrë dhe t’i varrosë me nderime në vendin e tyre, siÇ u veprua edhe me të rënët e ushtrisë pushtuese fashiste italiane dhe të rënët e ushtrisë pushtuese naziste gjermane.

Në Shqipëri kanë dalë në qarkullim pas viteve ’90 tekstet alternative të Historisë të Popullit Shqiptar. A duhet të ketë tekste alternative në shkolla në fushën e albanalogjisë? Historia e Popullit Shqiptar e shkruar gjatë sistemit socialist, kishte vend për korrigjime në këto drejtime:

  1. Për të hequr politizimet e ideologjizimet, deformimet e manipulimet, si dhe glorifikimet e mohimet e padrejta.
  1. Teksti i historisë së popullit shqiptar të përfshijë historinë e të gjithë shqiptarëve këtej e përtej Drinit, pavarësisht se kanë qenë e vazhdojnë të jenë të ndarë në 6-të shtete edhe tani.
  1. Hartimi i tekstit të historisë së popullit shqiptar duhet vlerësuar si një mision i madh kombëtar dhe të hartohet e shkruhet mbi bazën e një programi nga një grup akademikësh nga të gjitha trojet shqiptare. Me përfundimin e hartimit tekstit të zhvillohet një debat e kritikë shkencore me akademikë të fushave përkatëse.
  1. S’duhen lejuar ndërhyrjet e politikës e të politikanëve në vlerësimet e interpretimet e ngjarjeve e të figurave historike të popullit shqiptar. Mendohet se edhe profesorati i historianëve në Shqipëri, një pjesë e të cilëve, duke u udhëhequr nga motoja e urrejtjes të luftës kundë komunizmit, synojnë e punojnë për mohimin e LANÇ dhe të periudhës 45 vjeÇare të sistemit socialist. Mbi baza politizimesh bëhen edhe dhënia apo heqja e dekoratave. Pse e si bëhen dhe kujt i shërbejnë ato vendime apo dekrete?!

Orjentimi i hartimit të programeve e të teksteve të historisë të popullit shqiptarë është, që t’u përgjigjen filozofisë së BE, dmth, të integrimeve rajonale, europiane e botërore. Ndërsa vetë anëtarët e BE vazhdojnë me të drejtë të ecin në traditën e tyre për hartimin e teksteve të historisë së popujve të tyre. Ngjarjet e episodet që janë zhvilluar në të kaluarën nuk mund të fshihen dhe të lihen në harresë. BE e ka bërë të qartë, se s’ka integrim për Shqipërinë e shqiptarët në familjen e madhe europiane, pa zbatuar principet e orjentimet e saj.

Mendoj se e vetmja zgjidhje është krijimi i shoqatave të historianëve dhe të tjera forma organizative të shoqërisë civile, që të merren me hartim programesh e tekstesh alternative në fushën e historisë e të shkencave albanalogjike në tërësi me të vërtetata historike dhe të konkurojnë me programet e tekstet e tjera alternative të botuara nga autorë e ente të tjera botuese.

Me keqardhje e shpreh, se asnjë sistem e regjim nuk i mbështesin e përkrahin nacionalistët për shumë arsye, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet diplomatike e situatat politike. Por nacionalistët i përdorin vetëm, kur kanë nevojë për të fituar kredibilitet para popullit.

Me shumë rreziqe e pasoja ndaj kombit shqiptar ka qenë e mbetet strategjia e pansllavizmit rus në Ballkan. U shpërbë perandoria e ish-Bashkimit Sovjetik, por vazhdon të mbijetojë e ringërihet ideologjia e filozofia e saj, pansllavizmi.

Të gjithë ndihemi mirë e krenarë, që hyjmë e dalim lirisht në Shqipëri e Kosovë, që zhvillohen veprimtari e kremtime të përbashkëta si shqiptarë mbas fitores së Pavarsisë së Kososvës me luftë e sakrifica të mëdha, me luftën e UÇK e të NATO-s dhe ndihmën e madhe të SHBA. Ndihem me fat, se u bëra pjesë e proÇesit të afrimit të shqiptarëve me atdheun amë, Shqipërine, sepse prej shumë vitesh qe krijuar një ndarje e ftohtësi apo ngricë e akull midis shqiptarëve. Kam pritur e jam takuar pothuajse me të gjithe elitën e shquar të inteligjencës shqiptare të të gjitha trojeve shqiptare e, sidomos të Kosovës. Kam ndier e ndiej mall për t’i takuar e biseduar me ta si vëllezër të një gjaku, që kemi bashkëpunuar e mirëkuptuar megjithë se jetonim e punonim në dy sisteme të kundërta.

Janë për t’u vlerësuar e përgëzuar e gjithë inteligjenca e profesorati i UT e të Instituteve të Larta të tjera të Shqipërisë dhe profesorati i UP e te Instituteve të Larta të Kosovës, si dhe institucione kombetare të kulturës e të arteve dhe të sporteve të Shqipërisë e të Kosovës për frymën vëllazërore të bashkëpunimit gjatë viteve 1968-1981. UT e Institutet e Larta të Shqipërisë plotësonin 80% të programit në UP e në Institutet e tjera të Kosovës, ku jepnin leksione e merrnin në provim, si dhe udhëhiqnin doktorantura profesor nga Shqiperia. Nga viti 1970 e në vazhdim shkollat e të gjitha cikleve të Kosovës punonin me programet e tekstet e shkollave të Shqipërisë të redaktuara. Enti Botues i Kosovës merrnin Çdo vit sasi të caktuara të të gjitha botimeve shkollore, që bënte Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore dhe, pasi i redaktonin nga politizimet e ideologjiizimet, i ribotonin e furnizonin të gjitha ciklet e shkollave në Kosovë. Veprimtaritë e puna e madhe e me përkushtim e profesoratit dhe e gjithe inteligjencës në ato vite ndikoi në ringritjen e ndërgjegjes kombëtare.

Për ato vite që kam drejtuar MAK jemi përpjekur të bëjmë maksimumin e mundshëm. Me shpërthimin e demostratave në vitin 1981 me moton e drejtë “ Kosova Republikë “, 2-3 muaj pas vizitës time në Kosovë si ministre, u ndërprenë marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kosovës. Unë s’arrita t’i plotësoja dot kërkesat që m’u bënë dhe premtimet që mora në Kosovë nga acarrimi i situatës politike. Por edhe mua më ndodhi në atë kohë një aksident i rëndë automobilistik. Beogradi dislokoi forca të mëdha policore e ushtarake në Kosovë, ku avionët jugosllav fluturonin e kontrollonin kufirni gjatë gjithë kohës. Mbyllën UP e shkollat e tjera të larta e të mesme, përveÇ masave të tjera represive si burgosjeve e kontrolleve, plagosjeve e vrasjeve etj. Për të ndihmuar studentët në Kosovë, u hap një emision në RTVSH, ku profesorati e akademikët shqiptar jepnin leksione të lëndëve përkatëse, duke improvizuar edhe auditore me studentë, ku bëheshin pyetje dhe jepeshin shpjegimet e nevojshme.

Tani janë krijuar kushtet dhe mundësitë që të mos kemi kufi e dogana midis dy Shqiperive. S’mund të ketë integrim rajonal e europian, pa integrimin midis dy shteteve shqiptare, qe përbëjmë një komb, një etni, një traditë, një gjuhë, një kulturë. Shpresoj se do të hartohet një strategji mbarëkombëtare, që të veprojë për zgjidhjen e Çeshtjes kombëtare në kuadrin e integrimeve rajonale dhe europiane.

Por shikojmë, se shovinizmi serb udhëhiqet nga strategjia e faktit të kryer siç është edhe ngritja e kishës para Universitetit të Prishtinës, apo kishat bizantine i kanë emërtuar si kisha serbe, kur ato kanë qenë ngritur mbi kishat ilire. Janë provokative hyrjet e daljet e udhëheqësve të Serbisë në Kosovë me raste kremtimesh fetare. Praktikimi i strategjisë të faktit të kryer, i bën edhe europianët që të heshtin dhe të mos ndërhyjnë për zgjidhje të drejta konform ligjeve të shtetit të Kosovës. Mendoj që edhe Kosova të tilla veprimeve, t’u përgjigjet me të njejtën monedhë, pa lejuar asnjë lëshim në dëm të territorit të Kosovës.

Shqiptarët nuk janë hakmarrës dhe nuk ushqejnë urrejtje ndëretnike, sepse e kanë mëse të qartë se ndienja e urrejtjes dhe e hakmarrjes janë primitive e makabre dhe me pasoja vrastare. Prandaj shqiptarët kudo që janë në Shqipëri e Kosovë dhe në viset e tjera në Maqedoni e Mal të Zi, në Preshevë e Bujanovc dhe Medvegj, në Çamëri e diasporë duan paqë e qetësi. Por në të njejtën mënyrë kërkohet të përgjigjen edhe fqinjët, për të zbatuar liritë e të drejtat e shqiptarëve siÇ është marrëveshja e Ohrit, që u fitua me luftë e sakrifica nga shqiptarët e Maqedonisë e të Kosovës dhe Shqipërisë, u fiitua me gjakun e derdhur të dhjetra e qindra dëshmorëve të kombit, ku dha jetën edhe dëshmori Labinot Krasniqi.

     Lavdi të përjetshme jetës e aktit heroik e gjitëhmonë frymëzues të dëshmorit Labinot Krasniqi dhe gjithë dëshmorëve të lirisë e pavarsisë!

(Tefta Cami-Cani, ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës së RPSSH

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …