Vetëm tri ditë para se deputetët e legjislaturës së re të bëjnë betimin, vëmendja politike mbetet e përqendruar te formimi i institucioneve të reja, ndërsa zgjedhja e presidentit vazhdon të shihet si sfida më e madhe. Kuvendi i Kosovës pritet të konstituohet më 6 gusht, ndërsa 110 deputetët e rinj do të kenë përgjegjësinë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të vendit. Kriza për postin e presidentit kishte çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi në përpjekjen e kaluar nuk u arrit kuorumi për zgjedhjen e kreut të shtetit, edhe pse ishin propozuar katër kandidatë: Glauk Konjufca, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje doli sërish forcë e parë me 53 deputetë, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 deputetë. Pas certifikimit të rezultateve më 8 korrik, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nisi takimet me liderët e partive opozitare për të gjetur një marrëveshje politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
