Milush Kopiliqi

Tri çështje kryesore që duhet të kihen para sysh kur flitet për Luftën e Kosovës të vitit 1389

Lufta e Kosovës e vitit 1389, në mes të forcave të Perandorisë Osmane dhe Koalicionit të krishterë ballkanik pa dyshim se është njëra ndër ngjarjet historike, e cila, si asnjë ngjarje tjetër ka lënë prapa një mjegull të dendur, të mbuluar me mite e legjenda si në kujtesën shqiptare ashtu edhe në atë serbe e më gjerë. Për ta shpërndarë sado pak atë “mjegull”, mes tjerash  duhet të kemi para sysh fakte të argumentuara.

  1. Në radhë të parë është prania dhe përkatësia e krishterë ortodokse e shqiptarëve në Kosovë, të cilën pa fakte e përjashton historiografia serbe, por e tregojnë “Defterët turq të regjistrimit të vitit 1455”, të cilët i ka përkthyer nga origjinali, në gjuhën turke, i ka studiuar dhe i ka sistemuar, prof. dr. Muhamet Tërnava, tani i ndjerë, si dhe zbulimi epokal që ai i ka bërë antroponimisë shqiptare në Mesjetë. Në doktoraturën e tij, mbrojtur në Zagreb: “Popullsia  e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” ai  kishte bërë një zbulim epokal të historisë së mesjetës, e cila fatkeqësisht mbeti në disa korniza jo serioze sa i përket qasjes, që duhet të kenë institucionet tona shkencore e akademike mbi të arriturat shkencore të këtij libri.

Ai kishte zbuluar me një invencion të shkencëtarit, se antroponimet e mijëra familjarëve të fshatrave dhe qyteteve të Kosovës, të  prezantuar në regjistrimin turk të Vilajetit Vëllk të vitit 1455, kishin mbaresa të ndryshme gramatikore, që iu referoheshin folësve shqiptarë, sllavë, serbë, grekë e të tjerë.

Ai kishte sintetizuar idenë e tij në mënyrë analitike dhe kishte ardhur në përfundim si për shembull:

 

Dimitër Dimitri, ka përkatësi shqiptare, mbaresa për mbiemrat shqiptarë me -i

Dimitar Dimitrijeviq, mbaresa karakteriske përkatësi sllave e serbe, – iq-oviq

Dimitar Dimitrov, sllave bullgare, mbaresa me -ov

Dimirtis Dimitraqis, përkatësi greke. –aqis

 

Duke ndjekur këtë metodologji, ai kishte ardhur në përfundim se shumica e popullatës së Kosovës, në Mesjetë, ka qenë shqiptare ortodokse dhe ajo sipas analizës të faktuar në këtë libër përbënte rreth 80% të popullatës së përgjithshme,  pasuar me popullatën serbe, vllahe e pakica të tjera.

 

  1. Prania e këngëve për Luftën e Kosovës në folklorin shqiptar të Kosovës dhe veriut të Shqipërisë. Nga mbledhës të huaj dhe vendës të këngëve për Luftën e Kosovës janë regjistruar 7 këngë në rajone të ndryshme të vendit, me gjithsej rreth 3000 vargje, të cilat studiuesit serbë Glisha Elezoviq dhe Bajraktareviq i cilësojnë si  këngë më të arrira artistikisht sesa vetë eposi serb. Këngët e Luftës së Kosovës i kanë hulumtuar dhe i kanë shënuar edhe studiues të huaj si: Margaret Hasluck, Grigorije (Glisha) Elezoviq, Albert Lord, pastaj gjurmuesit shqiptarë të kësaj lënde si Anton Çetta, Gani Luboteni e të tjerë.
  1. Mbetjet fizike të Mesjetës në disa fshatra të Drenicës, në fshatin Kopiliq i Epërm, Kopiliq i Poshtëm, në Rezallë e gjetkë, të cilat në disa segmente nxjerrin në sipërfaqe emrin e Milush Nikollë Danait, apo Milosh Kopiliqit, në emër të fshatit. Në regjistrimin e vitit 1455, në fshatin Kopiliq del i shënuar krahinari,  Nikollë Danai.

 

Serbët kanë bërë gjurmime arkeologjike në Kopiliq, por nuk kanë gjetur asnjë mbishkrim sllav mbi varreza. Ata në vitin 1985 në arën e Imer Ismajlit  kanë marrë një gur një monument shkrimor rreth metër kub dhe e kanë dërguar në Beograd, por nuk kanë dhënë as edhe një informatë për të. (Ibrahim Çitaku në monografinë “Drenica”)

Në këto fshatra të Drenicës, përveç toponimeve është ruajtur edhe kujtesa se varri i Milush Kopiliqit ndodhet në varrezat e Rezallës. Ky është vetëm një hamendësim, i përcjellë nga brezi në brez, por nuk ka asnjë dëshmi relevante, asnjë mbishkrim. Mund të ketë qenë edhe varr i një  njeriu me emrin Milush- Milosh.  Pavarësisht kësaj, aty ndodhen dy gurë të mëdhenj varri, gurë të latuar, që i kanë larguar rrënjët e një rrapi shekullor, i cili duhet të ketë mbirë apo të jetë mbjellë pas varrimit, të një personi të caktuar,

Evidentimi i një guri të varrit në varrezat e lagjes “Kuçani”, në Kopiliq të Epërm, i përmasave të mëdha, në formë të kryqit të dyzuar bizantin, po ashtu paraqet interes, sepse nuk është larg vendit ku ndodhet “Bunari i Milloshit”.

Pastaj paraqesin interesa edhe emërtime që i ka prezantuar studiuesi, Ibrahim Çitaku në monografinë, “Drenica”, ku ai ka evidentuar emrat e vendeve si: “Bunari i Miloshit”, “Kroni me dy krena”, “Fusha e Sharanit”, “Varret e Llatinëve”, “Ara e Kishës” etj.

 

Disa pyetje që meritojnë përgjigje shkencore

 

Tani shtrohet pyetja pse shqiptarët e Kosovës, i kanë kënduar me respekt Milush Kopiliqit dhe Betejës  së Kosovës, nëse ata nuk kanë ekzistuar fare në Kosovë, gjatë mesjetës  sikur shkruan historiografia serbe?

Pastaj edhe sa e sa pyetje të tjera:

Pse shqiptarët myslimanë i kanë kënduar një trimi të krishterë serb, madje nuk i kanë kushtuar vetëm një këngë,  por një epos të tërë?

A do të kishte logjikë që shqiptarët t’ iu kishin kënduar këngë serbëve, me të cilët i lidh armiqësia prej shekullit 7 kur ata u dyndën nga Rusia e vendet përtej Karpateve dhe u  vendosën dhunshëm në trevat e Ilirisë dhe të Dardanisë.

Pse shqiptarët nuk kanë asnjë këngë për luftën e Dytë të Kosovës, të vitit 1448, ku humbjet e aleancës së krishterë në krye me, Janosh Hunjadin e Hungarisë kishin qenë pesëfish më të mëdha, sesa në luftën e vitit 1389. Këngëtari popullor shqiptar nuk i ka kënduar asaj lufte sepse nuk kishte prijës shqiptarë në të, ose edhe nëse kishin qenë nuk ishin nga Kosova.

Kënga e parë e shënuar për Betejën e Kosovës të vitit 1389, nga Glisha Elezoviq, flet se këngëtari, të cilin ai e kishte takuara në burg, Xhemë Bojku i kishte thënë se këngën e kishte mësuar nga Maliq Zhabari, në fund të shekullit 19-të, që do të thotë se ajo ishte krijuar kaherë nga rapsodë anonimë dhe kishte arritur e paprekur deri në kohën tonë, që janë afër 200 vjet.

 

Miti apo historia?

 

Lidhur me qasjen ndaj Luftës së Kosovës, kemi dy këndvështrime që nuk mund të pajtohen shkencërisht, sikur janë  miti dhe historia. Miti nuk mund të shpjegohet me metoda e fakte të historisë, sepse ajo mbështetet në fakte dhe dokumente shkrimore, ndërsa miti rrëfimi i përcjellë nga brezi në brez,  merr për bazë legjendat dhe kujtesën e treguar e ritreguar  gjatë shekujve.

Realisht Lufta e Kosovës nuk është një mit, as këngët nuk janë këngë legjendare sikur mësohet në folklor dhe në Albanologji përgjithësisht, por janë këngë historike me elemente legjendare, sepse kemi të bëjmë me një histori, me një Betejë, të caktuar e cila është e shënuar në tërë literaturën historike të kohës, Romë, Bizant, Turqi, Hungari, Bullgari, Greqi, Dubrovnik, Francë, Gjermani.  Kemi të bëjmë me personazhe historike të kohës dhe mohimi i këtij realiteti nga disa studiues, madje edhe historianë me tituj shkencor është mohim skandaloz i vetë historisë.  Nuk mund të mohohet ekzistenca e Sulltan Muradit të Parë, e bijve të tij Jakup dhe Bajazid. Nuk mohohen dot vojvodët serbë si: Mbreti Llazër, Vuk Brankoviqi, Milosh Kopiliqi, ( Milosh Obiliq), e të tjerë.

Nuk di ku mbështesin të dhënat këta historianë kur shkruajnë se krejt ajo ka qenë një komplot, se nuk ka pasur fare luftë se e tëra qenka  vetëm një legjendë. Historia turke, historia e Perandorisë më të madhe të botës në atë kohë ka shënuar Betejën e 15 qershorit të vitit 1389, në Kosovë, si Lufta e Kosovës dhe e tillë është e shënuar në tekstet e historisë dhe të enciklopedive të tërë botës.

Për Luftën e Kosovës të vitit 1389 kanë qindra burime historike, prej burimet turke të dorës së parë pastaj, burimet e  Bizantit dhe shteteve të Evropës.

Lufta e Kosovës e vitit 1389 është prezantuar gjerësisht në librin: Historia e Perandorisë Osmane: të historianit austriak, Josef Von Hammer dhe në shumë  monografi e tekste të historisë.  ( Ahmet Qeriqi)

 

Referenca për shkrimin:

Dr. Muhamet Tërnava: Popullsia  e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995.

“Popullsia  e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”

Josef Von Hammer: Istorija, turskog-osmanskog carstva 1978, Zagreb

Ibrahim Çitaku në monografinë, “Drenica”.

Ahmet Qeriqi: Milush Kopiliqi serb apo shqiptar, Prishtinë, 2003.

Anna di Lellio: Tha Battle of Kosov0 1389, an albanian epic, I.B Tauris, 2009.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …