Tri vjet qeverisje e arrogancës dhe e papërgjegjësisë, qeverisje e përçarjeve dhe ndasive brenda kombit

Kosova  e çliruar në vitin 1999, pas 87 vitesh nën robërinë sllave e serbe, falë  gjakut të  derdhur rrëke të dëshmorëve e martirëve, falë Luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës nga ajri të forcave ajrore të NATO-s, arriti Lirinë e më pas Shpalli edhe Pavarësinë, por vështirësitë, problemet, ballafaqimet nga brenda e nga jashtë, vazhdimisht ia kanë zënë dhe po ai zënë frymën. Megjithatë Kosova ia del ta ruajë lirinë e pavarësinë, në radhë të parë falë pranisë së forcave paqeruajtëse të KFOR-it, të Policisë së Shtetit  dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për problemet e jashtme që ka Kosova veçmas me Serbinë, nuk mund të fajësohet shumë, asnjë nga qeverisë e deritanishme që nga Qeveria e Përkohshme që doli nga Rambujeja në mars të vitit 1999 e deri te kjo e sotmja, edhe pse  ka pasur dhe do të ketë dallime në këtë drejtim.

Për problemet brenda Kosovës dhe raporteve brenda-shqiptare, fajtori kryesor  ka qenë dhe po mbetet brenda nesh, por  edhe këto raporte  një disa segmente varen nga faktori ndërkombëtar dhe politikat aktuale, rajonale e më gjerë.

Kosova është shteti i pavarur që nga 17 shkurti i viti 2008, kur në Kuvend u shpall pavarësia nga tre krerët e shtetit: kryeministri, Hashim Thaçi, kryekuvendari, Jakup Krasniqi dhe kryetari, Fatmir Sejdiu dhe më pas u njoh nga shtetet më të fuqishme të botës, si Amerika, Anglia, Franca, Italia, Gjermania, Turqia dhe më shumë se 100 vende të tjera të botës, por jo edhe nga dy superfuqitë e botës, sikur janë Rusia dhe Kina.

Prej asaj kohe e deri sot Kosova  është pjesë e shteteve të pavarura por nuk është e pranuar në OKB as në BE, pasi që ende vlen rezoluta e KS të OKB-së, prej vitit 1999 e deri tani. Ky është laku, të cilin e ka në qafë Kosova dhe që shkakton një varg pengesash në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Duke qenë e mbajtur peng nga KS i OKB-së, i cili vendin tonë ende e trajton  provincë nën sovranitetin e Serbisë,  Kosova ende nuk trajtohet shtet me ingerenca të plota dhe statusi i saj ende nuk del të jetë përfundimtar, derisa Serbia të arrijë qëllimet e saj, me të cilat do të pajtoheshin Kina dhe Rusia në KS të OKB-së.

Në një situatë të tillë, Kosova nuk mund të bëjë asgjë në mënyrë autonome, sikur bëjnë shtetet e pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht.

Në këtë konstelacion të forcave, Kosova ka pozitë shumë më të dobët sesa, Serbia, e cila për afër 90 vjet, e krijuar nga Rusia, Anglia, Franca e shtete të tjera të Evropës  qoftë si Serbi apo  Jugosllavi me Serbinë brenda ka qenë shtet xhandar i Ballkanit, dhe nga një Pashallëk i Beogradit në kohën e Perandorisë Osmane  është krijuar një shtet i madh, duke aneksuan më shumë se gjysmën e territorit të Shqipërisë veriore dhe verilindore,    territoret e një pjesë të Bullgarisë, Hungarisë, një pjesë të Rumanisë, si Krahina e Timokut, duke bërë bashkë popujt sllavë të Ballkanit në një Mbretëri, pastaj në një Federatë.

Si krijesë e tillë Serbia, pavarësisht luftërave të përgjakshme që ka shkaktuar dhe vrasjen e qindra mijëra boshnjakëve myslimanë në Bosnje e në Sanxhak, pastaj në Kroaci dhe në Kosovë   vazhdon ta ketë mbështetjen e fortë të shteteve kryesore të Evropës, tani të BE-së.

 Për të bërë diçka në këtë drejtim, në radhë të parë duhet unitet  e jo përçarje, duhet dashuri e respekt vëllazëror ndaj bashkëkombësve kudo ku janë në pesë shtete të Ballkanit dhe në mërgatë  e jo armiqësi, arrogancë,  përçarje, ndasi dhe përpjekje për dominim, nga frika  fundosjes së ksëaj apo asaj partie. Përçarjen e madhe e ka filluar dhe po e thellon pikërisht Albin Kurti, lideri i cili me mashtrime për bashkim kombëtar erdhi në pushtet dhe pastaj u kujtua e tha se bashkimin kombëtar  nuk po e lejuaka Kushtetuta e Kosovës. Tani pretendon se bashkimin do ta bëjë duke e zgjeruar partinë e tij dhe duke lënë që ndonjë sylesh të nënkuptojë se kjo u bëka pikërisht për bashkim. Pikërisht me këtë qëllim Vetëvendosja edhe zyrtarisht përfshihet  në garën për pushtet në Maqedoni, duke i përçarë shqiptarët ashtu sikur edhe në Kosovën Lindore

Pas përçarjes që ka bërë në tri komunat e Kosovës Lindore, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku afër gjysma e zgjedhëse nuk morën pjesë në zgjedhjet vendore të Serbisë, të njëjtën përçarje Albin Kurti dhe  Vetëvendosja po e përshkallëzojnë edhe në Maqedoni, me qëllim të dobësimit të partisë më të madhe në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.

Mediet në Maqedoni bëjnë të ditur se  Vetëvendosje e Albin Kurtit, është përfshirë edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut, duke iu bashkuar koalicionit të opozitës të dobët shqiptare në një koalicion.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti njoftoi se në hapjen e zyrës së përbashkët të këtij koalicioni në Shkup mori pjesë edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Kjo lëvizje i bashkohet  Lidhjes Europiane për Ndryshim. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti, Izet shkroi Mexhiti. Në këtë ngjarje, ai ka thënë se me inkuadrimin e partisë së Kurtit, do ta bëjnë ndryshimin e shumëpritur edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në të vetmin vend ku Kurti dhe argatët e tij po  arrijnë t’ i futin hundët, dhe nuk po arrijnë asnjë rezultat me përçarje është Shqipëria, edhe pse atje bëhen “përpjeke të mëdha për mbi vdekje”, por  nga këto përpjekje në zgjedhjet e fundit atje ngelën  në veriga vetëm një mi leshatok dhe mijushe anemike,  dhe,  asgjë më shumë.  Ata pretendonin t i fitonin të paktën  tri vende në Kuvendin e Shqipërisë, por ngelën me gishta në gojë

Albin Kurti,  edhe pse ka respektin më të madh për Sali Berishën, këtë e thotë në rrethin e tij të ngushtë, ai nuk ka guxim ta përkrahë hapur, vetëm sepse Berisha është në listën  e zezë të Amerikës dhe person i shpallur “non grata”. Ky fakt ia ka mbyllur rrugën përkrahjes, me qëllim për ta rrezuar Qeverinë Rama, të cilën Kurti nuk e duron dot, sepse nuk matet dot me Edin, në diplomaci, inteligjencë dituri e zgjuarësi, nuk e duron superioritetin e tij, sepse ndihet në siklet të inferioritetit sa herë takohet me të.

Përse Kurti me argatë, sejmenë e ithtarë të tij po ndërmerr këta hapa me qëllim të thellimit të përçarjes ndër shqiptarë, dhe përse po e përkrahin disa “koka” të vetëvendosjes nga ata që aq shumë pretendojnë se janë të angazhuar në krijimin e uniteti brenda-kombëtar, me qëllim edhe të bashkimit. Apo ndoshta krejt ato fjalë të zjarrta  patriotike i kanë folur për të fituar besimin e zgjedhësve,  duke i mashtruar me premtime ndër më të ndryshmet ndërsa në mendje kanë bluar dhe e bluajnë  atë thënien cinike të Nikolla Pashiqit: Narode moj, stoko moja, “Populli im shtaza ime besnike”. Natyrisht se një popull, shumicën e të cilit e kanë mashtruar pushtuesit, në të kaluarën,  pse të mos e mashtrojnë edhe bashkëkombësit. Ka matrapazë të tillë plot e përplot.

Kurti do t’ i përçante edhe bashkëvendësit e tij në Mal të Zi, por atje ka pak shqiptarë dhe nuk ia mbushin syrin. Atje ku ndër shekuj janë “sukobitë”  shqiptarët e cernagorët, tani ata janë kumbarë e “pobratima” dhe janë pajtuar përfundimisht me  pozitën e tyre minoritare  nën Mal të Zi. Atje nuk ka çka lypë Vetëvendosja, sepse edhe nuk e do askush.

Pretendimet dhe zotimet e  Kurtit dhe ithtarëve të tij besnikë të verbër për bashkimin dhe unitetin e shqiptarëve, kanë dalë sheshit, dhe tashmë po rezultojnë me përçarje, mungesë respekti njerëzor e kombëtar.  Shumica shqiptare në Maqedoni, edhe pse nuk ka marrë pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, besimin qe 20 vjet ia ka dhënë Ali Ahmetit, drejtuesit ë luftës në Maqedoni dhe fituesit konstant në zgjedhje. Kjo i pengon Albin Kurtit. Madje shumë më tepër i pengon edhe dashuria e respekti vëllazëror që ka Ali Ahmeti me të vetët për krerët e luftës së UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin Rexhep Selimin e të tjerët, me të cilët ka marrë pjesë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si kuadër i lartë i saj.

A është kjo arsyeja kryesore pse Albin Kurti pretendon  ta rrëzojë Ali Ahmetin, apo pas tërë kësaj fshihet diçka edhe në e zezë e më e kobshme, që jo vetëm njëherë e kemi përjetuar nga të tillët…

 

Ahmet Qeriqi

  1. 12. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …